SHTOJCA
1 JEHOVAI
Emri i Perëndisë është Jehova dhe mendohet se ka kuptimin «Ai shkakton të bëhet». Jehovai është Perëndia i plotfuqishëm, i cili ka krijuar çdo gjë. Ai ka fuqinë të bëjë gjithçka që dëshiron.
Në hebraisht, emri i Perëndisë shkruhej me katër shkronja, të cilat korrespondojnë me shkronjat YHWH ose JHVH. Ky emër del pothuajse 7.000 herë në tekstin origjinal të Biblës në hebraisht. Njerëzit anembanë botës përdorin forma të ndryshme të emrit Jehova, duke e shqiptuar sipas mënyrës që është e zakonshme në gjuhën e tyre.
2 BIBLA ËSHTË ‘E FRYMËZUAR NGA PERËNDIA’
Autori i Biblës është Perëndia, por ai ka përdorur njerëz për ta shkruar. Ashtu si një drejtor i kërkon sekretares të shkruajë një letër duke i treguar se çfarë duhet të përmbajë letra, edhe Perëndia i drejtoi shkrimtarët e Biblës me anë të frymës së shenjtë që të dokumentonin mendimet e tij. Fryma e Perëndisë i drejtoi në mënyra të ndryshme. Për shembull, disa herë i bëri të shihnin vegime ose ëndrra, që më pas i hodhën me shkrim.
3 PARIMET
Parimet janë mësime të Biblës që përcjellin një të vërtetë themelore. Për shembull, parimi «shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira» na mëson se njerëzit me të cilët shoqërohemi, ndikojnë te ne për mirë ose për keq. (1 Korintasve 15:33) Ndërsa parimi «çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë», na mëson se nuk u shpëtojmë dot pasojave të veprimeve tona.—Galatasve 6:7.
4 PROFECITË
Profecitë janë mesazhe nga Perëndia. Një profeci mund të jetë një shpjegim i vullnetit të Perëndisë, një mësim moral ose shpallje e një urdhërimi apo e një gjykimi. Gjithashtu mund të jetë një mesazh për diçka që do të ndodhë në të ardhmen. Në Bibël ka shumë profeci që tashmë janë plotësuar.
5 PROFECITË PËR MESINË
Profecitë e shumta për Mesinë që gjenden në Bibël, u përmbushën te Jezui. Shiko kutinë «Profeci për Mesinë».
6 QËLLIMI I JEHOVAIT PËR TOKËN
Jehovai e krijoi tokën që të ishte shtëpia parajsore e njerëzve që e duan. Qëllimi i tij nuk ka ndryshuar. Së shpejti, Perëndia do të zhdukë ligësinë dhe do t’u japë shërbëtorëve të tij jetën e përhershme.
7 SATANA DJALLI
Satanai është engjëlli që nisi rebelimin kundër Perëndisë. Ai është quajtur Satana, që do të thotë «kundërshtar», sepse i kundërvihet Jehovait. Është quajtur edhe Djall, që do të thotë «shpifës», ngaqë thotë gënjeshtra për Perëndinë dhe mashtron njerëzit.
8 ENGJËJT
Engjëjt u krijuan nga Jehovai shumë kohë para se të krijohej toka. Ata u krijuan që të jetonin në qiell. Ka më shumë se njëqind milionë engjëj. (Danieli 7:10) Secili ka emrin dhe personalitetin e vet. Engjëjt besnikë, me përulësi nuk pranojnë të adhurohen nga njerëzit. Ata kanë rangje dhe detyra të ndryshme. Disa nga këto detyra janë: shërbimi para fronit të Jehovait, përcjellja e mesazheve të tij, mbrojtja dhe drejtimi i shërbëtorëve të Perëndisë në tokë, ekzekutimi i gjykimeve të tij dhe mbështetja e veprës së predikimit. (Psalmi 34:7; Zbulesa 14:6; 22:8, 9) Në të ardhmen, engjëjt do të luftojnë përkrah Jezuit në luftën e Armagedonit.—Zbulesa 16:14, 16; 19:14, 15.
