Libri i parë i Samuelit
25 Pas ca kohësh Samueli+ vdiq, dhe tërë Izraeli u mblodh që të mbante zi e ta varroste te shtëpia e tij në Ramah.+ Pastaj Davidi shkoi në shkretëtirën e Paranit.
2 Tani, në Maon+ ishte një burrë që punonte në Karmel.*+ Ai ishte shumë i pasur; kishte 3.000 dhen e 1.000 dhi, dhe në atë kohë po qethte dhentë në Karmel. 3 Ai quhej Nabal,+ kurse e shoqja Abigaila.+ Ajo ishte e matur dhe e bukur, kurse i shoqi, nga familja e Kalebit,+ ishte i ashpër dhe harbut.+ 4 Kur ndodhej në shkretëtirë, Davidi mori vesh se Nabali po qethte dhentë. 5 Kështu Davidi dërgoi dhjetë burra tek ai dhe u tha: «Shkoni në Karmel dhe, kur të takoni Nabalin, pyeteni nga ana ime si është me shëndet. 6 Pastaj thuajini: ‘Paç jetë të gjatë dhe qofsh mirë me shëndet!* Qoftë mirë shtëpia jote dhe gjithçka ke! 7 Mora vesh se po qeth dhentë. Kur barinjtë e tu ishin me ne, nuk u bëmë keq+ dhe nuk u humbi asgjë gjatë gjithë kohës që ishin në Karmel. 8 Pyeti vetë njerëzit e tu, dhe ata do të të tregojnë. Të lutem, priti mirë njerëzit e mi, sepse kemi ardhur në një kohë të gëzueshme.* Jepu të lutem, shërbëtorëve të tu dhe birit tënd, Davidit, ç’të mundesh.’»+
9 Kështu, njerëzit e Davidit vajtën e ia thanë të gjitha këto Nabalit në emër të Davidit. Kur shërbëtorët e Davidit mbaruan, 10 Nabali ua ktheu: «E kush është Davidi?! E kush është djali i Jeseut?! Sot shumë shërbëtorë i braktisin zotërinjtë e tyre.+ 11 E tani u dashka të marr bukën, ujin dhe mishin që kam therur për qethësit e mi e t’ua jap njerëzve që as nuk e di nga vijnë?!»
12 Atëherë njerëzit e Davidit u kthyen dhe ia raportuan të gjitha. 13 Menjëherë Davidi u tha njerëzve të vet: «Secili të ngjeshë shpatën!»+ Prandaj të gjithë ngjeshën shpatat, e po ashtu edhe Davidi. Rreth 400 burra shkuan bashkë me Davidin, kurse 200 qëndruan për të ruajtur plaçkat.
14 Ndërkohë, një nga shërbëtorët e Nabalit njoftoi Abigailën, gruan e tij: «Davidi dërgoi lajmëtarë nga shkretëtira që t’i uronte gjithë të mirat zotërisë tonë, por ai iu hakërrua atyre.+ 15 Ata njerëz u treguan shumë të mirë me ne; nuk na bënë kurrë keq dhe nuk na humbi as edhe një gjë gjatë gjithë kohës që ishim me ta në fusha.+ 16 Ata ishin si mur mbrojtës për ne, natë e ditë, gjatë gjithë kohës që ishim me ta kur kullotnim kopenë. 17 Tani vendos ç’do të bësh, sepse e kanë ndarë mendjen ta shkatërrojnë zotërinë tonë dhe gjithë shtëpinë e tij,+ dhe ai është kaq i lig,*+ sa asnjë nuk i thotë dot as gjysmë fjale.»
18 Kështu Abigaila+ mori shpejt 200 bukë, dy qypa të mëdhenj me verë, pesë dele të përgatitura, pesë sea* drithë të pjekur, 100 kuleç stafidhesh e 200 bukëfiqe dhe i ngarkoi të gjitha mbi gomarë.+ 19 Pastaj u tha shërbëtorëve të vet: «Nisuni para. Unë do të vij pas jush.» Por të shoqit, Nabalit, nuk i tregoi gjë.
