Veprat e Apostujve
13 Në Antioki, profetë dhe mësues në kongregacionin vendës+ ishin: Barnaba, Simioni që quhej Niger, Luçi nga Kirena, Manaeni që ishte arsimuar me Herodin, sundimtarin e krahinës, dhe Sauli. 2 Ndërsa i shërbenin Jehovait* dhe agjëronin, fryma e shenjtë tha: «Më ndani veç Barnabën dhe Saulin+ që të bëjnë veprën për të cilën i kam thirrur.»+ 3 Atëherë, pasi agjëruan e u lutën, ata vunë duart mbi ta* dhe i nisën.
4 Kështu, këta burra të dërguar nga fryma e shenjtë, zbritën në Seleuki dhe nga atje lundruan për në Qipro. 5 Kur mbërritën në Salaminë, nisën të shpallnin fjalën e Perëndisë në sinagogat e judenjve. Me vete kishin edhe Gjonin si ndihmës.+
6 Pasi përshkuan gjithë ishullin deri në Pafo, takuan një burrë jude me emrin Bar-Jezu, që ishte magjistar e profet i rremë. 7 Ai ishte me prokonsullin* Sergj Pal, një burrë i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnabën e Saulin dhe kërkoi me ngulm të dëgjonte fjalën e Perëndisë. 8 Por Elimi, pra magjistari (sepse kështu përkthehet emri i tij), iu kundërvu atyre e u orvat ta pengonte prokonsullin që të mos besonte. 9 Atëherë Sauli, që quhej edhe Pavël, i mbushur me frymë të shenjtë, e pa ngultas 10 dhe i tha: «O njeri i mbushur me çdo lloj mashtrimi e poshtërsie, ti, bir i Djallit+ e armik i çdo gjëje të drejtë, pse i shtrembëron mësimet e drejta të Jehovait?!* 11 E pra, tani, dora e Jehovait* është kundër teje, dhe ti do të jesh i verbër e nuk do ta shohësh për njëfarë kohe dritën e diellit.» Mjegull e dendur dhe errësirë ra në çast mbi të, dhe ai shkonte rreth e përqark duke kërkuar ndonjë që ta merrte për dore. 12 Atëherë, kur pa se ç’ndodhi, prokonsulli u bë besimtar, pasi u mahnit nga mësimi i Jehovait.*
13 Tani, Pavli bashkë me shokët e tij, nisën lundrimin nga Páfoja dhe mbërritën në Pergë të Pamfilisë. Por Gjoni+ i la dhe u kthye në Jerusalem.+ 14 Megjithatë ata vazhduan rrugën nga Perga dhe arritën në Antioki të Pisidisë. Ditën e Sabatit hynë në sinagogë+ dhe u ulën. 15 Pasi u lexua Ligji+ dhe Profetët, të parët e sinagogës u çuan fjalë: «Burra, vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë inkurajimi për popullin, thuajeni!» 16 Kështu, Pavli u ngrit, bëri shenjë me dorë dhe tha:
«Burra, izraelitë dhe ju të tjerë që e nderoni thellësisht Perëndinë,* dëgjoni! 17 Perëndia i këtij populli, i Izraelit, zgjodhi paraardhësit tanë dhe, kur populli banonte në dhé të huaj, në Egjipt, e lartësoi dhe e nxori që andej me krah të fortë.*+ 18 Për rreth 40 vjet, i duroi në shkretëtirë.+ 19 Pasi shkatërroi shtatë kombe në vendin e Kananit, ua dha vendin e tyre si trashëgimi etërve tanë.+ 20 E gjithë kjo ndodhi për rreth 450 vjet.
