Një pemë ulliri e harlisur në shtëpinë e Perëndisë
NË TOKËN e Izraelit rritet një pemë që është pothuajse e pashkatërrueshme. Edhe kur e presin këtë pemë, shumë shpejt cungu me rrënjë nxjerr bisqe të reja. Veç kësaj, kur i vilen frytet, kjo pemë e shpërblen pronarin e vet me vaj me bollëk, i cili mund të përdoret për të gatuar, për të ndriçuar, për higjienë dhe për kozmetikë.
Sipas një shëmbëlltyre të lashtë, që është dokumentuar në librin biblik të Gjyqtarëve, «një ditë drurët u nisën për të vajosur një mbret që të mbretëronte mbi ta». Cilën pemë të pyllit zgjodhën ata si më të mirën? Askënd tjetër veç pemës rezistente e bujare të ullirit.—Gjyqtarëve 9:8.
Më shumë se 3500 vjet më parë, profeti Moisi e përshkroi Izraelin si ‘një vend të mirë, një vend me ullinj’. (Ligji i përtërirë 8:7, 8) Edhe sot, ullishtat mund t’i vëresh të përhapura andej-këtej në natyrë, nga këmbët e malit Hermon në veri e deri në skajet e Bershebës në jug. Ato zbukurojnë ende Rrafshinën bregdetare të Sharonit, shpatet shkëmbore kodrinore të Samarisë dhe luginat pjellore të Galilesë.
Shpesh, shkrimtarët e Biblës e përdorën pemën e ullirit në kuptim figurativ. Disa tipare të kësaj peme shërbyen për të ilustruar mëshirën e Perëndisë, premtimin e ringjalljes dhe një jetë të lumtur familjare. Një shqyrtim më nga afër i pemës së ullirit do të na ndihmojë t’i kuptojmë këto referime biblike dhe do ta thellojë çmueshmërinë tonë për këtë pemë të pashoqe që bashkohet me pjesën tjetër të krijimit për të lavdëruar Krijuesin e saj.—Psalmi 148:7, 9.
Pema e fortë e ullirit
Në pamje të parë, pema e ullirit nuk të lë ndonjë mbresë të veçantë. Ajo nuk ka ndonjë lartësi që arrin deri në qiell, si disa cedra madhështorë të Libanit. Druri i saj nuk çmohet aq shumë sa dëllinja dhe lulet e saj nuk ta kënaqin syrin si ato të pemës së bajames. (Kantiku i Kantikëve [Kënga e këngëve] 1:17; Amosi 2:9) Pjesa më e rëndësishme e pemës së ullirit është e padukshme, nën sipërfaqen e tokës. Rrënjët e saj të gjata, të cilat mund të arrijnë deri në 6 metra thellësi nën sipërfaqen e tokës dhe shumë më larg horizontalisht, janë faktori vendimtar për bollëkun dhe mbijetesën e pemës.
Këto rrënjë u japin mundësi pemëve të ullirit të mbjella në shpate shkëmbore kodrinore t’i mbijetojnë thatësirës, në një kohë kur pemët në luginën poshtë tyre tashmë janë tharë nga etja. Rrënjët i japin mundësi asaj të vazhdojë të japë ullinj për shekuj të tërë, edhe pse trungu me gunga mund të duket i vlefshëm vetëm për dru zjarri. Gjithçka që kërkon kjo pemë e fortë është hapësirë për t’u rritur dhe tokë të ajrosur që të marrë frymë, e lirë nga barërat e këqija ose nga ndonjë bimësi tjetër që mund të sjellë me vete insekte të dëmshme. Nëse i plotësohen këto kërkesa të thjeshta, një pemë jep deri në 57 litra vaj çdo vit.
Pa dyshim, izraelitët e donin ullirin për vajin e çmuar që nxirrnin prej tij. Llambat me fitila që ushqeheshin me vaj ulliri ndriçonin shtëpitë e tyre. (Levitiku 24:2) Vaji i ullirit ishte i domosdoshëm për të gatuar. Ai e mbronte lëkurën nga dielli dhe u siguronte izraelitëve sapun për të larë. Prodhimet kryesore të tokës ishin drithi, vera dhe ullinjtë. Pra, prodhimet e pakëta në ullinj do të ishin katastrofë për një familje izraelite.—Ligji i përtërirë 7:13; Habakuku 3:17.
