GIDEONI
[një që pret, shkurton].
Një nga gjykatësit më me emër të Izraelit; biri i Joashit nga familja e Abi-Ezerit, nga fisi i Manaseut. Gideoni banonte në Ofrah, një qytet që ka shumë të ngjarë të gjendej në perëndim të Jordanit. Familja së cilës i përkiste, ishte më e parëndësishmja në fisin e Manaseut dhe ai vetë ishte ‘më i vogli i shtëpisë së atit të vet’.—Gjy 6:11, 15.
Gideoni jetoi në një periudhë shumë të trazuar të historisë së Izraelit. Për shkak të jobesnikërisë ndaj Jehovait, izraelitët nuk e gëzonin frytin e mundit të tyre. Për disa vjet me radhë, kombet pagane fqinje, sidomos midianitët, i vërsuleshin Izraelit «të shumtë si karkalecat» gjatë kohës së korrjes. Dora shtypëse e Midianit rëndoi mbi ta për shtatë vjet, aq sa izraelitëve iu desh të hapnin depo të nëndheshme për të fshehur rezervat e ushqimit nga këta dhunues.—Gjy 6:1-6.
Thirret për të shpëtuar Izraelin. Gideoni po shinte grurë, jo jashtë, por në shtypësen e rrushit, që të mos diktohej nga midianitët, kur iu shfaq një engjëll që i tha: «Jehovai është me ty, o trim i fuqishëm!» Gideoni e pyeti se si mund të ishte e vërtetë kjo, kur kombi shtypej nga midianitët. Kur mësoi se ai do të ishte çlirimtari i Izraelit, me modesti Gideoni pranoi se ishte njeri shumë i parëndësishëm. Megjithatë, engjëlli e siguroi se Jehovai do të ishte me të. Atëherë, Gideoni kërkoi një shenjë për t’u siguruar se lajmëtari ishte vërtet engjëll i Jehovait. Ai solli si dhuratë mish, kuleç të ndormë e lëng mishi dhe, sipas udhëzimeve të engjëllit, i vuri të gjitha mbi një shkëmb të madh e derdhi lëngun mbi to. Engjëlli e preku mishin dhe kuleçtë e ndormë me shkopin e tij dhe nga shkëmbi u ngrit një zjarr që përpiu blatimin. Pastaj, engjëlli iu zhduk nga sytë.—Gjy 6:11-22.
Po atë natë, Jehovai e vuri Gideonin në provë duke e urdhëruar të shembte altarin që kishte ngritur i ati për nder të Baalit, të priste shtyllën e shenjtë që ishte pranë tij, të ndërtonte një altar për Jehovain dhe të flijonte mbi të demin e ri shtatëvjeçar të të atit (me sa duket një dem që i ishte shenjtëruar Baalit) duke përdorur shtyllën e shenjtë si dru zjarri. Me shumë kujdes, Gideoni e bëri këtë natën me ndihmën e dhjetë shërbëtorëve. Burrat e qytetit u ngritën në mëngjes, panë ç’kish ndodhur dhe, kur morën vesh se e kishte bërë Gideoni, kërkuan me ngulm që ai të vritej. Mirëpo Joashi nuk e dorëzoi të birin në duart e tyre, por ua ktheu duke thënë se Baali duhej të mbrohej vetë. Pastaj, Joashi i vuri të birit, Gideonit, emrin Jerubaal (që do të thotë «Baali le të mbrohet (luftojë) vetë») dhe tha: «Baali le të mbrohet vetë, sepse altarin e tij kanë rrëzuar.»—Gjy 6:25-32.
Fitore mbi Midianin. Pas kësaj, midianitët bashkë me amalekitët dhe popujt e Lindjes sulmuan përsëri Izraelin dhe e ngritën kampin në ultësirën e Jezreelit. Atëherë fryma e Jehovait pushtoi Gideonin. Ai u bëri thirrje për betejë abiezeritëve dhe dërgoi lajmëtarë nëpër tërë Manaseun, nëpër Asher, Zabulon e Neftal, që të nxitnin burrat të bashkoheshin me të. Për t’u siguruar se kishte mbështetjen e Jehovait, Gideoni kërkoi që një bashkë leshi e lënë zbuluar natën në lëmë, të nesërmen të ishte e njomur nga vesa, kurse vendi përreth të ishte i thatë. Jehovai ia plotësoi kërkesën duke e bërë këtë mrekulli, por Gideoni, tërë kujdes, deshi të sigurohej nëpërmjet një shenje të dytë se Jehovai ishte vërtet me të, prandaj kërkoi të kundërtën e mrekullisë së parë, dhe ashtu ndodhi.—Gjy 6:33-40.