9 MËKATI
Mëkat është çdo ndjenjë, mendim a veprim që nuk i pëlqen Jehovait ose që është në kundërshtim me vullnetin e tij. Ngaqë mëkati dëmton miqësinë tonë me Perëndinë, Jehovai na ka dhënë ligje dhe parime që na ndihmojnë të mos mëkatojmë me dashje. Në fillim, Jehovai e krijoi çdo gjë të përsosur, por Adami dhe Eva zgjodhën të mos i binden Jehovait. Kështu mëkatuan dhe, si pasojë, u bënë të papërsosur. Me kohë u plakën dhe vdiqën. Për shkak të mëkatit që kemi trashëguar nga Adami, edhe ne plakemi dhe vdesim.
10 ARMAGEDONI
Armagedoni është lufta e Perëndisë që do t’i japë fund botës së Satanait dhe gjithë ligësisë.
11 MBRETËRIA E PERËNDISË
Mbretëria e Perëndisë është qeveria që ka themeluar Jehovai në qiell. Jezu Krishti po qeveris si Mbret i saj. Në të ardhmen, Jehovai do ta përdorë Mbretërinë për t’i dhënë fund gjithë ligësisë. Kjo Mbretëri do të qeverisë tokën.
12 JEZU KRISHTI
Jehovai e krijoi Jezuin para gjithçkaje tjetër. Ai e dërgoi në tokë që të vdiste për njerëzimin. Pasi Jezuin e vranë, Jehovai e ringjalli. Tani, Jezui po qeveris në qiell si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë.
13 PROFECIA E 70 JAVËVE
Në Bibël ishte profetizuar, ose ishte parathënë, se kur do të shfaqej Mesia. Kjo do të ndodhte në fund të një periudhe prej 69 javësh. Kjo periudhë filloi në vitin 455 p.e.s. dhe mbaroi në vitin 29 të e.s.
Nga e dimë që mbaroi në vitin 29 të e.s.? Këto 69 javë filluan kur Nehemia shkoi në Jerusalem dhe filloi të rindërtonte qytetin, në vitin 455 p.e.s. (Danieli 9:25; Nehemia 2:1, 5-8) Kur flasim për javën, zakonisht na vijnë në mendje shtatë ditë. Ndërsa në këtë profeci, javët nuk përbëhen nga shtatë ditë, por nga shtatë vjet, sipas rregullit profetik «një ditë për një vit». (Numrat 14:34; Ezekieli 4:6) Kjo do të thotë që një javë ka shtatë vjet, ndaj 69 javët janë baras me 483 vjet (69 x 7). Nëse llogaritim 483 vjet nga viti 455 p.e.s., arrijmë në vitin 29 të e.s. (Nga viti 1 p.e.s deri në vitin 1 të e.s. është 1 vit.) Jezui u pagëzua dhe u bë Mesia pikërisht në vitin 29 të e.s.—Luka 3:1, 2, 21, 22.
Kjo profeci fliste edhe për një javë tjetër, pra edhe për shtatë vite të tjera. Gjatë kësaj periudhe, në vitin 33 të e.s., Mesinë do ta vrisnin. Gjithashtu, duke filluar nga viti 36 i e.s., lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë do t’u predikohej të gjitha kombeve, jo vetëm judenjve.—Danieli 9:24-27.
14 MËSIMI I RREMË I TRINITETIT
Bibla mëson se Perëndia Jehova është Krijuesi dhe se e ka krijuar Jezuin para gjithçkaje tjetër. (Kolosianëve 1:15, 16) Jezui nuk është Perëndia i Plotfuqishëm. Ai nuk pohoi kurrë se ishte i barabartë me Perëndinë. Përkundrazi tha: «Ati është më i madh se unë». (Gjoni 14:28; 1 Korintasve 15:28) Por disa fe mësojnë Trinitetin, pra se Perëndia përbëhet nga tre persona: Ati, Biri dhe fryma e shenjtë. Fjala «Trinitet» nuk përmendet në Bibël. Është një mësim i rremë.
Fryma e shenjtë është forca aktive e Perëndisë, pra fuqia e tij e padukshme në veprim, që ai e përdor për të kryer vullnetin e vet. Nuk është një person. Për shembull, Bibla tregon se të krishterët e hershëm «u mbushën me frymë të shenjtë» dhe se Jehovai kishte thënë që ‘do të derdhte frymën e tij mbi çdo njeri’.—Veprat 2:1-4, 17.
