Motrat e brengosura që ‘ndërtuan shtëpinë e Izraelit’
TEKSA afrohej agimi, Lea e dinte se së shpejti do të zbulohej. Jakobi, në krahët e të cilit gjendej, do të merrte vesh se ajo nuk ishte Rakela, motra e saj më e vogël. Me kërkesë të të atit, Lea, që me sa dukej kishte vënë një vello në mënyrë që të mos dallohej, ishte shtrirë natën në shtratin martesor që ishte përgatitur për Jakobin dhe Rakelën.
Merreni me mend se si duhet të jetë ndier Jakobi kur drita e mëngjesit zbuloi të vërtetën! I zemëruar nga kjo padrejtësi, ai debatoi me Labanin, babanë e Leas. Ndërkohë Lea duhet të ketë menduar për rolin e saj në këtë farsë dhe se ç’pasoja afatgjata mund të kishte. Historia e Leas dhe e Rakelës është pjesë thelbësore e historisë biblike. Ajo na ndihmon të kuptojmë se sa gjë e mençur është monogamia dhe besnikëria bashkëshortore.
Një i huaj te pusi
Shtatë vjet më parë Rakela kishte vrapuar tek i ati për t’i thënë se kishte takuar një të huaj te pusi i cili thoshte se ishte një i afërm. Doli se ai ishte Jakobi, një kushëri i saj, djali i hallës, dhe një adhurues i Jehovait. Një muaj më vonë Jakobi i tha Labanit se do t’i shërbente për shtatë vjet, po t’i jepte për grua Rakelën. Meqë e kishte parë se sa shumë punonte nipi i tij dhe duke e ditur se për ta ishte e zakonshme që të afërmit të martoheshin me njëri-tjetrin, Labani e pranoi ofertën e Jakobit.—Zanafilla 29:1-19.
Dashuria e Jakobit për Rakelën nuk ishte thjesht pasion i verbër. Jakobit ‘iu duk vetëm pak ditë’ periudha shtatëvjeçare e fejesës, ‘nga dashuria që kishte për Rakelën’. (Zanafilla 29:20) Fakti që Jakobi e deshi Rakelën derisa vdiq, na bën të mendojmë se ajo duhet të ketë pasur shumë cilësi tërheqëse.
A shpresonte edhe Lea që të martohej me një adhurues të Jehovait? Në Bibël nuk thuhet. Më shumë tregohet se çfarë kishte ndër mend Labani për martesën e saj. Në fund të periudhës së fejesës së Rakelës, Labani bëri dasmë. Por në Bibël thuhet se në mbrëmje ai i çoi Jakobit Lean, «që të kishte marrëdhënie» me të.—Zanafilla 29:23.
A bashkëpunoi edhe Lea që të mashtronte Jakobin? Apo ajo thjesht u detyrua t’i bindej të atit? Po Rakela, ku ishte? A e dinte se ç’po ndodhte? Nëse po, si ndihej? A ishte i ati kaq autoritar, saqë nuk mund ta kundërshtonte? Bibla nuk jep përgjigje për këto pyetje. Çfarëdo gjëje që Rakela dhe Lea të kenë menduar për këtë çështje, ky plan e zemëroi më pas Jakobin. E ai nuk debatoi me vajzat, por me Labanin duke i thënë: «A nuk të shërbeva për Rakelën? Pse ma punove kështu?!» Si iu përgjigj Labani? «Nuk e kemi zakon të japim të voglën para së madhes. Mbaroje javën e dasmës me këtë grua. Pastaj do të të japim edhe tjetrën, për shërbimin që do të më bësh edhe shtatë vite të tjera.» (Zanafilla 29:25-27) Kështu Jakobi u mashtrua duke u përfshirë në një martesë poligame e cila do të shkaktonte xhelozi të hidhur.
Një familje jo e lumtur
Jakobi e donte Rakelën. Kur Perëndia pa se Jakobi «nuk e donte» Lean, bëri që ajo të lindte një fëmijë, kurse Rakela të mbetej shterpë. Por Lea nuk donte vetëm fëmijë, donte edhe përzemërsinë e Jakobit. Kur pa se Jakobi kishte për zemër vetëm Rakelën, ajo u brengos. Megjithatë Lea shpresonte se Jakobi do ta donte, meqë i kishte lindur fëmijën e parë, Rubenin, emër që do të thotë: «Ja, një djalë!» Lea kishte arsye që i kishte vënë djalit këtë emër. «Jehovai e pa brengosjen time dhe tani im shoq do të fillojë të më dojë»,—tha ajo. Por nuk ndodhi kështu dhe Jakobi nuk e deshi, edhe pasi ajo i lindi një djalë tjetër. Lea e quajti Simeon, që do të thotë «Dëgjim». Ajo arsyetoi kështu: «Sepse Jehovai dëgjoi që më urrenin, prandaj më dha edhe këtë.»—Zanafilla 29:30-33.
