Sipas Markut
3 Ai hyri përsëri në një sinagogë, ku ishte një burrë me dorë të tharë.*+ 2 Prandaj farisenjtë po e shikonin me kujdes nëse do ta shëronte në Sabat, që ta akuzonin. 3 Ai i tha burrit me dorë të tharë:* «Ngrihu dhe hajde këtu në mes.» 4 Pastaj i pyeti ata: «A është e ligjshme të bësh mirë apo të bësh keq në Sabat, ta shpëtosh apo ta vrasësh dikë?»*+ Mirëpo ata heshtën. 5 Pasi i pa të gjithë rreth e rrotull, i indinjuar dhe krejt i hidhëruar për zemrën e tyre të pandjeshme,+ Jezui i tha burrit me dorë të tharë: «Shtrije dorën!» Ky e shtriu dorën, dhe ajo iu shërua. 6 Atëherë farisenjtë dolën dhe menjëherë u mblodhën me përkrahësit e partisë së Herodit,+ që të komplotonin për ta vrarë.
7 Kurse Jezui u nis drejt detit bashkë me dishepujt, dhe një turmë e madhe nga Galilea e Judea i shkoi pas.+ 8 Kur dëgjuan sa shumë gjëra po bënte, tek ai erdhi edhe një turmë e madhe nga Jerusalemi, nga Idumea, nga zonat përtej Jordanit dhe nga rrethinat e Tirit e të Sidonit. 9 Ndaj u tha dishepujve të kishin gati një varkë të vogël për të, që turma të mos ngjishej pas tij. 10 Ngaqë shëroi shumë veta, të gjithë ata me sëmundje të rënda u mblodhën rreth tij dhe shtyheshin që ta preknin.+ 11 Edhe frymërat e ndyra*+ kur e shihnin, përkuleshin me fytyrë përtokë para tij dhe thërritnin: «Ti je Biri i Perëndisë.»+ 12 Por, herë pas here, ai i urdhëroi prerazi ato të mos tregonin kush ishte.+
13 Jezui u ngjit në mal, thirri disa nga dishepujt,+ dhe ata shkuan tek ai.+ 14 Zgjodhi* 12 veta, të cilët i quajti apostuj, që ta shoqëronin, t’i dërgonte për të predikuar 15 dhe të kishin autoritet për të dëbuar demonët.+
16 Në grupin me 12 veta+ që zgjodhi,* ishin: Simoni, të cilin e quajti Pjetër,+ 17 Jakovi, i biri i Zebedeut, Gjoni, vëllai i Jakovit, (këta i quajti Boanerges, që do të thotë «bij të bubullimës»),+ 18 Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakovi, i biri i Alfeut, Tadeu, Simon i Zellshmi* 19 dhe Judë Iskarioti, i cili më vonë e tradhtoi.
Pastaj shkoi në një shtëpi, 20 por turma u mblodh përsëri, kështu që ata nuk mundën as të hanin bukë. 21 Mirëpo, kur e morën vesh çfarë po ndodhte, njerëzit e vet dolën ta kapnin, sepse thoshin: «Ai ka luajtur mendsh.»+ 22 Edhe skribët që erdhën nga Jerusalemi, thoshin: «Ai ka Belzebubin* dhe i dëbon demonët me anë të sundimtarit të demonëve.»+ 23 Por ai u tha të afroheshin dhe u foli me ilustrime: «Si mund ta dëbojë Satanai Satanain? 24 Nëse një mbretëri përçahet, nuk qëndron dot.+ 25 Edhe një shtëpi nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë nëse përçahet. 26 Po ashtu, nëse Satanai është ngritur kundër vetes dhe është përçarë, nuk qëndron dot, por po i vjen fundi. 27 Në të vërtetë, askush që futet në shtëpinë e një burri të fortë, nuk mund ta grabitë nëse nuk e lidh më parë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë. 28 Vërtet po ju them se bijve të njerëzve do t’u falet gjithçka, pavarësisht nga mëkatet që bëjnë dhe blasfemitë* që thonë. 29 Por kushdo që blasfemon kundër frymës së shenjtë, nuk do të falet kurrën e kurrës.+ Ai është fajtor për mëkat të përhershëm.»+ 30 Ua tha këtë, sepse ata thoshin: «Ai ka një frymë të ndyrë.»+
31 Ndërkohë, erdhën nëna dhe vëllezërit e tij,+ të cilët qëndruan jashtë dhe dërguan dikë brenda që ta thërriste.+ 32 Atë e kishte rrethuar një turmë, prandaj i thanë: «Nëna jote me vëllezërit e tu janë jashtë dhe po të kërkojnë.»+ 33 Por ai u përgjigj: «Kush është nëna ime dhe cilët janë vëllezërit e mi?» 34 Pastaj pa ata që ishin ulur përreth tij dhe tha: «Ja, nëna ime dhe vëllezërit e mi!+ 35 Vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Perëndisë.»+