Eksodi
12 Jehovai i tha Moisiut dhe Aaronit në vendin e Egjiptit: 2 «Ky do të jetë për ju muaji i parë. Do të jetë muaji i parë i vitit.+ 3 I thoni mbarë asamblesë së Izraelit: ‘Ditën e dhjetë të këtij muaji, secili të marrë një nga të vegjlit e bagëtisë së imët,+ sipas shtëpive të të parëve, një për çdo shtëpi. 4 Por nëse ata të shtëpisë janë shumë pak për ta ngrënë, atëherë ta marrin e ta ndajnë me fqinjin më të afërt, sipas shpirtrave të tyre. Ta llogaritni në përpjesëtim me atë që mund të hajë secili. 5 Ai duhet të jetë i shëndetshëm+ dhe mashkull motak.+ Mund të zgjidhni nga qengjat ose nga kecat. 6 Ruajeni deri ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji,+ dhe gjithë kongregacioni* i Izraelit ta therë ndaj të ngrysur.+ 7 Të marrin ca gjak e të spërkatin me të dy shtalkat dhe pjesën e sipërme të hyrjes së shtëpive ku do të hanë.+
8 Ta hanë mishin po atë natë.+ Ta hanë të pjekur në zjarr, me kuleç të ndormë+ dhe me barishte të hidhura.+ 9 Mos e hani të gjallë, as të zier në ujë, por të pjekur në zjarr, kokën, këmbët dhe të përbrendshmet. 10 Mos lini asgjë deri në mëngjes, por ç’të ketë mbetur deri në mëngjes, digjeni në zjarr.+ 11 Ja si do ta hani: me rrobën të ngjeshur në mes,+ me sandalet+ në këmbë dhe me shkopin në dorë. Hajeni me nxitim. Është pashka e Jehovait.+ 12 Këtë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit+ dhe do të godas çdo të parëlindur të njerëzve dhe të kafshëve,+ dhe do të zbatoj vendimet gjyqësore kundër tërë perëndive të Egjiptit.+ Unë jam Jehovai.+ 13 Gjaku do të shërbejë si shenjë për shtëpitë tuaja. Kur të godas vendin e Egjiptit, unë do të shoh gjakun, do t’ju kaloj,+ dhe plaga nuk do të bjerë mbi ju, që t’ju rrënojë.
14 Këtë ditë do ta kujtoni dhe do ta kremtoni si një festë për Jehovain nga brezi në brez. Duhet ta kremtoni, dhe do të jetë për ju një ligj brez pas brezi. 15 Shtatë ditë do të hani kuleç të ndormë. Ditën e parë do të hiqni tharmin nga shtëpitë tuaja, sepse shpirti që ha diçka të mbrujtur, nga dita e parë deri ditën e shtatë,+ do të shfaroset nga Izraeli.+ 16 Ditën e parë keni për të mbajtur një asamble të shenjtë,+ e po kështu edhe ditën e shtatë. Ato ditë s’keni për të bërë asnjë punë.+ Mund të përgatitni vetëm atë që i duhet çdo shpirti për të ngrënë.+
17 Do të mbani festën e kuleçve të ndormë,+ sepse pikërisht këtë ditë unë do t’i nxjerr ushtritë tuaja nga vendi i Egjiptit. Do ta mbani këtë ditë nga brezi në brez, dhe do të jetë për ju një ligj brez pas brezi. 18 Muajin e parë do të hani kuleç të ndormë, nga mbrëmja e ditës së katërmbëdhjetë të muajit, deri në mbrëmjen e ditës së njëzetenjëtë të muajit.+ 19 Për shtatë ditë nuk do të gjendet tharm në shtëpitë tuaja, sepse shpirti që provon diçka të mbrujtur, qoftë i ardhur, qoftë vendës,+ do të shfaroset nga asambleja e Izraelit.+ 20 S’keni për të ngrënë asgjë të mbrujtur. Në të gjitha vendet ku banoni, keni për të ngrënë kuleç të ndormë.’»
21 Moisiu i thirri menjëherë gjithë pleqtë e Izraelit,+ dhe u tha: «Shkoni e merrni bagëti të imët sipas familjeve tuaja, dhe therni flinë e pashkës.+ 22 Merrni një tufë me hisop,+ ngjyejeni në gjakun që është në legen, dhe me të spërkatni pjesën e sipërme të hyrjes, si dhe dy shtalkat. Askush të mos dalë nga dera e shtëpisë deri në mëngjes. 23 Kështu, kur Jehovai të kalojë për të goditur me plagë egjiptianët dhe të shohë gjakun në pjesën e sipërme të hyrjes dhe te dy shtalkat, Jehovai ka për ta kaluar hyrjen tuaj, dhe nuk do të lejojë që shkatërrimi të hyjë në shtëpitë tuaja e t’ju godasë me plagë.+
24 Ti dhe bijtë e tu do ta mbani këtë rregull+ brez pas brezi.+ 25 Këtë shërbim do ta bëni edhe kur të shkoni në vendin që Jehovai do t’ju japë, pikërisht ashtu si ka thënë.+ 26 Kur bijtë tuaj t’ju pyesin: ‘Ç’do të thotë për ju ky shërbim?’,+ 27 do t’u përgjigjeni: ‘Është flijimi i pashkës për Jehovain,+ që i kaloi shtëpitë e bijve të Izraelit në Egjipt, kur i goditi me plagë egjiptianët, dhe i çliroi shtëpitë tona.’»
