Kapitulli 33
Të pish: Pse jo?
«A ËSHTË keq të pish? A është vërtet e dëmshme? Apo është keq vetëm për mua, kurse për të rriturit jo?» Pyetje si këto mund të të shkojnë nëpër mend. Fundja-fundit, edhe prindërit e tu e rrëkëllejnë ndonjë gotë. Shumë të rinj të moshës sate (pavarësisht nëse e kanë mbushur moshën e lejuar nga ligji apo jo) pijnë. Programet televizive dhe filmat e tregojnë si diçka për t’u pasur zili.
Kur përdoret me vend, alkooli vërtet mund të jetë një burim kënaqësish. Bibla pranon se vera mund të bëjë zemrën të gëzuar dhe t’ia shtojë shijen ushqimit. (Eklisiastiu 9:7) Por, kur përdoret pa karar, alkooli krijon probleme serioze, duke filluar nga grindjet me prindërit, mësuesit dhe policët, deri tek vdekja e parakohshme. Bibla thotë: «Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë [i mençur, BR].» (Proverbat 20:1) Prandaj, është e rëndësishme që të kesh një qëndrim të ndërgjegjshëm lidhur me pijen.
Por, sa di në të vërtetë për alkoolin dhe ndikimet e tij? Testi i mëposhtëm do të të japë mundësi të zbulosh më shumë. Mjafton të shënosh po ose jo në fund të çdo pohimi të mëposhtëm:
1. Pijet alkoolike janë veçanërisht nxitëse ․․․․․․․․ ____
2. Alkooli i përdorur në çfarëdolloj mase është i dëmshëm për organizmin ․․․․․․․․ ____
3. Të gjitha pijet alkoolike, likeri, vera, birra, thithen me të njëjtën shpejtësi nga gjaku ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․ ____
4. Një person mund të bëhet më shpejt esëll, nëse pi kafe të zezë ose bën një dush të ftohtë ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․ ____
5. Alkooli në çfarëdolloj mase ka të njëjtin ndikim mbi këdo që pi ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․ ____
6. Dehja është njëlloj me alkoolizmin ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․ ____
7. Alkooli dhe droga të tjera qetësuese, kur merren së bashku e shumëfishojnë ndikimin e njëra-tjetrës ․․․․․․․․ ____
8. Për të mos u dehur, duhen përzier pijet ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․ ____
9. Trupi e thith alkoolin si një ushqim të zakonshëm ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․ ____
Tani krahasoji përgjigjet me ato që jepen në faqen 270. A janë të gabuara disa nga pikëpamjet e tua mbi alkoolin? Nëse po, përpiqu të kuptosh se mosdija në lidhje me alkoolin, mund të jetë vdekjeprurëse. Bibla na paralajmëron se kur përdoret pa karar, alkooli «kafshon si një gjarpër dhe lëshon helm si një nepërkë».—Proverbat 23:32, BR.
Holti, për shembull, u martua që kur ishte adoleshent. Një natë, pas një zënke me të shoqen, ai doli nga shtëpia duke përplasur derën i vendosur për t’u dehur. Pasi kishte rrëkëllyer një gjysmë litër vodkë, ai ra në komë. Po të mos kishin qenë mjekët dhe infermieret që ta ndihmonin, Holti do t’i kishte kthyer këmbët nga dielli. Siç duket, ai nuk e kishte kuptuar se marrja e shpejtë e një sasie të madhe alkooli, mund të jetë fatale. Mosdija lidhur me këtë gjë, gati i kushtoi jetën.
Efekti ‘rikoshet’
Ky është një nga efektet më tinëzare të alkoolit. Alkooli është një ligështues dhe jo një nxitës. Ngritja morale që të duket se ndien pasi ke pirë, ndodh për shkak se alkooli pakëson apo ul nivelin e ankthit. Ndihesh i lehtësuar, më pak i ankthshëm, më pak i shqetësuar para se të pije. Kur merret në sasi të përshtatshme, alkooli mund ta ndihmojë në një masë të vogël një person «për të mos kujtuar më hallet e tij». (Proverbat 31:6, 7) Për shembull, një djalë me emrin Gerti, pinte për t’u liruar nga problemet familjare. «Shumë shpejt mësova se pija ishte një mënyrë për t’u lehtësuar nga presionet që më rëndonin,—kujton ai.—Më çlodhte mendjen.»
