Libri biblik numër 11—1 Mbretërve
Shkrimtari: Jeremia
Vendi ku u shkrua: Jerusalem dhe Judë
Shkrimi përfundoi: 580 p.e.s.
Periudha përkatëse: rr. 1040 p.e.s.–911 p.e.s.
1. (a) Si katandiset në shkatërrim begatia rrëzëllyese e Izraelit? (b) Megjithatë, pse 1 Mbretërve mund të quhet «i frymëzuar dhe i dobishëm»?
PUSHTIMET e Davidit e kanë shtrirë territorin e Izraelit deri në kufijtë e përcaktuar nga Perëndia, që nga lumi Eufrat në veri, deri në lumin e Egjiptit në jug. (2 Sam. 8:3; 1 Mbret. 4:21) Në kohën kur Davidi kishte vdekur dhe në vend të tij sundonte i biri, Solomoni, «Juda dhe Izraeli ishin të shumtë sa kokrrizat e rërës buzë detit. Ata hanin, pinin dhe gëzonin». (1 Mbret. 4:20) Solomoni sundoi me një mençuri të madhe që shkonte përtej asaj të grekëve të lashtë. Ai ndërtoi një tempull madhështor për Jehovain. Megjithatë, edhe Solomoni ra pre e adhurimit të perëndive të rreme. Pas vdekjes së tij, mbretëria u nda më dysh, dhe mbretërit e ligj të mbretërive rivale të Izraelit dhe Judës vepruan njëri pas tjetrit në mënyrë shkatërrimtare, duke i sjellë vuajtje popullit, pikërisht sikurse kishte parathënë Samueli. (1 Sam. 8:10-18) Siç tregon 1 Mbretërve, nga 14 mbretërit që sunduan Judën dhe Izraelin pas vdekjes së Solomonit, vetëm 2 arritën të bënin atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait. A mund të themi kësisoj që ky tregim është «i frymëzuar dhe i dobishëm»? Pa asnjë dyshim, siç do ta shohim nga këshillat, profecitë dhe modelet që ai përmban, si dhe nga lidhja që ai ka me Mbretërinë, temën kryesore të ‘të gjithë Shkrimit’.
2. Si u ndanë në dy rrotulla Libri i Parë dhe i Dytë i Mbretërve, dhe si u përpiluan të dhënat?
2 Libri i Mbretërve fillimisht ishte një rrotull, apo vëllim i vetëm, dhe në hebraisht quhej Melakhím (Mbretër). Përkthyesit e Septuagintës e quajtën Basiléion, «Mbretëri», dhe ishin të parët që e ndanë në dy rrotulla për ta pasur më të lehtë. Më vonë rrotullat u quajtën Libri i Tretë dhe i Katërt i Mbretërve, dhe me këtë emër quhen edhe sot e kësaj dite në Biblat katolike. Megjithatë, tani njihen gjerësisht si Libri i Parë dhe i Dytë i Mbretërve. Ata ndryshojnë nga Libri i Parë dhe i Dytë i Samuelit pasi i përmendin tregimet e mëparshme si burimin nga i cili shkrimtari ka marrë materialin. Përpiluesi i të dhënave, që është i njëjti person, te të dy librat përmend 15 herë «librin e ngjarjeve të mbretërve të Judës», 18 herë «librin e ngjarjeve të mbretërve të Izraelit», si dhe «librin e ngjarjeve të Solomonit». (1 Mbret. 15:7; 14:19; 11:41) Edhe pse këto tregime të lashta kanë humbur plotësisht, përmbledhja e frymëzuar—tregimi i dobishëm i Librit të Parë dhe të Dytë të Mbretërve—është ruajtur.
3. (a) Cili është pa dyshim shkrimtari i librave të Mbretërve, dhe përse përgjigjesh kështu? (b) Kur përfundoi shkrimi i librave, dhe cila periudhë trajtohet te 1 Mbretërve?
