Kapitulli 34
Përse t’i them jo drogës?
«KAM mbetur kalama për nga ana emocionale,—thotë Eni 24-vjeçar.—Nganjëherë moshatarët më krijojnë frikë dhe madje më duken si një kërcënim. Vuaj nga depresioni, pasiguria dhe ka pasur raste kur kam menduar të vras veten.»
Imelda 36-vjeçare e përshkruan veten si «shumë të papjekur emocionalisht» dhe ka «pak respekt për veten». Ajo shton: «E kam shumë të vështirë të bëj një jetë normale.»
Eni dhe Imelda po korrin pasojat e një vendimi që kanë marrë kur ishin akoma shumë të rinj: të eksperimentonin me drogën. Miliona të rinj sot veprojnë po njëlloj, duke injektuar, gëlltitur, thithur me hundë dhe duke tymosur gjithçka, që nga kokaina deri tek marihuana. Për disa të rinj, ‘përdorimi i drogës’ është një mënyrë për të shmangur problemet. Të tjerë e përdorin për të shuar kureshtjen. Të tjerë akoma e përdorin për të lehtësuar depresionin apo mërzinë. Pasi kanë filluar, shumë vazhdojnë ta përdorin drogën për të nxjerrë kënaqësi prej saj. Zamiri 17-vjeçar thotë: «Pi [marihuanë] vetëm për efektet që ka. Jo për të qenë në modë apo sepse e bëjnë të gjithë. . . . Asnjëherë nuk e përdora për shkak të presionit të bashkëmoshatarëve, por vetëm sepse më pëlqente.»
Sidoqoftë, ka shumë mundësi që herët a vonë të ekspozohesh para rrezikut të drogës apo që ajo të të ofrohet drejtpërdrejt. «Edhe rojet e shkollës sonë shesin marihuanë»,—thotë një djalë. Pajisjet e nevojshme për t’u droguar tregohen dhe shiten hapur. Megjithatë, pavarësisht nga popullariteti, ka arsye të vlefshme që t’i thuash jo drogës. Cilat janë ato?
Droga pengon zhvillimin
Le të shohim ata të rinj si Eni dhe Imelda, që e përdorin drogën për të shmangur problemet. Siç është treguar në kapitullin e mëparshëm, zhvillimi emocional vjen nga përballimi i sfidave të jetës, duke gëzuar suksesin dhe duke mbijetuar dështimin. Të rinjtë që kërkojnë strehim tek substancat kimike për t’u shpëtuar problemeve, pengojnë zhvillimin e tyre emocional. Ata nuk arrijnë të zhvillojnë aftësinë e nevojshme për të përballuar problemet.
Ashtu si çdo gjë tjetër, aftësia për të përballuar problemet kërkon praktikë. Le të bëjmë një shembull. A ke vërejtur ndonjëherë ndonjë lojtar të aftë futbolli? Ai mund të përdorë kokën dhe këmbët në mënyra të mahnitshme. Por, si e zhvilloi ky lojtar këtë zotësi? Me vite praktikë. Ai ka mësuar të gjuajë topin, të vrapojë me të, të bëjë finde e kështu me radhë, derisa është bërë një lojtar i zoti.
Zhvillimi i aftësisë për të përballuar problemet, është shumë i ngjashëm. Nevojitet ushtrim dhe përvojë. Megjithatë, në Proverbat 1:22, Bibla pyet: «Për sa kohë ju të papërvojët do të vazhdoni të doni mungesën e përvojës, . . . dhe për sa kohë ju budallenjtë do të vazhdoni të urreni njohurinë?» (BR) Një djalë apo një vajzë që fshihet pas euforisë së nxitur nga droga, ‘do mungesën e përvojës’; ai ose ajo nuk arrin të zhvillojë njohurinë dhe aftësitë e nevojshme për të përballuar jetën. Një libër thotë për adoleshentët që përdorin drogë: «Nuk arrijnë kurrë të mësojnë që momentet e dhimbshme të jetës mund të mbijetohen edhe pa këto substanca.»—Talking With Your Teenager.
