Isaia
6 Vitin që vdiq mbreti Uziah,+ pashë Jehovain të ulur në një fron të lartë e të madhërishëm+ dhe cepat e veshjes së tij mbushnin tempullin. 2 Mbi të qëndronin serafinë. Secili* kishte gjashtë krahë: me dy krahë mbulonte fytyrën, me dy krahë mbulonte këmbët dhe me dy krahë fluturonte.
3 Ata thërritnin njëri pas tjetrit:
«I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai i ushtrive!+
E gjithë toka është plot me lavdinë e tij.»
4 Boshtet e portave u drodhën nga thirrjet,* dhe shtëpia u mbush me tym.+
5 Prandaj thashë: «I mjeri unë!
Tani mora fund,*
sepse jam njeri me buzë të papastra
dhe banoj mes një populli me buzë të papastra;+
sepse sytë e mi panë Mbretin, vetë Jehovain e ushtrive!»
6 Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje me një thëngjill në dorë+ që e kishte marrë me mashë nga altari,+ 7 më preku buzët dhe më tha:
«Ja, me këtë të preka buzët.
Tani faji t’u hoq
e mëkati t’u shlye.»
8 Pastaj dëgjova zërin e Jehovait që tha: «Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?»+ Unë u përgjigja: «Ja ku jam! Më dërgo mua!»+
9 Ai më tha: «Shko e thuaji këtij populli:
‘Sa e sa herë do të dëgjoni,
por s’do të kuptoni.
Sa e sa herë do të shihni,
por s’do të fitoni njohuri.’+
10 Ngurtësoja zemrën këtij populli,+
bëja të shurdhër veshët+
dhe të verbër sytë,
që me sy të mos shohin,
me veshë të mos dëgjojnë,
që me zemër të mos kuptojnë
e kështu të mos kthehen tek unë që t’i shëroj.»+
11 Atëherë unë thashë: «Deri kur, o Jehova?» Ai m’u përgjigj:
«Derisa qytetet të kthehen në gërmadha pa asnjë banor,
shtëpitë të mbeten pa njeri
dhe toka të rrënohet e të shkretohet;+
12 derisa Jehovai t’i largojë njerëzit+
e shkretimi të mbulojë mbarë vendin.
13 Megjithatë në të do të mbetet një e dhjeta, që do të digjet përsëri e do të jetë si cungu që mbetet pasi pritet një pemë e madhe a një lis; cungu do të përbëhet nga një farë* e shenjtë.»