KAPITULLI 36
A jam i varur ndaj medias elektronike?
«Vdes, vdes, vdes të dërgoj mesazhe. S’kam parë gjë më fantastike. Mund të thuash që jam skllav i tyre.»—Alani.
KUR prindërit e tu ishin adoleshentë, format më të përhapura të medias elektronike ishin televizori dhe radioja. Në ato kohë, telefonat ishin thjesht telefona—përçonin vetëm zërin dhe duheshin varur në mur. A ju duket tepër e vjetër kjo skenë? Një vajzë me emrin Ana do të thoshte se po. «Prindërit e mi janë rritur në epokën e gurit për sa i përket teknologjisë,—thotë ajo.—Tani po kuptojnë se si funksionojnë disa opsione të celularëve.»
Sot mund të marrësh një telefonatë, të dëgjosh muzikë, të shohësh një shfaqje, të bësh një lojë, t’u dërgosh një e-mail miqve, të bësh fotografi e të hysh në Internet—dhe të gjitha këto vetëm me anë të një pajisjeje që mund ta mbash në xhep. Ngaqë je rritur me kompjuterë, celularë, televizorë dhe Internet, ndoshta të duket normale t’i përdorësh gjatë gjithë kohës. Por, prindërit e tu mund të jenë të mendimit se ti je bërë skllav i tyre. Nëse ata shprehen të shqetësuar për këtë, mos i shpërfill këshillat e tyre si të jenë jashtë kohe. «Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë,—tha mbreti i mençur Solomon,—kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.»—Proverbat 18:13.
A e ke vrarë ndonjëherë mendjen se përse mund të jenë të shqetësuar prindërit e tu? Përgjigjju pyetjeve në vijim për të kuptuar nëse ke shenja që tregojnë se je i varur ndaj ndonjë forme të medias elektronike.
Testo veten: «A kam krijuar varësi?»
Një enciklopedi e përkufizon varësinë ndaj diçkaje si «zakoni i teprimit me një aktivitet që një person nuk është në gjendje ose nuk do që ta ndërpresë, pavarësisht nga pasojat e tij të dëmshme». Kushtoji vëmendje analizimit që i bëhet më poshtë këtij përkufizimi. Lexo citimet dhe mendo nëse ke thënë ose ke bërë diçka të ngjashme. Pastaj shkruaj përgjigjet e tua.
Teprimi. «Kaloja orë të tëra me lojërat elektronike. Më linin pa gjumë dhe s’flisja për gjë tjetër me të tjerët. Veçohesha nga familja dhe përhumbesha në botën imagjinare të lojërave.»—Endrju.
Sipas teje, sa kohë është e arsyeshme të kalohet çdo ditë me median elektronike? ․․․․․
Po prindërit, sa kohë mendojnë se duhet të kalosh me të? ․․․․․
Gjithsej sa kohë kalon në të vërtetë çdo ditë duke dërguar mesazhe, duke parë televizor, duke futur fotografi dhe komente në një sit Interneti, duke u marrë me lojëra elektronike e kështu me radhë? ․․․․․
Hidhi një sy përgjigjeve që dhe më sipër. A mendon se po e tepron me përdorimin e medias elektronike?
□ Po □ Jo
Nuk je në gjendje ose nuk do që ta ndërpresësh. «Prindërit më shohin duke shkruar mesazhe gjatë gjithë kohës dhe më thonë se po e teproj. Por në krahasim me moshatarët e mi, unë nuk shkruaj pothuajse fare. Kurse, në krahasim me prindërit, sigurisht që dërgoj më shumë mesazhe se ata. Por kjo është si të krahasosh mollët me portokallet—ata janë 40, kurse unë 15 vjeç.»—Alani.
A të kanë thënë prindërit ose shokët që kalon shumë kohë me ndonjë formë të medias elektronike?
□ Po □ Jo
Nuk ke dashur apo nuk ke qenë në gjendje ta kufizosh përdorimin e saj?
□ Po □ Jo
Pasoja të dëmshme. «Shokët e mi dërgojnë mesazhe gjatë gjithë kohës, edhe kur janë duke ngarë makinën. Sa e rrezikshme është kjo!»—Xhuli.
«Kur mora celularin tim të parë, isha gjithë kohën ose duke telefonuar, ose duke shkruar mesazhe. S’bëja gjë tjetër. Kjo ndikoi për keq në marrëdhënien time me familjen dhe me disa shokë e shoqe. Tani vë re që, kur dal me shoqërinë dhe jam duke biseduar me ta, një e dy ndërpresin bisedën e thonë: ‘Oh, prit pak. Duhet t’i përgjigjem një mesazhi.’ Kjo është një arsye pse nuk jam shumë e lidhur me këta shokë.»—Shërli.
A lexon ose shkruan ndonjëherë mesazhe ndërsa nget makinën, kur je në mësim ose në mbledhjet e krishtere?
