Jeremia
32 Kjo është fjala që Jehovai i drejtoi Jeremisë në vitin e 10-të të mbretërimit të Zedekisë, mbretit të Judës, domethënë në vitin e 18-të të mbretërimit të Nabukodonosorit.*+ 2 Në atë kohë, forcat ushtarake të mbretit të Babilonisë kishin rrethuar Jerusalemin, kurse profeti Jeremia ishte i burgosur në Oborrin e Rojës,+ në shtëpinë e mbretit* të Judës. 3 Zedekia, mbreti i Judës, e kishte burgosur atë+ dhe i kishte thënë: «Pse profetizon kështu: “Jehovai thotë: ‘Unë do ta jap këtë qytet në duart e mbretit të Babilonisë, dhe ai do ta pushtojë.+ 4 Kurse Zedekia, mbreti i Judës, nuk do të shpëtojë nga kaldeasit, sepse me siguri do të bjerë në duart e mbretit të Babilonisë e do të flasë me të ballë për ballë dhe sy për sy.+ 5 Ai do ta marrë Zedekinë në Babiloni, ku do të qëndrojë derisa unë ta drejtoj vëmendjen nga ai,—thotë Jehovai.—Edhe pse luftoni kundër kaldeasve, ju nuk do të keni sukses.’”»+
6 Jeremia tha: «Fjala e Jehovait m’u drejtua: 7 “Ja ku po vjen Hanameli, biri i Shalumit, xhaxhait tënd, dhe do të të thotë: ‘Blije arën time në Anatoth,+ sepse ti je i pari që ke të drejtën e riblerjes.’”»+
8 Siç më tha Jehovai, Hanameli, djali i xhaxhait, erdhi tek unë në Oborrin e Rojës dhe më tha: «Të lutem, blije arën time në Anatoth të Beniaminit, sepse ti ke të drejtën ta marrësh atë dhe ta riblesh. Blije, pra.» Atëherë e kuptova se kjo ishte sipas fjalës së Jehovait.
9 Prandaj ia bleva Hanamelit, djalit të xhaxhait, arën në Anatoth. I peshova atij paratë,+ shtatë sikla* dhe dhjetë monedha argjendi. 10 Pastaj nënshkrova një akt,+ e vulosa, mora dëshmitarë+ dhe peshova paratë në peshore. 11 Mora aktin e blerjes që ishte vulosur sipas urdhërimit dhe kërkesave ligjore, bashkë me aktin që ishte lënë pa vulosur, 12 dhe ia dhashë aktin e blerjes Barukut,+ birit të Nerjahut,+ birit të Mahsejahut, në prani të Hanamelit, djalit të xhaxhait, në prani të dëshmitarëve që kishin nënshkruar aktin e blerjes dhe në prani të të gjithë judenjve që ishin ulur në Oborrin e Rojës.+
13 E urdhërova Barukun në prani të tyre: 14 «Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Merri këto akte, aktin e blerjes, atë të vulosurin, dhe aktin tjetër të pavulosur, dhe futi në një enë balte që të ruhen për një kohë të gjatë.’ 15 Se kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Në këtë vend do të blihen përsëri shtëpi, ara dhe vreshta.’»+
16 Pasi i dhashë aktin e blerjes Barukut, birit të Nerjahut, iu luta Jehovait: 17 «O Zotëri Sovran Jehova! Ja, ti ke bërë qiejt dhe tokën me forcën tënde të madhe+ dhe me krahun tënd të fuqishëm.* Asgjë nuk është tepër e vështirë për ty. 18 Ti u tregon dashuri besnike mijëra njerëzve, por kërkon shpagim për fajin e etërve nga bijtë e tyre.*+ Ti je Perëndia i vërtetë, i Madhi, i Fuqishmi, emri i të cilit është Jehovai i ushtrive. 19 Madhështore janë qëllimet* e tua dhe të fuqishme veprat e tua.+ Ti i mban sytë te sjellja* e njerëzve,+ që t’i japësh secilit sipas udhëve dhe veprimeve të veta.+ 20 Ti ke bërë shenja e mrekulli në vendin e Egjiptit, që njihen deri sot e kësaj dite. I bëre një emër vetes në Izrael e mes njerëzimit,+ siç po ndodh edhe sot. 21 Ti e nxore nga Egjipti popullin tënd, Izraelin, me shenja e mrekulli, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm* dhe me vepra që të tmerrojnë.+
22 Me kalimin e kohës u dhe atyre këtë vend për të cilin u betove se do t’ua jepje paraardhësve të tyre,+ një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.+ 23 Ata hynë dhe e shtinë në dorë, por nuk iu bindën zërit tënd e nuk ecën sipas ligjit tënd. Nuk bënë asgjë nga ato që urdhërove, prandaj u ra gjithë kjo e keqe.+ 24 Ja, në qytet kanë ardhur njerëz e kanë ngritur ledhe rrethuese për ta pushtuar+ dhe, për shkak të shpatës,+ zisë së bukës e murtajës,*+ qyteti do të bjerë në duart e kaldeasve që po luftojnë kundër tij. Siç e sheh, gjithçka që the ti, ka ndodhur. 25 Por ti, o Zotëri Sovran Jehova, më the: ‘Blije arën me pará dhe merr dëshmitarë, ndonëse qyteti do të bjerë me siguri në duart e kaldeasve.’»