Atëherë nuk dëmtoka, apo jo? Në fakt po. Alkooli ka një efekt ‘rikoshet’. Pas disa orësh, kur efekti qetësues i alkoolit mbaron, niveli i ankthit rishfaqet, por jo si normalisht. Ai ngjitet në një nivel më të lartë se para përdorimit të alkoolit. Ndihesh më i ankthshëm dhe me nerva më të tendosura se kurrë më parë. Sindroma e zvjerdhjes mund të zgjasë për 12 orë. Vërtet, nëse kthen përsëri ndonjë gotë, niveli i ankthit do të bjerë prapë, por disa orë më vonë, ai do të ngrihet dhe këtë herë më shumë se herën e parë. E kështu shkon nëpër një rreth vicioz, ku njeriu vjen në qejf artificialisht e më pas bie gjithnjë e më poshtë.
Kështu, me kalimin e kohës, alkooli nuk e pakëson më ankthin, por përkundrazi mund ta rritë. Kur efekti i alkoolit zhduket, problemet janë përsëri aty.
Pengesë për zhvillimin emocional
Disa thonë se alkooli i ndihmon të jenë më të efektshëm. Adriani, për shembull, ishte tepër i ndrojtur dhe e kishte shumë të vështirë të bënte edhe një bisedë të thjeshtë. Por, më pas ai bëri një zbulim: «Pasi ktheja ndonjë gotë, më zgjidhej gjuha»,—thoshte ai.
Problemi është se një person nuk bëhet më i pjekur, duke u bërë bisht situatave, siç bënte Adriani, por duke i përballuar ato. Të dish të përballosh problemet që ndesh tani në moshë të re, është një provë për të përballuar më të vështirat kur të jesh i rritur. Në këtë mënyrë, Adriani kuptoi se me kalimin e kohës, efektet e përkohshme të alkoolit, nuk e ndihmuan për të mposhtur ndrojtjen. «Kur efekti i alkoolit zhdukej, kthehesha e mbyllesha përsëri në guackën time»,—thotë ai. Po tani, vite më vonë? Adriani vazhdon: «Asnjëherë nuk mësova si të komunikoja me njerëzit në mënyrë të natyrshme dhe spontane. Mendoj se në këtë kuptim, zhvillimi im është penguar.»
E njëjta gjë ndodh edhe kur alkooli përdoret si një patericë për të përballuar stresin. Aurela, që veproi kështu që kur ishte adoleshente, pranon: «Kohët e fundit, në një situatë stresante, mendoja: ‘Do të ishte mirë të ktheja një gotë tani në këto momente.’ Të krijohet mendimi se mund ta përballosh më mirë një situatë, nëse pi.» Por s’është ashtu!
Një artikull i botuar në një gazetë thotë: «Kur drogat [duke përfshirë edhe alkoolin] bëhen një mjet për të lehtësuar situatat e vështira në shkollë, në shoqëri ose me të afërmit, eliminohet nevoja për të mësuar si të zgjidhen problemet në mënyrë të arsyeshme. Efektet mund të mos ndihen deri në moshën e pjekurisë, kur vendosja e marrëdhënieve të ngushta personale bëhet e vështirë, duke e lënë individin të izoluar emocionalisht.» (New York State Journal of Medicine) Është shumë më mirë t’i ndeshësh e t’i përballosh drejtpërdrejt problemet dhe situatat e vështira.
«Ai nuk e mori»
Le të shohim shembullin e Jezu Krishtit. Natën e fundit të jetës së tij tokësore, Jezui përballoi një provë tmerrësisht stresante. Pasi e tradhtuan dhe më pas e arrestuan, Jezui përballoi një varg pyetjesh në të cilat bëheshin akuza të rreme kundër tij. Përfundimisht, pasi kishte qëndruar në këmbë gjithë natën, atë e dorëzuan për ta gozhduar në shtyllë.—Marku 14:43–15:15; Luka 22:47–23:25.
