36 Elihu tha më tej:
2 «Bëj dhe pak durim me mua teksa të shpjegoj,
se kam ende diçka për të të thënë në emër të Perëndisë.
3 Do të tregoj gjithçka di,
dhe do të shpall se drejtësia i përket Bërësit tim.+
4 Vërtet, fjalët e mia nuk janë gënjeshtra;
tani para teje ke Atë që ka njohuri të përsosur.+
5 Vërtet, Perëndia është i fuqishëm+ e nuk hedh poshtë askënd;
ai ka aftësi të thellë për të kuptuar.
6 Ai nuk ua kursen jetën të ligjve,+
kurse të munduarit i gjykon me drejtësi.+
7 Nuk i largon sytë nga të drejtët;+
i vë në fron si mbretër,+ dhe ata lartësohen përgjithmonë.
8 Por nëse janë nën vargonj
e të lidhur me litarët e mundimit,
9 ai u tregon hapur gjithë ç’kanë bërë,
fajet që kanë kryer nga krenaria.
10 Ua hap veshët për t’i ndrequr
dhe i nxit të heqin dorë nga e keqja.+
11 Nëse i binden dhe i shërbejnë,
kanë për t’i mbyllur ditët në begati,
dhe vitet e tyre do të jenë plot kënaqësi.+
12 Por nëse nuk binden,
do të bien të vdekur nga shpata,+
do të marrin fund në padijen e tyre.
13 Ata që janë të ligj në zemër, ushqejnë mëri;
nuk thërrasin për ndihmë, edhe kur Ai u vë prangat.
14 Ata vdesin kur janë ende të rinj,+
teksa e kalojnë jetën mes prostitutave të tempullit.+
15 Kurse të munduarit Perëndia i shpëton nga vuajtjet;
ai ua hap veshët teksa janë nën shtypje.
16 Ai të nxjerr nga kthetrat e dëshpërimit,+
të çon në një vend të gjerë, pa kufij,+
dhe të ngushëllon me ushqim të zgjedhur në tryezën tënde.+
17 Atëherë do të kënaqesh kur të gjykohen të ligjtë,+
kur të jepet gjykimi dhe të vihet në vend drejtësia.
18 Por ki kujdes se mos nga tërbimi të mbushet zemra me ligësi,+
dhe nga një ryshfet i majmë shkon në rrugë të shtrembër.
19 Përndryshe, a do të bënin punë thirrjet e tua për ndihmë?
A do të nxirrnin nga halli përpjekjet e tua të mëdha?+
20 Mos e dëshiro fort natën
kur njerëzit zhduken sysh nga vendet e tyre.
21 Mos zgjidh të bësh të keqen,
por zgjidh më mirë të durosh vuajtje.+
22 Ja, Perëndia madhërohet falë fuqisë së tij.
E ku ka mësues si ai?!
23 Kush e ka drejtuar në cilën udhë të ecë?+
Kush i ka thënë: ‘Ajo që ke bërë, është e gabuar.’+
24 Mos harro të madhërosh veprat e tij,+
për të cilat njerëzit kanë thurur këngë.+
25 Mbarë njerëzimi i ka parë;
njeriu mund t’i soditë veçse nga larg.
26 Po, madhështinë e Perëndisë as që e konceptojmë dot:+
vitet e tij as që mund të numërohen.+
27 Ai i tërheq lart pikat e ujit,+
dhe mjegulla që formohet prej tyre, kondensohet e kthehet në shi;
28 pastaj retë derdhen si rrebesh,+
e mbi gjithë njerëzimin shiu bie rrëmbyeshëm.
29 Kush mund të kuptojë si shtrihen retë në qiell,
a bubullimat që vijnë nga tenda e tij?+
30 Shih si e shpalos mbi të vetëtimën,+
si e mbulon me ujë fundin e detit.
31 Me anë të tyre, ai mban gjallë popujt;
u jep ushqim me bollëk.+
32 Në duart e veta e mban rrufenë
dhe e drejton që të godasë në shenjë.+
33 Bubullimat njoftojnë ardhjen e tij,
e madje edhe bagëtia tregon se kush po vjen.