Tridhjetë e dy mijë luftëtarë e pranuan ftesën e Gideonit dhe u mblodhën rreth tij. Ata e ngritën kampin te pusi i Harodit, në jug të kampit midianit, pranë kodrës së Morehut në ultësirë. Në krahasim me 32.000 luftëtarët izraelitë, ushtria pushtuese ishte më shumë se katërfishi (rreth 135.000 ushtarë). (Gjy 8:10) Mirëpo Jehovai tregoi se burrat që ishin me Gideonin ishin tepër, në kuptimin që, nëse Perëndia ua jepte Midianin në dorë, ata mund të mendonin se shpëtuan falë trimërisë së tyre. Duke ndjekur udhëzimin e Perëndisë, Gideoni u tha atyre që kishin frikë e dridheshin që të ktheheshin në shtëpi. Megjithëse u larguan njëzet e dy mijë burra, prapëseprapë ishin shumë. Më pas, Jehovai e udhëzoi Gideonin t’i zbriste tek uji 10.000 burrat që kishin mbetur që t’i vinte në provë. Vetëm pak prej tyre, gjithsej 300, e çuan ujin në gojë me dorë, dhe këta u ndanë veç. Të tjerët që u përkulën në gjunjë për të pirë, nuk do të shkonin në luftë. Me mënyrën se si pinë, 300 burrat që mbetën, treguan vigjilencë dhe zell për të luftuar për adhurimin e vërtetë në emër të Jehovait. Jehovai premtoi se do ta shpëtonte Izraelin nëpërmjet këtij grupi të vogël prej 300 burrash.—Gjy 7:1-7.
Gideoni dhe shërbëtori i tij, Purahu, vajtën natën për zbulim në kampin armik. Atje Gideoni dëgjoi një burrë tek i tregonte një ëndërr shokut të tij. Shoku i tha se ëndrra do të thoshte që Midiani dhe gjithë kampi do të binin në duart e Gideonit. Si mori zemër nga ajo që dëgjoi, Gideoni u kthye në kampin izraelit dhe i ndau 300 burrat në tri grupe që ta sulmonin kampin midianit nga tri drejtime. Pastaj i dha secilit nga një bri e nga një qyp të madh me një pishtar brenda.—Gjy 7:9-16.
Gideoni me qindëshen e tij arriti buzë kampit midianit sapo ishin vendosur rojat e mesnatës. Pastaj, burrat e Gideonit ndoqën udhëzimet e tij, duke bërë me përpikëri çfarë bënte ai. Heshtja e natës u prish nga tingulli i 300 brirëve, thyerja e 300 qypave të mëdhenj të ujit dhe gjëmimi i 300 britmave për luftë; në të njëjtën kohë, qielli u ndriçua nga 300 pishtarët. Kampin armik e zuri paniku. Pushtuesit filluan të bërtisnin e t’ia mbathnin, dhe «Jehovai bëri që të gjithë ata që ishin në kamp të ktheheshin me shpata kundër njërit-tjetrit. Ushtarët e kampit ia morën vrapit deri në Beth-Shitah, kaluan në Zererah dhe vazhduan deri në rrethinat e Abel-Meholahut pranë Tabatit».—Gjy 7:17-22.
Ndërkohë, burrat e Neftalit, të Asherit dhe të Manaseut ishin mbledhur për t’i ndjekur midianitët këmba-këmbës. Veç kësaj, tek efraimitët u dërguan lajmëtarë për t’u thënë që t’u prisnin rrugën midianitëve që ia kishin mbathur. Efraimitët vepruan pikërisht kështu dhe morën ujërat deri në Beth-Barah e Jordan. Gjithashtu, kapën dhe vranë dy princat midianitë, Orebin dhe Zebin. Mirëpo, kur u takuan me Gideonin, ata «tërë zjarr . . . donin të grindeshin me të» pse nuk i kishte thirrur që në fillim ta ndihmonin. Megjithatë, Gideoni arriti t’ua fashiste zemërimin dhe të shmangte një përplasje me ta, duke thënë me modesti se ai nuk kishte bërë asgjë në krahasim me ç’kishin bërë ata duke kapur Orebin dhe Zebin.—Gjy 7:23–8:3.