15 KRYQI
Të krishterët e vërtetë nuk e përdorin kryqin për të adhuruar Perëndinë. Pse?
Kryqi është përdorur prej kohësh në fenë e rreme. Në lashtësi, ai përdorej në adhurimin e elementeve të natyrës dhe në ritet seksuale pagane. Gjatë 300 viteve që pasuan vdekjen e Jezuit, të krishterët nuk e kanë përdorur kryqin në adhurimin e Perëndisë. Perandori romak, Kostandini, e ktheu kryqin në një simbol të krishterimit shumë kohë pas vdekjes së Jezuit. Ky simbol u përdor me qëllim që sa më shumë njerëz ta pranonin krishterimin, por kryqi s’kishte të bënte aspak me Jezu Krishtin. Një enciklopedi shpjegon: «Kryqi haset si në kulturat para krishterimit, ashtu edhe në ato jo të krishtere.»—New Catholic Encyclopedia.
Jezui nuk vdiq në kryq. Fjalët greke të përkthyera «kryq» në thelb kanë kuptimin «shtyllë e drejtë», «dru» ose «pemë». Një botim thotë: «Në greqishten e [Besëlidhjes së Re] nuk ka asgjë që të lërë të nënkuptohen dy copa druri.» (The Companion Bible) Pra, Jezui ka vdekur në një shtyllë të drejtë.
Jehovai nuk do që të përdorim shëmbëlltyra ose simbole kur e adhurojmë.—Eksodi 20:4, 5; 1 Korintasve 10:14.
16 PËRKUJTIMI
Jezui i ka urdhëruar dishepujt që të përkujtojnë vdekjen e tij. Ata e bëjnë këtë çdo vit, më 14 nisan, ditën që izraelitët kremtonin Festën e Kalimit (Pashkën). Gjatë Përkujtimit, të gjithë të pranishmit kalojnë bukën dhe verën, të cilat përfaqësojnë trupin dhe gjakun e Jezuit. Vetëm ata që do të mbretërojnë me Jezuin në qiell, hanë bukën dhe pinë verën. Ata që kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë, e ndjekin me respekt Përkujtimin, por nuk hanë bukën dhe nuk pinë verën.
17 SHPIRTI
Në Përkthimin Bota e Re në shqip, fjala «shpirt» përdoret për t’iu referuar (1) një njeriu, (2) një kafshe ose (3) jetës së një njeriu apo të një kafshe. Ja disa shembuj:
Një njeriu. «Në ditët e Noesë . . . pak njerëz, domethënë tetë shpirt, shpëtuan nëpërmjet ujit.» (1 Pjetrit 3:20) Në këtë varg, fjala «shpirt» u referohet njerëzve—Noesë, gruas së tij dhe tre djemve bashkë me nuset e tyre.
Një kafshe. «Perëndia tha: ‘Le të gëlojnë ujërat me krijesa të gjalla [çdo shpirt të gjallë, shënimi] dhe le të fluturojnë krijesat fluturuese mbi tokë, përmes hapësirës së qiejve.’ Pastaj Perëndia tha: ‘Le të dalin nga toka krijesa [shpirt, shënimi] të gjalla sipas llojeve të tyre: kafshë të buta, kafshë të egra dhe kafshë zvarritëse sipas llojeve të tyre.’ Dhe kështu u bë.»—Zanafilla 1:20, 24.
Jetës së një njeriu apo të një kafshe. Një engjëll i tha Jozefit: «Ata që kërkonin jetën [shpirtin, shënimi] e fëmijës kanë vdekur.» (Mateu 2:20) Kur ishte në tokë, Jezui tha: «Unë jam bariu i shkëlqyer, dhe bariu i shkëlqyer jep jetën [shpirtin, shënimi] për delet.»—Gjoni 10:11.
Gjithashtu, kur në Bibël thuhet ta bësh diçka ‘me gjithë shpirt’, do të thotë ta bësh me dëshirë dhe të japësh maksimumin. (Mateu 22:37; Ligji i përtërirë 6:5) Fjala «shpirt» mund të përdoret edhe për t’iu referuar dëshirës ose oreksit të një krijese të gjallë. Me raste, për t’iu referuar një të vdekuri ose trupit të një të vdekuri, përdoret shprehja shpirt i vdekur.—Numrat 6:6; Proverbat 23:2; Isaia 56:11; Hageu 2:13.
