MEMFISI
Një nga kryeqytetet e Egjiptit të lashtë, rrënojat e të cilit gjenden në Mit-Rahinej, rreth 23 km në jug të Kajros, në perëndim të Nilit. Për një kohë të gjatë, Memfisi ishte qyteti më i rëndësishëm i «Egjiptit të Poshtëm» (d.m.th., zonës së deltës dhe një pjese të vogël në jug të saj ).
Në tekstin hebraisht te Hozea 9:6 qyteti është quajtur Mof («Memfis» në shumicën e përkthimeve në shqip). Në vargje të tjera është përdorur termi hebraik Nof.—Is 19:13; Jr 2:16; 44:1; 46:14, 19; Ezk 30:13, 16.
Historia. Sipas gojëdhënës së treguar nga historiani grek Herodoti (II, 99), Memfisi u themelua nga një sundimtar i quajtur Menes; megjithatë, nuk është gjetur asnjë dëshmi historike për këtë themelues të supozuar të «Dinastisë së Parë» të sundimtarëve egjiptianë.
Memfisi kishte një vendndodhje gjeografike ideale për të qenë kryeqyteti i këtij vendi përgjatë Nilit. Ai shtrihej pak më në jug të zonës ku niste delta (d.m.th., pika ku ndahen degët e Nilit) dhe mund të kontrollonte jo vetëm zonën e deltës në veri, por edhe trafikun e Nilit. Në perëndim qyteti ishte i mbrojtur prej sulmeve nga shkretëtira dhe malet, kurse në lindje mbrohej nga Nili dhe kodrat përtej lumit. Kështu, i gjendur në kufi të Egjiptit të Sipërm (Jugor) dhe të Poshtëm (Verior), në kohën e lashtë Memfisi kontrollonte gjithë Egjiptin, njësoj si Kajroja e sotme që gjendet aty pranë.
Tregtia. Qyteti ishte një qendër e madhe tregtare gjatë gjithë historisë së tij dhe u dobësua vetëm pas pushtimit grek, kur Aleksandria, që gjendej në bregun verior, u bë porti më i lulëzuar i vendit. Sipas disa historianëve, Memfisi u bë mjaft i famshëm për prodhimet e qelqit dhe Roma ishte importuesja kryesore e tyre. Pemët e akacies që kultivoheshin në atë zonë siguronin lëndë drusore për të bërë mobilie, anije për flotën egjiptiane dhe armë.
Politika. Memfisi kishte një rëndësi të madhe edhe nga pikëpamja politike, sidomos gjatë periudhës që egjiptologët e quajnë «Mbretëria e Vjetër» dhe deri në «Mbretërinë e Mesme». Shumica e historianëve besojnë se selia e qeverive të dinastive më të hershme ishte Memfisi, edhe pse për njëfarë kohe u zhvendos në Tebë (No-Amoni biblik, rreth 480 km më në jug). Në kohën kur Abrahami shkoi në Egjipt dhe pati një incident me faraonin që sundonte në atë kohë, ka shumë të ngjarë që kryeqytet të ketë qenë ende Memfisi.—Zn 12:10-20.
Nga dëshmitë biblike duket se, gjatë qëndrimit të izraelitëve në Egjipt, kryeqyteti i vendit ishte në Egjiptin e Poshtëm (Verior), nga ku mund të shkohej pak a shumë lehtësisht në Goshen, ku banonin izraelitët. (Zn 47:1, 2; shih GOSHENI nr. 1.) Takimi i Moisiut me faraonin «buzë lumit Nil» duket se përkrah mendimin se kryeqyteti ishte Memfisi dhe jo ndonjë vend tjetër poshtë në zonën e deltës (siç sugjerojnë disa), sepse Nili ndahej në degë kur arrinte në këtë zonë.—Da 7:15.
Për shkak të rëndësisë që kishte, Memfisi shfaqet në disa profeci që kanë të bëjnë me Egjiptin. Te Jeremia 2:16 profeti thotë se Nofi (Memfisi) dhe Tafnesi (qytet në zonën e deltës) ‘hanë majën e kokës [së Izraelit]’, domethënë, e zhveshin Izraelin dhe e bëjnë sikur të jetë tullac. Për ata që pohonin se ishin popull i Perëndisë, kjo do të thoshte se do të poshtëroheshin e do të mbanin zi. (Krahaso 2Mb 2:23; Is 22:12.) Për mbretërinë veriore të Izraelit dhe për mbretërinë jugore (të Judës), Egjipti, i përfaqësuar nga Memfisi dhe Tafnesi, doli një shpresë e kotë për ndihmë e mbështetje, ndërkohë që u tregua i gatshëm ta shfrytëzonte për motive egoiste popullin me të cilin Perëndia kishte bërë një besëlidhje.—Ho 7:11; Is 30:1-3; 2Mb 23:31-35.
Feja. Memfisi ishte qendër e fesë dhe e dijes në Egjipt, mirëpo që në shekullin e tetë p.e.s. Isaia paratha se mençuria me të cilën mburreshin princat (ndoshta princat priftërorë) e Nofit (Memfisit) do të dështonte dhe Egjipti do të mashtrohej. (Is 19:13) Me sa duket, këta këshilltarë ushqenin në Egjipt një ndjenjë të rreme sigurie në lidhje me fuqinë agresore asiriane.
