11 Peshorja me hile është e neveritshme për Jehovain,
por pesha e saktë i sjell atij kënaqësi.+
2 Kur kalohen caqet me arrogancë, vjen çnderimi,+
por mençuria është me modestët.+
3 Integriteti u prin të drejtëve,+
por intrigat do t’i rrënojnë të pabesët.+
4 Pasuritë s’të hyjnë në punë ditën e zemërimit të furishëm,+
por drejtësia të shpëton nga vdekja.+
5 Drejtësia ua drejton shtigjet të paqortueshmëve,
por të ligjtë do të rrënohen për shkak të ligësisë së tyre.+
6 Drejtësia do t’i çlirojë të drejtët,+
por të pabesët do të zihen në lak nga dëshirat e veta.+
7 Kur njeriu i lig vdes, shpresat e tij shuhen,
e bashkë me të, merr fund edhe ajo që priste nga fuqia e vet.+
8 I drejti do të çlirohet nga hallet
dhe vendin e tij do ta zërë i ligu.+
9 Me gojën e tij, apostati e rrënon të afërmin,
por i drejti çlirohet falë njohurisë.+
10 Nga mirësia e të drejtëve, qyteti është plot hare,
dhe kur zhduken të ligjtë, ka britma gëzimi.+
11 Falë bekimit të të drejtëve, qyteti lartësohet,+
por nga goja e të ligjve rrafshohet.+
12 Kush nuk ka gjykim të mirë, e trajton me përbuzje të afërmin,
por njeriu me aftësi të vërtetë dalluese e mban gjuhën nën fre.+
13 Kush e ka gjuhën të gjatë, shkon vërdallë për të treguar bisedat e bëra në mirëbesim,+
por njeriu i besueshëm nuk i tregon çështjet konfidenciale.
14 Kur nuk ka udhëheqje të mençur, populli vuan,
por kur ka shumë këshilltarë, ka sukses.+
15 Atij që del garant për një të panjohur, me siguri do t’i shkojë keq,+
por kush nuk e shtrëngon dorën në shenjë zotimi, do të jetë i sigurt.
16 Një grua shpirtmirë fiton lavdi,+
kurse shpirtmizorët shtien në dorë pasuri.
17 Një burrë zemërmirë i bën mirë vetes,+
kurse shpirtligjtë e futin veten në telashe.+
18 I ligu fiton shpërblime të rreme,+
por kush mbjell drejtësi, fiton shpërblime të vërteta.+
19 Atë që nuk heq dorë nga drejtësia, e pret jeta,+
por atë që jepet pas së ligës, e pret vdekja.
20 Kush ka zemër dredharake, është i neveritshëm për Jehovain,+
por kush ecën në mënyrë të paqortueshme, i sjell atij kënaqësi.+
21 Ji i sigurt për këtë:
i ligu do të ndëshkohet se s’bën,+
por fëmijët e të drejtëve kanë për të shpëtuar.
22 Si një unazë ari në feçkën e një derri
është një grua e bukur që nuk do hiç të tregojë gjykim të mirë.
23 Dëshira e të drejtëve sjell veç të mira,+
kurse shpresa e të ligjve ngjall tërbim.
24 Dikush jep bujarisht, e megjithatë në fund ka më shumë;+
një tjetër e mban për vete atë që duhet të japë, por përfundon në skamje.+
25 Njeriu bujar do të begatohet,+
dhe kush është burim freskie për të tjerët, do të ripërtërihet edhe vetë.+
26 Populli do ta mallkojë atë që e mban drithin për vete,
por do ta bekojë atë që e shet.
27 Me njeriun që ngulmon të bëjë mirë, do të tregohen zemërmirë,+
por atij që kërkon të keqen, e keqja do t’i bjerë mbi kokë.+
28 Kush i var shpresat te pasuritë e tij, do të rrënohet,+
por të drejtët do të lulëzojnë si gjethnaja.+
29 Kushdo që e fut në telashe shtëpinë e vet, do të trashëgojë erën,+
dhe i pamendi do të bëhet shërbëtor i të mençurit.
30 Pemë jete është fryti i të drejtit,+
dhe kush i bind të tjerët të bëjnë mirë, është i mençur.+
31 Nëse i drejti mbi faqen e dheut do të marrë vërtet atë që i takon,
aq më shumë do të marrë i ligu dhe mëkatari!+