18 FRYMA
Fjalët hebraike dhe greke që në Përkthimin Bota e Re në shqip janë përkthyer «frymë», mund t’u referohen gjërave të ndryshme. Megjithatë, në çdo rast i referohen diçkaje të padukshme për syrin e njeriut, si për shembull erës ose ajrit që thithin njerëzit dhe kafshët. Këto fjalë mund të përdoren edhe për krijesat qiellore dhe për frymën e shenjtë, ose forcën aktive të Perëndisë. Bibla nuk mëson se ndonjë pjesë e jona mbijeton pas vdekjes.—Eksodi 35:21; Psalmi 104:29; Mateu 12:43; Luka 11:13.
19 GEHENA
Gehena është emri i një lugine pranë Jerusalemit, ku digjeshin dhe asgjësoheshin plehrat. Nuk ekziston asnjë provë se, në kohën e Jezuit, njerëzit a kafshët torturoheshin ose digjeshin të gjallë në këtë luginë. Është e qartë se Gehena nuk simbolizon një vend të padukshëm ku njerëzit që kanë vdekur torturohen dhe digjen në përjetësi. Kur Jezui foli për ata që përfundojnë në Gehenë, e kishte fjalën për shkatërrimin e plotë të tyre.—Mateu 5:22; 10:28.
20 LUTJA E ZOTËRISË
Nëpërmjet kësaj lutjeje, Jezui i mësoi dishepujt si të luteshin. Ndryshe quhet lutja «Ati ynë» ose lutja model. Jezui na mësoi të luteshim në këtë mënyrë:
«U shenjtëroftë emri yt!»
Lutemi që Jehovai ta pastrojë emrin, pra reputacionin e tij, nga të gjitha gënjeshtrat. Si rezultat, të gjitha krijesat, qoftë në qiell, qoftë në tokë, do ta nderojnë dhe do ta respektojnë emrin e Perëndisë.
«Ardhtë Mbretëria jote!»
Lutemi që Mbretëria e Perëndisë të shkatërrojë botën e ligë të Satanait, të qeverisë tokën dhe ta kthejë në parajsë.
«U bëftë vullneti yt . . . në tokë!»
Lutemi që të plotësohet qëllimi i Perëndisë për tokën në mënyrë që njerëz të përsosur të jetojnë përgjithmonë në Parajsë, pikërisht siç kishte dashur Jehovai kur krijoi njerëzit.
21 SHPËRBLESA
Jehovai e siguroi shpërblesën për t’i shpëtuar njerëzit nga mëkati dhe vdekja. Shpërblesa ishte çmimi që duhej për të riblerë jetën e përsosur njerëzore që humbi njeriu i parë, Adami, dhe për të ndrequr marrëdhënien e njerëzimit me Jehovain. Perëndia e dërgoi Jezuin në tokë që të vdiste për të gjithë mëkatarët. Falë vdekjes së Jezuit, të gjithë njerëzit kanë mundësinë të jetojnë përgjithmonë e të bëhen të përsosur.
22 PSE ËSHTË KAQ I RËNDËSISHËM VITI 1914?
Profecia e kapitullit 4 të Danielit na mëson se Perëndia do të themelonte Mbretërinë e tij në vitin 1914.
Profecia: Jehovai bëri që mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, të shikonte një ëndërr profetike me një pemë të madhe që më pas u pre. Në këtë ëndërr, kërcurit të pemës i vunë rrathë hekuri dhe bakri, që të mos rritej për një periudhë prej ‘shtatë kohësh’. Pas kësaj periudhe, pema do të rritej përsëri.—Danieli 4:1, 10-16.
