Numrat
31 Pastaj Jehovai i tha Moisiut: 2 «Hakmerru+ kundër midianitëve për atë që u bënë izraelitëve.+ Pas kësaj do të bashkohesh me popullin tënd.»*+
3 Kështu Moisiu i tha popullit: «Disa burra mes jush të armatosen për luftë kundër Midianit dhe të ekzekutojnë hakmarrjen e Jehovait. 4 Dërgoni në luftë 1.000 burra nga çdo fis i Izraelit.» 5 Kështu nga mijëra burrat e Izraelit+ u caktuan 1.000 burra për çdo fis, gjithsej 12.000 burra të armatosur për luftë.
6 Pastaj Moisiu i nisi ata në luftë, 1.000 burra nga çdo fis bashkë me Finehasin,+ birin e priftit Eleazar, që kishte në dorë pajisjet e shenjta dhe trumbetat sinjalizuese.+ 7 Ata luftuan kundër Midianit, siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun, dhe vranë të gjithë meshkujt. 8 Bashkë me të tjerët, vranë edhe pesë mbretërit e Midianit: Evin, Rekemin, Zurin, Hurin dhe Rebain që mbretëronin në Midian. Ata vranë me shpatë edhe Balamin,+ birin e Beorit. 9 Kurse gratë dhe fëmijët e Midianit, izraelitët i morën rob. Gjithashtu i morën si plaçkë lufte të gjitha kafshët shtëpiake, bagëtinë dhe gjithë zotërimet e tyre. 10 U vunë zjarrin të gjitha qyteteve ku banonin e të gjitha kampeve të tyre* 11 dhe morën tërë plaçkën e tërë prenë, njerëz dhe kafshë. 12 Pastaj robërit, prenë dhe plaçkën ua çuan në kamp Moisiut, priftit Eleazar dhe asamblesë së izraelitëve, në rrafshinat e shkreta të Moabit,+ afër Jordanit, pranë Jerikosë.
13 Atëherë Moisiu, prifti Eleazar dhe të gjithë prijësit e asamblesë u dolën para, jashtë kampit. 14 Por Moisiu u indinjua me burrat e caktuar të forcave ushtarake, me krerët e mijësheve dhe krerët e qindësheve që po ktheheshin nga fushata ushtarake. 15 Moisiu u tha: «Keni lënë gjallë të gjitha femrat? 16 A nuk ishin ato që me fjalën e Balamit u mbushën mendjen izraelitëve të vepronin pabesisht+ ndaj Jehovait në rastin e Peorit,+ saqë mbi asamblenë e Jehovait ra plaga?!+ 17 Tani, vritini të gjithë fëmijët meshkuj dhe të gjitha gratë që kanë kryer marrëdhënie me një burrë. 18 Kurse të gjitha vajzat që nuk kanë kryer marrëdhënie me një burrë, lërini gjallë.+ 19 Për shtatë ditë qëndroni jashtë kampit. Ata që kanë vrarë dikë dhe ata që kanë prekur një të vrarë,+ duhet të pastrohen+ ditën e tretë dhe ditën e shtatë, si ju, edhe robërit tuaj. 20 Duhet të pastroni nga mëkati të gjitha rrobat, të gjitha sendet prej lëkure, çdo gjë të bërë me lesh dhie dhe çdo send druri.»
