Letra drejtuar Filemonit
1 Pavli, i burgosur+ për hir të Krishtit Jezu dhe Timoteu,+ vëllai ynë, drejtuar Filemonit, bashkëpunëtorit tonë të dashur, 2 Apfisë, motrës sonë, Arkipit,+ bashkëluftëtarit tonë, dhe kongregacionit* që mblidhet në shtëpinë tënde:+
3 Mirësia e pamerituar* dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, si edhe nga Zotëria Jezu Krisht, qofshin me ju!
4 E falënderoj përherë Perëndinë tim, sa herë që të përmend në lutjet e mia,+ 5 sepse dëgjoj gjithnjë për besimin dhe dashurinë që ke për Zotërinë Jezu dhe për gjithë të shenjtët.* 6 Lutem që besimi që kemi të përbashkët, të të nxitë të vlerësosh çdo gjë të mirë që kemi falë Krishtit, 7 sepse u gëzova dhe u ngushëllova shumë kur dëgjova për dashurinë tënde, pasi ti, o vëlla, u solle freskim zemrave* të të shenjtëve.
8 Prandaj, edhe pse kam liri të plotë fjale në emër të Krishtit që të të urdhëroj të bësh gjënë e duhur, 9 më mirë do të të përgjërohem në bazë të dashurisë, po, unë Pavli, meqë jam i moshuar e tani edhe i burgosur për hir të Krishtit Jezu. 10 Po të përgjërohem për birin tim, Onesimin,+ për të cilin u bëra si baba+ ndërsa isha në burg.* 11 Më parë ai ishte i padobishëm për ty, por tani është i dobishëm për ty dhe për mua. 12 Po ta dërgoj atë përsëri, po, këtë njeri që e kam shumë për zemër.*
13 Do të doja ta mbaja pranë vetes, që të më shërbente në vendin tënd ndërsa jam në burg për hir të lajmit të mirë.+ 14 Por nuk dua të bëj asgjë pa miratimin tënd, që këtë të mirë të mos e bësh me detyrim, por me vullnet të lirë.+ 15 Ndoshta për këtë arsye ai u largua për pak kohë,* që ta kesh prapë përgjithmonë, 16 jo më si skllav,+ por më shumë se skllav, si një vëlla të dashur,+ sidomos për mua, por aq më shumë për ty, qoftë si skllav,* qoftë si vëlla në Zotërinë. 17 Prandaj, nëse më konsideron mik,* prite përzemërsisht, si të isha unë. 18 Veç kësaj, nëse të ka bërë ndonjë padrejtësi ose të detyrohet ndonjë gjë, vëre në llogarinë time. 19 Unë, Pavli, po shkruaj me dorën time se do të ta shlyej—për të mos thënë se ti më ke borxh vetë jetën tënde. 20 Po, vëlla, shpresoj të më ndihmosh për hir të Zotërisë: silli freskim zemrës sime* për hir të Krishtit.
21 Jam i sigurt se do ta marrësh parasysh kërkesën time, prandaj po të shkruaj, sepse e di se do të bësh edhe më shumë nga ç’të kam kërkuar. 22 Përveç kësaj, më bëj gati edhe një vend ku të rri, sepse shpresoj që, falë lutjeve tuaja, të kthehem përsëri te ju.*+
23 Të çojnë të fala Epafrai,+ shoku im i robërisë në unitet me Krishtin Jezu, 24 si edhe bashkëpunëtorët e mi: Marku, Aristarku,+ Dema+ dhe Luka.+
25 Mirësia e pamerituar e Zotërisë Jezu Krisht qoftë me frymën* që tregoni!