Ezekieli
33 Fjala e Jehovait m’u drejtua përsëri: 2 «Bir njeriu, thuaju bijve të popullit tënd:+
‘Ta zëmë se unë sjell shpatën kundër një vendi,+ dhe populli i atij vendi zgjedh një burrë që e vë si rojë, 3 dhe ky e sheh shpatën të vijë kundër vendit, i bie bririt dhe e paralajmëron popullin.+ 4 Nëse dikush e dëgjon tingullin e bririt, por nuk ia vë veshin paralajmërimit,+ e shpata vjen dhe i merr jetën,* gjaku i tij do të bjerë mbi kokën e vet.*+ 5 Ai e dëgjoi tingullin e bririt, por nuk ia vuri veshin paralajmërimit. Gjaku i tij do të bjerë mbi të. Po t’ia kishte vënë veshin paralajmërimit, do të kishte shpëtuar jetën.
6 Por, nëse roja e sheh shpatën të vijë dhe nuk i bie bririt,+ e kështu populli nuk paralajmërohet, dhe shpata vjen e i merr jetën ndokujt, ky do të vdesë për fajin e vet, kurse gjakun e tij do t’ia kërkoj rojës.’*+
7 Kurse ty, o bir njeriu, unë të kam caktuar si rojë për shtëpinë e Izraelit; kur të dëgjosh fjalët e gojës sime, paralajmëroji ata nga ana ime.+ 8 Po t’i them të ligut: ‘O i lig, ke për të vdekur’,+ por ti nuk e paralajmëron që ta lërë rrugën e tij, ai do të vdesë për fajin e vet+ meqenëse është i lig, por gjakun e të ligut do ta kërkoj nga ti. 9 Por, nëse e paralajmëron të ligun që ta lërë rrugën e tij, dhe ai refuzon të heqë dorë nga kjo rrugë, ai do të vdesë për fajin e vet,+ kurse ti do ta shpëtosh jetën tënde.+
10 Tani, o bir njeriu, thuaji shtëpisë së Izraelit: “Ju keni thënë: ‘Rebelimet dhe mëkatet tona rëndojnë mbi ne, e ne po tretemi prej tyre.+ Si mund të mbetemi gjallë atëherë?!’”+ 11 Thuaju: ‘Siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—unë nuk kënaqem me vdekjen e të ligut,+ por kënaqem kur i ligu kthen rrugë+ e vazhdon të jetojë.+ Kthehuni, kthehuni nga rrugët tuaja të këqija!+ Pse të vdisni, o shtëpi e Izraelit?!’+
12 Ti, o bir njeriu, thuaju bijve të popullit tënd: “Drejtësia nuk do ta shpëtojë të drejtin nëse rebelohet;+ as ligësia nuk do ta pengojë të ligun nëse heq dorë prej saj.+ Asnjë i drejtë nuk do të vazhdojë të jetojë falë drejtësisë së tij, ditën kur të mëkatojë.+ 13 Nëse i them të drejtit: ‘Ke për të jetuar’, por ai ka besim në drejtësinë e vet dhe bën atë që është e gabuar,*+ asnjë nga veprat e tij të drejta nuk do të kujtohet. Përkundrazi, do të vdesë për të këqijat që bëri.+
14 Nëse i them të ligut: ‘Ke për të vdekur’, por ai largohet nga mëkati i vet dhe gjykon me drejtësi e bën atë që është e drejtë,+ 15 kthen atë që ka marrë peng,+ shlyen ato që ka grabitur+ dhe ecën sipas ligjeve që japin jetë, duke mos bërë atë që është e gabuar, ai ka për të jetuar.+ Ai nuk do të vdesë. 16 Asnjë nga mëkatet që ka bërë, nuk do t’i llogaritet.*+ Ngaqë ka gjykuar me drejtësi dhe ka bërë atë që është e drejtë, me siguri do të vazhdojë të jetojë.”+
17 Mirëpo populli yt ka thënë: ‘Udha e Jehovait nuk është e drejtë’, kur në fakt udha e tyre nuk është e drejtë.
18 Nëse i drejti largohet nga drejtësia dhe bën atë që është e gabuar, ai duhet të vdesë.+ 19 Nëse i ligu largohet nga ligësia, gjykon me drejtësi dhe bën atë që është e drejtë, ai do të vazhdojë të jetojë falë tyre.+
20 Ju keni thënë: ‘Udha e Jehovait nuk është e drejtë.’+ Por unë do ta gjykoj secilin prej jush sipas udhëve të veta, o shtëpi e Izraelit.»
21 Pas ca kohësh, vitin e 12-të të mërgimit tonë, ditën e pestë të muajit të dhjetë, një burrë që kishte arritur t’ia mbathte nga Jerusalemi, erdhi tek unë+ e më tha: «Qyteti ra!»+
22 Një mbrëmje, para se të vinte ai që kishte arritur t’ia mbathte, fuqia* e Jehovait kishte vepruar tek unë dhe ma kishte hapur gojën. Kështu, para se ai të vinte tek unë në mëngjes, goja më ishte hapur dhe nuk isha më memec.+
23 Pastaj fjala e Jehovait m’u drejtua: 24 «Bir njeriu, banorët e qyteteve të shkretuara+ thonë për Izraelin: ‘Abrahami ishte vetëm një, e megjithatë e shtiu në dorë vendin.+ Por ne jemi shumë, kështu që pa diskutim ky vend na përket neve si pronë.’
25 Prandaj u thuaj atyre: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ju e hani mishin me gjak,+ i mbani sytë tek idhujt tuaj të pështirë* dhe vazhdoni të derdhni gjak.+ E pse ju përket juve si pronë?! 26 Ju keni treguar besim te shpata juaj,+ vazhdoni të ndiqni zakone të neveritshme dhe keni çnderuar secili gruan e tjetrit.*+ E pse ju përket juve si pronë?!’”+
27 Thuaju: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Siç është e vërtetë që unë rroj, kush banon në qytetet e shkretuara, do të bjerë i vdekur nga shpata; atë që është në fushë, do t’ua jap kafshëve të egra si ushqim, kurse ata që janë futur nëpër fortesa e shpella, do të vdesin nga sëmundjet.+ 28 Unë do ta kthej vendin në një shkretëtirë krejtësisht të pabanuar+ dhe krenaria e arroganca e tij do të marrin fund; malet e Izraelit do të mbeten të shkreta+ dhe askush nuk do të kalojë nëpër to. 29 Kur ta kem kthyer vendin në një shkretëtirë krejtësisht të pabanuar+ për shkak të të gjitha gjërave të neveritshme që kanë bërë,+ ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’”
30 O bir njeriu, njerëzit e popullit tënd po flasin për ty pranë mureve dhe hyrjeve të shtëpive.+ Njëri i thotë tjetrit, secili vëllait të vet: ‘Hajde të dëgjojmë fjalët që vijnë nga Jehovai.’ 31 Ata do të dynden që të ulen para teje siç bën zakonisht populli im dhe do të dëgjojnë fjalët e tua, por nuk do t’i zbatojnë,+ sepse me fjalë të bëjnë lajka, por me zemër lakmojnë fitime të pandershme. 32 Ja, ti je për ta si një këngë dashurie, që këndohet me zë të ëmbël duke i rënë bukur një instrumenti me tela. Ata do t’i dëgjojnë fjalët e tua, por asnjëri s’do t’i zbatojë. 33 E kur të gjitha këto fjalë të përmbushen—sepse do të përmbushen—ata kanë për ta marrë vesh se mes tyre ka qenë një profet.»+