□ Po □ Jo
Kur je duke biseduar me familjen ose shokët, a e ndërpret vazhdimisht bisedën për t’iu përgjigjur ndonjë e-mail-i, telefonate ose mesazhi?
□ Po □ Jo
A po të bëhet media elektronike pengesë për të fjetur sa duhet dhe për të bërë mësimet?
□ Po □ Jo
A e sheh të nevojshme të bësh disa ndryshime? Nëse po, shqyrto sugjerimet e mëposhtme.
Si të gjesh ekuilibër?
Nëse përdor ndonjë formë të medias elektronike—qoftë kompjuter, celular a ndonjë pajisje tjetër—bëji vetes katër pyetjet e mëposhtme. Zbatimi i këshillave biblike dhe ndjekja e disa gjërave të thjeshta që duhet dhe nuk duhet të bësh, do të të ndihmojnë të mos rrezikosh dhe të jesh i ekuilibruar.
● Cila është përmbajtja? «Mbusheni mendjen me gjëra të mira dhe që meritojnë lëvdim: gjëra që janë të vërteta, fisnike, të drejta, të dëlira, të dashura dhe të nderuara.»—Filipianëve 4:8, Today’s English Version.
✔ Duhet të rrish me shokët e familjen dhe të bisedosh për lajme dhe mendime ndërtuese.—Proverbat 25:25; Efesianëve 4:29.
X Nuk duhet të përhapësh thashetheme të dëmshme, të përfshihesh në shkëmbime mesazhesh e fotografish imorale ose të shohësh videoklipe e programe imorale.—Kolosianëve 3:5; 1 Pjetrit 4:15.
● Kur e përdor? «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.»—Eklisiastiu 3:1.
✔ Duhet të kufizosh kohën që do të kalosh me telefonatat dhe mesazhet, me programet televizive ose me lojërat.
X Nuk duhet të lejosh që media elektronike të të marrë nga koha që ke programuar për të kaluar me shokët e familjen, për të studiuar ose për të bërë aktivitete frymore.—Efesianëve 5:15-17; Filipianëve 2:4.
● Në shoqërinë e kujt jam? «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»—1 Korintasve 15:33.
✔ Duhet ta përdorësh median elektronike për të forcuar lidhjet me njerëz që ju nxitin të zhvilloni zakone të mira.—Proverbat 22:17.
X Nuk duhet të gënjesh veten; do të përvetësosh edhe ti parimet, gjuhën dhe mënyrën e të menduarit të atyre me të cilët zgjedh të shoqërohesh me anë të e-mail-eve, mesazheve, televizorit, videove ose Internetit.—Proverbat 13:20.
● Sa kohë po kaloj? ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.
✔ Duhet të mbash shënim se sa orë kalon me median elektronike.
X Nuk duhet t’i shpërfillësh vërejtjet e shokëve ose drejtimin e prindërve nëse të thonë se po kalon tepër kohë me ndonjë pajisje elektronike.—Proverbat 26:12.
Duke folur për përdorimin e mediave elektronike me ekuilibër, Endrju që cituam më parë, e përmbledh mirë këtë çështje: «Pajisjet elektronike të argëtojnë, por vetëm për një kohë të shkurtër. Kam mësuar që të mos e lë teknologjinë të kthehet në një hendek që më largon nga familja dhe shokët.»
LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLLIMIN 2, KAPITULLI 30
Si t’i bindësh prindërit që të të lejojnë të dalësh për qejf?
SHKRIMI KYÇ
«Të mos të duket vetja i mençur. Ki frikë Jehovain dhe largohu nga e keqja.»—Proverbat 3:7.
KËSHILLË
Që ta kesh nën kontroll përdorimin e telefonit, bëju të ditur shokëve se do të ketë momente që nuk do t’u përgjigjesh menjëherë mesazheve, e-mail-eve ose telefonatave të tyre.
A E DIJE . . . ?
Çdo fotografi ose çdo pohim për aktivitetet e tua që fut në Internet sot, mund të jetë i disponueshëm edhe vite më vonë për punëdhënësit e mundshëm ose për të tjerë.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Nëse filloj ta teproj me përdorimin e ․․․․․, vendos se do të kaloj
vetëm ․․․․․ në javë me këtë formë të medias.
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse mund ta kesh të vështirë të kuptosh se je i varur ndaj ndonjë forme të medias elektronike?
● Çfarë mund të ndodhë nëse nuk e mban nën kontroll përdorimin e medias elektronike?
[Diçitura në faqen 262]
«Disa gjëra më kanë ndihmuar të mos jem më e varur ndaj televizorit. E detyrova veten të kufizoja kohën që kaloja para tij. Flisja vazhdimisht me mamin për këtë problem dhe lutesha shumë.»—Ketlina
[Figura në faqen 263]
A i ke ti nën kontroll pajisjet elektronike apo të kanë ato nën kontroll?