Numrat
32 Tani, bijtë e Rubenit+ dhe bijtë e Gadit+ kishin shumë bagëti. Ata panë se Jazeri+ dhe Galadi ishin vende të mira për bagëti. 2 Prandaj, bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit vajtën dhe i thanë Moisiut, priftit Eleazar dhe prijësve të asamblesë: 3 «Ataroti, Diboni, Jazeri, Nimrahu, Heshboni,+ Elealehu, Sebami, Neboja+ dhe Beoni,+ 4 vendet që mposhti Jehovai para asamblesë së Izraelit,+ janë vende të mira për bagëti, dhe shërbëtorët e tu kanë shumë bagëti.»+ 5 Pastaj i thanë: «Nëse kemi miratimin tënd, të na jepet ky vend neve si zotërim, shërbëtorëve të tu. Mos na bëj të kalojmë Jordanin.»
6 Mirëpo Moisiu u tha bijve të Gadit dhe bijve të Rubenit: «Si?! Vëllezërit tuaj të shkojnë në luftë, kurse ju të rrini këtu?! 7 Pse duhet ta shkurajoni popullin e Izraelit që të mos hyjë në vendin që Jehovai me siguri do t’ia japë?! 8 Kështu bënë etërit tuaj kur i nisa nga Kadesh-Barnea për të parë vendin.+ 9 Kur u ngjitën në luginën* e Eshkolit+ dhe panë vendin, ata i shkurajuan izraelitët që të mos hynin në vendin që do t’u jepte Jehovai.+ 10 Jehovait iu ndez zemërimi atë ditë, ndaj u betua:+ 11 ‘Burrat nga 20 vjeç e lart që dolën nga Egjipti, nuk do ta shohin tokën+ për të cilën iu betova Abrahamit, Isakut dhe Jakobit,+ sepse nuk m’u bindën me gjithë zemër, 12 përveç Kalebit,+ birit të kenizitit Jefuneh, dhe Josiut,+ birit të Nunit, sepse m’u bindën mua, Jehovait, me gjithë zemër.’+ 13 Kështu Jehovait iu ndez zemërimi kundër Izraelit dhe i bëri të endeshin për 40 vjet në shkretëtirë,+ derisa mori fund tërë brezi që kishte bërë të liga në sytë e Jehovait.+ 14 E në vend të etërve tuaj, tani na dolët ju, pjellë mëkatarësh, që t’ia shtoni Jehovait edhe më shumë zemërimin e zjarrtë kundër Izraelit! 15 Nëse i ktheni shpinën e nuk e ndiqni më, pa dyshim ai do t’i lërë përsëri izraelitët në shkretëtirë, dhe ju do ta rrënoni gjithë këtë popull.»
16 Më vonë ata iu afruan dhe i thanë: «Na lini të ndërtojmë këtu vatha prej guri për bagëtinë dhe qytete për fëmijët tanë. 17 Kurse ne vetë do të jemi gati për betejë+ e do të shkojmë përpara izraelitëve të tjerë derisa t’i çojmë në vendin e tyre. Ndërkaq fëmijët tanë do të qëndrojnë në qytete të fortifikuara, të sigurt prej banorëve të vendit. 18 Nuk do të kthehemi në shtëpitë tona derisa të gjithë izraelitët ta kenë marrë vendin e tyre si trashëgimi,+ 19 sepse ne nuk do të marrim trashëgimi me ta matanë Jordanit e më tutje, pasi e morëm trashëgiminë tonë në anën lindore të Jordanit.»+
20 Moisiu u tha: «Nëse secili prej jush do të veprojë kështu, armatosuni para Jehovait për luftë+ 21 dhe kalojeni Jordanin në sy të Jehovait. Kur t’i keni dëbuar armiqtë e Tij+ dhe vendi të jetë nënshtruar para Jehovait, 22 atëherë mund të ktheheni+ e do të jeni të pafajshëm para Jehovait dhe Izraelit. Pastaj ky vend do të bëhet zotërimi juaj me aprovimin e Jehovait.+ 23 Por nëse nuk veproni kështu, do të mëkatoni kundër Jehovait, dhe dijeni se do të vuani pasojat e mëkatit tuaj. 24 Ndërtoni, pra, qytete për fëmijët tuaj dhe vatha për kopetë tuaja.+ Ama mbajeni fjalën.»
25 Bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit i thanë Moisiut: «Shërbëtorët e tu do të bëjnë siç i urdhëron zotëria ynë. 26 Fëmijët, gratë, bagëtia dhe të gjitha kafshët tona shtëpiake do të qëndrojnë në qytetet e Galadit,+ 27 kurse shërbëtorët e tu do ta kalojnë Jordanin, të gjithë të armatosur para Jehovait për luftë,+ siç po thotë zotëria ynë.»
28 Atëherë Moisiu u dha urdhër për ta priftit Eleazar, Josiut, birit të Nunit, dhe krerëve të shtëpive atërore të fiseve të Izraelit. 29 Moisiu u tha: «Nëse bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit kalojnë Jordanin bashkë me ju, të gjithë të armatosur para Jehovait për luftë, dhe ju e nënshtroni vendin, atëherë jepuni Galadin si zotërim.+ 30 Por nëse nuk armatosen për luftë dhe nuk e kalojnë Jordanin bashkë me ju, atëherë të vendosen me banim mes jush në vendin e Kananit.»
31 Bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit u përgjigjën: «Do të bëjmë siç u ka thënë Jehovai shërbëtorëve të tu. 32 Do të armatosemi e do të kalojmë Jordanin para Jehovait për në Kanan,+ por trashëgimia që do të zotërojmë, do të jetë në këtë anë të Jordanit.» 33 Moisiu u dha kështu bijve të Gadit, bijve të Rubenit+ dhe gjysmës së fisit të Manaseut,+ birit të Jozefit, mbretërinë e Sihonit,+ mbretit të amoritëve, dhe mbretërinë e Ogut,+ mbretit të Bashanit, pra tokën e qyteteve dhe qytetet përreth këtyre territoreve.
34 Kështu, bijtë e Gadit ndërtuan* Dibonin,+ Atarotin,+ Aroerin,+ 35 Atroth-Shofanin, Jazerin,+ Jogbeahun,+ 36 Beth-Nimrahun+ dhe Beth-Haranin,+ qytete të fortifikuara dhe vatha prej guri për bagëtitë. 37 Bijtë e Rubenit ndërtuan Heshbonin,+ Elealehun,+ Kiriataimin,+ 38 Nebon,+ Baal-Meonin,+ të cilëve u ndryshuan emrat, dhe Sibmahun. Qyteteve që rindërtuan, ua ndryshuan emrat.
39 Bijtë e Makirit,+ birit të Manaseut, marshuan kundër Galadit, e pushtuan dhe dëbuan amoritët që gjendeshin atje. 40 Kështu Moisiu ia dha Galadin Makirit, birit të Manaseut, dhe ai u vendos me banim atje.+ 41 Jairi, biri i Manaseut, marshoi kundër tyre dhe mori fshatrat e tyre me tenda, që i quajti Havot-Jair.*+ 42 Nobahu marshoi kundër Kenatit, e mori bashkë me fshatrat e tij, dhe e quajti me emrin e vet, Nobah.