3 Kush ishte shkrimtari i librave të Mbretërve? Theksi që i vënë veprës së profetëve, sidomos të Elijas dhe Eliseut, të bën të mendosh për një profet të Jehovait. Ngjashmëritë e gjuhës, të hartimit dhe të stilit, sugjerojnë të njëjtin shkrimtar që shkroi librin e Jeremisë. Shumë fjalë dhe shprehje hebraike gjenden vetëm te Mbretërit dhe te Jeremia, dhe në asnjë libër tjetër të Biblës. Por, nëse shkrimtari i librave të Mbretërve ishte Jeremia, përse nuk përmendet emri i tij? S’ishte e nevojshme, pasi puna e tij ishte regjistruar tanimë në librin që mban emrin e tij. Për më tepër, librat e Mbretërve u shkruan që të lartësonin Jehovain dhe adhurimin e Tij, dhe jo për të rritur reputacionin e Jeremisë. Faktikisht, librat e Mbretërve dhe të Jeremisë në pjesën më të madhe plotësojnë njëri-tjetrin, ku njëri fut ato pjesë që tjetri i lë jashtë. Veç kësaj, ka edhe tregime paralele, si për shembull, 2 Mbretërve 24:18-25:30 dhe Jeremia 39:1-10; 40:7-41:10; 52:1-34. Tradita judaike vërteton që Jeremia ishte shkrimtari i Librit të Parë dhe të Dytë të Mbretërve. S’ka dyshim që ai e nisi hartimin e dy librave në Jerusalem, dhe duket që librin e dytë e përfundoi në Egjipt rreth vitit 580 p.e.s., pasi në përfundim të tregimit të tij tregon ngjarje të atij viti. (2 Mbret. 25:27) Libri i Parë i Mbretërve e rinis historinë e Izraelit që nga fundi i 2 Samuelit, dhe e vazhdon deri në vitin 911 p.e.s., vit kur vdiq Jehozafati.—1 Mbret. 22:50.
4. Si e mbështet historia botërore dhe arkeologjia librin e 1 Mbretërve?
4 Në kanunin e Shkrimeve të Shenjta 1 Mbretërve zë vendin që me të drejtë i takon, pasi pranohet nga të gjitha autoritetet. Për më tepër, ngjarjet e këtij libri vërtetohen edhe nga historia botërore e Egjiptit dhe e Asirisë. Edhe arkeologjia mbështet shumë nga pohimet e librit. Për shembull, te 1 Mbretërve 7:45, 46 lexojmë që Hirami i derdhi enët prej bakri të tempullit të Solomonit «në Krahinën e Jordanit, midis Sukotit dhe Zaretanit». Arkeologët që kanë gërmuar në vendndodhjen e Sukotit të lashtë, kanë zbuluar prova se në atë vend janë shkrirë metale.a Veç kësaj, një mbishkrim në një nga muret e tempullit në Karnaki (Teba e lashtë) tregon me mburrje për mësymjen e mbretit egjiptian Sheshonk (Shishak) në Judë, ngjarje për të cilën flet edhe 1 Mbretërve 14:25, 26.b
5. Cila dëshmi e frymëzuar provon autenticitetin e 1 Mbretërve?
5 Referimet e shkrimtarëve të tjerë biblikë dhe profecitë e përmbushura mbështetin autenticitetin e 1 Mbretërve. Jezui i përmendi ngjarjet që kishin lidhje me Elijan dhe me vejushën nga Zarefati si realitete historike. (Luka 4:24-26) Jezui tha për Gjon Pagëzorin: «Ai është ‘Elija që ka për të ardhur’.» (Mat. 11:13, 14) Këtu Jezui po i referohej profecisë së Malakisë, i cili foli për një ditë të ardhme: «Ja, përpara ardhjes së ditës së madhe e të frikshme të Jehovait, po ju dërgoj profetin Elija.» (Mal. 4:5) Jezui dha dëshmi të mëtejshme që 1 Mbretërve është pjesë e kanunit të Biblës, kur përmendi ato që janë shkruar në këtë libër për Solomonin dhe për mbretëreshën e jugut.—Mat. 6:29; 12:42; krahaso 1 Mbretërve 10:1-9.
