27 Mos u mburr për të nesërmen,
sepse nuk e di ç’do të sjellë dita.+
2 Le të të lëvdojë një tjetër, dhe jo goja jote,
të tjerët, dhe jo buzët e tua.+
3 Guri është i rëndë, e po ashtu edhe rëra,
por acarimi që shkakton i marri, të rëndon më shumë se të dy bashkë.+
4 Tërbimi është mizor dhe zemërimi i furishëm,
por kush mund t’i bëjë ballë xhelozisë?+
5 Më mirë një korrigjim i hapur, se një dashuri e fshehur.+
6 Më mirë plagët që të hap një shok besnik,+
se puthjet e pasosura të armikut.
7 Kush është i ngopur, i bën naze mjaltit të hojeve,
por atij që ka uri, edhe ajo që është e hidhur i duket e ëmbël.
8 Si një zog që endet larg folesë së tij,
është ai që endet larg shtëpisë së vet.
9 Vaji dhe temjani e gëzojnë zemrën,
edhe miqësia e ëmbël që buron nga këshilla të sinqerta.+
10 Mos e braktis shokun tënd, as shokun e babait tënd,
e në ditë të keqe, mos shko në shtëpinë e vëllait tënd,
sepse është më mirë një fqinj pranë, se një vëlla larg.+
11 Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën,+
që t’i përgjigjem atij që më përbuz.+
12 Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet,+
kurse i papërvoji shkon përpara dhe vuan pasojat.
13 Nëse një burrë del garant për një të panjohur, merri rrobën;
nëse bën po njësoj për një grua të huaj, merri një peng.+
14 Nëse i uron shëndet tjetrit me zë të lartë në mëngjes herët,
do t’i duket sikur po e mallkon.
15 Si çatia që pikon pa pushim në ditë shiu
është një bashkëshorte grindavece.+
16 Kush mund ta mbajë atë nën fre,
mund të mbajë nën fre erën e të kapë vajin me dorë.
17 Ashtu si hekuri mpreh hekurin,
edhe njeriu e mpreh shokun e vet.+
18 Kush kujdeset për fikun, do t’ia shijojë frytet,+
dhe kush kujdeset për zotërinë e tij, do të nderohet.+
19 Siç pasqyron uji fytyrën e njeriut,
edhe zemra e njërit pasqyron zemrën e tjetrit.
20 Varri dhe vendi i kalbjes s’kanë të ngopur;+
as sytë e njeriut s’kanë të ngopur.
21 Siç rafinohet argjendi në kazan dhe ari në furrë,+
edhe njeriu vihet në provë nga lëvdatat që merr.
22 Edhe nëse e bën të marrin grimca-grimca me një shtypëse
si grurë të thërrmuar në havan,
marrëzia nuk do t’i largohet.
23 Duhet ta njohësh mirë gjendjen e kopesë sate.
Kujdesu mirë për delet e tua,+
24 sepse pasuria nuk zgjat përgjithmonë,+
as kurora brez pas brezi.
25 Bari i gjelbër thahet, bari i ri mbin,
dhe bimësia e maleve mblidhet për bagëtinë.
26 Nga deshtë e rinj do të sigurosh veshje,
dhe nga cjeptë, çmimin e arës;
27 do të kesh edhe mjaft qumësht dhie për ushqim,
për të ushqyer familjen dhe shërbëtoret e tua.