Në Memfis janë gjetur edhe dëshmi të mbretërimit në Egjipt të mbretit etiopas Tirhakah. Ndonëse Tirhakahu arriti të mbijetonte në betejën që bëri në Kanaan me mbretin asirian Senakeribin (732 p.e.s.; 2Mb 19:9), më pas Esar-Hadoni, biri i Senakeribit, e dërrmoi ushtrinë egjiptiane dhe e detyroi të tërhiqej në Memfis. Në dokumentimin që i bëri Esar-Hadoni betejës që pasoi, lexojmë: «E rrethova Memfisin, selinë e tij [të Tirhakahut] mbretërore dhe e pushtova për gjysmë dite me anë të tuneleve, të çarave në mure dhe shkallëve të sulmit; (e) shkatërrova, ia shemba (muret) dhe e dogja.» (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 293) Me sa duket, pak vjet më vonë forcat egjiptiane e rimorën Memfisin dhe masakruan garnizonin asirian. Por Ashurbanipali, biri i Esar-Hadonit, marshoi kundër Egjiptit dhe i detyroi sundimtarët e Memfisit të tërhiqeshin përpjetë Nilit (në jug).
Kur Asiria mori të tatëpjetën nga fundi i shekullit të shtatë p.e.s., Memfisi u vu përsëri nën kontrollin e plotë të Egjiptit. Pasi mbreti babilonas, Nabukodonosori, shkretoi Judën në vitin 607 p.e.s., refugjatët judenj ia mbathën në Egjipt, ku banuan në Memfis dhe qytete të tjera. (Jr 44:1) Me anë të profetëve të tij, Jeremisë dhe Ezekielit, Jehovai shpalli se do të sillte gjëmën mbi ta dhe paratha se Nabukodonosori do t’i jepte Egjiptit një goditje shkatërrimtare, kurse Memfisi (Nofi) do të përjetonte gjithë furinë e sulmit. (Jr 44:11-14; 46:13, 14, 19; Ezk 30:10-13) Babilonasit do ta sulmonin të sigurt Memfisin, në mes të ditës.—Ezk 30:16.
Memfisi pësoi përsëri një disfatë të rëndë nga mbreti pers Kambisi, në vitin 525 p.e.s., dhe u bë selia e një krahine perse. Qyteti nuk e mori më kurrë veten plotësisht nga pasojat e këtij pushtimi. Me lulëzimin e Aleksandrisë nën sundimin e Ptolemenjve, Memfisin e mori gjithnjë e më shumë rrokullima dhe në shekullin e shtatë të erës sonë ishte kthyer në një grumbull rrënojash.
Memfisi ishte një nga qytetet më të shenjta të Egjiptit të lashtë, përkrah Onit (Heliopolit) fqinj. (Zn 41:50) Rëndësi të veçantë kishin faltoret kushtuar perëndisë Ptah dhe demit të shenjtë Apis. Sipas «teologjisë memfise» të sajuar nga priftërinjtë e Memfisit, perëndia Ptah ishte krijuesi (rolin e të cilit e ndante me perëndi të tjerë, si Thothi, Raja dhe Osirisi) dhe veprimtaria e tij mitologjike, me sa duket, ishte modeluar sipas rolit që faktikisht luante faraoni në çështjet njerëzore. Sipas historianëve antikë, tempulli i Ptahut në Memfis zgjerohej e zbukurohej herë pas here. Ai hijeshohej nga statuja gjigante.
Demi Apis, një dem i gjallë me shenja dalluese të veçanta, mbahej në Memfis dhe adhurohej si mishërim i perëndisë Osiris, ndonëse disa legjenda e lidhin edhe me perëndinë Ptah. Kur demi ngordhte, mbahej zi publike dhe i bëhej një varrim solemn në Sakaranë fqinje. (Kur hulumtuesit hapën varrin në shekullin e 19-të, gjetën mbi 60 lopë dhe dema të balsamosur.) Përzgjedhja e një demi Apis të ri dhe vënia në fron e tij në Memfis ishte një ceremoni po kaq e stërholluar. Izraelitët rebelë mund të jenë ndikuar nga ky lloj adhurimi, kur u lindi ideja që të bënin një viç të artë për të adhuruar Jehovain. (Da 32:4, 5) Në Memfis zinte një vend të rëndësishëm edhe adhurimi i perëndeshës së huaj Astartës. Po ashtu, kishte tempuj për perënditë e perëndeshat egjiptiane, si: Hathori, Amoni, Imhotepi, Isida, Osiris-Sokar, Anubisi e të tjerë. Gjithë kjo armatë e perëndive të lashta dhe e idhujve të tyre do të shkatërrohej falë gjykimit hyjnor.—Ezk 30:13.
Varrezat mbretërore. Rëndësia e dikurshme e Memfisit është e dukshme nga varrezat e mëdha pranë qytetit të lashtë, ku gjenden nja 20 piramida ose varre monumentale mbretërore. Fakti që Memfisi spikaste si vendvarrim mbretëror, pa dyshim pasqyrohet në profecinë e Hozesë kundër Izraelit të pabesë në shekullin e tetë p.e.s., ku thuhet se «Egjipti do t’i mbledhë, Memfisi do t’i varrosë». (Ho 9:6) Mes piramidave të gjetura në Sakara, pranë Memfisit, është edhe «Piramida e shkallëzuar», e ndërtuar nga mbreti Djoser (Dinastia III), e cila konsiderohet si struktura më e vjetër prej guri që qëndron ende në këmbë. Më në perëndim-veriperëndim të Memfisit gjenden piramidat shumë më hijerënda të Gizës, si dhe Sfinksi i madh. Sot, gjithçka që ka mbetur nga lavdia e dikurshme fetare e Memfisit janë këto varre dhe struktura të ngjashme prej guri. Siç ishte parathënë, qyteti është bërë «për të ngjallur habi».—Jr 46:19.