Ligji i përtërirë
8 Ki kujdes që të zbatosh çdo urdhërim që po të jap sot, që të jetosh gjatë,+ të shumohesh dhe të hysh e të shtiesh në dorë vendin për të cilin Jehovai iu betua paraardhësve të tu.+ 2 Mos harro udhën e gjatë ku Jehovai, Perëndia yt, të vuri të ecje gjatë këtyre 40 viteve në shkretëtirë,+ që të të mësonte të bëheshe i përulur e të të vinte në provë+ për të parë ç’kishe në zemër,+ nëse do t’i zbatoje apo jo urdhërimet e tij. 3 Kështu të mësoi të ishe i përulur, të la të kishe uri+ e të ushqeu me manën+ të cilën s’e kishe njohur as ti, as etërit e tu, që ta dish se njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.+ 4 Rrobat që vishje nuk t’u vjetruan, as këmbët nuk t’u ënjtën gjatë këtyre 40 viteve.+ 5 Thellë-thellë, ti e di mirë se Jehovai, Perëndia yt, të ndreqte si një baba ndreq të birin.+
6 Prandaj zbatoji urdhërimet e Jehovait, Perëndisë tënd, duke ecur në udhët e tij dhe duke e nderuar thellësisht,* 7 sepse Jehovai, Perëndia yt, po të çon në një vend të mirë,+ në një vend me përrenj* plot ujë, me kroje e me burime të thella që vërshojnë nëpër lugina* e male; 8 në një vend me grurë, elb, hardhi, fiq dhe shegë;+ në një vend me vaj ulliri e mjaltë;+ 9 në një vend me ushqim të bollshëm, ku nuk do të të mungojë asgjë; në një vend ku gurët kanë hekur dhe nga malet do të nxjerrësh bakër.
10 Si të kesh ngrënë e të jesh ngopur, lëvdo Jehovain, Perëndinë tënd, për vendin e mirë që të dha.+ 11 Ki kujdes se mos e harron Jehovain, Perëndinë tënd, dhe nuk i zbaton urdhërimet, vendimet gjyqësore dhe ligjet e tij, që po të jap sot. 12 Kur të hash e të ngopesh, kur të ndërtosh shtëpi të bukura e të banosh në to,+ 13 kur të të shtohen bagëtitë e imëta dhe të trasha, argjendi e ari dhe të kesh gjithçka me bollëk, 14 mos lejo të të krenohet zemra+ e pastaj të harrosh Jehovain, Perëndinë tënd, që të nxori nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë.+ 15 Ai të vuri të ecje nëpër një shkretëtirë të madhe e të frikshme,+ me gjarpërinj helmues e akrepa, nëpër një tokë të etur për ujë; nxori ujë për ty nga shkëmbi*+ 16 dhe të ushqeu në shkretëtirë me manën,+ të cilën etërit e tu nuk e kishin njohur, që të të mësonte të bëheshe i përulur+ e të të vinte në provë, që të nxirrje dobi në të ardhmen.+ 17 Në rast se mendon: ‘E kam fituar këtë pasuri me fuqinë time e me forcën e duarve të mia’,+ 18 mos harro se fuqinë që të pasurohesh ta jep Jehovai, Perëndia yt,+ dhe këtë e bën që të plotësojë besëlidhjen për të cilën iu betua paraardhësve të tu, siç po bën edhe sot.+
19 Nëse e harron Jehovain, Perëndinë tënd e shkon pas perëndive të tjera, u shërben dhe përkulesh para tyre, po të paralajmëroj sot se ke për të marrë fund.+ 20 Ke për të marrë fund njësoj si kombet që Jehovai po shkatërron përpara syve të tu, ngaqë nuk deshe ta dëgjoje zërin e Jehovait, Perëndisë tënd.+