Megjithatë, zakonisht vaji i ullirit ishte me bollëk. Moisiu iu referua Tokës së Premtuar si ‘një tokë ullinjsh’, ndoshta sepse ulliri ishte pema më e kultivuar në atë zonë. Natyralisti i shekullit të 19-të H. B. Tristram, e përshkroi ullirin si «pema karakteristike e vendit». Për shkak të vlerës dhe të bollëkut të tij, vaji i ullirit shërbente edhe si valutë e dobishme ndërkombëtare në gjithë rajonin e Mesdheut. Vetë Jezu Krishti iu referua një borxhi që llogaritej se ishte «njëqind bato vaj [ulliri, BR] ».—Luka 16:5, 6.
«Si filiza pemësh ulliri»
Pema e dobishme e ullirit ilustron më së miri bekimet hyjnore. Si do të shpërblehej një njeri me druajtje Perëndie? «Gruaja jote do të jetë si një hardhi që jep fryt në pjesët më të brendshme të shtëpisë sate.—këndoi psalmisti.—Bijtë e tu do të jenë si filiza pemësh ulliri rreth e qark tryezës sate.» (Psalmi 128:3, BR) Çfarë janë këta «filiza pemësh ulliri» dhe përse psalmisti i krahason me bij?
Pema e ullirit është e pazakontë, sepse nga pjesa e poshtme e trungut dalin gjithnjë bisqe të reja.a Kur, për shkak të moshës së shkuar, trungu kryesor nuk bën më fryte si më parë, kultivuesit mund të lënë që disa filiza ose bisqe të reja të rriten deri sa të bëhen pjesë përbërëse e pemës. Pas njëfarë kohe, pema fillestare do të ketë tri ose katër trungje të reja e të forta që e rrethojnë, si bij rreth e qark një tryeze. Këta filiza kanë të njëjtat rrënjë dhe secili prej tyre sjell prodhime të mira në ullinj.
Kjo karakteristikë e pemës së ullirit ilustron më së miri se si bijtë e bijat mund të bëhen të palëkundur në besim, falë rrënjëve të forta frymore të prindërve të tyre. Ndërsa pasardhësit rriten, edhe ata bëjnë pjesën e tyre duke dhënë fryte dhe duke mbështetur prindërit, të cilët kënaqen kur shohin fëmijët që i shërbejnë Jehovait krah për krah me ta.—Fjalët e urta 15:20.
«Ka shpresë edhe për një pemë»
Një baba i moshuar që i shërben Jehovait kënaqet me fëmijët e tij të perëndishëm. Por, këta fëmijë pikëllohen kur, së fundi, babai i tyre ‘shkon atje ku shkojnë tërë banorët e tokës’. (1. Mbretërve 2:2) Për të na ndihmuar që të përballojmë një tragjedi të tillë familjare, Bibla na siguron se do të ketë një ringjallje.—Gjoni 5:28, 29; 11:25.
Jobi, baba i shumë fëmijëve, ishte shumë i vetëdijshëm për jetëgjatësinë e shkurtër të njeriut. Ai e krahasoi atë me një lule që vyshket shpejt. (Jobi 1:2; 14:1, 2) Jobi e dëshironte vdekjen, si një mënyrë për t’i shpëtuar dhembjes së padurueshme, duke e konsideruar varrin si një vend fshehjeje nga i cili mund të rikthehej. «Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?»—pyeti Jobi. Pastaj, i sigurt u përgjigj: «Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, derisa të arrinte ora e ndryshimit tim. Do të më thërrisje [o Jehova] dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.»—Jobi 14:13-15.
Si e ilustroi Jobi bindjen e tij se Perëndia do ta thërriste nga varri? Me anë të një peme, që nga përshkrimi duket se po i referohej pemës së ullirit. «Ka shpresë edhe për një pemë,—tha Jobi.—Madje, nëse pritet do të mugullojë prapë.» (Jobi 14:7, BR) Pemën e ullirit mund ta presin, por kjo gjë nuk e shkatërron. Vetëm nëse i shkulen rrënjët, pema vdes. Nëse rrënjët mbeten të paprekura, pema do të rritet përsëri, me forca të rinovuara.