26 Atëherë fjala e Jehovait iu drejtua Jeremisë: 27 «Unë jam Jehovai, Perëndia i gjithë njerëzimit.* A ka ndonjë gjë tepër të vështirë për mua?! 28 Prandaj, kështu thotë Jehovai: ‘Unë do ta dorëzoj këtë qytet te kaldeasit dhe në duart e Nabukodonosorit,* mbretit të Babilonisë, e ai do ta pushtojë.+ 29 Kaldeasit që po luftojnë kundër këtij qyteti, do të hyjnë dhe do t’i vënë flakën e do ta bëjnë shkrumb e hi,+ atë dhe shtëpitë në tarracat e të cilave njerëzit i paraqitnin flijime Baalit dhe derdhnin blatim në pije për perënditë e tjera, që të më fyenin.+
30 Populli i Izraelit e i Judës kanë bërë vetëm atë që ishte e keqe në sytë e mi, që nga rinia e më pas.+ Populli i Izraelit më fyen vazhdimisht me anë të veprës së duarve të tij,—thotë Jehovai.—31 Ky qytet, që nga dita që u ndërtua e deri sot, më ka sjellë veçse zemërim e tërbim.+ Prandaj do ta flak larg vetes,+ 32 për shkak të të gjithë ligësisë që ka kryer populli i Izraelit dhe i Judës për të më fyer, ata, mbretërit,+ princat,+ priftërinjtë, profetët e tyre,+ si edhe njerëzit e Judës e banorët e Jerusalemit. 33 Ata më kthenin vazhdimisht shpinën;*+ megjithëse përpiqesha t’i mësoja herë pas here,* asnjëri nuk dëgjonte që të pranonte disiplinën.+ 34 Ata vendosën idhujt e tyre të pështirë në shtëpinë që mban emrin tim, për ta ndotur.+ 35 Përveç kësaj, ngritën vendet e larta të Baalit në Luginën e Birit të Hinomit*+ që të digjnin në zjarr* bijtë dhe bijat e tyre për Molekun,+ diçka e neveritshme që nuk e kam urdhëruar+ dhe as më ka shkuar kurrë ndër mend.* Kështu e bënë Judën të mëkatonte.’
36 Prandaj, kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit, për këtë qytet që ju thoni se do të bjerë në duart e mbretit të Babilonisë nga shpata, zia e bukës dhe murtaja: 37 ‘Unë do t’i mbledh nga të gjitha vendet ku i shpërndava për shkak të zemërimit, të tërbimit dhe të indinjatës sime të madhe,+ e do t’i sjell në këtë vend dhe do të bëj që të banojnë të sigurt.+ 38 Ata do të jenë populli im, dhe unë do të jem Perëndia i tyre.+ 39 E unë do t’u jap një zemër të vetme+ dhe një udhë të vetme, që të më nderojnë gjithnjë thellësisht,* për të mirën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.+ 40 Unë do të lidh me ta një besëlidhje të përjetshme+ se do t’u bëj gjithnjë mirë+ dhe do të bëj që të më nderojnë thellësisht në zemër, e kështu të mos largohen nga unë.+ 41 Do të ngazëlloj duke u bërë mirë atyre+ dhe, me gjithë zemër e me gjithë shpirt,* do të bëj që të zënë rrënjë në këtë vend.’+
42 Se kështu thotë Jehovai: “Ashtu siç solla mbi këtë popull gjithë këtë të keqe të madhe, po kështu do t’i sjell gjithë gjërat e mira* që po i premtoj.+ 43 Në këtë vend do të blihen përsëri ara,+ ndonëse thoni: ‘Është një vend i shkretë pa njeri dhe pa kafshë. Ai ka rënë në duart e kaldeasve.’
44 Do të blihen ara me pará, do të nënshkruhen e do të vulosen akte blerjeje, do të merren dëshmitarë në vendin e Beniaminit,+ në rrethinat e Jerusalemit, në qytetet e Judës,+ në qytetet e rajonit malor, në qytetet e ultësirës dhe në qytetet e jugut,+ sepse do t’i kthej robërit e tyre,+—thotë Jehovai.”»