Fakti që Perëndia dëgjoi, do të thoshte se Lea ishte lutur për gjendjen e saj. Me sa duket, ajo ishte një grua besnike. Megjithatë, dhembja e saj vazhdoi, edhe pasi lindi djalin e tretë, Levin. Domethënien e emrit të tij, «I ngjitur» ose «I bashkuar», e shpjegoi Lea me këto fjalë: «Këtë herë im shoq do të bashkohet me mua, sepse i kam lindur tre djem.» Por, me sa duket, Jakobi nuk u ndie më i afërt me të. Ndoshta Lea e pranoi këtë fakt, sepse emri i djalit të saj të katërt nuk ka ndonjë lidhje me shpresat e saj për të pasur marrëdhënie më të mira me Jakobin. Përkundrazi, emri që vuri, Juda, shprehte mirënjohjen e saj për Perëndinë. Emri «Juda» do të thotë «I përlëvduar» ose «Objekt përlëvdimi». Lea tha vetëm: «Këtë herë do të përlëvdoj Jehovain.»—Zanafilla 29:34, 35.
Nëse Lea ndihej e brengosur, Rakela nuk ndihej më mirë. Ajo iu përgjërua Jakobit: «Më bëj me fëmijë, se përndryshe jam një grua e vdekur.» (Zanafilla 30:1) Rakela kishte dashurinë e Jakobit, por ajo donte të ishte nënë. Lea kishte fëmijë, por ajo kërkonte dashurinë e tij. Secila dëshironte atë që kishte tjetra dhe asnjëra prej tyre nuk ishte e lumtur. Që të dyja e donin Jakobin dhe donin t’i lindnin fëmijë. Secila ishte xheloze për tjetrën. Çfarë situate e trishtueshme për atë familje!
Fëmijë për Rakelën?
Në atë kohë shterpësia konsiderohej një tragjedi. Perëndia i kishte premtuar Abrahamit, Isakut dhe Jakobit se nga familjet e tyre do të lindte «fara» me anë të së cilës do të bekoheshin të gjitha familjet e tokës. (Zanafilla 26:4; 28:14) Mirëpo Rakela ishte pa fëmijë. Jakobi arsyetoi se vetëm Perëndia mund t’i jepte fëmijë Rakelës, e kështu t’i jepte asaj mundësi që të kishte rolin e saj në këto bekime. Prapëseprapë Rakela ishte e padurueshme. «Ja ku e ke skllaven time, Bilhanë,—tha ajo.—Ki marrëdhënie me të, që ajo të lindë në gjunjët e mi, dhe unë të kem fëmijë prej saj.»—Zanafilla 30:2, 3.
Mund ta kemi të vështirë të kuptojmë qëndrimin e Rakelës. Megjithatë, kontratat e lashta martesore të zbuluara kudo në Lindjen e Afërt tregojnë se ishte një zakon i pranuar që një grua shterpë t’i jepte burrit të vet një shërbëtore që t’i lindte një trashëgimtar.a (Zanafilla 16:1-3) Në disa raste, fëmijët e skllaves më pas konsideroheshin si fëmijët e gruas.
Kur Bilhaja lindi djalë, Rakela tha e gëzuar: «Perëndia veproi si gjykatësi im dhe ma dëgjoi zërin, kështu që më dha një djalë.» Ajo ia vuri emrin Dan, që do të thotë «Gjykatës». Edhe ajo ishte lutur për gjendjen e saj të pikëlluar. Kur Bilhasë i lindi djali i dytë, Neftali, emër që do të thotë «Përleshjet e mia», Rakela tha: «Jam përleshur ashpër me motrën time, dhe kam dalë fitimtare!» Ky emër përshkruan një konflikt të ashpër midis rivalëve.—Zanafilla 30:5-8.
Ndoshta Rakela mendonte se po vepronte në përputhje me lutjet e saj kur i dha Bilhanë Jakobit, por nuk ishte kjo mënyra se si Perëndia do t’i jepte fëmijë. Nxjerrim një mësim nga kjo. Nuk duhet të bëhemi të padurueshëm kur i bëjmë një kërkesë Jehovait. Ai mund t’u përgjigjet lutjeve në mënyra të papritura dhe atëherë kur nuk e presim!
Si kundërpërgjigje, edhe Lea i dha Jakobit shërbëtoren e saj, Zilpën. Ajo lindi në fillim Gadin, pastaj Asherin.—Zanafilla 30:9-13.
