Adami dhe Eva
Përkufizimi: Adami ishte krijesa e parë njerëzore. Termi hebraik ‘adhamʹ është përkthyer me të drejtë edhe «burrë», «njeri» dhe «njerëzim». Eva, gruaja e parë, ishte bashkëshortja e Adamit.
A ishin Adami dhe Eva thjesht persona të trilluar?
A është e paarsyeshme të besojmë se të gjithë ne vijmë nga të njëjtët prindër?
«Tani, shkenca mbështet atë që shumica e feve më të mëdha e kanë predikuar me kohë: Qeniet njerëzore të të gjitha racave . . . e kanë prejardhjen nga i njëjti njeri i parë.»—Heredity in Humans (Filadelfia dhe Nju-Jork, 1972), Amram Sheinfeld, f. 238.
«Tregimi biblik i Adamit dhe Evës, atit dhe nënës së të gjithë racës njerëzore, ka thënë shekuj më parë po atë të vërtetë, që shkenca ka treguar sot: të gjithë popujt e tokës janë një familje e vetme dhe kanë një origjinë të përbashkët.»—The Races of Mankind (Nju-Jork, 1978), Ruth Benedikt dhe Xhin Uelltfish, f. 3.
Vep. 17:26: «Nga një njeri i vetëm ai [Perëndia] bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut.»
A e paraqet Bibla Adamin vetëm si një personazh të trilluar, që përfaqëson gjithë njerëzimin e hershëm?
Jud. 14: «Enoku, i shtati në radhë që nga Adami, profetizoi.» (Enoku nuk ishte i shtati në radhë nga gjithë njerëzimi i hershëm.)
Luka 3:23-38: «Kur nisi veprën e tij, Jezui ishte rreth tridhjetë vjeç . . . bir i Davidit . . . bir i Abrahamit . . . bir i Adamit.» (Davidi dhe Abrahami janë personazhe të mirënjohura në histori. Prandaj, a nuk është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se edhe Adami ishte një person real?)
Zan. 5:3: «Adami ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur i lindi një djalë në ngjashmëri me të, sipas shëmbëlltyrës së tij, dhe e quajti Set.» (Sigurisht që Seti nuk lindi nga të gjithë burrat e parë, e po kështu, të gjithë burrat e parë nuk u bënë baballarë kur ishin njëqind e tridhjetë vjeç.)
A tregon fakti që një gjarpër i foli Evës, se tregimi biblik është i trilluar?
Zan. 3:1-4: «Gjarpri ishte më i kujdesshmi i të gjitha bishave të fushës që kishte bërë Perëndia Jehova. Kështu ai nisi t’i thoshte gruas: ‘Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?’ Gruaja i tha gjarprit: ‘ . . . Perëndia ka thënë: “Mos e hani, madje as mos e prekni, që të mos vdisni.”’ Atëherë gjarpri ia ktheu: ‘Ju s’keni për të vdekur aspak.’»
Gjoni 8:44: «[Jezui tha:] Djalli . . . është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.» (Kështu pra, Djalli ishte burimi i gënjeshtrës së parë, që u tha në Eden. Ai përdori gjarprin si një zëdhënës të dukshëm. Tregimi i Zanafillës nuk po përdor krijesa të trilluara për të na mësuar. Shih edhe Zbulesën 12:9.)
Ilustrim: Për një person që zotëron artin e të folurit me bark (ventrilokuist), është normale të bëjë të duket sikur zëri i tij vjen nga ndonjë burim tjetër. Krahaso Numrat 22:26-31, ku tregohet që Jehovai e bëri të fliste gomaricën e Balaamit.
Sikur «Adami i parë» të ishte thjesht një figurë e trilluar, ç’të themi për «Adamin e fundit», Jezu Krishtin?
1 Kor. 15:45, 47: «Madje është shkruar kështu: ‘Njeriu i parë, Adami, u bë një shpirt i gjallë.’ Adami i fundit u bë një frymë jetëdhënëse. Njeriu i parë është nga toka dhe i bërë nga pluhuri, kurse njeriu i dytë është nga qielli.» (Andaj, të mohosh ekzistencën e Adamit si një person real, që mëkatoi kundër Perëndisë, do të thotë të hedhësh dyshime edhe për identitetin e Jezu Krishtit. Ky mohim të çon në hedhjen poshtë të arsyes për të cilën Jezuit iu desh të jepte jetën për njerëzimin. Dhe, të hedhësh poshtë këtë, do të thotë të hedhësh poshtë besimin e krishterë.)
Si e konsideroi vetë Jezui tregimin e Zanafillës?
Mat. 19:4, 5 «Ai [Jezui] iu përgjigj: ‘A nuk e keni lexuar [te Zanafilla 1:27; 2:24] se ai që i krijoi [Adamin dhe Evën] që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: “Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.”’» (Përderisa vetë Jezui e besonte tregimin e Zanafillës si një fakt, a nuk duhet ta besojmë edhe ne?)
Nëse dikush thotë:
‘Mëkati i Adamit ishte pjesë e vullnetit të Perëndisë, e planit të Tij’
Mund të përgjigjesh: ‘Shumë veta e kanë thënë këtë. Por, sikur unë të bëja diçka, për të cilën ti vetë më pate urdhëruar, a do të më dënoje pastaj? . . . Kështu pra, nëse mëkati i Adamit ishte pjesë e vullnetit të Perëndisë, përse Adami u dëbua nga Edeni si mëkatar? (Zan. 3:17-19, 23, 24)’
Ose mund të thuash: ‘Ky është një argument interesant, dhe në të vërtetë përgjigjja ka të bëjë me llojin e personit të Perëndisë. A do të ishte e drejtë ose e dashur ta dënoje një person, sepse ka bërë diçka që ti vetë e kishe planifikuar?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Jehovai është Perëndi i dashurisë (1 Gjon. 4:8) Të gjitha udhët e tij janë drejtësi. (Psal. 37:28; Ligj. 32:4) S’ishte pjesë e vullnetit të Perëndisë që Adami të mëkatonte; ai në fakt e paralajmëroi Adamin për këtë. (Zan. 2:17)’ (2) ‘Perëndia i dha Adamit, ashtu si edhe neve, lirinë që të zgjidhte se ç’do të bënte. Të jesh i përsosur, nuk e përjashton mundësinë e ushtrimit të vullnetit të lirë për të mos u bindur. Adami zgjodhi të rebelohej kundër Perëndisë, edhe pse u paralajmërua që do të vdiste për shkak të kësaj.’ (Shih edhe faqen 111.)