Imelda që përdorte drogën si një mjet për të shmangur problemet, pranon: «Për 14 vjet me radhë, i kam mbyllur sytë para problemeve.» Eni shprehu një mendim të ngjashëm, duke thënë: «E kam përdorur drogën që kur isha 11 vjeç. Kur e lashë këtë ves në moshën 22 vjeç, më dukej vetja si kalama. Kapesha pas të tjerëve, duke u përpjekur të gjeja siguri. Arrita të kuptoja se zhvillimi im emocional kishte marrë fund kur fillova përdorimin e drogës.»
«Kam harxhuar kot gjithë ato vite, në të cilët do të kisha mundur të zhvillohesha,—thotë Ergesti, i cili abuzoi me drogën që në moshën 13 vjeç.—Kur e lashë, arrita në përfundimin e dhimbshëm se isha krejtësisht i papërgatitur për të përballuar jetën. Kisha mbetur përsëri një 13-vjeçar me të njëjtat shqetësime emocionale si çdo adoleshent tjetër.»
A mund të ma dëmtojë droga shëndetin?
Kjo është një tjetër arsye shqetësimi. Shumë të rinj kuptojnë se drogat e ashtuquajtura të rënda, mund të jenë vdekjeprurëse. Po drogat që quhen të lehta, si marihuana? A janë të gjitha paralajmërimet që dëgjon për to, thjesht taktika kërcënuese? Në përgjigje të kësaj, le të përqendrohemi në njërën prej tyre: marihuana.
Marihuana ka qenë qendra e shumë debateve mes ekspertëve. Gjithashtu, duhet pranuar se shumë gjëra ende nuk dihen lidhur me këtë drogë kaq të përhapur. Një arsye është se marihuana është jashtëzakonisht e ndërlikuar. Një cigare marihuanë përmban 400 përbërës kimikë në tymin e saj. Mjekëve u janë dashur mbi 60 vjet për të kuptuar se tymi i cigares shkakton kancerin. Ngjashëm, mund të duhen dekada para se të kuptohet me siguri se çfarë i shkaktojnë trupit njerëzor 400 përbërësit e marihuanës.
Megjithatë, pas studimit të mijëra informacioneve të mbledhura nga studiuesit, një grup ekspertësh nga Instituti me famë i Mjekësisë në Shtetet e Bashkuara, doli në përfundimin: «Provat shkencore të botuara deri më sot, tregojnë se marihuana ka një rreze të gjerë pasojash psikologjike dhe biologjike, disa prej të cilave të paktën në disa rrethana janë të dëmshme për shëndetin e njeriut.» Cilat janë disa nga këto pasoja të dëmshme?
Marihuana: Pasojat mbi organizmin
Le të marrim, për shembull, mushkëritë. Edhe shpërndarësit më të zellshëm të drogës pranojnë se thithja e tymit në asnjë mënyrë nuk mund t’i bëjë mirë organizmit. Tymi i marihuanës, ashtu si tymi i duhanit, përmban një numër të madh substancash helmuese, si për shembull katran.
Dr. Forest S. Tennant Junior, intervistoi 492 ushtarë të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, të cilët kishin përdorur marihuanë. Rreth 25 për qind e tyre «kishin dhimbje fyti nga përdorimi i marihuanës dhe rreth 6 për qind raportonin se vuanin nga bronkiti». Në një studim tjetër, 24 në 30 përdorues të marihuanës kishin «dëmtime [bronkiale] karakteristike për fazat e para të kancerit».
Në fakt, askush nuk mund të garantojë se tek këta persona më vonë do të zhvillohet vërtet kanceri. Por, a do të dëshiroje një gjë të tillë? Për më tepër, Bibla thotë se Perëndia «u jep të gjithë njerëzve jetë dhe frymë». (Veprat 17:25, BR) A do të tregoje respekt për Dhuruesin e jetës, nëse me qëllim thith diçka që dëmton mushkëritë dhe fytin?
Në Eklisiastiun 12:6, truri njerëzor quhet në mënyrë poetike «vazoja prej ari». Pak më i madh se grushti dhe me peshë 1,4 kg, truri nuk është vetëm një mbajtës i çmuar i kujtimeve, por edhe qendra e komandimit për gjithë sistemin tënd nervor. Duke pasur këtë në mendje, vëre paralajmërimin e Institutit të Mjekësisë: «Mund të themi me plot bindjen se marihuana sjell pasoja akute në tru, duke përfshirë edhe ndryshime kimike dhe elektrofiziologjike.» Deri më tash, nuk ka asnjë provë që del në përfundimin se marihuana krijon dëme të përhershme në tru. Megjithatë, mundësia se marihuana dëmton në ndonjë mënyrë ‘vazon prej ari’, nuk duhet larguar menjëherë.