Edhe sikur një thatësirë e gjatë ta dëmtojë rëndë një pemë të vjetër ulliri, pjesa e fundit e tharë mund të vijë përsëri në jetë. «Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe, me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë [e re, BR].» (Jobi 14:8, 9) Jobi jetonte në një vend të thatë e me pluhur, ku me sa duket kishte vërejtur shumë trungje të vjetra ullinjsh që dukeshin të tharë e pa jetë. Megjithatë, kur vinin shirat, këto pemë «të vdekura» ktheheshin në jetë dhe një trung i ri dilte nga rrënjët e tyre, sikur të ishin ‘bimë të reja’. Kjo aftësi e spikatshme ripërtëritëse e shtyu një hortikulturist tunizian të vërente: «Mund ta thuash me plot gojën se pemët e ullirit janë të pavdekshme.»
Pikërisht si një fermer dëshiron me padurim të shohë pemët e tij të thara të ullirit të mugullojnë përsëri, po ashtu Jehovai dëshiron me zjarr të ringjallë shërbëtorët e tij besnikë. Ai mezi pret kohën kur individët besimplotë si Abrahami dhe Sara, Isaku dhe Rebeka, si edhe shumë të tjerë, do të rikthehen në jetë. (Mateu 22:31, 32) Sa e mrekullueshme do të jetë të mirëpresim të vdekurit dhe t’i shohim të bëjnë një jetë të plotë e frytdhënëse edhe një herë!
Pema simbolike e ullirit
Mëshira e Perëndisë bëhet e dukshme në paanshmërinë e tij, si edhe në masën që ka marrë për ringjalljen. Apostulli Pavël e përdori pemën e ullirit për të ilustruar se si mëshira e Jehovait u ofrohet njerëzve pavarësisht nga raca ose prejardhja e tyre. Për shekuj të tërë, judenjtë qenë mburrur se ishin populli i zgjedhur i Perëndisë, «pasardhës të Abrahamit».—Gjoni 8:33; Luka 3:8.
Të kishe lindur në kombin izraelit nuk ishte në vetvete një kërkesë për të marrë miratimin hyjnor. Gjithsesi, dishepujt e parë fare të Jezuit ishin që të gjithë judenj dhe kishin privilegjin për të qenë njerëzit e parë të zgjedhur nga Perëndia për të përbërë farën e premtuar të Abrahamit. (Zanafilla 22:18; Galatasve 3:29) Pavli i krahasoi këta dishepuj judenj me degë të një peme simbolike ulliri.
Pjesa më e madhe e judenjve natyrorë e hodhën poshtë Jezuin, duke humbur të drejtën si pjesëtarë të ardhshëm të ‘kopesë së vogël’ të ‘Izraelit të Perëndisë’. (Luka 12:32, BR; Galatasve 6:16) Kështu, ata u bënë si degë simbolike ulliri që ishin prerë. Kush do ta zinte vendin e tyre? Në vitin 36 të e.s. u zgjodhën disa johebrenj për t’u bërë pjesë e farës së Abrahamit. Ishte sikur Jehovai ta kishte shartuar një pemë ulliri të kultivuar me degë ulliri të egër. Ata që do të përbënin farën e premtuar të Abrahamit do të përfshinin njerëz të kombeve. Tani të krishterët johebrenj mund të bëheshin ‘pjesëtarë të rrënjës dhe të majmërisë së drurit të ullirit’.—Romakëve 11:17.
Për një fermer do të ishte e pamendueshme dhe «kundër natyrës» që të shartohej një pemë ulliri e kultivuar me degë ulliri të egër. (Romakëve 11:24) «Shartoje të egrin me të butë dhe, siç thonë arabët, i buti do të triumfojë mbi të egrin,—shpjegon vepra The Land and the Book,—por nuk mund të bësh procesin e kundërt dhe të kesh sukses.» Në mënyrë të ngjashme, të krishterët judenj u mahnitën kur Jehovai ‘për herë të parë vizitoi johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij’. (Veprat 10:44-48; 15:14) Megjithatë, kjo ishte një shenjë e qartë se kryerja e qëllimit të Perëndisë nuk varej nga ndonjë komb i vetëm. Jo, sepse «në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai».—Veprat 10:35.
Pavli tregoi se, meqë «degët» judaike jobesnike të pemës së ullirit ishin prerë, e njëjta gjë mund t’i ndodhte kujtdo tjetër që me krenari dhe mosbindje nuk ruante miratimin e Jehovait. (Romakëve 11:19, 20) Kjo patjetër që ilustron se dashamirësia e pamerituar e Perëndisë nuk duhet marrë asnjëherë si një gjë e zakonshme.—2. Korintasve 6:1.
