Ezekieli
3 Pastaj ai më tha: «Bir njeriu, ha ç’të është vënë përpara. Haje këtë rrotull dhe shko t’i flasësh shtëpisë së Izraelit.»+
2 Kështu unë hapa gojën, dhe ai ma dha rrotullën që ta haja. 3 Ai më tha akoma: «Bir njeriu, haje këtë rrotull dhe mbushe barkun me të.» Nisa ta haja, dhe për gojën time ajo ishte e ëmbël si mjalti.+
4 Ai vazhdoi: «Bir njeriu, shko te shtëpia e Izraelit dhe thuaju fjalët e mia. 5 Nuk po të dërgoj te një popull me gjuhë të pakuptueshme a të panjohur, por te shtëpia e Izraelit. 6 Nuk po të dërgoj as te shumë popuj me gjuhë të pakuptueshme a të panjohur, të cilëve nuk ua kupton dot fjalët. Po të të dërgoja tek ata, do të të dëgjonin.+ 7 Por shtëpia e Izraelit nuk do të pranojë të të dëgjojë, ngaqë nuk duan të më dëgjojnë mua.+ Të gjithë në shtëpinë e Izraelit janë kokëshkëmb e zemërgur.+ 8 Ja, unë ta kam bërë fytyrën po aq të fortë sa fytyra e tyre dhe ballin po aq të fortë sa balli i tyre.+ 9 E kam bërë ballin tënd si diamanti, më të fortë se guri i strallit.+ Mos ki frikë nga ata dhe mos u tmerro nga fytyrat e tyre,+ edhe pse janë shtëpi rebele.»
10 Ai vazhdoi: «Bir njeriu, pranoji me gjithë zemër e vërua veshin të gjitha fjalëve të mia. 11 Shko te të mërguarit e popullit tënd*+ dhe, duan apo s’duan të dëgjojnë,+ ti thuaju: ‘Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova.’»
12 Pastaj fryma* më ngriti+ dhe pas meje dëgjova një zë si zhurma e një gjëmimi të madh që thoshte: «Lëvduar qoftë lavdia e Jehovait në vendin e tij!» 13 Dëgjova zhurmën e krahëve të krijesave të gjalla teksa preknin njëri-tjetrin,+ zhurmën e rrotave pranë tyre+ dhe zhurmën e një gjëmimi të madh. 14 Fryma* më ngriti e më mori me vete, dhe unë ika i hidhëruar, i mbushur me indinjatë; fuqia* e Jehovait që vepronte tek unë, ishte e madhe. 15 Kështu, shkova në Tel-Abib, te të mërguarit që banonin pranë lumit Kebar,+ dhe qëndrova me ta; qëndrova si i mpirë+ mes tyre për shtatë ditë.
16 Në fund të shtatë ditëve, fjala e Jehovait m’u drejtua:
17 «Bir njeriu, unë të kam caktuar si rojë për shtëpinë e Izraelit+ dhe, kur të dëgjosh fjalët e gojës sime, paralajmëroji ata nga ana ime.+ 18 Nëse i them të ligut: ‘Ke për të vdekur’, por ti nuk e paralajmëron e nuk i thua që ta lërë rrugën e tij të ligë, që të jetojë,+ ai do të vdesë për fajin e vet meqenëse është i lig,+ por gjakun e të ligut do ta kërkoj nga ti.*+ 19 Por, nëse e paralajmëron të ligun dhe ai nuk heq dorë nga ligësia dhe rruga e tij e keqe, ai do të vdesë për fajin e vet, kurse ti do ta shpëtosh jetën tënde.+ 20 Nëse i drejti largohet nga drejtësia dhe bën atë që është e gabuar,* unë do t’i vë përpara një gur pengese dhe ai do të vdesë.+ Nëse ti nuk e ke paralajmëruar, ai do të vdesë për mëkatin e vet dhe veprat e tij të drejta nuk do të kujtohen, megjithatë gjakun e të drejtit do ta kërkoj nga ti.*+ 21 Por, nëse e ke paralajmëruar të drejtin që të mos mëkatojë dhe ai nuk mëkaton, ai me siguri do të jetojë, sepse u paralajmërua,+ dhe ti do ta shpëtosh jetën tënde.»
22 Fuqia* e Jehovait veproi tek unë, dhe ai më tha: «Ngrihu e shko te rrafshina, se atje do të flas me ty.» 23 Prandaj u ngrita e shkova te rrafshina, kur ja, atje ishte lavdia e Jehovait,+ si lavdia që kisha parë pranë lumit Kebar,+ dhe u përkula me fytyrë përtokë. 24 Pastaj fryma e Perëndisë hyri tek unë e më bëri të rrija në këmbë.+ Ai më tha:
«Shko e mbyllu në shtëpi. 25 Ty, o bir njeriu, populli do të të lidhë me litarë, që të mos dalësh e të shkosh mes tyre. 26 Ndërsa unë do të ta ngjit gjuhën pas qiellzës dhe ti do të bëhesh memec, e kështu nuk do të jesh në gjendje t’i korrigjosh, sepse janë shtëpi rebele. 27 Por, kur të flas me ty, unë do të ta hap përsëri gojën dhe ti do t’u thuash:+ ‘Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova.’ Kush do, le të dëgjojë,+ dhe kush s’do, le të mos dëgjojë, sepse janë shtëpi rebele.+