Zanafilla
8 Por Perëndia nuk e harroi Noenë dhe të gjitha kafshët e egra e të buta që ishin me të në arkë.+ Prandaj Perëndia bëri që mbi tokë të frynte erë, dhe niveli i ujërave filloi të binte. 2 Burimet e ujërave të thella dhe portat e qiejve u mbyllën, kështu nuk ra më shi* nga qiejt.+ 3 Pastaj ujërat nisën të tërhiqeshin pak e nga pak nga toka, dhe në fund të 150 ditëve kishin rënë mjaft. 4 Muajin e shtatë, ditën e 17-të të muajit, arka u ndal në një nga malet e Araratit. 5 Niveli i ujërave vazhdoi të binte deri në muajin e dhjetë, dhe ditën e parë të muajit të dhjetë, u shfaqën majat e maleve.+
6 Kështu, pas 40 ditëve, Noeja hapi dritaren+ që kishte bërë në arkë 7 dhe lëshoi përjashta një korb; ai vazhdoi të fluturonte e të kthehej prapë në arkë, derisa ujërat në tokë u thanë.
8 Më vonë lëshoi përjashta një pëllumb për të parë nëse ujërat ishin tërhequr nga sipërfaqja e tokës. 9 Pëllumbi nuk gjeti vend ku të qëndronte* dhe u kthye tek ai në arkë, ngaqë ujërat ende mbulonin sipërfaqen e gjithë tokës.+ Prandaj Noeja nxori dorën jashtë dhe e futi pëllumbin në arkë. 10 Priti edhe shtatë ditë të tjera dhe e lëshoi prapë pëllumbin. 11 Aty nga mbrëmja, kur pëllumbi vajti tek ai, Noeja pa se në sqep kishte një gjethe ulliri të porsakëputur, e kështu kuptoi që ujërat ishin tërhequr nga toka.+ 12 Ai priti edhe shtatë ditë, e pastaj e la të lirë pëllumbin, i cili nuk u kthye më.
13 Vitin e 601-të,+ muajin e parë, ditën e parë të muajit, ujërat ishin tërhequr nga toka. Noeja hoqi një pjesë të çatisë* së arkës dhe pa që sipërfaqja e tokës po thahej. 14 Muajin e dytë, ditën e 27-të të muajit, toka ishte tharë krejt.
15 Tani Perëndia i tha Noesë: 16 «Dil nga arka, ti, gruaja jote, djemtë e tu dhe gratë e djemve të tu.+ 17 Nxirr jashtë edhe të gjitha krijesat e gjalla të çdo lloji:+ krijesat fluturuese, kafshët* dhe gjithë kafshët zvarritëse, që të shtohen, të jenë të frytshme e të shumohen në tokë.»+
18 Kështu Noeja doli, e bashkë me të djemtë,+ e shoqja dhe gratë e djemve. 19 Çdo krijesë e gjallë, çdo kafshë zvarritëse dhe çdo krijesë fluturuese, çdo gjë që lëviz në tokë doli nga arka sipas llojit të vet.+ 20 Pastaj Noeja ndërtoi një altar+ për Jehovain, mori disa kafshë të pastra e disa krijesa fluturuese të pastra+ dhe paraqiti blatime të djegura mbi altar.+ 21 Jehovai ndjeu një aromë të këndshme.* Kështu Jehovai tha: «S’do ta mallkoj më kurrë tokën+ për shkak të njerëzve, sepse zemra e njeriut priret nga e keqja që në fëmijëri.+ S’do të shfaros më kurrë çdo gjë të gjallë, siç bëra.+ 22 Që sot e tutje, në tokë do të ketë gjithnjë të mbjella dhe të korra, të ftohtë e të nxehtë, verë e dimër, ditë e natë.»+