MESHA
1. Biri i parëlindur i «Kalebit, birit të Hezronit», nga fisi i Judës. Mesha ishte ati ose themeluesi i Zifit.—1Kr 2:18, 42.
2. Mbret i Moabit në epokën e mbretit Jehozafat të Judës dhe mbretërve Akab, Ahaziah dhe Jehoram të Izraelit. Kur ishin nën sundimin e mbretërisë veriore të Izraelit, moabitët i jepnin si haraç mbretit Akab 100.000 qengja dhe 100.000 desh të paqethur, me sa duket të një race që shquhej për lesh cilësor. Pas vdekjes së Akabit, Mesha ngriti krye kundër mbretit Ahaziah të Izraelit. Por, pasi mbretëroi pak kohë, Ahaziahu vdiq dhe e pasoi në fron i vëllai, Jehorami. Ai lidhi aleancë me Jehozafatin e Judës dhe me një mbret të Edomit që s’i dihet emri, me synimin që ta vinte prapë nën zgjedhë Meshën. Ushtritë e tyre ndoqën një udhë të vështirë në jug të Detit të Vdekur dhe mbetën pa ujë. Mirëpo profeti Elise i siguroi se, po të hapnin kanale në luginën e thatë të përroit, Jehovai do t’i mbushte me ujë.—2Mb 1:1; 3:4-19.
Ashtu ndodhi. Në agim, uji i përskuqur nga rrezet e diellit iu duk moabitëve si gjak, mbase nga dheu i kuq i kanaleve të sapohapura. Kjo i gënjeu dhe menduan se ushtritë aleate të Izraelit, Judës dhe Edomit ishin kthyer kundër njëra-tjetrës. Nuk ishte një mendim i paarsyeshëm, pasi e dinin se mes Izraelit dhe Judës kishte xhelozi. Veç kësaj, edomitët nuk i kishin fort qejf burrat e Judës, që në këtë rast ishin aleatë të Izraelit.—2Mb 3:20-23; krahaso 2Kr 20:10, 11, 24, 25.
Me mendimin se armiqtë kishin vrarë njëri-tjetrin, moabitët thirrën: «Prandaj, drejt plaçkës, o Moab!» Ata hynë në kampin e Izraelit, por u detyruan t’ia mbathnin. Pas kësaj, izraelitët shkatërruan qytetet moabite, zunë burimet e ujit dhe mbushën me gurë ngastrat e tokës, derisa arritën në qytetin e Kir-Haresetit (Kirit të Moabit).—2Mb 3:23-25.
Kur u zu në grackë, mbreti Mesha mori me vete 700 shpatarë dhe u hodh në kundërsulm, që të çante rrugën deri te mbreti i Edomit (mbase ngaqë mendonte se atje do të haste më pak rezistencë), por nuk ia doli. «Atëherë mori birin e tij të parëlindur, që do të mbretëronte në vend të tij, dhe e paraqiti si flijim të djegur mbi mur.»—2Mb 3:26, 27.
Shumica e komentuesve pajtohen me mendimin se Mesha i flijoi birin e vet perëndisë së tij Kemosh. Ata pak që mendojnë ndryshe, thonë se u flijua një bir i mbretit të Edomit që ishte zënë rob, dhe përmendin si dëshmi Amosin 2:1, ku tregohet se Moabi «dogji eshtrat e mbretit të Edomit për t’i kthyer në gëlqere». Ndonëse nga ana gramatikore hebraishtja lë vend për këtë interpretim, kjo hipotezë duket se bie ndesh me faktet e tjera të njohura. Për shembull, s’ishte dëgjuar që moabitët dhe amonitët, fqinj të Izraelit, t’u flijonin armiqtë perëndive të tyre, por ishte praktikë e njohur e fesë së tyre që të bënin fli në zjarr fëmijët e vet, për të fashitur zemërimin e perëndive. (Lp 12:30, 31; Mi 6:6, 7) Prandaj, kuptohet pse ky adhurues i Kemoshit, Mesha, mori një masë aq ekstreme para rrezikut të disfatës.
Guri i Moabit. Guri i Moabit u zbulua në Diban (Dibon) në vitin 1868. Në përgjithësi mendohet se e ka shkruar Mesha dhe përmbajtjen e tij zakonisht e lidhin me periudhën që përfshin ngjarjet e kapitullit të tretë të Librit të Dytë të Mbretërve. Në këtë mbishkrim të famshëm, Mesha kujton si e hoqi qafe sundimin e Izraelit që, siç thotë ai, zgjati 40 vjet. Atje flitet edhe për vendet që pushtoi Mesha (Medebën, Atarotin, Nebon, Jahazin) dhe për ndërtimin e disa qyteteve e të një rruge. Teksa mburret për fitoret e veta, si fitorja që pretendon se korri kundër Izraelit, ai ia jep gjithë meritën perëndisë Kemosh. Veç kësaj, Mesha e njihte Perëndinë e Izraelit, Jehovain, sepse në rreshtin e 18-të të këtij dokumenti shfaqet Tetragrami. Atje Mesha lëvdohet: «Mora që andej [enët] e Jahvehut dhe i solla para Kemoshit.» (FIGURA, vëll. 1, f. 946 në botimin anglisht) Megjithatë, siç pritej, nuk zihet në gojë disfata që pësoi dhe flijimi i birit të tij. Në një vepër thuhet: «Mbishkrimet në monolite ose mure tempujsh bëheshin për qëllime propagandistike dhe për t’i thurur lavde perëndisë së kombit e sundimtarit të vendit. Prandaj s’është çudi që Mesha nuk e përmend fushatën ushtarake të mbretërve të Izraelit, Judës dhe Edomit kundër vendit të tij, për të cilën Bibla flet me hollësi.»—Biblical Archaeology Review, maj-qershor 1986, f. 57.
3. [Heb., Mehsháʼ. ] Bir i Shaharaimit dhe i gruas së tij Hodeshës. Mesha u bë një nga krerët e familjeve të fisit të Beniaminit.—1Kr 8:1, 8-10.
4. [Heb., Mesháʼ. ] Një nga kufijtë e rajonit ku banonin pasardhësit e Joktanit. (Zn 10:29, 30) Në Septuagintën greke, emri Mesha është përkthyer Massé. Për këtë arsye, mendohet se «Mesha» është një variant i emrit të ismaelitit Masai, pasardhësit e të cilit me sa duket u vendosën me banim në Arabi.—Zn 25:13, 14.