Numrat
15 Jehovai i tha akoma Moisiut: 2 «Thuaju izraelitëve: ‘Në fund, kur të keni hyrë në vendin që po ju jap për të banuar+ 3 dhe të paraqitni një blatim të bërë me zjarr para Jehovait nga bagëtia e trashë ose e imët si aromë të këndshme* për Jehovain+—një blatim të djegur,+ një flijim për ndonjë zotim të veçantë, një blatim vullnetar+ ose një blatim gjatë festave tuaja stinore+—4 ai që bën blatimin, duhet t’i paraqitë Jehovait edhe një të dhjetën e një efe* mielli të bluar imët+ e të përzier me një çerek hini* vaj si blatim në drithë. 5 Duhet të paraqitni edhe një çerek hini verë si blatim në pije bashkë me blatimin e djegur+ ose me çdo qengj mashkull që flijoni. 6 Ose për një dash, duhet të paraqitni dy të dhjetat e një efe mielli të bluar imët e të përzier me një të tretën hin vaj si blatim në drithë. 7 Duhet të paraqitni edhe një të tretën hin verë si blatim në pije, si aromë të këndshme* për Jehovain.
8 Por nëse paraqitni një mashkull nga bagëtia e trashë si blatim të djegur+ ose një flijim për një zotim të veçantë+ ose një flijim në bashkësi për Jehovain,+ 9 bashkë me të duhet të paraqitni edhe tri të dhjetat e një efe mielli të bluar imët e të përzier me gjysmë hini vaj si blatim në drithë.+ 10 Përveç këtyre duhet të paraqitni gjysmë hini verë si blatim në pije,+ si blatim të bërë me zjarr, si aromë të këndshme* për Jehovain. 11 Kështu duhet vepruar për çdo dem, dash ose qengj a kec mashkull. 12 Në këtë mënyrë duhet të veproni për secilën kafshë, sado qoftë numri i kafshëve që paraqitni. 13 Kështu duhet t’i paraqitin gjithë izraelitët blatimet e bëra me zjarr, si aromë të këndshme* për Jehovain.
14 Nëse një i ardhur mes jush ose një që ka qëndruar mes jush për breza të tërë, paraqet një blatim të bërë me zjarr si aromë të këndshme* për Jehovain, ai duhet të veprojë njësoj si ju.+ 15 Si ju që jeni pjesë e kongregacionit, edhe i ardhuri mes jush, do të keni një ligj të vetëm. Ky do të jetë një ligj i pandryshueshëm për ju, brez pas brezi. I ardhuri duhet të jetë njësoj si ju para Jehovait.+ 16 Duhet të ketë një ligj dhe një vendim gjyqësor si për ju, edhe për të ardhurin që banon mes jush.’»
17 Më pas Jehovai i tha Moisiut: 18 «Thuaju izraelitëve: ‘Kur të hyni në vendin ku po ju çoj 19 dhe të hani nga buka e vendit,*+ duhet të jepni një kontribut për Jehovain. 20 Duhet të jepni si kontribut kuleç në formë unaze nga frytet e para+ të drithërave të bluara ashpër; duhet t’i jepni si kontribut nga lëmi.* 21 Gjatë tërë brezave tuaj, duhet të jepni si kontribut për Jehovain ca nga frytet e para të drithërave të bluara ashpër.
22 E tani, nëse bëni ndonjë gabim e nuk i zbatoni gjithë këto urdhërime që unë, Jehovai, i kam dhënë Moisiut 23 —të gjitha ato që Jehovai ju urdhëroi me anë të Moisiut, që nga dita që Jehovai urdhëroi e më tutje, brez pas brezi—24 e nëse gabimi është bërë pa dashje dhe asambleja nuk e dinte, ja çfarë duhet bërë: tërë asambleja duhet të paraqitë një dem të ri si blatim të djegur, si aromë të këndshme* për Jehovain, bashkë me blatimin në drithë dhe blatimin në pije sipas rregullave të caktuara,+ dhe një kec si blatim për mëkatin.+ 25 Prifti do të bëjë shlyerjen për tërë asamblenë e izraelitëve dhe Perëndia do t’i falë,+ sepse ishte një gabim dhe ata sollën për gabimin që bënë një blatim të bërë me zjarr për Jehovain dhe blatimin e tyre për mëkatin para Jehovait. 26 Gabimi do t’i falet tërë asamblesë së izraelitëve dhe të ardhurve që banojnë mes tyre, pasi u bë pa dashje nga i gjithë populli.
27 Nëse dikush mëkaton pa dashje duhet të paraqitë një dhi njëvjeçare* si blatim për mëkatin.+ 28 Pastaj prifti do të bëjë shlyerjen për personin që gaboi kur mëkatoi pa dashje para Jehovait, që të bëjë shlyerjen për mëkatin, dhe mëkati do t’i falet.+ 29 Kur diçka bëhet pa dashje, duhet të ketë një ligj të vetëm si për izraelitët, edhe për të ardhurit që banojnë mes tyre.+
30 Por ai që bën diçka qëllimisht,+ i ardhur a vendës, duhet shfarosur* nga gjiri i popullit, sepse po blasfemon* kundër Jehovait. 31 Meqë ka përbuzur fjalën e Jehovait dhe ka shkelur urdhërimin e tij, ai njeri duhet shfarosur patjetër;+ ai do të mbajë fajin e vet.’»+
32 Teksa ishin në shkretëtirë, izraelitët gjetën një burrë që mblidhte dru ditën e Sabatit.+ 33 Ata që e gjetën duke mbledhur dru, e çuan te Moisiu, Aroni dhe tërë asambleja. 34 Atë e mbajtën me roja,+ pasi nuk ishte përcaktuar ende ç’duhej bërë me të.
35 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Ai njeri duhet ekzekutuar patjetër.+ Tërë asambleja duhet ta vrasë me gurë jashtë kampit.»+ 36 Kështu tërë asambleja e nxori jashtë kampit dhe e goditi me gurë derisa vdiq, siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
37 Jehovai i tha më tej Moisiut: 38 «Thuaju izraelitëve të bëjnë thekë në fund të rrobave dhe të vënë mbi to një kordon të hollë blu, brez pas brezi.+ 39 ‘Duhet t’i keni këto thekë që t’i shihni dhe të kujtoni të gjitha urdhërimet e Jehovait, e kështu t’i zbatoni.+ Nuk duhet të ndiqni zemrën dhe sytë tuaj, që po ju nxitin të më tradhtoni.*+ 40 Kjo do t’ju ndihmojë të kujtoni, e kështu do të zbatoni të gjitha urdhërimet e mia dhe do të jeni të shenjtë për Perëndinë tuaj.+ 41 Unë jam Jehovai, Perëndia juaj, që ju nxori nga Egjipti për të qenë Perëndia juaj.+ Unë jam Jehovai, Perëndia juaj!’»+