Ezekieli
3 Ai më tha: «Bir njeriu, ha ç’të është vënë përpara. Haje këtë rrotull+ dhe shko t’i flasësh shtëpisë së Izraelit.»
2 Unë hapa gojën, dhe ai më vuri të haja rrotullën+ 3 e më tha: «Bir njeriu, fute në bark e mbushi zorrët me rrotullën që po të jap.» Unë nisa ta haja, dhe ajo më la në gojë një shije të ëmbël si mjalti.+
4 Ai më tha akoma: «Bir njeriu, shko te shtëpia+ e Izraelit dhe thuaju atyre fjalët që do të të them. 5 Nuk po të dërgoj te një popull me gjuhë të pakuptueshme+ a të vështirë,+ por te shtëpia e Izraelit, 6 jo te shumë popuj me gjuhë të pakuptueshme a të vështirë, të cilëve nuk ua kupton dot fjalët.+ Po të të dërgoja tek ata, do të të dëgjonin.+ 7 Por shtëpia e Izraelit nuk do të dojë të të dëgjojë, ngaqë nuk duan të më dëgjojnë mua.+ Dhe kjo sepse të gjithë në shtëpinë e Izraelit janë kokëshkëmb e zemërgur.+ 8 Por unë e kam bërë fytyrën tënde po aq të fortë sa fytyra e tyre+ dhe ballin tënd po aq të fortë sa balli i tyre.+ 9 E kam bërë ballin tënd si diamanti+ dhe më të fortë se stralli. Mos ki frikë nga ata+ dhe mos u tmerro nga fytyrat e tyre,+ sepse janë një shtëpi rebele.»+
10 Ai vazhdoi: «Bir njeriu, nguliti në zemër+ të gjitha fjalët që do të të them e dëgjoji mirë. 11 Shko tek ata që janë në mërgim,+ te bijtë e popullit tënd, dhe, dëgjojnë apo jo,+ ti thuaju: ‘Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova.’»
12 Pastaj një frymë më ngriti,+ dhe unë dëgjova prapa meje zhurmën e një rrapëllime të madhe+ që thoshte: «E bekuar qoftë lavdia e Jehovait nga vendi i tij!»+ 13 Gjithashtu dëgjova zhurmën e krahëve të krijesave të gjalla që fërkoheshin me njëri-tjetrin,+ zhurmën e rrotave shumë pranë tyre+ dhe zhurmën e një rrapëllime të madhe. 14 Fryma më ngriti e më mori me vete,+ dhe, kur ika, u ndjeva i hidhëruar dhe i zemëruar përbrenda. Dora e Jehovait që veproi mbi mua, ishte e fortë.+ 15 Kështu, shkova në Tel-Abib, te të mërguarit që banonin+ afër lumit Kebar,+ dhe qëndrova me ta. Qëndrova shtatë ditë i shtangur mes tyre.+
16 Në fund të shtatë ditëve, fjala e Jehovait m’u drejtua:
17 «Bir njeriu, unë të kam vënë si rojë për shtëpinë e Izraelit.+ Dëgjoji fjalët e gojës sime dhe paralajmëroji ata nga ana ime.+ 18 Nëse unë i them të ligut: ‘Ke për të vdekur’,+ dhe ti nuk e lajmëron e nuk i thua që ta lërë rrugën e tij të ligë e të jetojë,+ ai do të vdesë për fajin e vet,+ meqenëse është i lig, por gjakun e tij do ta kërkoj nga dora jote.+ 19 Por nëse ti e paralajmëron të ligun+ dhe ai nuk heq dorë nga ligësia e vet dhe nga rruga e tij e keqe, ai do të vdesë për fajin e vet,+ kurse ti do ta shpëtosh shpirtin tënd.+ 20 Në rast se i drejti largohet nga drejtësia+ dhe bën padrejtësi, unë do t’i vë përpara një gur pengese+ e ai do të vdesë, sepse ti nuk e paralajmërove. Ai do të vdesë për mëkatin e vet+ dhe veprat e drejta që ka bërë, nuk do të kujtohen,+ por gjakun e tij do ta kërkoj nga dora jote.+ 21 Por nëse ti e paralajmëron të drejtin që të mos mëkatojë,+ dhe ai nuk mëkaton, ai me siguri do të jetojë, sepse u paralajmërua,+ dhe ti do ta shpëtosh shpirtin tënd.»+
22 Dora e Jehovait erdhi mbi mua dhe ai më tha: «Ngrihu e shko te rrafshina,*+ se atje do të flas me ty.» 23 Unë u ngrita e shkova te rrafshina, kur ja, atje ishte lavdia e Jehovait,+ si lavdia që kisha parë afër lumit Kebar+ dhe u përkula me fytyrë përdhe.+ 24 Pastaj, fryma hyri tek unë+ e më bëri të rrija në këmbë+ dhe ai më tha:
«Shko e rri i mbyllur në shtëpi. 25 Ty, o bir njeriu, do të të vënë litarët e do të të lidhin, që të mos shkosh mes tyre.+ 26 Unë do të ta ngjit gjuhën pas qiellzës,+ dhe ti do të bëhesh memec,+ kështu nuk do t’i qortosh,+ sepse ata janë një shtëpi rebele.+ 27 Por kur të flas me ty, unë do të ta hap gojën, dhe ti do t’u thuash:+ ‘Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova.’ Kush do, le të dëgjojë+ dhe kush s’do, le të mos dëgjojë, sepse ata janë një shtëpi rebele.+