Atëherë populli u përkul thellë dhe ra përmbys.+ 28 Pastaj, bijtë e Izraelit shkuan dhe bënë ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun dhe Aaronin.+ Ata bënë pikërisht ashtu.
29 Në mesnatë, Jehovai goditi çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit,+ që nga i parëlinduri i faraonit, që ulet në fronin e vet, deri tek i parëlinduri i robit, që ndodhej në gropën e burgut, si dhe çdo pjellë të parë të kafshëve.+ 30 Atëherë faraoni u ngrit natën, dhe bashkë me të gjithë shërbëtorët e tij dhe gjithë egjiptianët e tjerë. Një klithmë e madhe nisi të dëgjohej mes egjiptianëve,+ pasi nuk kishte shtëpi pa një të vdekur. 31 Ai thirri menjëherë+ Moisiun dhe Aaronin natën dhe u tha: «Ngrihuni, largohuni nga populli im, ju dhe bijtë e tjerë të Izraelit dhe shkoni, shërbejini Jehovait, pikërisht ashtu si keni thënë.+ 32 Merrni kopetë dhe tufat tuaja, ashtu si keni thënë,+ dhe shkoni e më bekoni edhe mua.»
33 Egjiptianët nisën ta nxitnin popullin, sepse donin t’i nxirrnin shpejt+ nga vendi, «përndryshe, do të vdesim të gjithë»,+—thoshin ata. 34 Prandaj, populli e mori brumin e ndormë, me magjet në krah, të mbështjella me mantele. 35 Bijtë e Izraelit bënë siç u tha Moisiu, dhe u kërkuan egjiptianëve sende argjendi, ari dhe mantele.+ 36 Jehovai bëri që populli të gjente hir në sy të egjiptianëve,+ prandaj ata u dhanë gjithçka që u kërkuan.+ Kështu, izraelitët i zhveshën egjiptianët.+
37 Bijtë e Izraelit u nisën nga Ramsesi+ për në Sukot;+ gjashtëqind mijë burra në këmbë, pa numëruar të vegjlit.+ 38 Bashkë me ta u nis edhe një turmë e madhe e përzier njerëzish,+ si dhe kope e tufa, një numër vërtet i madh bagëtish. 39 Ata nisën ta piqnin brumin që kishin nxjerrë nga Egjipti dhe bënë kuleç të ndormë, sepse brumi nuk ishte mbrujtur, ngaqë i kishin dëbuar nga Egjipti dhe s’kishin mundur të pritnin, dhe s’kishin përgatitur dot asnjë ushqim për vete.+
40 Bijtë e Izraelit kishin banuar+ në Egjipt*+ katërqind e tridhjetë vjet.+ 41 Në fund të katërqind e tridhjetë vjetëve, pikërisht atë ditë, gjithë ushtritë e Jehovait dolën nga vendi i Egjiptit.+ 42 Kjo është një natë për t’u kremtuar për nder të Jehovait, që i nxori nga vendi i Egjiptit. Kjo është një natë që duhet kremtuar për nder të Jehovait nga tërë bijtë e Izraelit, brez pas brezi.+
43 Jehovai i tha Moisiut dhe Aaronit: «Ky është ligji për pashkën:+ asnjë i huaj nuk do të hajë nga flia e pashkës.+ 44 Por skllavin e blerë me para, rrethprite.+ Vetëm atëherë ai mund të hajë. 45 Një i shpërngulur dhe një mëditës nuk do të hanë. 46 Flinë e pashkës do ta hani brenda në shtëpi. Mos nxirrni nga shtëpia asnjë copë mish, dhe mos i thyeni flisë asnjë eshtër.+ 47 Do ta kremtojë gjithë asambleja e Izraelit.+ 48 Në rast se një i ardhur që banon me ty, dëshiron ta kremtojë pashkën për Jehovain, çdo mashkull i shtëpisë së tij të rrethpritet.+ Vetëm atëherë ai mund të vijë ta kremtojë, dhe do të konsiderohet si një vendës. Por asnjë i parrethprerë nuk do të hajë. 49 Do të ketë një ligj të vetëm si për vendësin, si për të ardhurin që banon mes jush.»+
50 Gjithë bijtë e Izraelit bënë ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun dhe Aaronin. Ata bënë pikërisht ashtu.+ 51 Pikërisht atë ditë, Jehovai i nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit në formacion ushtarak.+