147 Lëvdoni Jah!
Sa bukur është të këndosh lavde për Perëndinë tonë!
Sa kënaqësi është ta lëvdosh siç i ka hije!+
2 Vetë Jehovai e ndërton Jerusalemin+
dhe i mbledh të mërguarit e Izraelit.+
3 Ai i shëron zemërthyerit dhe ua lidh plagët.
4 Ai i numëron yjet dhe i thërret të gjitha me emër.+
5 Zotëria ynë është i madh dhe plot fuqi;+
mençuria e tij nuk njeh kufij.+
6 Jehovai i ngre lart zemërbutët,+
por të ligjtë i vërvit përtokë.
7 Këndojini Jehovait këngë falënderimi!
Me harpë këndoni lavde për Perëndinë tonë,
8 për atë që mbulon qiellin me re,
për atë që sjell shi mbi tërë faqen e dheut,+
për atë që bën të mbijë bar+ nëpër male.
9 Ai u siguron ushqim kafshëve+
dhe zogjve të korbit që klithin nga uria.+
10 Kuajt e fuqishëm atij nuk i bëjnë përshtypje,+
as njerëzit këmbëshpejtë nuk i hyjnë në sy.+
11 Por Jehovait i sjellin kënaqësi ata që e nderojnë thellësisht,+
ata që i varin shpresat te dashuria e tij besnike.+
12 Përlëvdoje Jehovain, o Jerusalem!
Lëvdoje Perëndinë tënd, o Sion!
13 Se ai i forcon shulat e portave të tua
dhe i bekon bijtë që janë në gjirin tënd.
14 Brenda kufijve të tu ai të sjell paqe+
dhe të ngop me grurin më të mirë.+
15 Ai i jep urdhër tokës, dhe fjala e tij rend si shigjetë.
16 Borën e dërgon porsi pambuk,+
brymën e shpërndan tutje porsi hi,+
17 breshrin e hedh si kafshata buke.+
E kush mund ta durojë acarin e tij?!+
18 Fjalën e vet ai dërgon, dhe akulli shkrin,
bën të fryjë erë,+ dhe ujërat rrjedhin.
19 Fjalën e tij ia shpall Jakobit;
rregullat dhe ligjet e tij ia bën të njohura Izraelit.+
20 Me asnjë komb tjetër nuk ka vepruar kështu,+
jo, asnjë prej tyre nuk i njeh ligjet e tij.
Lëvdoni Jah!+