Një gjë që nxjerr në pah rivalitetin midis Rakelës dhe Leas ishte ngjarja në lidhje me madërgonat që gjeti djali i Leas, Rubeni. Mendohej se kjo frutë e ndihmonte një grua për t’u ngjizur. Kur Rakela i kërkoi ca nga këto fruta, Lea iu përgjigj me hidhërim: «Mos të duket gjë e vogël që më more burrin? Tani dashke të më marrësh edhe madërgonat e tim biri?!» Disa mendojnë se kuptimi i këtyre fjalëve është se Jakobi rrinte me Rakelën më shpesh se me Lean. Ndoshta Rakela e pranoi se Lea kishte të drejtë që ishte e pikëlluar, sepse ajo u përgjigj: «Në këmbim të madërgonave të tët biri, ai do të shtrihet me ty sonte.» Kështu kur Jakobi u kthye në shtëpi atë mbrëmje, Lea i tha: «Sonte do të kesh marrëdhënie me mua, sepse faktikisht të bleva me madërgonat e tim biri.»—Zanafilla 30:15, 16.
Lea lindi djalin e pestë dhe të gjashtë, Isakarin dhe Zabulonin. Pas kësaj ajo tha: «Më në fund, im shoq do të më durojë, sepse i kam lindur gjashtë djem.»b—Zanafilla 30:17-20.
Madërgonat nuk bënë gjë. Kur pas gjashtë vjetësh martesë Rakela më në fund u ngjiz dhe lindi Jozefin, kjo ndodhi ngaqë Jehovai «u kujtua» për të dhe iu përgjigj lutjes së saj. Vetëm atëherë Rakela mundi të thoshte: «Perëndia ma hoqi poshtërimin!»—Zanafilla 30:22-24.
Vdekja dhe trashëgimia
Kur po lindte djalin e dytë, Beniaminin, Rakela vdiq. Jakobi e deshi vërtet Rakelën dhe dy djemtë e saj ishin të çmuar për të. Vite më vonë, ndërsa atij po i vinte vdekja, ai kujtoi humbjen e parakohshme të Rakelës së tij të dashur. (Zanafilla 30:1; 35:16-19; 48:7) Për vdekjen e Leas nuk dimë gjë, përveçse që Jakobi e varrosi në shpellën ku edhe ai donte të varrosej.—Zanafilla 49:29-32.
Kur ishte i moshuar Jakobi e pranoi se jeta e tij—si edhe marrëdhëniet e tij familjare—kishin qenë plot vuajtje. (Zanafilla 47:9) Pa dyshim që edhe jeta e Leas dhe e Rakelës kishin qenë plot halle. Përvojat e tyre theksojnë pasojat e trishtueshme të poligamisë dhe ilustrojnë pse Jehovai vendosi që burri duhet të ketë vetëm një grua. (Mateu 19:4-8; 1 Timoteut 3:2, 12) Kur ndjenjat romantike ose seksuale të burrit ose të gruas nuk kufizohen vetëm te një person, pra bashkëshorti përkatës, kjo shkakton si pasojë xhelozi. Kjo është njëra arsye pse Perëndia e ndalon kurvërinë dhe kurorëshkeljen.—1 Korintasve 6:18; Hebrenjve 13:4.
Sidoqoftë Perëndia vazhdoi—dhe ende vazhdon—të plotësojë qëllimin e tij, duke përdorur burra dhe gra të papërsosura, por besnike. Të dyja motrat kishin dobësitë e tyre, siç kemi edhe ne. Por, nëpërmjet këtyre grave, Jehovai nisi të përmbushte premtimin e tij që i kishte bërë Abrahamit. Me të drejtë thuhet se Rakela dhe Lea ‘ndërtuan shtëpinë e Izraelit’.—Rutha 4:11.
[Shënimet]
a Në një kontratë të tillë të gjetur në Nuzi, Irak, thuhet: «Kelim-Ninu i është dhënë për grua Shenimës. . . . Nëse Kelim-Ninu nuk lind [fëmijë], Kelim-Ninu do të blejë një vajzë [një skllave] nga vendi i Lulut që të bëhet gruaja e Shenimës.»
b Dina, një tjetër fëmijë i Leas, është e vetmja vajzë e Jakobit së cilës ia dimë emrin.—Zanafilla 30:21; 46:7.
[Figura në faqen 9]
Lea dhe Rakela dëshironin secila atë që kishte tjetra dhe asnjëra prej tyre nuk ishte e lumtur
[Figura në faqen 10]
Nga 12 bijtë e Jakobit erdhi kombi i Izraelit