Numrat
21 Kur mbreti kananit i Aradit që banonte në Negeb,+ mori vesh se Izraeli kishte ardhur nga udha e Atarimit, e sulmoi Izraelin dhe zuri rob disa. 2 Atëherë Izraeli u zotua para Jehovait dhe tha: «Nëse ma jep në dorë këtë popull, unë do t’i shkatërroj* se s’bën qytetet e tij.» 3 Jehovai e dëgjoi zërin e Izraelit dhe ia dha kananitët në dorë. Kështu Izraeli i caktoi për shkatërrim ata bashkë me qytetet e tyre, prandaj ai vend u quajt Hormah.*+
4 Teksa vazhdonin udhëtimin nga mali i Horit+ nëpërmjet udhës së Detit të Kuq, që t’i binin përqark Edomit,+ populli u sfilit nga rruga. 5 Ai thoshte kundër Perëndisë dhe Moisiut:+ «Pse na keni nxjerrë nga Egjipti? Që të vdesim në shkretëtirë?! Këtu nuk ka as bukë, as ujë,+ dhe na është neveritur kjo bukë e shpifur.»*+ 6 Atëherë Jehovai dërgoi mes popullit gjarpërinj helmues* që i kafshonin pareshtur, dhe shumë izraelitë vdiqën.+
7 Kështu populli vajti te Moisiu dhe tha: «Mëkatuam se folëm kundër Jehovait dhe kundër teje.+ Lutju Jehovait për ne që të na i largojë gjarpërinjtë.» Dhe Moisiu u lut për popullin.+ 8 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Puno një gjarpër helmues* dhe vëre në një shtizë. Kur dikë ta kafshojë gjarpri, ta shikojë atë që të mbetet gjallë.» 9 Moisiu punoi menjëherë një gjarpër prej bakri+ dhe e vuri në shtizë.+ Sa herë që një gjarpër kafshonte dikë dhe ky shikonte gjarprin prej bakri, mbetej gjallë.+
10 Pas kësaj izraelitët u larguan dhe e ngritën kampin në Obot.+ 11 Pastaj u larguan nga Oboti dhe e ngritën kampin në Ije-Abarim,+ në shkretëtirën përballë Moabit, nga lindja. 12 U larguan që andej dhe e ngritën kampin pranë luginës së Zeredit.*+ 13 Nga atje, u larguan dhe e ngritën kampin në rajonin e Arnonit,+ i cili gjendet në shkretëtirën që fillon në kufirin e amoritëve—Arnoni është kufiri i Moabit, midis Moabit dhe amoritëve. 14 Prandaj në librin e Luftërave të Jehovait flitet për «Vahebin në Sufah, për luginat* e Arnonit 15 dhe për tatëpjetën* e luginave,* e cila shtrihet drejt vendbanimit të Arit dhe bashkohet me kufirin e Moabit».
16 Më pas vajtën në Ber. Ky është pusi ku Jehovai i tha Moisiut: «Mblidhe popullin që t’i jap ujë.»
17 Në atë kohë Izraeli këndonte këtë këngë:
«Buro, o pus! Pritjani me këngë!*
18 Pusin që princat gërmuan, fisnikët e popullit rrëmuan
me shkop komandanti dhe me shkopinjtë e tyre.»
Pastaj nga shkretëtira vajtën në Matanah. 19 Nga Matanahu vajtën në Nahaliel dhe nga Nahalieli në Bamot.+ 20 Nga Bamoti vajtën në luginën që gjendet në territorin* e Moabit,+ në majë të Pisgahut,+ i cili sheh nga Jeshimoni.*+
21 Tani, Izraeli i dërgoi lajmëtarë Sihonit, mbretit të amoritëve, dhe i tha:+ 22 «Na lër të kalojmë përmes vendit tënd. Nuk do të kthehemi as në ara e as në vreshta. Nuk do të pimë ujë nga asnjë pus. Do të ecim në Rrugën e Mbretit derisa të kemi kaluar përmes territorit tënd.»+ 23 Por Sihoni nuk e la Izraelin të kalonte përmes territorit të tij. Përkundrazi, mblodhi tërë popullin dhe u nis për t’u ndeshur me Izraelin në shkretëtirë. Me të mbërritur në Jahaz, ai filloi luftën me Izraelin.+ 24 Por Izraeli e mposhti dhe i vrau me shpatë,+ si dhe shtiu në dorë vendin e tij+ nga Arnoni+ deri në Jabok,+ afër amonitëve, sepse Jazeri+ është kufiri i amonitëve.+
25 Kështu, Izraeli mori gjithë këto qytete dhe filloi të banonte në tërë qytetet e amoritëve,+ në Heshbon dhe në gjithë fshatrat e tij, 26 sepse Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të amoritëve, i cili kishte luftuar me mbretin e Moabit dhe i kishte marrë gjithë vendin deri në Arnon. 27 Prej kësaj doli ky proverb sarkastik:
«Ejani në Heshbon!
U ndërtoftë qyteti i Sihonit, i patundur u bëftë!
28 Se një zjarr doli nga Heshboni, një flakë nga qyteti i Sihonit,
që përpiu Arin në Moab, po, zotërit e vendeve të larta të Arnonit.
29 Mjerë ti, o Moab! Kaq e pate, o popull i Kemoshit!+
Bijve të tu, rrugët e arratisë u dhe, bijat e tua i bëre robinja të Sihonit, mbretit të amoritëve.
30 Le t’u biem, pra!
U shkatërroftë Heshboni deri në Dibon,+
e shkretofshim deri në Nofah,
zjarri u përhaptë deri në Medebë!»+
31 Kështu Izraeli filloi të banonte në vendin e amoritëve. 32 Pastaj Moisiu dërgoi disa burra që të vëzhgonin Jazerin.+ Ata shtinë në dorë fshatrat e tij dhe i dëbuan amoritët që ishin atje. 33 Pas kësaj u kthyen dhe shkuan Rrugës së Bashanit. Ogu,+ mbreti i Bashanit, bashkë me tërë popullin e tij, doli kundër tyre në betejë në Edrei.+ 34 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Mos ki frikë nga ai,+ sepse atë, mbarë popullin dhe vendin e tij do të ta jap në dorë.+ Do të bësh me të siç bëre me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon.»+ 35 Prandaj, ata e sulmuan Ogun, bijtë dhe mbarë popullin e tij derisa nuk mbeti më gjallë asnjë.+ Kështu ata e shtinë në dorë vendin e tij.+