Si kaluan Jordanin, megjithëse të lodhur, Gideoni dhe 300 luftëtarët e tij vazhduan të ndiqnin mbretërit e Midianit, Zebahun dhe Zalmunain, si dhe burrat që ishin me ta. Rrugës, ai u kërkoi ushqim burrave të Sukotit, por princat e Sukotit nuk pranuan ta ndihmonin duke thënë: «Mos i ke kapur gjë dhe i ke tashmë në dorë Zebahun dhe Zalmunain, që t’i japim bukë ushtrisë sate?» Edhe burrat e Penuelit nuk pranuan t’ia plotësonin kërkesën Gideonit.—Gjy 8:4-9.
Me të mbërritur në Karkor, ku fushonin pushtuesit që ishin katandisur në rreth 15.000 burra, Gideoni e sulmoi kampin në befasi. Zebahu dhe Zalmunai ia mbathën. Gideoni u vu menjëherë pas tyre dhe i kapi. Veç kësaj, «i shtiu dridhmat tërë kampit».—Gjy 8:10-12.
Kur po kthehej nga beteja, Gideoni kapi një djalë të ri nga Sukoti dhe mori prej tij emrat e princave dhe pleqve të qytetit. Ashtu siç u kishte thënë kur nuk ia plotësuan kërkesën për ushqim, Gideoni, me gjemba e me driza, u dha një mësim të mirë pleqve të Sukotit. Dhe, siç i kishte paralajmëruar, rrëzoi kullën e Penuelit dhe vrau burrat e qytetit, ngaqë nuk bashkëpunuan për t’u siguruar ushqim luftëtarëve të tij.—Gjy 8:13-17.
Pas kësaj, Gideoni e urdhëroi djalin e tij të parëlindur, Jeterin, të vriste Zebahun dhe Zalmunain, pasi ata kishin vrarë vëllezërit e Gideonit, bijtë e nënës së tij. Duke qenë akoma i ri, Jeteri pati frikë t’i vriste mbretërit midianitë. Prandaj, pasi Zebahu dhe Zalmunai e sfiduan, Gideoni i vrau vetë.—Gjy 8:18-21.
Efodi. Izraelitët mirënjohës i kërkuan Gideonit që familjen e tij ta bënin një dinasti mbretërore. Megjithatë Gideoni, i vetëdijshëm se mbreti i ligjshëm i Izraelit ishte Jehovai, nuk e pranoi kërkesën e tyre. Sidoqoftë, u sugjeroi të jepnin si kontribut bizhuteritë prej ari që kishin zënë si plaçkë lufte. Vetëm unazat e hundës arrinin vlerën 1.700 sikla ari (218.365 dollarë). Gideoni bëri me të gjitha një efod dhe e vuri para të gjithëve në Ofrah. Mirëpo tërë Izraeli filloi «të kurvërohej» me efodin, sa u bë një lak edhe për Gideonin dhe shtëpinë e tij. Kështu, edhe pse ai pa dyshim u nis nga një motiv i drejtë, efodi i shpërqendroi nga tabernakulli, shenjtërorja e vërtetë e Jehovait. Përpjekjet e Gideonit dështuan, duke sjellë si rezultat të kundërtën e asaj që kishte pasur si qëllim.—Gjy 8:22-27; shih EFODI, I.
Vdes si një dëshmitar i miratuar. Çlirimi që solli Jehovai nëpërmjet Gideonit qe aq i plotë, sa gjatë 40 vjetëve që ai ishte gjykatës, nuk pati më asnjë trazirë. Gideoni pati shumë gra, të cilat i lindën 70 djem. Pasi ai vdiq në pleqëri të mbarë, Izraeli ra përsëri viktimë e adhurimit të Baalit. Veç kësaj, Abimeleku, djali që i kishte lindur nga një konkubinë nga Sikemi, vrau bijtë e tjerë të Gideonit. Shpëtoi vetëm Jotami që ishte më i vogli.—Gjy 8:28–9:5; shih ABIMELEKU nr. 4; OFRAHU nr. 3.
Falë besimit edhe në kushtet më të vështira, Gideoni e meriton të përmendet mes ‘resë së madhe të dëshmitarëve’. (He 11:32; 12:1) Gjithashtu, përveçse shquhej si njeri modest, ai ishte edhe shumë i kujdesshëm. Me sa duket kujdesi i Gideonit ishte një cilësi e çmuar që nuk vinte nga mungesa e besimit, pasi ai nuk u qortua asnjëherë pse u tregua i kujdesshëm. Veç kësaj, siç tregohet te Psalmi 83, mundja e Midianit në kohën e Gideonit, është një shembull profetik i shkatërrimit të ardhshëm të të gjithë kundërshtarëve të Jehovait, për të lartësuar emrin e tij dhe për të shfajësuar sovranitetin e tij.—Krahaso Is 9:4; 10:26.