PËRMBAJTJA E 1 MBRETËRVE
6. Në cilat rrethana ngjitet në fron Solomoni, dhe si e vendos ai patundshmërisht mbretërinë?
6 Solomoni bëhet mbret (1:1–2:46). Tregimi i 1 Mbretërve nis duke përshkruar Davidin në buzë të vdekjes, teksa shkon drejt përfundimit të mbretërimit të tij 40-vjeçar. I biri, Adonijahu, me ndihmën e Joabit, kreut të ushtrisë, dhe Abiatarit, priftit, komplotojnë që të zaptojnë fronin. Profeti Natan e njofton Davidin për këtë dhe, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, i kujton që ai tashmë kishte vendosur që pas vdekjes së tij të mbretëronte Solomoni. Për këtë arsye, Davidi urdhëron priftin Sadok që të mirosë si mbret Solomonin, pikërisht në kohën që komplotistët po festojnë hipjen në fron të Adonijahut. Davidi e urdhëron Solomonin të bëhet i fortë e burrë, dhe të ecë në udhët e Jehovait, Perëndisë së tij. Më pas Davidi vdes, dhe e varrosin në «Qytetin e Davidit». (2:10) Më vonë, Solomoni e syrgjynos Abiatarin, dhe ekzekuton dy ngatërrestarët, Adonijahun dhe Joabin. Më pas i vjen radha edhe Shimeit, i cili nuk tregon respekt për mëshirën që iu tregua duke i kursyer jetën. Kështu, mbretëria vendoset patundshmërisht në duart e Solomonit.
7. Cilës lutje të Solomonit i përgjigjet Jehovai, dhe me çfarë rezultati për Izraelin?
7 Solomoni sundon me mençuri (3:1–4:34). Solomoni lidh aleancë martesore me Egjiptin, duke u martuar me bijën e faraonit. Ai i kërkon Jehovait në lutje një zemër të bindur, që të gjykojë popullin e Jehovait me aftësi dalluese. Meqë ai nuk kërkon jetë të gjatë apo pasuri, Jehovai i premton një zemër me mençuri e aftësi dalluese, si dhe pasuri e lavdi. Në fillim të mbretërimit të tij, Solomoni e shfaq mençurinë kur dy gra dalin para tij dhe kërkojnë të drejtën e mëmësisë për të njëjtën fëmijë. Solomoni i urdhëron burrat e tij ‘ta ndajnë më dysh fëmijën e gjallë’ dhe t’i japin nga një gjysmë secilës grua. (3:25) Me ta dëgjuar këtë, mamaja e vërtetë i lutet për jetën e djalit, dhe thotë që më mirë ta marrë gruaja tjetër. Në këtë mënyrë, Solomoni e kupton se cila është mamaja e vërtetë, dhe ia jep asaj fëmijën. Për shkak të mençurisë që Perëndia i ka dhënë Solomonit, mbarë Izraeli begatohet dhe ndihet i lumtur e i sigurt. Njerëz nga shumë vende vijnë të dëgjojnë mençurinë e Solomonit.
8. (a) Si e ndërton Solomoni tempullin? Përshkruaj disa nga karakteristikat e tempullit. (b) Ç’ndërtime të tjera kreu ai?