Po për perspektivën që një ditë të martohesh e të bëhesh me fëmijë, ç’mund të themi? Instituti i Mjekësisë raportonte se marihuana njihet «si shkaku i defekteve në lindje, kur përdoret me doza të mëdha tek kafshët për eksperiment». Nuk është provuar akoma nëse ka të njëjtin efekt edhe tek njerëzit. Megjithatë, mos harro se defektet në lindje (si ai i shkaktuar nga hormoni estrogjen DES), shpesh duhen vite që të shfaqen. Prandaj, se çfarë ofron e ardhmja për fëmijët dhe nipërit e atyre që përdorin marihuanë, mbetet akoma për t’u parë. Dr. Gabriel Nahas, thotë se përdorimi i marihuanës mund të jetë «një lojë fati gjenetike». Si mund të ndërmarrë rreziqe të tilla, kushdo që i konsideron fëmijët si «një trashëgimi që vjen nga Zoti»?—Psalmi 127:3.
Pikëpamja e Biblës mbi drogën
Pa dyshim, marihuana është vetëm njëra nga drogat e shumta në modë. Megjithatë, ajo e ilustron mirë se ka arsye të mëdha për të shmangur marrjen për kënaqësi të çdo substance që ndryshon gjendjen psikike. Bibla thotë: «Bukuria e të rinjve është fuqia e tyre.» (Proverbat 20:29, BR) Duke qenë në moshë të re, me siguri që gëzon një shëndet të mirë. Përse të rrezikosh ta humbësh?
Megjithatë, ajo që është më e rëndësishme, ne kemi pikëpamjen e Biblës mbi këtë çështje. Ajo na thotë «ta ruajmë . . . aftësinë e të menduarit» e jo ta shkatërrojmë atë përmes abuzimit të substancave kimike. (Proverbat 3:21, BR) Më tej, ajo këshillon: «Le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, duke e përsosur shenjtërinë në frikën e Perëndisë.» Në të vërtetë, vetëm atyre që janë ‘pastruar nga ndotja’, duke shmangur praktika të tilla si abuzimi i drogës, Perëndia u premton: «Unë do t’ju pranoj dhe do të jem si një Atë për ju.»—2. Korintasve 6:17–7:1.
Megjithatë, të mos pranosh drogën, mund të mos jetë edhe aq e lehtë.
Bashkëmoshatarët dhe presioni i tyre
Një mbrëmje të freskët vere, Klajdi dhe Ergesti, kushërinj dhe miq të ngushtë, bënë një marrëveshje. «Pavarësisht se ç’bëjnë të tjerët,—tha Klajdi, më i riu nga të dy,—të mos luajmë kurrë me drogën.» Dy të rinjtë tokën duart në shenjë pranimi. Vetëm pesë vjet më vonë, Klajdi u gjet i vdekur në makinën e tij, si pasojë e një aksidenti për shkak të përdorimit të drogës. Ndërsa Ergesti u dha shumë pas drogës.
Çfarë kishte ndodhur? Përgjigjja gjendet në këtë paralajmërim urgjent të Biblës: «Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.» (1. Korintasve 15:33) Klajdi dhe Ergesti ishin bashkuar me persona që s’duhej. Sa më shumë shoqëroheshin me ata që përdornin drogën, filluan edhe ata të eksperimentonin me të.
Një libër vëren: «Në shumicën e rasteve, të rinjtë futen apo ‘fillojnë’ përdorimin e drogave të ndryshme, nga nxitja e një shoku të ngushtë . . . qëllimi [i të cilit] mund të jetë që t’i bëjë të tjerët të përjetojnë një përvojë emocionuese dhe të këndshme.» (Self-Destructive Behavior in Children and Adolescents) Eni, të cilin e përmendëm në fillim, e pohon këtë, duke thënë: «Presioni i bashkëmoshatarëve ishte për mua një nga gjërat më të vështira për të përballuar. . . . Herën e parë që përdora marihuanë, e bëra sepse të gjithë çunat me të cilët rrija, e bënin dhe dëshiroja t’u përshtatesha.»
