MËSIMI 30
Interesi për individin
KUR u themi të tjerëve të vërtetat biblike, nuk duhet vetëm t’u japim atyre informacion për mendjen. Duhet t’i bëjmë thirrje zemrës. Një mënyrë për ta bërë këtë është duke treguar interes të sinqertë personal për dëgjuesit tanë. Ky interes mund të shfaqet në mënyra të ndryshme.
Merr parasysh pikëpamjen e dëgjuesit. Apostulli Pavël mori parasysh prejardhjen dhe mentalitetin e dëgjuesve të tij. Ai shpjegoi: «Për judenjtë u bëra si jude, që të fitoj judenjtë; për ata nën ligj u bëra si nën ligj, edhe pse unë vetë nuk jam nën ligj, që të fitoj ata në ligj. Për ata pa ligj u bëra si pa ligj, ndonëse nuk jam pa ligj kundrejt Perëndisë, por nën ligj kundrejt Krishtit, që të fitoj ata pa ligj. Për të dobëtit u bëra i dobët, që të fitoj të dobëtit. Jam bërë çdo gjë për njerëz të çdo lloji, që medoemos të shpëtoj disa. Por çdo gjë e bëj për hir të lajmit të mirë, që të bëhem pjesëmarrës në të me të tjerët.» (1 Kor. 9:20-23) Si mund të bëhemi sot «çdo gjë për njerëz të çdo lloji»?
Nëse të jepet mundësia t’i vëzhgosh të tjerët, edhe sikur për pak çaste, para se të flasësh me ta, mund të vësh re tregues të gjërave që u interesojnë ose të rrethanave të tyre. A mund ta dallosh çfarë pune bëjnë? A sheh dëshmi të bindjeve të tyre fetare? A ka ndonjë tregues lidhur me gjendjen e tyre familjare? Në bazë të asaj që ke vëzhguar, a mund ta përshtatësh prezantimin tënd për ta bërë më tërheqës për dëgjuesit e tu?
Për ta bërë më tërheqës prezantimin kërkohet që të mendosh paraprakisht për mënyrën se si t’u afrohesh njerëzve në territorin tënd. Në disa zona, kjo përfshin edhe ata që kanë ardhur nga ndonjë vend i huaj. Nëse në territorin tënd ka njerëz të tillë, a ke gjetur një mënyrë të efektshme për t’u dhënë dëshmi? Meqenëse vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës», vër si qëllim që t’ia prezantosh mesazhin e Mbretërisë në mënyrë tërheqëse kujtdo që takon.—1 Tim. 2:4.
Dëgjo me kujdes. Ndonëse di gjithçka, Jehovai i dëgjon të tjerët. Profetit Mikajah iu dha një vegim në të cilin ai pa Jehovain që po i inkurajonte engjëjt të shprehnin mendimet e tyre për trajtimin e një çështjeje. Pastaj Perëndia e lejoi një engjëll që të vepronte sipas sugjerimit që vetë engjëlli kishte dhënë. (1 Mbret. 22:19-22) Kur Abrahami shprehu shqetësim për gjykimin që do të ekzekutohej mbi Sodomë, Jehovai e dëgjoi me dashamirësi. (Zan. 18:23-33) Si mund ta imitojmë në shërbimin tonë shembullin e Jehovait për sa i përket dëgjimit?
Inkurajoji të tjerët që të shprehen. Bëj një pyetje të përshtatshme dhe pastaj bëj pauzë të mjaftueshme për t’u dhënë mundësi të përgjigjen. Dëgjoji me të vërtetë. Vëmendja jote do t’u japë zemër që të flasin lirshëm. Në rast se përgjigjja e tyre zbulon diçka për gjërat që u interesojnë, kërko me takt më shumë informacion. Pa e kthyer bisedën në seancë pyetjesh, përpiqu t’i njohësh më mirë. Lavdëroji për mendimet që kanë, po qe se mund ta bësh këtë sinqerisht. Edhe sikur të mos e pranosh pikëpamjen e tyre, me mirësjellje shfaq mirënjohjen tënde për faktin që t’u shprehën.—Kolos. 4:6.
Megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm që interesi ynë për të tjerët të mos e kalojë masën e duhur. Fakti që interesohemi për të tjerët nuk do të thotë që kemi të drejtë të futim hundët në çështjet e tyre private. (1 Pjet. 4:15) Duhet të tregojmë kujdes që një person i seksit të kundërt të mos e keqkuptojë interesin mirëdashës që tregojmë ne. Meqenëse ajo që konsiderohet masë e duhur e interesit për të tjerët ndryshon nga një vend në tjetrin e madje edhe nga personi në person, nevojitet gjykim i shëndoshë.—Luka 6:31.
Përgatitja na ndihmon që të jemi dëgjues të mirë. Kur e kemi të qartë në mendje mesazhin, kjo do të na ndihmojë të shtendosemi dhe t’u kushtojmë vëmendje të tjerëve në mënyrë të natyrshme. Kjo u heq atyre sikletin dhe mund t’i shtyjë të jenë më të prirur për të biseduar me ne.
U tregojmë nderim të tjerëve duke i dëgjuar. (Rom. 12:10) Kjo tregon se i vlerësojmë mendimet dhe ndjenjat e tyre. Madje mund t’i shtyjë që t’i kushtojnë më shumë vëmendje asaj që kemi për të thënë. Me të drejtë, pra, Fjala e Perëndisë na këshillon të jemi ‘të shpejtë për të dëgjuar, të ngadalshëm për të folur’.—Jak. 1:19.
Ndihmoji të tjerët të përparojnë. Interesimi për të tjerët do të na shtyjë që të vazhdojmë të mendojmë për ata që shfaqin interes dhe të kthehemi përsëri për t’u thënë të vërtetat biblike që ua plotësojnë më drejtpërdrejt nevojat atyre. Kur të mendosh për vizitën tjetër, merr parasysh çfarë ke mësuar rreth këtyre njerëzve gjatë vizitave të mëparshme. Përgatit informacion rreth ndonjë teme që atyre u intereson. Nxirr në pah vlerën praktike të materialit, duke i ndihmuar që të shohin se si mund të nxjerrin dobi nga ajo që po mësojnë.—Isa. 48:17.
Në qoftë se dëgjuesi të tregon për ndonjë situatë ose problem që e mundon, shihe këtë si rast të veçantë për t’i folur për lajmin e mirë. Ndiq shembullin e Jezuit, i cili ishte gjithnjë i gatshëm për t’i ngushëlluar njerëzit e dëshpëruar. (Mar. 6:31-34) Kundërviju prirjes për të dhënë një zgjidhje të shpejtë ose këshilla sipërfaqësore. Kjo mund ta shtyjë personin të mendojë se ti nuk interesohesh sinqerisht për të. Në vend të kësaj, shfaq ndjenja të përbashkëta. (1 Pjet. 3:8) Pastaj bëj kërkime në botimet biblike dhe thuaji personit tjetër informacione ndërtuese për ta ndihmuar që të përballojë situatën. Natyrisht, interesi i dashur për dëgjuesin do të të bëjë që të mos zbulosh çështjet konfidenciale që ai t’i ka treguar ty, në qoftë se nuk ke arsye të forta për ta bërë këtë.—Prov. 25:9.
Duhet të tregojmë interes personal sidomos ndaj atyre me të cilët drejtojmë studime biblike. Medito në lutje për nevojat e secilit student dhe përgatitu për studimin duke pasur parasysh këto nevoja. Pyet veten: ‘Çfarë duhet të bëjë tani ai ose ajo, që të vazhdojë të përparojë frymësisht?’ Me dashuri ndihmoje studentin që të kuptojë çfarë thonë për këtë çështje Bibla dhe botimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45) Në disa raste mund të mos mjaftojë të japësh vetëm një shpjegim. Mund të jetë e nevojshme t’i tregosh studentit si ta zbatojë një parim biblik, duke bërë diçka së bashku që demonstron zbatimin e tij.—Gjoni 13:1-15.