Ç’domethënie ka kjo profeci për ne: Pema përfaqëson qeverisjen e Perëndisë. Për rreth 500 vjet, Jehovai e qeverisi kombin e Izraelit nëpërmjet një dinastie mbretërish në Jerusalem. (1 Kronikave 29:23) Por, njëri pas tjetrit, këta mbretër nuk i qëndruan besnikë Jehovait. Si rrjedhojë, Jehovai e ndërpreu sundimin e kësaj dinastie në vitin 607 p.e.s., kur u shkatërrua Jerusalemi. Ky ishte fillimi i ‘shtatë kohëve’. (2 Mbretërve 25:1, 8-10; Ezekieli 21:25-27) Jezui e kishte fjalën për ‘shtatë kohët’ kur tha se ‘Jerusalemin do ta shkelnin kombet me këmbë, derisa të përmbusheshin kohët e caktuara të kombeve’. (Luka 21:24) Pra, ‘shtatë kohët’ vazhdonin ende kur Jezui ishte në tokë. Jehovai kishte premtuar se, në fund të ‘shtatë kohëve’, do të vendoste një Mbret. Mbretërimi i këtij Mbreti të ri, Jezuit, do t’u sillte bekime të mëdha e të përhershme shërbëtorëve të Perëndisë në gjithë tokën.—Luka 1:30-33.
Sa zgjatën ‘shtatë kohët’: ‘Shtatë kohët’ zgjatën 2.520 vjet. Nëse llogaritim 2.520 vjet nga viti 607 p.e.s., arrijmë në vitin 1914. (Nga viti 1 p.e.s deri në vitin 1 të e.s. është 1 vit.) Në vitin 1914, Jehovai e bëri Jezuin, ose Mesinë, Mbret të Mbretërisë së tij në qiell.
Si e nxjerrim numrin 2.520? Bibla thotë se tri kohë e gjysmë janë baras me 1.260 ditë. (Zbulesa 12:6, 14) Kjo do të thotë se «shtatë kohë» janë baras me dyfishin e këtij numri, pra 2.520 ditë. Sipas rregullit profetik «një ditë për një vit», 2.520 ditët janë baras me 2.520 vjet.—Numrat 14:34; Ezekieli 4:6.
23 KRYEENGJËLLI MIKAEL
Fjala «kryeengjëll» do të thotë «kreu i engjëjve». Bibla përmend vetëm një kryeengjëll, që e ka emrin Mikael.—Danieli 12:1; Juda 9.
Mikaeli është Komandanti i ushtrisë së Perëndisë që përbëhet nga engjëj besnikë. Zbulesa 12:7 thotë se ‘Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit dhe engjëjve të tij’. Disa kapituj më tutje, libri i Zbulesës tregon se Komandanti i ushtrisë së Perëndisë është Jezui, prandaj Mikael është një emër tjetër i Jezuit.—Zbulesa 19:14-16.
24 DITËT E FUNDIT
Ditët e fundit i referohen periudhës që do t’i paraprinte shkatërrimit të sistemit të Satanait nga Mbretëria e Perëndisë. Në këtë periudhë, në tokë do të ndodhnin ngjarje shumë të rëndësishme. Në profecitë e Biblës, për t’iu referuar kësaj periudhe, përdoren edhe shprehje të tjera të ngjashme, si: ‘përfundimi i sistemit’ dhe «prania e Birit të njeriut». (Mateu 24:3, 27, 37) «Ditët e fundit» kanë filluar në vitin 1914, kur Mbretëria e Perëndisë nisi të qeverisë në qiell, dhe do të mbarojnë në Armagedon, kur të shkatërrohet sistemi i Satanait.—2 Timoteut 3:1; 2 Pjetrit 3:3.
25 RINGJALLJA
Ringjallja ndodh kur Perëndia kthen në jetë një njeri që ka vdekur. Bibla përmend nëntë ringjallje. Këto mrekulli u bënë nga Elija, Eliseu, Jezui, Pjetri dhe Pavli, por vetëm falë fuqisë që u dha Perëndia. Jehovai ka premtuar se do të ringjallë në tokë «si të drejtët, edhe të padrejtët». (Veprat 24:15) Bibla përmend edhe ringjalljen në qiell. Kjo ndodh kur njerëzit që Perëndia ka zgjedhur, ose ka mirosur, ringjallen që të jenë në qiell bashkë me Jezuin.—Gjoni 5:28, 29; 11:25; Filipianëve 3:11; Zbulesa 20:5, 6.