Le ta themi troç: nëse shokët fillojnë të përdorin drogë, ti do të jesh nën presionin e fuqishëm emocional për t’u përshtatur, për të bërë si ata. Po nuk e ndryshove rrethin e miqve, mundësitë janë shumë të mëdha që edhe ti në fund të përdorësh drogë.
‘Ec me njerëz të mençur!’
Proverbat 13:20 thotë: «Ai që ecën me njerëz të mençur, do të bëhet i mençur, kurse ai që ka lidhje me budallenjtë do të shkojë më keq.» (BR) Për të bërë një krahasim, nëse bën të pamundurën për të mos marrë gripin, a nuk do të shmangie lidhjet e ngushta me njerëzit e infektuar? «Në mënyrë të ngjashme,—thotë një libër (Adolescent Peer Pressure),—nëse duam të parandalojmë . . . abuzimin e drogës . . . , duhet të mbajmë kushte të shëndetshme dhe të zvogëlojmë shfaqjen ndaj ndikimeve të dëmshme.»
Prandaj, a do që t’i thuash jo drogës? Atëherë ki kujdes me kë shoqërohesh! Kërko shoqërinë e të krishterëve me frikë Perëndie, të cilët do ta mbështesin vendimin tënd për të qëndruar larg drogës. (Krahaso 1. Samuelit 23:15, 16.) Vëre, gjithashtu, fjalët në Daljen 23:2! Megjithëse këto fjalë fillimisht u drejtoheshin personave nën betim që ishin thirrur për të dëshmuar, janë një këshillë e mirë për të rinjtë: «Nuk do të shkosh pas shumicës për të bërë të keqen.»
Një person që pa menduar ndjek bashkëmoshatarët e tij, nuk është më shumë se një skllav. Në Romakëve 6:16, Bibla thotë: «A nuk e dini: në qoftë se e vini veten në shërbim të dikujt për ta dëgjuar si skllevër, se jeni skllevër të atij që e dëgjoni?» (DSF) Për këtë arsye, Bibla i inkurajon të rinjtë të zhvillojnë «aftësinë e të menduarit». (Proverbat 2:10-12, BR) Mëso të arsyetosh për vete dhe nuk do të jesh i prirë për të ndjekur të rinj tekanjozë.
Vërtet, mund të jesh kureshtar për drogën dhe efektet e saj. Por, s’ke pse të ndotësh mendjen dhe trupin për të njohur efektet që sjell droga tek njerëzit. Hidhu një sy moshatarëve të tu që abuzojnë me drogën, veçanërisht atyre që e kanë bërë për një periudhë të gjatë kohe. A duken të zgjuar e të mprehtë? A vazhdojnë të marrin nota të mira në shkollë? Apo janë të ngathët e të pavëmendshëm dhe nganjëherë si të shushatur që s’dinë çfarë ndodh përreth tyre? Vetë ata që përdorin drogën, kanë nxjerrë një term për të përshkruar të tillë persona: «Të djegur.» Megjithatë, ka shumë mundësi që shumë «të djegur» ta kenë filluar përdorimin e drogës nga kureshtja. Prandaj, s’është për t’u habitur që Bibla i nxit të krishterët që të përmbajnë kureshtjen e pashëndetshme dhe të ‘bëhen foshnje për të ligën’.—1. Korintasve 14:20.
Ti mund të thuash jo!
Një broshurë e botuar nga Instituti Kombëtar i Shteteve të Bashkuara mbi abuzimin e drogës, na kujton: «Është e drejta jote . . . që të mos pranosh të përdorësh drogë. Çdo mik që të bën presion lidhur me vendimin që ke marrë, cënon të drejtat e tua si një individ i lirë.» Çfarë mund të bësh nëse dikush të ofron drogë? Merr guximin për të thënë jo! Kjo nuk nënkupton që medoemos të bësh moral mbi dëmet e abuzimit të drogës. E njëjta broshurë këshillonte që të japësh përgjigje të thjeshta: «Jo, faleminderit, nuk dua ta përdor.» Ose «jo nuk dua të ngatërrohem me drogën» dhe madje edhe me fjalë thumbuese: «Nuk më pëlqen të ndotem me të.» Nëse këmbëngulin për ta ofruar, duhet të thuash jo me bindje. Kur i vë të tjerët në dijeni se je i krishterë, mund të jesh më i mbrojtur.