Pikërisht atëherë, Jezuit i ofruan diçka për t’i turbulluar arsyen, një substancë për t’i ndryshuar humorin, gjë që do t’ia lehtësonte përballimin e kësaj situate të vështirë. Bibla shpjegon: «I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.» (Marku 15:22, 23) Jezui donte të ishte zot i të gjitha aftësive të tij. Ai donte ta përballonte këtë situatë të vështirë me guxim, nuk donte t’i shmangej asaj. Por, më vonë, kur siç duket i ofruan një sasi të përshtatshme vere të padroguar për të shuar etjen, Jezui e pranoi.—Gjoni 19:28-30.
Në krahasim me të, problemet, presionet dhe streset janë të papërfillshme. Megjithatë, përsëri mund të nxjerrësh një mësim të çmuar nga përvoja e Jezuit. Në vend që të përdorësh ndonjë substancë që të ndryshon humorin (si alkooli) për të përballuar problemet, presionet dhe situatat e vështira, do të jesh shumë më mirë, nëse i përballon ato drejtpërdrejt. Sa më shumë përvojë të fitosh në përballimin e problemeve të jetës, aq më mirë do të mësosh t’i zgjidhësh. Do të rritesh me një formim të shëndetshëm emocional.
Marrja e vendimit nëse do të pish nganjëherë dhe në masën e përshtatshme, të takon ty (dhe ndoshta prindërve). (Megjithatë, në disa vende kërkohet të kesh kaluar moshën e vendosur nga ligji.) Merr një vendim të mirinformuar dhe inteligjent! Nëse vendos të mos pish, nuk ke pse të justifikohesh. Por nëse vendos të pish (dhe nëse e ke mbushur moshën e kërkuar nga ligji), bëje në mënyrë të përgjegjshme! Kurrë mos pi për t’i bërë bisht realitetit ose për të fituar kurajë artificiale! Këshilla e Biblës është e thjeshtë dhe e qartë: «Vera sjell shfrenim dhe alkooli bën njerëz të pacipë, kushdo jepet pas tyre, nuk do të jetë kurrë i urtë.»—Proverbat 20:1, DSF.
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Përse shumë të rinj fillojnë të përdorin pijet alkoolike?
◻ Cilat janë disa keqkuptime të zakonshme në lidhje me alkoolin?
◻ Cilat janë rreziqet kur e nget makinën pasi ke pirë?
◻ Cilat rreziqe ndeshen kur alkooli përdoret për t’u shpëtuar problemeve?
◻ Çfarë duhet të bëjë një person në moshë të re kur ndeshet me probleme dhe përse?
[Diçitura në faqen 268]
Alkooli mund ta zërë një të ri në çarkun e rrethit vicioz, ku në mënyrë artificiale vjen në qejf e më pas bie gjithnjë e më poshtë
[Diçitura në faqen 271]
«Asnjëherë nuk mësova si të komunikoja me njerëzit në mënyrë të natyrshme dhe spontane. Mendoj se në këtë kuptim, zhvillimi im është penguar.»—Një djalë i ri, i cili abuzoi me alkoolin që kur ishte adoleshent
[Kutia në faqen 264]
‘Përse filluam të pinim’
Një intervistë me disa që pinin që në moshën e adoleshencës
Intervistuesi: Përse fillove të pish?
Beni: Sa për mua, në fillim u ndikova nga grupi me të cilin shoqërohesha. Ishte «në modë» për t’u bërë, veçanërisht gjatë fundjavëve.
Adriani: Unë fillova të pija pak a shumë rreth moshës 14 vjeç. Im atë pinte goxha. Në shtëpi bënim gjithmonë festa me koktej. Që fëmijë pashë se pirja ishte diçka që duhej bërë me shoqërinë. Pastaj, kur isha më i rritur, u bashkova me një grup të shfrenuar. Fillova të pija që djemtë e tjerë të më pranonin.
Mireli: Unë merresha me sport. Më duket se fillova të pija rreth moshës 15 vjeç me djemtë e skuadrës së basketbollit. Mendoj se kryesisht ishte nga kureshtja.