Më pas dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel.+ 21 Por atëherë ata kërkuan një mbret,+ dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kishit, një burrë nga fisi i Beniaminit,+ që të mbretëronte mbi ta për 40 vjet. 22 Pasi e hoqi atë, ai bëri mbret Davidin,+ për të cilin dha dëshmi dhe tha: ‘Gjeta Davidin, birin e Jeseut,+ një njeri siç ma do zemra;+ ai do të bëjë gjithçka që dëshiroj.’ 23 Nga pasardhësit* e këtij njeriu, sipas premtimit, Perëndia i solli Izraelit një shpëtimtar, Jezuin.+ 24 Para se të vinte ai, Gjoni i kishte predikuar gjithë popullit të Izraelit pagëzimin si simbol të pendimit.+ 25 Por, nga fundi i shërbimit të tij, Gjoni thoshte: ‘Unë nuk jam ai që prisni. Pas meje po vjen ai, të cilit s’jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve.’+
26 Burra, vëllezër, ju pasardhës të familjes së Abrahamit dhe ju të tjerë që e nderoni thellësisht Perëndinë! Fjala e këtij shpëtimi na është dërguar neve,+ 27 sepse banorët e Jerusalemit dhe krerët e tyre nuk e pranuan, përkundrazi me gjykimin e tyre përmbushën ato që kishin shprehur Profetët+ e që lexohen me zë çdo sabat. 28 Ndonëse nuk gjetën asnjë arsye që ai të meritonte vdekjen,+ i kërkuan Pilatit që të ekzekutohej.+ 29 Pasi përmbushën çdo gjë që ishte shkruar për të, e zbritën nga shtylla* dhe e vunë në varr.*+ 30 Por Perëndia e ngriti nga të vdekurit+ 31 dhe, për shumë ditë, ai iu shfaq dishepujve që kishin shkuar me të nga Galilea në Jerusalem. Tani këta japin dëshmi për të para popullit.+
32 Ja pse po ju shpallim lajmin e mirë për premtimin që iu bë paraardhësve tanë, 33 që Perëndia e ka përmbushur plotësisht për të mirën tonë, për ne që jemi fëmijët e tyre, duke e ringjallur Jezuin,+ siç shkruhet edhe në psalmin e dytë: ‘Ti je biri im, sot unë jam bërë ati yt.’+ 34 Faktin që e ringjalli Jezuin nga të vdekurit e i dha një trup të pashkatërrueshëm, Perëndia e kishte konfirmuar me këto fjalë: ‘Do t’ju tregoj po atë dashuri besnike që i premtova Davidit, dhe ky premtim është i besueshëm.’+ 35 Gjithashtu, në një psalm tjetër ai thotë: ‘Ti nuk do të lejosh që besniku yt të kalbet.’*+ 36 Por, pasi i shërbeu Perëndisë* gjatë gjithë jetës, Davidi ra në gjumin e vdekjes, u preh me paraardhësit e tij dhe trupi iu kalb.*+ 37 Kurse trupi i atij që e ngriti Perëndia, nuk u kalb.*+
38 Dijeni, vëllezër, se nëpërmjet tij ju është shpallur falja e mëkateve+ 39 dhe se me anë të tij, kushdo që beson, shpallet i pafaj nga gjithçka që Ligji i Moisiut+ nuk mund ta shpallte të pafaj.+ 40 Kini kujdes, pra, të mos ju ndodhë ajo që është thënë te Profetët: 41 ‘Shihni o përbuzës, ju do të çuditeni dhe nuk do të jeni më, sepse në ditët tuaja po bëj një vepër, të cilën nuk do ta besoni kurrsesi, edhe sikur ndokush t’jua tregojë me hollësi.’»+
42 Kur po dilnin, populli iu përgjërua që t’u flitnin për këto gjëra edhe Sabatin tjetër. 43 Kështu, pasi njerëzit u larguan nga sinagoga, shumë judenj dhe prozelitë që adhuronin Perëndinë, ndoqën Pavlin dhe Barnabën, të cilët me fjalët e tyre i nxitnin të qëndronin në mirësinë e pamerituar të Perëndisë.+
44 Sabatin tjetër, pothuajse i gjithë qyteti u mblodh të dëgjonte fjalën e Jehovait.* 45 Kur panë turmat, judenjtë vlonin nga smira* dhe nisën t’u kundërviheshin me fjalë blasfemuese* gjërave që thoshte Pavli.+ 46 Atëherë, Pavli dhe Barnaba thanë me guxim: «Fjala e Perëndisë duhej t’ju thuhej më parë juve.+ Por, meqë po e hidhni poshtë dhe po tregoheni të padenjë për jetën e përhershme, ja, ne po shkojmë te kombet,+ 47 sepse Jehovai* na urdhëroi me këto fjalë: ‘Të kam caktuar si dritë të kombeve, që të çosh shpëtimin deri në skajet e tokës.’»*+
48 Kur e dëgjuan këtë, njerëzit e kombeve* gëzuan e i dhanë lavdi fjalës së Jehovait.* Të gjithë ata që ishin të prirur për jetën e përhershme, u bënë besimtarë. 49 Veç kësaj, fjala e Jehovait* përhapej në mbarë vendin. 50 Por judenjtë shtynë gratë e shquara, të cilat ishin shumë fetare, dhe të parët e qytetit që të nxitnin përndjekje+ kundër Pavlit dhe Barnabës, dhe i flakën jashtë kufijve të qytetit. 51 Kështu, këta shkundën pluhurin e këmbëve si dëshmi kundër tyre dhe shkuan në Ikoni.+ 52 E dishepujt ishin plot gëzim+ dhe frymë të shenjtë.