26 DEMONIZMI (SPIRITIZMI)
Demonizmi ose spiritizmi është praktika e gabuar nëpërmjet së cilës njerëzit përpiqen të komunikojnë me shpirtrat. Këtë mund ta bëjnë drejtpërdrejt ose nëpërmjet një ndërmjetësi, si nëpërmjet një mjeku magjistar, një mediumi a dikujt me aftësi paranormale. Njerëzit që praktikojnë spiritizmin besojnë te mësimi i rremë se një pjesë e njeriut mbijeton pas vdekjes dhe kthehet në një shpirt të fuqishëm. Edhe gjëra të tilla si: astrologjia, hedhja e fallit, magjia, shtrigëria, bestytnitë, okultizmi dhe e mbinatyrshmja i vënë njerëzit nën ndikimin e demonëve, të cilët bëjnë çmos që njerëzit të mos i binden Perëndisë. Horoskopi, shumë libra, revista, filma, postera e madje edhe shumë këngë i paraqesin fenomenet paranormale, magjinë dhe demonët si të padëmshëm ose tërheqës. Me demonët kanë lidhje edhe mjaft rite mortore, si bërja e flijimeve për të vdekurit, disa zakone funerali, përvjetorët e vdekjes, ritet e vejërisë dhe disa zakone që lidhen me përgjimin e të vdekurve. Shpeshherë, kur përpiqen të përdorin fuqinë e demonëve, njerëzit marrin drogë.—Galatasve 5:20; Zbulesa 21:8.
27 SOVRANITETI I JEHOVAIT
Jehovai është Perëndia i Plotfuqishëm që ka krijuar gjithë universin. (Zbulesa 15:3) Ja pse ai është Pronari i gjithçkaje dhe ka sovranitet, pra autoritet të plotë, që të qeverisë krijimin e tij. (Psalmi 24:1; Isaia 40:21-23; Zbulesa 4:11) Jehovai ka vënë ligje për gjithë krijimin. Jehovai ka edhe autoritetin që të caktojë të tjerë në pozita qeverisëse. Tregojmë se e mbështetim sovranitetin e Perëndisë kur e duam dhe i bindemi Atij.—1 Kronikave 29:11.
28 ABORTI
Aborti bëhet me qëllim që të shkaktohet vdekja e një fëmije të palindur. Nuk vjen si pasojë e një aksidenti apo e ndonjë reagimi të natyrshëm të trupit. Që në momentin e ngjizjes, fëmija nuk është thjesht një pjesë e trupit të nënës, por është individ më vete.
29 TRANSFUZIONI I GJAKUT
Transfuzioni i gjakut është procedurë mjekësore gjatë së cilës dikush merr gjak ose një prej përbërësve të tij kryesorë. Mund të jetë gjaku i ruajtur i vetë personit ose gjaku i dikujt tjetër. Katër përbërësit kryesorë të gjakut janë: plazma, rruazat e kuqe, rruazat e bardha dhe pllakëzat.
30 DISIPLINA
Në Bibël, fjala «disiplinë» nuk ka të njëjtin kuptim me fjalën ndëshkim. Disiplina përfshin udhëzimin, mësimin dhe ndreqjen. Jehovai nuk disiplinon askënd në mënyrë poshtëruese ose të ashpër. (Proverbat 4:1, 2) Jehovai u lë një shembull të shkëlqyer prindërve. Disiplina e tij është kaq e efektshme, saqë personi që disiplinohet, mund të fillojë ta dojë këtë disiplinë. (Proverbat 12:1) Jehovai i do shërbëtorët e tij, prandaj i stërvit. U jep udhëzime që të ndreqin idetë e gabuara dhe që të mendojnë e të veprojnë në mënyrën e duhur. Për prindërit, disiplinimi i fëmijëve përfshin t’i ndihmojnë që të kuptojnë arsyet pse duhet të binden. Përfshin edhe t’i mësojnë fëmijët të duan Jehovain, të duan Fjalën e tij, Biblën, e të kuptojnë parimet e saj.
31 DEMONËT
Demonët janë krijesa të liga qiellore dhe të padukshme që kanë fuqi të mbinatyrshme. Ata janë engjëj të ligj. U bënë të ligj kur nuk iu bindën Perëndisë, duke u kthyer kështu në armiq të tij. (Zanafilla 6:2; Juda 6) Demonët u bashkuan në rebelimin e Satanait kundër Jehovait.—Ligji i përtërirë 32:17; Luka 8:30; Veprat 16:16; Jakovi 2:19.