Lyerja me vaj
Shkrimet i bëjnë referime të mirëfillta dhe simbolike përdorimit të vajit të ullirit. Në kohët e lashta, plagët dhe djegiet ‘i qetësonin me vaj’ për të nxitur procesin e shërimit. (Isaia 1:6) Sipas një ilustrimi të Jezuit, samaritani miqësor ia lau me vaj ulliri dhe verë plagët njeriut që hasi rrugës për në Jeriko.—Luka 10:34.
Ta lyesh kokën me vaj ulliri është freskuese dhe qetësuese. (Psalmi 141:5) Veç kësaj, kur trajtojnë rastet e sëmundjeve frymore, pleqtë e krishterë mund të ‘lyejnë me vaj pjesëtarin e kongregacionit në emër të Jehovait’. (Jakovit 5:14, BR) Këshillat e dashura biblike të pleqve dhe lutjet nga zemra në dobi të bashkëbesimtarit të tyre të sëmurë frymësisht, krahasohen me vajin qetësues të ullirit. Është interesante që në hebraisht, në mënyrë idiomatike, një njeri i mirë disa herë përshkruhet si «vaj i kulluar ulliri».
«Pemë ulliri e harlisur në shtëpinë e Perëndisë»
Duke pasur parasysh pikat e mësipërme, nuk është për t’u habitur që shërbëtorët e Perëndisë mund të krahasohen me pemë ulliri. Davidi dëshironte të ishte si «një pemë ulliri e harlisur në shtëpinë e Perëndisë». (Psalmi 52:8, BR) Pikërisht ashtu si familjet izraelite shpesh kishin pemë ulliri përreth shtëpive të tyre, po ashtu Davidi dëshironte të ishte afër Jehovait dhe të sillte fryte në lavdi të Perëndisë.—Psalmi 52:9.
Kur ishte besnike ndaj Jehovait, mbretëria prej dy fisesh e Judës ishte si një «ulli i gjelbëruar i bukur, me fryte të shijshme». (Jeremia 11:15, 16) Por populli i Judës e humbi këtë pozitë të privilegjuar kur ‘nuk pranoi të dëgjonte fjalët e Jehovait dhe shkoi pas perëndive të tjera’.—Jeremia 11:10.
Për t’u bërë pemë ulliri e harlisur në shtëpinë e Perëndisë, duhet t’i bindemi Jehovait dhe të jemi të gatshëm të pranojmë disiplinën me të cilën ai na «krasit», me qëllim që të japim më shumë fryte të krishtere. (Hebrenjve 12:5, 6) Për më tepër, ashtu si një pemë ulliri ka nevojë për rrënjë të mëdha që t’i mbijetojë një periudhe me thatësirë, edhe ne kemi nevojë për të forcuar rrënjët tona frymore, me qëllim që t’u qëndrojmë sprovave dhe persekutimit.—Mateu 13:21; Kolosianëve 2:6, 7.
Pema e ullirit simbolizon më së miri të krishterin besimplotë, të cilin bota ndoshta nuk e njeh, por Perëndia e pranon. Nëse ky person vdes në këtë sistem, ai do të jetojë përsëri në botën e re të ardhshme.—2. Korintasve 6:9; 2. Pjetrit 3:13.
Pema e ullirit, pothuajse e pashkatërrueshme, që vazhdon të japë fryte vit pas viti, na kujton premtimin e Perëndisë: «Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre.» (Isaia 65:22) Ky premtim profetik do të përmbushet në botën e re të Perëndisë.—2. Pjetrit 3:13.
[Shënimi]
a Zakonisht, këto bisqe të reja i presin vit për vit, që të mos ia heqin forcën pemës kryesore.
[Figura në faqen 25]
Një trung i lashtë me gunga i gjetur në Javea, provinca e Alikantes, Spanjë
[Figurat në faqen 26]
Ullishta në provincën e Granadës, Spanjë
[Figura në faqen 26]
Një pemë e lashtë ulliri jashtë mureve të Jerusalemit
[Figura në faqen 26]
Bibla përmend shartimin e degëve në një pemë ulliri
[Figura në faqen 26]
Kjo pemë e vjetër ulliri është rrethuar me filiza degësh të reja