Ligji i përtërirë
18 Priftërinjtë levitë, madje tërë fisi i Levit, nuk do të marrin as pjesë, as trashëgimi mes Izraelit. Ata do të hanë pjesën e Jehovait, blatimet e bëra me zjarr për të.+ 2 Prandaj levitët nuk do të marrin trashëgimi mes vëllezërve të tyre. Jehovai është trashëgimia e tyre, ashtu siç u ka thënë.
3 Tani, kjo do të jetë e drejta që u takon priftërinjve. Kushdo nga populli që bën një flijim nga bagëtia e trashë ose e imët, duhet t’i japë priftit shpatullën, nofullat dhe plëndësin. 4 Frytet e para të drithit, të verës së re e të vajit dhe qethjen e parë të kopesë sate, duhet t’ia japësh atij.+ 5 Nga tërë fiset e tua, Jehovai, Perëndia yt, zgjodhi levitët dhe bijtë e tyre që të shërbejnë në emër të Jehovait përgjithmonë.+
6 Por nëse një levit largohet nga qyteti ku po jetonte në Izrael+ dhe dëshiron të shkojë në vendin që do të zgjedhë Jehovai,*+ 7 ai mund të shërbejë atje në emër të Jehovait, Perëndisë së tij, njësoj si tërë vëllezërit e tij levitë, që shërbejnë atje para Jehovait.+ 8 Ai do të marrë të njëjtin racion ushqimi si ata,+ veç asaj që merr duke shitur zotërimet që ka trashëguar nga paraardhësit.
9 Kur të kesh hyrë në vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt, mos provo të imitosh zakonet e neveritshme të atyre kombeve.+ 10 Të mos gjendet mes teje asnjë nga ata që djegin në zjarr* të birin ose të bijën,+ që hedhin fall,+ që merren me magji,+ që kërkojnë ogure,+ që merren me shtrigëri,+ 11 që yshtin të tjerët, që konsultohen me një medium*+ ose që parashikojnë fatin+ a pyesin të vdekurit,+ 12 sepse kushdo që i bën këto, është i neveritshëm për Jehovain, dhe për shkak të këtyre zakoneve të neveritshme, Jehovai, Perëndia yt, po i dëbon këto kombe para syve të tu. 13 Ji i paqortueshëm para Jehovait, Perëndisë tënd.+
14 Kombet, të cilave po ju merrni pronat, ua vinin veshin magjistarëve+ dhe fallxhorëve,+ kurse Jehovai, Perëndia juaj, nuk ju ka lejuar të merreni me gjëra të tilla. 15 Jehovai, Perëndia juaj, do të nxjerrë një profet si unë nga vëllezërit tuaj. Atë duhet të dëgjoni.+ 16 Jehovai, Perëndia juaj, do ta bëjë këtë për shkak të asaj që i kërkuat në Horeb ditën kur u mblodh asambleja,*+ duke thënë: ‘Mos na lër ta dëgjojmë më zërin e Jehovait, Perëndisë tonë, as të mos e shohim më këtë zjarr të madh, që të mos vdesim.’+ 17 Atëherë Jehovai më tha: “Çdo gjë që thanë është me vend. 18 Unë do të nxjerr një profet si ti nga vëllezërit e tyre,+ do t’ia vë fjalët e mia në gojë+ dhe ai do t’u thotë atyre gjithçka që do t’i urdhëroj.+ 19 Atij që nuk do t’i dëgjojë fjalët e mia, që profeti do të thotë në emrin tim, pa diskutim do t’i kërkoj llogari.+
20 Nëse ndonjë profet guxon të thotë në emrin tim një fjalë që nuk ia kam urdhëruar ose flet në emër të perëndive të tjera, duhet të vdesë.+ 21 Megjithatë, ndoshta thoni me vete: ‘Si ta dimë që fjalët nuk ia ka thënë Jehovai?’ 22 Kur profeti flet në emër të Jehovait dhe fjalët e tij nuk përmbushen ose nuk dalin të vërteta, atëherë fjalët nuk ia ka thënë Jehovai. Profeti i ka kaluar caqet dhe ka folur me arrogancë. Mos ia kini frikën.”