Zanafilla
16 Mirëpo Saraja, gruaja e Abramit, nuk i kishte lindur fëmijë,+ megjithatë kishte një shërbyese egjiptiane që quhej Agara.+ 2 Kështu Saraja i tha Abramit: «Më dëgjo, të lutem! Jehovai nuk më ka lejuar të lind fëmijë, prandaj të lutem, ki marrëdhënie me shërbyesen time, se mbase mund të kem fëmijë nga ajo.»+ Kështu Abrami e dëgjoi Sarajën. 3 Pasi Abrami kishte banuar dhjetë vjet në vendin e Kananit, Saraja, gruaja e tij, mori Agarën, shërbyesen e saj egjiptiane, dhe ia dha për grua të shoqit, Abramit. 4 Kështu ai pati marrëdhënie me Agarën, që mbeti shtatzënë. Kur e kuptoi se ishte shtatzënë, ajo filloi ta përbuzte të zonjën.
5 Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ti e ke fajin për të keqen që më ra! Unë e lashë shërbyesen time në krahët e tu,* por kur e kuptoi se ishte shtatzënë, ajo filloi të më përbuzte. Jehovai gjykoftë mes meje e teje!» 6 Kështu Abrami i tha Sarajës: «Ja, shërbyesja jote është në dorën tënde. Bëj me të si të të duket më mirë.» Atëherë Saraja filloi ta ulte e ta trajtonte ashpër, prandaj Agara ia mbathi.
7 Më vonë, engjëlli i Jehovait e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, te burimi që ishte rrugës për në Sur.+ 8 Ai i tha: «Agarë, shërbyese e Sarajës, nga vjen dhe ku po shkon?» Ajo ia ktheu: «Po ia mbath prej Sarajës, zonjës sime.» 9 Atëherë engjëlli i Jehovait i tha: «Kthehu te zonja jote dhe përulu nën dorën e saj.» 10 Pastaj engjëlli i Jehovait i tha: «Do t’i shtoj aq shumë pasardhësit* e tu, sa nuk do të numërohen dot.»+ 11 Engjëlli i Jehovait shtoi: «Ti je shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Ismael,* sepse Jehovai e dëgjoi rënkimin tënd. 12 Ai do të jetë si një gomar i egër.* Dora e tij do të ngrihet kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve do të ngrihet kundër tij; ai do të banojë përballë gjithë vëllezërve të vet.»*
13 Atëherë ajo i thuri lavde emrit të Jehovait që po i fliste: «Ti je një Perëndi që sheh»,+ sepse ajo tha: «Këtu e kam parë vërtet atë që më sheh.» 14 Ja pse pusi u quajt Ber-Lahai-Roi.* (Ai ndodhet mes Kadeshit dhe Beredit.) 15 Kështu Agara i lindi Abramit një djalë, dhe ai e quajti Ismael.+ 16 Abrami ishte 86 vjeç kur Agara lindi Ismaelin.