Aurela: Mua më ndikonte shumë ajo që shihja në televizor. I shikoja gjithmonë personazhet në televizor duke pirë. Dukej një gjë e mrekulleshme.
Gerti: Im atë është një alkoolist. Tani e kuptoj se arsyeja e problemeve të shumta që kishim, ishte alkoolizmi. Kërkoja një mënyrë për t’u shpëtuar. Duket absurde, por kjo është një arsye përse fillova edhe unë të pija.
Aurela: Në përgjithësi prindërit e mi nuk pinin shumë. Megjithatë, më kujtohet një gjë me babin. Kur ishte me shokë, ai fillonte të mburrej se sa shumë mund të pinte. Fillova edhe unë të zhvilloja këtë qëndrim, duke menduar që isha e përveçme. Njëherë, bashkë me shokët ia futëm me të pirë. Pimë për orë të tëra. Me të vërtetë nuk më ndikoi si të tjerët. Më kujtohet se mendova: «Ia kam këputur kokën babit.» Mendoj se qëndrimi i tij kundrejt alkoolit, ka ndikuar fortësisht tek unë.
Intervistuesi: Por përse shumë pijnë deri në atë pikë sa dehen?
Mireli: Kjo është arsyeja përse pijmë: të dehemi. Mua s’më shkon shumë mendja tek shija.
Intervistuesi: Atëherë pije për efektin që jepte?
Mireli: Po.
Edvini: Unë do të thosha të njëjtën gjë. Është sikur të ngjisësh një shkallë. Çdo herë që pi, kërkon një dehje më të madhe, pra, shkallën tjetër.
[Kutia në faqen 270]
Përgjigjet e testit në faqen 263
1. JO. Alkooli është kryesisht ligështues. Mund të bëjë të ndihesh euforik, për shkak se e pakëson apo e ul nivelin e ankthit, duke bërë të ndihesh i lehtësuar dhe më pak në ankth se para se të pije.
2. JO. Të pish sasi të përshtatshme ose të pakta alkooli, nuk duket se e dëmton seriozisht organizmin. Megjithatë, nëse pihet shumë dhe me periudha të gjata, pija mund të dëmtojë zemrën, trurin, mëlçinë dhe organe të tjera.
3. JO. Alkooli në përgjithësi thithet më shpejt sesa vera dhe birra.
4. JO. Kafeja dhe një dush i ftohtë mund të të sjellin në vete, por alkooli vazhdon të qarkullojë në gjak, derisa të metabolizohet nga mëlçia me një shpejtësi rreth 15 gramë në orë.
5. JO. Një sërë faktorësh, si pesha e trupit, je i pangrënë apo jo, mund të ndikojnë në efektin e alkoolit mbi ty.
6. JO. Dehja është pasojë e mostretjes së një sasie të tepërt alkooli. Alkoolizmi karakterizohet nga humbja e kontrollit mbi pijen. Megjithatë, jo kushdo që dehet është alkoolist dhe jo të gjithë alkoolistët dehen.
7. PO. Kur alkooli përzihet me disa droga, i zmadhon në masë të madhe reagimet e zakonshme që mund të priten vetëm nga alkooli apo vetëm nga droga. Për shembull, përzierja e alkoolit me qetësues mund të çojë në simptoma të rënda . . . . . , komë dhe madje vdekje. Prandaj, një gotë plus një pilulë, ka një ndikim shumë më të madh nga ç’mund të mendosh. Në fakt, efekti i drogës shumëfishohet tri herë, katër herë, dhjetë herë dhe madje më shumë.
8. JO. Dehja vjen si pasojë e sasisë totale të alkoolit të konsumuar, pavarësisht se ku gjendet, në xhin, uiski, vodkë apo çdo lloj tjetër.
9. JO. Alkooli nuk thithet ngadalë ashtu si shumica e ushqimeve të tjera. Përkundrazi, rreth 20 për qind kalon menjëherë në rrugët e qarkullimit të gjakut përmes mureve të stomakut. Pjesa tjetër shkon nga stomaku në zorrën e hollë dhe nga atje thithet nga gjaku.