20 Ndërsa po zbriste me gomar përgjatë një shtegu të fshehur malor, tamam përballë saj po vinte Davidi me njerëzit e vet, dhe ajo u takua me ta. 21 Gjatë rrugës Davidi kishte thënë: «Kot ia ruajta në shkretëtirë gjithçka këtij njeriu. Nuk i humbi as edhe një gjë,+ e ky ma kthen të mirën me të keqe!+ 22 Perëndia i ndëshkoftë ashpër armiqtë e Davidit,* nëse lë gjallë deri në mëngjes qoftë edhe një mashkull!»*
23 Kur e pa Davidin, Abigaila zbriti menjëherë nga gomari dhe u përkul me fytyrë përtokë para tij. 24 Pastaj i ra në gjunjë dhe i tha: «Mbi mua rëntë faji zotëria im! Të lutem, lejoje shërbëtoren tënde të të flasë dhe dëgjoji fjalët e shërbëtores sate. 25 Të lutem, të mos ia vërë veshin zotëria im këtij burri të lig, Nabalit,+ sepse është ashtu siç e ka emrin. Nabal* e ka emrin dhe i pamend është. Por unë, shërbëtorja jote, nuk i pashë burrat që dërgoi zotëria im. 26 E tani, zotëria im, siç është e vërtetë që Jehovai rron dhe siç është e vërtetë që ti rron, Jehovai po të ndalon+ që të mos bëhesh me faj gjaku+ dhe të mos hakmerresh me* duart e tua. U bëfshin si Nabali armiqtë e tu dhe ata që kërkojnë të keqen e zotërisë tim! 27 Tani, le t’u jepet njerëzve të zotërisë tim+ kjo dhuratë*+ që shërbëtorja jote i ka sjellë zotërisë tim. 28 Fale, të lutem, fajin e shërbëtores sate, sepse pa dyshim Jehovai do ta bëjë të qëndrueshme shtëpinë e zotërisë tim,+ ngaqë zotëria im po lufton për Jehovain,+ dhe te ti nuk është gjetur asnjë e keqe gjatë gjithë ditëve të tua.+ 29 Kur dikush të të vihet pas dhe të kërkojë jetën tënde, Jehovai, Perëndia yt, do ta mbështjellë mirë jetën e zotërisë tim e do ta ruajë në qesen e jetës, kurse jetën e armiqve të tu do ta flakë si flaken gurët nga hobeja. 30 E kur Jehovai t’i ketë bërë gjithë të mirat që i ka premtuar zotërisë tim dhe të të caktojë si prijës të Izraelit,+ 31 ty nuk do të të brejë ndërgjegjja dhe as nuk do të të vijë keq,* sepse nuk derdhe gjak kot dhe nuk more hak* me duart e tua!+ Kur Jehovai të të bekojë zotëria im, kujtoje shërbëtoren tënde.»
32 Atëherë Davidi i tha Abigailës: «Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, që të dërgoi sot për të më takuar! 33 Bekuar qoftë maturia jote! Qofsh e bekuar që sot nuk më le të bëhesha me faj gjaku+ dhe të merrja hak me duart e mia, 34 sepse siç është e vërtetë që rron Jehovai, Perëndia i Izraelit, i cili më ndaloi që të mos të bëja keq,+ po të mos kishe ardhur shpejt për të më takuar,+ deri në mëngjes, Nabalit nuk do t’i kishte mbetur as edhe një mashkull.»*+ 35 Pasi tha këtë, Davidi pranoi gjërat që i kishte sjellë dhe i tha: «Shko në shtëpi në paqe. Siç e sheh, unë të dëgjova dhe do të ta plotësoj kërkesën.»
36 Më vonë Abigaila u kthye te Nabali, i cili po hante si mbret në shtëpinë e vet. Nabali* kishte ardhur në qejf dhe ishte bërë tapë. Ajo nuk i tregoi asgjë, derisa zbardhi. 37 Në mëngjes, kur Nabali ishte esëll, e shoqja ia tregoi të gjitha, dhe atij iu mpi zemra e mbeti i paralizuar si gur. 38 Rreth dhjetë ditë më vonë, Jehovai e goditi Nabalin, dhe ai vdiq.
39 Kur dëgjoi se Nabali kishte vdekur, Davidi tha: «Lëvduar qoftë Jehovai, që e mbrojti çështjen time+ e më çliroi nga poshtërimi që më solli Nabali,+ dhe që nuk e lejoi shërbëtorin e vet të bënte asnjë të keqe!+ Jehovai ia ka kthyer mbi kokë Nabalit të keqen që bëri.» Pastaj Davidi i çoi fjalë Abigailës që t’i kërkonte dorën për martesë. 40 Kështu, shërbëtorët e Davidit vajtën tek Abigaila në Karmel dhe i thanë: «Davidi na dërgoi se do që të të marrë për grua.» 41 Ajo u çua menjëherë dhe u përkul me fytyrë përtokë e tha: «Skllavja juaj është gati të bëhet shërbëtore që t’u lajë këmbët+ shërbëtorëve të zotërisë tim.» 42 Pastaj Abigaila+ u çua shpejt, hipi mbi gomar dhe, bashkë me pesë shërbëtore që ecnin nga pas, iku me lajmëtarët e Davidit dhe u bë gruaja e tij.
43 Davidi ishte i martuar edhe me Ahinoamin+ nga Jezreli,+ dhe të dyja u bënë gratë e tij.+
44 Ndërkohë Sauli, Mikalën,+ vajzën e vet dhe gruan e Davidit, ia kishte dhënë për nuse Paltit,+ birit të Laishit nga Galimi.