Letra e parë drejtuar selanikasve
4 Së fundi, vëllezër, siç morët udhëzime nga ne si duhet të ecni që t’i pëlqeni Perëndisë,+ siç po ecni në fakt, ju kërkojmë dhe ju përgjërohemi në emër të Zotërisë Jezu, që të vazhdoni ta bëni këtë edhe më shumë, 2 sepse ju i dini udhëzimet* që ju dhamë në emër të Zotërisë Jezu.
3 Pasi vullneti i Perëndisë është ky: të jeni të shenjtë+ dhe t’i rrini larg imoralitetit seksual.*+ 4 Secili nga ju duhet të dijë si t’i vërë fre trupit të vet,*+ që ta mbajë të shenjtë+ dhe të nderuar, 5 e të mos jepet pas epsheve seksuale+ pa fre e me lakmi, siç bëjnë kombet që nuk e njohin Perëndinë.+ 6 Askush të mos i kalojë kufijtë moralë dhe të përfitojë nga ndonjë bashkëbesimtar* në këtë drejtim, sepse pa dyshim Jehovai* do ta ndëshkojë për të gjitha këto, ashtu siç ju thamë më parë dhe ju paralajmëruam seriozisht. 7 Pasi Perëndia nuk na ka thirrur që të jetojmë në ndyrësi, por që të jemi të shenjtë.+ 8 Kështu, pra, kush i shpërfill këto paralajmërime, nuk shpërfill njeriun, por Perëndinë,+ i cili na jep frymën e tij të shenjtë.+
9 Megjithatë, për dashurinë vëllazërore,+ nuk keni nevojë t’ju shkruajmë, sepse vetë Perëndia ju ka mësuar që ta doni njëri-tjetrin.+ 10 Në fakt, po e bëni këtë ndaj gjithë vëllezërve në tërë Maqedoninë. Por ju nxitim, vëllezër, të vazhdoni kështu në masë edhe më të plotë. 11 Kini si synim të jetoni në qetësi,+ të shikoni punët tuaja+ dhe të punoni me duart tuaja,+ siç ju kemi udhëzuar, 12 që të silleni si ka hije në sytë e atyre që nuk janë në besim+ dhe që të mos ju mungojë asgjë.
13 Veç kësaj, vëllezër, nuk duam të jeni në padije* lidhur me ata që po flenë në gjumin e vdekjes,+ që të mos pikëlloheni si të tjerët që nuk kanë asnjë shpresë,+ 14 sepse, nëse besojmë që Jezui vdiq dhe u ngrit përsëri nga të vdekurit,+ po njësoj besojmë se, bashkë me të, Perëndia do t’i sjellë në jetë edhe ata që kanë rënë në gjumin e vdekjes në unitet me Jezuin.+ 15 E në përputhje me fjalën e Jehovait* po ju themi këtë: ne të gjallët që mbijetojmë deri në praninë e Zotërisë, nuk do të ngrihemi kurrsesi para atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes, 16 pasi vetë Zotëria do të zbresë nga qielli me zë urdhërues, me zë kryeengjëlli+ dhe me trumbetën e Perëndisë, e ata që kanë vdekur në unitet me Krishtin, do të ngrihen të parët.+ 17 Më pas, ne të gjallët që mbijetojmë, do të merremi në çast në re+ për t’u bashkuar me ta dhe për të takuar Zotërinë+ lart në qiell, e kështu do të jemi përherë me Zotërinë.+ 18 Prandaj vazhdoni ta ngushëlloni njëri-tjetrin me këto fjalë.