Nuk është e lehtë të bëhesh i rritur. Por nëse përpiqesh të shmangësh dhimbjet për shkak të rritjes, duke përdorur drogën, mund të rrezikosh seriozisht mundësinë për t’u bërë një person i rritur i përgjegjshëm dhe i pjekur. Mëso t’i përballosh problemet pa t’u trembur syri! Nëse presionet të duken të pakapërcyeshme, mos kërko shpëtim tek substancat kimike! Fol për problemet që ke me njërin nga prindërit ose me të rritur të tjerë të përgjegjshëm, të cilët mund të të ndihmojnë t’i vësh gjërat në vend. Mos harro, gjithashtu, këshillën e Biblës: «Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja.»—Filipianëve 4:6, 7.
Po, Perëndia Jehova do të të japë forcë për të thënë jo. Kurrë mos lejo që presioni i të tjerëve të dobësojë vendimin tënd! Eni jep këtë këshillë: «Mos eksperimento me drogën! Do të vuash për gjithë jetën.»
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Përse kaq shumë të rinj jepen pas drogës?
◻ Përse marrja e drogës mund të pengojë zhvillimin tënd emocional?
◻ Çfarë dihet mbi pasojat e marihuanës mbi organizmin?
◻ Cila është pikëpamja e Biblës mbi marrjen e drogës për kënaqësi?
◻ Përse është e domosdoshme të kesh kujdes nga shoqëria, në mënyrë që të qëndrosh larg nga droga?
◻ Cilat janë disa mënyra për t’i thënë jo drogës?
[Diçitura në faqen 274]
«Edhe rojet e shkollës sonë shesin marihuanë»,—thotë një djalë
[Diçitura në faqen 279]
«Arrita të kuptoja se zhvillimi im emocional kishte marrë fund kur fillova përdorimin e drogës.»—Eni, një ish-përdorues i drogës
[Kutia në faqen 278]
Marihuana: Një drogë e re që bën mrekulli?
Ka pasur shumë zhurmë mbi pohimet se marihuana mund të ketë vlera terapeutike në trajtimin e glaukomës e të astmës dhe në lehtësimin e të vjellave tek pacientët me kancer gjatë kimioterapisë. Një raport i Institutit të Mjekësisë në Shtetet e Bashkuara, pranon se ka pak të vërtetë në këto pohime. Por, a do të thotë kjo se në të ardhmen e afërt mjekët do të rekomandojnë cigare marihuane?
Ndoshta jo, pasi edhe pse disa nga mbi 400 përbërësit kimikë të marihuanës mund të rezultojnë të dobishëm, përdorimi i marihuanës vështirë se do të ishte një mënyrë e arsyeshme për të marrë këto mjekime. «Të përdorësh marihuana,—thotë dr. Karlton Tërner, një autoritet i njohur,—do të ishte njëlloj sikur t’u jepje njerëzve të hanin bukë të mykur, për të marrë penicilinën.» Prandaj, nëse ndonjëherë disa përbërës të marihuanës do të bëhen me të vërtetë ilaçe, ajo që mjekët do të rekomandojnë, do të jenë «nënprodukte» të marihuanës apo «substanca të ngjashme», përbërës kimikë ngjashëm me to. Prandaj, s’është për t’u habitur që sekretari i Shteteve të Bashkuara për Shëndetin dhe Shërbimin Shoqëror, shkroi: «Duhet theksuar se dobitë e mundshme terapeutike, në asnjë mënyrë nuk e ndryshojnë domethënien e efekteve negative të marihuanës për shëndetin.»
[Figura në faqen 275]
Merr guximin për t’i thënë jo drogës!
[Figurat në faqet 276, 277]
Nëse tani i shmang problemet, duke përdorur drogë . . . kur të jesh i rritur do ta kesh të vështirë t’i përballosh problemet