Veprat e Apostujve
12 Rreth asaj kohe, mbreti Herod filloi të keqtrajtonte disa nga kongregacioni.+ 2 Ai vrau me shpatë+ Jakovin, vëllanë e Gjonit.+ 3 Kur pa se kjo u pëlqeu judenjve, arrestoi edhe Pjetrin. (Ishte Festa e Bukëve Pa Maja.)+ 4 Ai e kapi, e futi në burg+ dhe ua dorëzoi katër skuadrave me katër ushtarë secila, që ta ruanin me turne, pasi kishte ndër mend ta nxirrte* para popullit pas Festës së Kalimit. 5 Kështu, Pjetrin po e mbanin në burg, ndërkohë që kongregacioni i lutej me zjarr Perëndisë për të.+
6 Një natë para se Herodi ta nxirrte Pjetrin para popullit, ky po flinte i lidhur me dy zinxhirë mes dy ushtarëve, dhe rojat para derës po ruanin burgun. 7 Kur ja, atje u shfaq engjëlli i Jehovait,*+ dhe një dritë ndriçoi qelinë e burgut. Ai i ra Pjetrit në sup për ta zgjuar dhe i tha: «Ngrihu shpejt!» Menjëherë zinxhirët i ranë nga duart.+ 8 Engjëlli i tha: «Vishu* e mbath sandalet.» Ai veproi ashtu. Së fundi i tha: «Hidh krahëve veshjen e sipërme dhe më ndiq.» 9 Pjetri doli dhe e ndoqi, por nuk e kuptoi se gjithçka që po ndodhte nëpërmjet engjëllit, ishte e vërtetë. Në fakt, ai mendoi se po shihte një vegim.* 10 Si kaluan truprojën e parë dhe të dytë, mbërritën te porta e hekurt që të çonte në qytet, e kjo u hap vetë para tyre. Kur dolën, shkuan nëpër një rrugë, dhe engjëlli u largua menjëherë nga ai. 11 Pjetri erdhi në vete dhe tha: «Tani jam i sigurt se Jehovai* dërgoi engjëllin e tij dhe më shpëtoi nga dora e Herodit dhe nga gjithçka që donin të më bënin judenjtë.»+
12 Pasi e kuptoi këtë, shkoi te shtëpia e Marisë, nënës së Gjonit, që quhej edhe Mark,+ ku ishin mbledhur së bashku mjaft veta dhe po luteshin. 13 Kur trokiti te porta e jashtme, një shërbëtore që quhej Rode, doli të shihte kush trokiste. 14 Me të njohur zërin e Pjetrit, u gëzua kaq shumë, sa nuk e hapi portën, por vrapoi brenda dhe i njoftoi se Pjetri ishte te porta. 15 Ata i thanë: «Ti je çmendur!» Por ajo ngulte këmbë se Pjetri kishte ardhur vërtet. Atëherë thanë: «Është një engjëll.»* 16 Ndërkaq Pjetri mbeti atje duke trokitur. Kur hapën portën, e panë dhe u befasuan. 17 Por ai u bëri shenjë të heshtnin, u tregoi me hollësi se si Jehovai* e nxori nga burgu dhe shtoi: «Tregojuani këto Jakovit+ dhe vëllezërve.» Me të thënë këtë, doli dhe u nis për në një vend tjetër.
18 Kur zbardhi dita, ushtarët ishin të tronditur nga ajo që kishte ndodhur me Pjetrin. 19 Herodi e kërkoi me ngulm, e meqë nuk e gjeti, mori në pyetje rojat dhe urdhëroi që të ndëshkoheshin.+ Pastaj zbriti nga Judea në Cezare dhe qëndroi atje për ca kohë.
20 Ai ishte i zemëruar* me popullin e Tirit e të Sidonit. Por ata, pasi i mbushën mendjen Blastit, përgjegjësit për çështjet e shtëpisë së mbretit, u paraqitën të gjithë së bashku para mbretit dhe kërkuan paqe, sepse vendi i tij i furnizonte me ushqim. 21 Ditën e caktuar, Herodi u vesh me rrobat mbretërore, u ul në fronin e gjykimit dhe filloi të mbante një fjalim publik. 22 Atëherë populli i mbledhur nisi të thërriste: «Zë perëndie, e jo njeriu!» 23 Në çast, engjëlli i Jehovait* e goditi, sepse nuk ia dha lavdinë Perëndisë. Atë e brenë krimbat dhe vdiq.
24 Ndërkohë, fjala e Jehovait* përhapej, dhe gjithnjë e më shumë njerëz besonin.+
25 Kurse Barnaba+ dhe Sauli, pasi u shpërndanë të gjitha ndihmat vëllezërve* në Jerusalem,+ u kthyen e morën me vete Gjonin,+ që quhej edhe Mark.