Nevojitet drejtpeshim dhe gjykim i shëndoshë kur ndihmon të tjerët që ta vënë jetën në harmoni me normat e Jehovait. Njerëzit kanë prejardhje dhe aftësi të ndryshme, si edhe përparojnë me ritme të ndryshme. Ji i arsyeshëm për atë që pret nga të tjerët. (Filip. 4:5) Mos i detyro që të bëjnë ndryshime në jetën e tyre. Lër që t’i motivojë Fjala e Perëndisë dhe fryma e tij. Jehovai dëshiron që njerëzit t’i shërbejnë vullnetarisht nga zemra, jo me detyrim. (Psal. 110:3) Ki kujdes të mos shprehësh opinionet e tua për vendime personale që duhet të marrin ata. Edhe sikur të ta kërkojnë këtë, ki kujdes që të mos marrësh vendime në vend të tyre.—Gal. 6:5.
Jep ndihmë praktike. Ndonëse ishte i interesuar kryesisht për mirëqenien frymore të dëgjuesve të tij, Jezui ishte i ndjeshëm edhe ndaj nevojave të tjera të tyre. (Mat. 15:32) Edhe sikur të kemi të ardhura të kufizuara, ka shumë mënyra praktike në të cilat mund të ndihmojmë.
Interesi për të tjerët do të na nxitë të tregohemi të vëmendshëm. Për shembull, nëse për shkak të kushteve të motit dëgjuesi yt nuk po ndihet rehat, shkoni në ndonjë vend më të përshtatshëm ose lini një takim për ta vazhduar bisedën herë tjetër. Në qoftë se ke shkuar në orar të papërshtatshëm, thuaji se mund të kthehesh më vonë. Në rast se një fqinj ose dikush që ka shfaqur interes është sëmurë ose është në spital, tregoje interesimin tënd duke i dërguar një kartolinë a një letër të shkurtër ose duke i bërë një vizitë. Nëse është e përshtatshme, mund t’i dërgosh diçka të thjeshtë për të ngrënë ose të bësh ndonjë gjë tjetër dashamirëse.
Ndërsa përparojnë, studentët biblikë mund të ndiejnë një boshllëk emocional për shkak se nuk po kalojnë aq kohë sa kalonin përpara me shoqërinë e tyre të mëparshme. Miqësohu me ta. Kalo kohë duke folur me ta pas studimit të Biblës dhe në raste të tjera. Inkurajoji të kultivojnë shoqëri të mira. (Prov. 13:20) Ndihmoji që të marrin pjesë në mbledhjet e krishtere. Ulu me ta në këto mbledhje dhe ndihmoji për të mbajtur fëmijët, në mënyrë që të gjithë të mund të nxjerrin dobi të plotë nga programi.
Trego interes nga zemra. Shfaqja e interesit për të tjerët nuk është një teknikë që duhet fituar, por është cilësi e zemrës. Se sa interesohemi për të tjerët bëhet e dukshme në shumë mënyra. Duket nga mënyra se si dëgjojmë dhe nga gjërat që themi. Bëhet e dukshme nga mirëdashja dhe vëmendja që tregojmë për të tjerët. Edhe kur nuk themi ose nuk bëjmë asgjë, ajo duket nga qëndrimi ynë ose nga shprehja e fytyrës. Të tjerët do të arrijnë ta kuptojnë patjetër nëse interesohemi apo jo me të vërtetë për ta.
Arsyeja më e rëndësishme për të cilën duhet të tregojmë interes të sinqertë për të tjerët është se duke bërë kështu imitojmë dashurinë dhe mëshirën e Atit tonë qiellor. Kjo na ndihmon t’i afrojmë dëgjuesit tanë te Jehovai dhe te mesazhi që ai na ka dhënë për të përhapur. Prandaj, duke dhënë lajmin e mirë, përpiqu të shohësh ‘me interes personal jo vetëm çështjet e tua, por me interes personal edhe ato të të tjerëve’.—Filip. 2:4.