21 Pastaj prifti Eleazar u tha burrave të ushtrisë që kishin marrë pjesë në betejë: «Ky është ligji që i urdhëroi Jehovai Moisiut: 22 ‘Vetëm arin, argjendin, bakrin, hekurin, kallajin dhe plumbin, 23 pra çdo gjë që e duron zjarrin, kalojeni nëpër zjarr, dhe do të jetë e pastër. Mirëpo duhet të pastrohen edhe me ujin e pastrimit.+ Kurse të gjitha ato që nuk e durojnë zjarrin, duhet t’i pastroni me ujin e pastrimit. 24 Ditën e shtatë lani rrobat dhe pastrohuni, e pas kësaj mund të hyni në kamp.’»+
25 Më pas Jehovai i tha Moisiut: 26 «Ti, prifti Eleazar dhe krerët e shtëpive atërore të asamblesë bëni një inventar të plaçkës së luftës, numëroni edhe njerëzit, edhe kafshët që zutë. 27 Prenë ndajeni në dy pjesë, mes ushtrisë që shkoi në betejë dhe gjithë pjesës tjetër të asamblesë.+ 28 Nga ushtarët që shkuan në betejë, merrni si taksë për Jehovain një shpirt* në 500: nga njerëzit, gjedhët, gomarët dhe dhentë. 29 Duhet ta merrni atë nga gjysma që iu dha ushtarëve dhe t’ia jepni priftit Eleazar si kontribut për Jehovain.+ 30 Nga gjysma që iu dha izraelitëve duhet të merrni një në 50: nga njerëzit, gjedhët, gomarët, dhentë dhe nga çdo lloj kafshe shtëpiake, e duhet t’ua jepni levitëve,+ atyre që përmbushin përgjegjësitë në tabernakullin e Jehovait.»+
31 Kështu Moisiu dhe prifti Eleazar bënë pikërisht siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun. 32 Preja e mbetur nga plaçka që kishin zënë njerëzit që shkuan në fushatë arriti deri në 675.000 kokë dhen, 33 72.000 kokë gjedhë 34 dhe 61.000 gomarë. 35 Gratë që nuk kishin kryer marrëdhënie me një burrë+ ishin gjithsej 32.000 veta. 36 Në gjysmën që u takonte atyre që shkuan në betejë kishte gjithsej 337.500 kokë dhen, 37 nga të cilat 675 u dhanë si taksë për Jehovain. 38 Kishte 36.000 kokë gjedhë, nga të cilat 72 u dhanë si taksë për Jehovain. 39 Kishte 30.500 gomarë, nga të cilët 61 u dhanë si taksë për Jehovain. 40 Kishte edhe 16.000 njerëz, nga të cilët 32 veta u dhanë si taksë për Jehovain. 41 Kështu Moisiu i dha priftit Eleazar taksën si kontribut për Jehovain,+ siç e kishte urdhëruar Jehovai.
42 Në gjysmën që u takonte izraelitëve, të cilën Moisiu e ndau nga pjesa që u takonte burrave që luftuan, 43 kishte 337.500 kokë dhen, 44 36.000 mijë kokë gjedhë, 45 30.500 gomarë 46 dhe 16.000 njerëz. 47 Nga gjysma që u takonte izraelitëve, Moisiu mori një në 50 nga njerëzit e kafshët, dhe ua dha levitëve,+ atyre që përmbushnin përgjegjësitë në tabernakullin e Jehovait,+ siç e kishte urdhëruar Jehovai.
48 Njerëzit e caktuar të çdo njësie ushtarake,+ domethënë krerët e mijësheve dhe krerët e qindësheve, iu afruan Moisiut 49 dhe i thanë: «Shërbëtorët e tu i numëruan luftëtarët që janë nën urdhrat tanë dhe raportohet se nuk mungon asnjë.+ 50 Prandaj të paraqitim të gjithë ne si blatim për Jehovain gjërat që gjetëm: sende ari, zinxhirë këmbe, byzylykë, unaza me vulë, vathë dhe stoli të tjera, që të bëjmë shlyerjen për veten para Jehovait.»
51 Kështu, Moisiu dhe prifti Eleazar pranuan prej tyre arin, po, tërë stolitë. 52 Gjithë ari i kontributit që dhanë për Jehovain krerët e mijësheve dhe krerët e qindësheve arriti deri në 16.750 sikla.* 53 Të gjithë burrat e ushtrisë morën një pjesë të plaçkës. 54 Moisiu dhe prifti Eleazar e pranuan arin nga krerët e mijësheve dhe të qindësheve dhe e çuan në tendën e takimit, që të shërbente si një përkujtues* për izraelitët para Jehovait.