Malakia
1 Shpallje:
Fjala e Jehovait për Izraelin nëpërmjet Malakisë:*
2 «Unë ju kam dashur»,+—thotë Jehovai.
Por ju thoni: «Si na ke dashur?»
«A nuk ishte Esau vëllai i Jakobit?+—thotë Jehovai.—Por unë e desha Jakobin 3 dhe e urreva Esaun.+ Malet e tij i shkretova+ dhe trashëgiminë e tij ua dhashë çakejve të shkretëtirës.»+
4 «Ndonëse Edomi thotë: ‘Jemi shkatërruar, por do të kthehemi dhe do të rindërtojmë rrënojat’, Jehovai i ushtrive thotë: “Ata do të ndërtojnë, por unë do të rrëzoj. Ata kanë për t’u quajtur ‘territori i ligësisë’ dhe ‘populli që Jehovai e ka dënuar përgjithnjë’.+ 5 Sytë tuaj do ta shohin dhe ju do të thoni: ‘U madhëroftë Jehovai në territorin e Izraelit!’”»
6 «Biri e nderon të atin+ dhe shërbëtori zotërinë e tij. Pra, nëse unë jam ati,+ ku është nderimi që më takon?+ Dhe nëse jam zotëri,* ku është respekti* që duhet të më tregoni?—ju thotë Jehovai i ushtrive juve, o priftërinj, që përbuzni emrin tim.+
Por ju pyesni: ‘Si e kemi përbuzur emrin tënd?’
7 Duke paraqitur mbi altarin tim ushqim* të ndotur.
Por ju vazhdoni: ‘Si të kemi ndotur?’
Duke thënë: ‘Tryeza e Jehovait*+ është diçka e përbuzshme.’ 8 Kur paraqitni një kafshë të verbër si flijim, thoni: ‘S’ka asgjë të keqe.’ Edhe kur paraqitni një kafshë të çalë a të sëmurë, thoni: ‘S’ka asgjë të keqe.’+
Provo t’ia çosh, të lutem, guvernatorit tënd. A do të jetë i kënaqur me ty? A do të të miratojë?—thotë Jehovai i ushtrive.»
9 «Tani, ju lutem, përgjërojuni* Perëndisë që të na japë miratimin e tij. Me këto që ofrojnë duart tuaja, mos do ta fitojë ndonjëri nga ju miratimin e tij?—thotë Jehovai i ushtrive.»
10 «Kush prej jush është i gatshëm të mbyllë dyert?*+ Se as altarin tim nuk do ta ndiznit pa një shpërblim.+ Nuk jam fare i kënaqur me ju,—thotë Jehovai i ushtrive,—dhe nuk më pëlqen fare asnjë blatim i duarve tuaja.+
11 Nga lindja e diellit deri në perëndim, emri im do të jetë i madh mes kombeve.+ Në çdo vend do të ngjitet tymi i flijimeve dhe për emrin tim do të bëhen blatime, si një dhuratë e pastër, sepse emri im do të jetë i madh mes kombeve,+—thotë Jehovai i ushtrive.
12 Por ju e përdhosni atë*+ duke thënë: ‘Tryeza e Jehovait është e ndotur dhe fryti i saj, ushqimi i saj, është i përbuzshëm.’+ 13 Gjithashtu thoni: ‘Uh, sa u lodhëm!’ Keni rrudhur hundët gjithë përbuzje,—thotë Jehovai i ushtrive.—Ju sillni kafshë të vjedhura, të çala e të sëmura. Po, sillni si dhurata gjëra të tilla. A duhet t’i pranoj nga ju?!*+—thotë Jehovai.
14 Mallkuar qoftë hileqari që ka një mashkull të shëndetshëm në kopenë e tij, por bën një zotim dhe i flijon një të dëmtuar* Jehovait! Se unë jam një Mbret i madh,+—thotë Jehovai i ushtrive,—dhe emri im do të ngjallë frikë e nderim mes kombeve.»+