PIKËPAMJA E BIBLËS
Emri i Zotit
Miliona njerëz i drejtohen Zotit me tituj që tregojnë respekt si: Perëndi, i Përjetshmi, Allah ose thjesht Zot. Megjithatë Zoti e ka një emër. A duhet ta përdorësh?
Cili është emri i Zotit?
ÇFARË THONË DISA
Shumë nga ata që thonë se janë të krishterë besojnë se Zoti e ka emrin Jezu. Të tjerë pohojnë se, meqë ka vetëm një Perëndi të Plotfuqishëm, s’ka nevojë ta thërrasësh me emër. E të tjerë akoma arsyetojnë se është e papërshtatshme t’i vësh emër Zotit.
ÇFARË THOTË BIBLA
Perëndia i Plotfuqishëm nuk e ka emrin Jezu, pasi Jezui nuk është Perëndia i Plotfuqishëm. Në fakt Jezui i mësoi bashkadhuruesit t’i luteshin Zotit me fjalët: «Atë, u shenjtëroftë emri yt.» (Luka 11:2) Vetë Jezui iu lut Perëndisë: «O Atë, jepi lavdi emrit tënd!»—Gjoni 12:28.
Në Bibël, Zoti deklaron: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im. Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër.» (Isaia 42:8) «Jehova» është përkthimi në shqip i katër bashkëtingëlloreve hebraike JHVH që përbëjnë emrin hyjnor. Ky emër shfaqet rreth 7.000 herë në Shkrimet Hebraike.a Pra më shumë se çdo titull, si «Zot», «i Plotfuqishëm» ose «Perëndi», dhe më shpesh se çdo emër, si Abraham, Moisi ose David.
Jehovai nuk e ndalon askund në Bibël përdorimin me respekt të emrit të tij. Madje Shkrimet tregojnë se shërbëtorët e Perëndisë e përdorën lirshëm emrin hyjnor. E përfshinë edhe në emrat që u vendosën fëmijëve, si Elija që do të thotë «Perëndia im është Jehovai» dhe Zakaria që do të thotë «Jehovai ka kujtuar». Ata nuk ngurruan ta përdornin emrin e Perëndisë në bisedat e përditshme.—Rutha 2:4.
Perëndia dëshiron që ne t’ia përdorim emrin. Bibla na nxit ‘të falënderojmë Jehovain, të thërrasim emrin e tij’. (Psalmi 105:1) Ai madje u kushton vëmendje atyre që «mendojnë thellë për emrin e tij».—Malakia 3:16.
«Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.»—Psalmi 83:18.
Ç’domethënie ka emri i Zotit?
Disa studiues besojnë se në hebraisht emri Jehova do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Ky përkufizim tregon se Zoti mund të zgjedhë të bëhet ose të shkaktojë që krijimi i tij të bëhet çfarëdo të jetë e nevojshme për të përmbushur qëllimin e Tij. Vetëm Krijuesi i Plotfuqishëm mund ta mbajë me të drejtë këtë emër.
Ç’DOMETHËNIE KA PËR TY
Po të njohësh emrin e Zotit do të ndryshosh pikëpamjen për të. Do ta kesh më të lehtë t’i afrohesh. Tekefundit, si mund të jesh i afërt me dikë që nuk i di as emrin? Ndaj vetë fakti që Zoti të ka treguar si quhet do të thotë se dëshiron që t’i afrohesh.—Jakovi 4:8.
Mund të jesh plotësisht i sigurt se Jehovai do të veprojë gjithmonë në përputhje me emrin e tij si Perëndi që e mban gjithnjë fjalën. Ja pse Bibla thotë: «Ata që e njohin emrin tënd, do të kenë besim te ti.» (Psalmi 9:10) Do të të forcohet besimi teksa mëson se emri i Jehovait lidhet pandashmërisht me cilësitë e tij, si dashuria besnike, mëshira, dhembshuria dhe drejtësia. (Dalja 34:5-7) Sa zemër marrim kur kuptojmë që Jehovai e mban gjithnjë fjalën dhe nuk vepron kurrë në kundërshtim me cilësitë e tij!
S’ka dyshim se është privilegj të njohësh emrin e Perëndisë së Plotfuqishëm. Mund të të hapë derën për bekime tani e në të ardhmen. Zoti premton: «Do ta mbroj, sepse njeh emrin tim.»—Psalmi 91:14.
«Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.»—Joeli 2:32.
a Në shumë përkthime të Biblës emri Jehova është hequr dhe është zëvendësuar me titullin «ZOT» me shkronja të mëdha, ndërsa në të tjera emri i Zotit gjendet vetëm në vargje të caktuara ose në shënime. Në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re emri hyjnor përdoret gjerësisht në të gjithë tekstin.