[Kutia dhe figurat në faqet 266, 267]
Alkooli dhe timoni: një kombinim vdekjeprurës
«Marrja e timonit pas pijes, është shkaku kryesor i vdekjes tek të rinjtë e moshës 16-24 vjeç»,—thotë një raport i vitit 1984. (Report on the National Conference for Youth on Drinking and Driving) Në fakt, «një adoleshent ka katër herë më shumë mundësi për të bërë aksident ngaqë ka pirë alkool, sesa çdo shofer tjetër». (Just Along for the Ride) Kjo kasaphanë e panevojshme, i detyrohet në njëfarë mase mbizotërimit të shumë pohimeve të rreme lidhur me efektet e alkoolit. Ja, disa shembuj tipikë:
POHIM I RREMË: Nuk ka asnjë rrezik të ulesh në timon pasi ke pirë disa birra.
FAKT: «Alkooli në dy kanaçe birrë 33 centilitërshe, i konsumuar në më pak se një orë, mund ta ngadalësojë reagimin e shoferit me 4 të dhjetat e sekondës. Kështu, një automobil që udhëton me 90 km/orë, do të përshkojë 10 metra më shumë, gjë që mund të nënkuptojë ndryshimin ndërmjet një aksidenti ku shpëton për një qime dhe një përplasjeje.»—Development of a Traffic Safety and Alcohol Program for Senior Adults, nga Xhejms L. Malfeti, Ed.D. dhe Darlen J. Uinter, Ph.D.
POHIM I RREMË: S’ka asgjë të keqe ta ngasësh makinën që në momentin kur nuk ndihesh i dehur.
FAKT: Është e rrezikshme t’i besosh vetes se si ndihesh. Alkooli të krijon iluzionin se je mirë, duke e bërë të mendojë atë që ka pirë se e kontrollon veten, kur në fakt aftësitë e tij janë pakësuar.
Është e rrezikshme për këdo, që pasi të ketë pirë të marrë timonin e madje edhe më e rrezikshme për të rinjtë. Drejtimi i makinës nga të rinj që kanë pirë, «keqësohet më shpejt se të rriturit, sepse për ta është një zanat më i ri dhe nuk janë mësuar. Me pak fjalë, shumica e adoleshentëve janë shoferë që s’kanë përvojë as në pije, as në timon e aq më tepër në timon pasi kanë pirë».—Senior Adults, Traffic Safety and Alcohol Program Leader’s Guide, nga Darlen J. Uinter, Ph.D.
Përveç kësaj, duhet më pak alkool për të dehur një të ri sesa një të rritur. Në përgjithësi të rinjtë peshojnë më pak se të rriturit dhe sa më e vogël të jetë pesha e një personi, aq më pak lëngje ka trupi për të holluar alkoolin që ai konsumon. Sa më i lartë të jetë përqendrimi i alkoolit në gjak, aq më shumë dehesh.
«Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.» (Proverbat 22:3) Duke qenë se i njeh rreziqet e drejtimit të makinës pasi ke pirë, do të jesh «i matur» nëse i premton vetes të mos i përziesh kurrë të dyja. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do t’i kursesh vetes aksidente që do të të sakatonin apo do të të linin invalid, por gjithashtu do të tregoje respekt për jetën e të tjerëve.
Duhet, gjithashtu, të vendosësh që (1) kurrë të mos hipësh në makinën e një shoferi që ka pirë dhe (2) të mos e lësh asnjëherë shokun të drejtojë makinën, nëse ka pirë. Megjithëse kjo gjë mund t’ia prishë qejfin shokut, kur të jetë esëll, ai do të të çmojë për këtë gjë.—Krahaso Psalmin 141:5.
[Figurat]
Kurrë të mos hipësh në makinën e një shoferi që ka pirë dhe të mos e lësh asnjëherë shokun të drejtojë makinën, nëse ka pirë
[Figurat në faqen 262]
Bashkëmoshatarët, televizioni dhe nganjëherë edhe prindërit mund t’i nxisin të rinjtë të fillojnë të pijnë
[Figura në faqen 265]
Kur përdoret pa karar, alkooli mund ‘të kafshojë si një gjarpër’
[Figurat në faqen 269]
Ja, rezultati kur i jep makinës i pirë