Ezekieli
1 Vitin e 30-të,* ditën e pestë të muajit të katërt, teksa isha mes të mërguarve+ pranë lumit Kebar,+ qiejt u hapën dhe fillova të shihja vegime* nga Perëndia. 2 Ditën e pestë të muajit, domethënë, vitin e pestë të mërgimit të mbretit Jehojakin,+ 3 fjala e Jehovait m’u drejtua mua, Ezekielit,* birit të priftit Buzi, ndërsa isha në vendin e kaldeasve,+ pranë lumit Kebar. Atje, fuqia* e Jehovait filloi të vepronte tek unë.+
4 Ndërsa shihja, ja tek erdhi nga veriu një erë e stuhishme,+ një re gjigante dhe një zjarr flakërues*+ të rrethuar nga një dritë vezulluese, e në mes të zjarrit ishte diçka që dukej si metal i shndritshëm.*+ 5 Brenda zjarrit ishin disa që dukeshin si katër krijesa të gjalla,+ që nga pamja ngjanin me njeriun. 6 Secila krijesë kishte katër fytyra dhe katër krahë.+ 7 Këmbët i kishin të drejta dhe u shndritnin si bakër i lustruar,+ shputat e këmbëve i kishin si thundra viçi, 8 ndërsa poshtë krahëve, në të katër anët, kishin duar njeriu; që të katra krijesat kishin fytyra dhe krahë. 9 Krahët e tyre preknin njëri-tjetrin. Kur ecnin, ato nuk ktheheshin, por secila shkonte drejt përpara.+
10 Fytyrat e tyre dukeshin kështu:+ secila nga katër krijesat kishte një fytyrë njeriu, një fytyrë luani+ në të djathtë, një fytyrë demi+ në të majtë dhe një fytyrë shqiponje.+ 11 Kështu, pra, ishin fytyrat e tyre. Krahët e tyre shtriheshin lart; secila kishte dy krahë që preknin njëri-tjetrin dhe dy të tjerë që mbulonin trupin.+
12 Krijesat e gjalla shkonin drejt përpara, ku t’i drejtonte fryma.*+ Ato ecnin e nuk ktheheshin 13 dhe dukeshin si thëngjij të ndezur. Ndërmjet tyre lëviznin para-mbrapa ca si pishtarë me zjarr flakërues, e prej zjarrit shkreptinin vetëtima.+ 14 Edhe kur lëviznin tek shkonin e vinin, krijesat e gjalla dukeshin si vetëtimë.
15 Ndërsa po shikoja krijesat e gjalla me katër fytyra, vura re se përtokë, përkrah secilës prej tyre, kishte nga një rrotë.+ 16 Për nga pamja, rrotat rrëzëllenin si krizolit dhe që të katra dukeshin njësoj, kurse për nga struktura, dukeshin si një rrotë e futur në mes të një rrote tjetër.* 17 Tek lëviznin, mund të shkonin në cilindo nga të katër drejtimet pa pasur nevojë të ktheheshin. 18 Lartësia e rrotave të linte gojëhapur dhe pjesa e jashtme e të katër rrotave ishte plot sy rreth e qark.+ 19 Sa herë që lëviznin krijesat e gjalla, lëviznin edhe rrotat, dhe kur krijesat e gjalla ngriheshin nga toka, ngriheshin edhe rrotat.+ 20 Krijesat e gjalla shkonin ku t’i drejtonte fryma, atje ku shkonte edhe ajo vetë. Rrotat ngriheshin bashkë me to, sepse po ajo frymë që vepronte te krijesat e gjalla,* ishte edhe te rrotat. 21 Kur krijesat e gjalla lëviznin, lëviznin edhe rrotat; kur ato ndaleshin, ndaleshin edhe rrotat, dhe kur ato ngriheshin nga toka, ngriheshin edhe rrotat, sepse po ajo frymë që vepronte te krijesat e gjalla, ishte edhe te rrotat.
22 Sipër kokave të krijesave të gjalla shtrihej diçka që ngjante me një platformë të kristaltë që rrëzëllente si akull.+ 23 Poshtë kësaj platforme, krahët e krijesave shtriheshin lart* dhe preknin njëri-tjetrin; secila kishte dy krahë për të mbuluar një anë të trupit dhe dy për të mbuluar anën tjetër. 24 Kur dëgjova zhurmën e krahëve të tyre, m’u duk si zhurma e ujërave gurgulluese, si zëri i të Plotfuqishmit.+ Kur lëviznin, dukej si zhurma e një ushtrie; kur ndaleshin, krijesat i ulnin krahët.
25 Dëgjova një zë që vinte nga lart, mbi platformën që shtrihej sipër kokave të tyre. (Kur ndaleshin, krijesat i ulnin krahët.) 26 Mbi platformën sipër kokave të tyre, kishte diçka që ngjante si fron+ e që dukej si gur safiri.+ Mbi atë fron rrinte ulur dikush që kishte pamje njeriu.+ 27 Nga ajo që dukej si pjesa e trupit nga mesi e lart, pashë diçka rrëzëlluese si metal i shndritshëm+ që shkëlqente si flakët e zjarrit, dhe nga mesi e poshtë pashë diçka që ngjante si zjarr.+ Atë e rrethonte një shkëlqim 28 si ai i ylberit+ kur del në re në një ditë shiu. Kështu dukej drita që shkëlqente rreth e qark tij. Ajo ngjante si lavdia e Jehovait.+ Kur e pashë këtë, u përkula me fytyrë përtokë dhe fillova të dëgjoja zërin e dikujt që fliste.