29 Njeriu që është ende kokëfortë pas shumë korrigjimesh,+
krejt papritur do të dërrmohet pa shpresë shërimi.+
2 Kur ka shumë të drejtë, populli gëzon,
por kur sundojnë të ligjtë, populli rënkon.+
3 Kush e do mençurinë, e gëzon të atin,+
por kush shkon me prostitutat, e harxhon kot pasurinë.+
4 Falë drejtësisë, mbreti sjell stabilitet në vend,+
por kush kërkon ryshfete, e rrënon atë.
5 Kush i bën lajka shokut,
i vë një rrjetë si grackë për këmbët.+
6 Njeriun e keq e zënë në lak mëkatet e veta,+
por i drejti brohoret me gëzim e hare.+
7 I drejti merakoset për të drejtat e të varfërve,+
kurse i ligu nuk do t’ia dijë fare.+
8 Mburravecët i vënë flakën qytetit,+
por të mençurit e shuajnë zemërimin.+
9 Kur i mençuri hyn në debat me të marrin,
do të ketë shamatë e tallje, por asnjë zgjidhje.+
10 Gjakatarët i urrejnë gjithë të pafajshmit+
dhe përpiqen t’ua marrin jetën të drejtëve.
11 I marri i shfryn gjithë ndjenjat,+
por i mençuri i mban nën fre me qetësi.+
12 Kur sundimtari u vë veshin gënjeshtrave,
të gjithë shërbëtorët e tij janë të ligj.+
13 I varfri dhe shtypësi kanë këtë të përbashkët:
Jehovai ua ndriçon sytë që të dyve.
14 Kur mbreti i gjykon të varfrit me drejtësi,+
froni i tij është gjithnjë i sigurt.+
15 Disiplina dhe korrigjimi japin mençuri,+
por fëmija i lënë pa fre, e turpëron nënën.
16 Kur shtohen të ligjtë, shtohet ligësia,
por të drejtët do të shohin rrënimin e tyre.+
17 Disiplinoje djalin tënd, dhe do të të sjellë prehje;
ai do të të japë shumë kënaqësi.+
18 Aty ku nuk ka vegime, populli është pa fre,+
por të lumtur janë ata që e zbatojnë ligjin.+
19 Shërbëtori nuk pranon të ndreqet me fjalë,
sepse, megjithëse kupton, nuk bindet.+
20 A ke parë ndonjë njeri të nxituar në fjalë?+
Ka më shumë shpresë për të marrin se për të.+
21 Po ta llastosh shërbëtorin që në fëmijëri,
do të bëhet mosmirënjohës kur të rritet.
22 Njeriu zemërak ndez grindje;+
kush nxehet kollaj, bën shumë faje.+
23 Fodullëku do ta poshtërojë njeriun,+
por kush ka frymë të përulur, do të marrë lavdi.+
24 Ortaku i hajdutit ia bën gropën vetes,
sepse e dëgjon thirrjen për të dëshmuar, e prapëseprapë nuk tregon asgjë.+
25 Frika nga njeriu është lak,+
por kush beson te Jehovai, është i mbrojtur.+
26 Shumë kërkojnë të parashtrojnë çështjen e tyre para sundimtarit,
por vetëm Jehovai i siguron drejtësi njeriut.+
27 I padrejti është i pështirë për të drejtin,+
dhe i ndershmi është i pështirë për të ligun.+