8 Tempulli i Solomonit (5:1–10:29). Solomoni sjell ndër mend fjalët që Jehovai i tha atit të tij, Davidit: «Shtëpinë për emrin tim do ta ndërtojë biri yt, të cilin do ta vë në fron në vendin tënd.» (5:5) Prandaj, Solomoni nis përgatitjet. Edhe Hirami, mbreti i Tirit, jep ndihmesën e vet, dhe dërgon drurë cedri e dëllinje nga Libani, si edhe punëtorë të zotë. Këta, bashkë me punëtorët që kishte rekrutuar Solomoni, ia nisën punës për ndërtimin e shtëpisë së Jehovait vitin e katërt të mbretërimit të Solomonit, vitin e 480-të pas daljes së izraelitëve nga Egjipti. (6:1) Në sheshin e ndërtimit nuk përdoret asnjë çekiç, sëpatë apo ndonjë vegël tjetër prej hekuri, sepse të gjithë gurët përgatiten dhe punohen në gurore përpara se të sillen në vendin e tempullit e të vendosen së bashku. Sa për pjesën e brendshme të tempullit, së pari vishen muret me dru cedri e dyshemeja me dru dëllinje, dhe pastaj mbulohet e tëra në mënyrë të mrekullueshme me ar. Bëhen edhe dy figura kerubinësh me dru ulliri, secila dhjetë kute (4,5 m) e lartë dhe dhjetë kute e gjerë nga njëra majë e krahut në tjetrën, dhe vendosen në shenjtëroren e brendshme. Nëpër muret e tempullit skaliten figura të tjera kerubinësh, bashkë me figura palmash e lulesh. Më në fund, pas një pune shtatëvjeçare, tempulli madhështor përfundon. Solomoni vazhdon me programin e vet të ndërtimit: bën një shtëpi për vete, Shtëpinë e Pyllit të Libanit, Portikun e Shtyllave, Portikun e Fronit dhe një shtëpi për bijën e faraonit. Ai bën, gjithashtu, edhe dy shtylla prej bakri për portikun e shtëpisë së Jehovait, detin prej metali të derdhur, karrocat prej bakri, legenët prej bakri dhe pajisjet prej ari.c
9. Cila shfaqje nga ana e Jehovait dhe cila lutje e Solomonit shënojnë ardhjen në tempull të arkës së besëlidhjes?
9 Tani vjen koha që priftërinjtë të marrin arkën e besëlidhjes së Jehovait e ta vendosin në shenjtëroren e brendshme, në Më të Shenjtën, poshtë krahëve të kerubinëve. Kur priftërinjtë dalin prej andej, ‘shtëpinë e Jehovait e mbush lavdia e Jehovait’, aq sa priftërinjtë nuk mund të qëndrojnë dot për të shërbyer. (8:11) Solomoni bekon kongregacionin e Izraelit, e pastaj bekon e lavdëron Jehovain. I gjunjëzuar dhe me pëllëmbët e shtrira drejt qiellit, ai pranon në lutje që as qiejt e qiejve nuk e mbajnë dot Jehovain, aq më pak kjo shtëpi që ka ndërtuar ai në tokë. Ai lutet që Jehovai t’i dëgjojë të gjithë ata që kanë frikë prej Tij, kur të luten nga kjo shtëpi, madje edhe të huajt nga vende të largëta. Kështu, «gjithë popujt e tokës do ta njohin emrin tënd e do të të frikësohen njëlloj si të frikësohet populli yt, Izraeli».—8:43.
10. Me cilin premtim dhe me cilin paralajmërim profetik i përgjigjet Jehovai lutjes së Solomonit?
10 Gjatë festës 14-ditore që vijon, Solomoni sakrifikon 22.000 gjedhë e 120.000 dhen. Jehovai i thotë Solomonit se e ka dëgjuar lutjen e tij dhe e ka shenjtëruar tempullin, duke vënë aty ‘emrin e Tij përjetë’. Tani, nëse Solomoni ecën me drejtësi para Jehovait, froni i mbretërisë së tij do të qëndrojë. Por, nëse Solomoni dhe bijtë e tij që do të vijnë më pas, e lënë adhurimin e Jehovait dhe u shërbejnë perëndive të tjera, atëherë, thotë Jehovai, «unë do ta zhduk Izraelin nga vendi që i kam dhënë. Shtëpinë që kam shenjtëruar për emrin tim, do ta flak larg meje, dhe Izraeli do të bëhet shprehje proverbiale e tërë popujt do të tallen me të. Kjo shtëpi do të kthehet në grumbuj gërmadhash».—9:3, 7, 8.
11. Sa e madhe bëhet pasuria dhe mençuria e Solomonit?
11 Solomonit iu deshën 20 vjet që të përfundonte dy shtëpitë, shtëpinë e Jehovait dhe shtëpinë e mbretit. Tani, ai vazhdon të ndërtojë qytete të shumta anembanë mbretërisë së tij, si dhe anije që t’i përdorë për tregti me vendet e largëta. Në këtë mënyrë, mbretëresha e Shebës dëgjon për mençurinë e madhe që Jehovai i ka dhënë Solomonit, dhe ajo vjen që ta vërë atë në provë me pyetje të ndërlikuara. Pasi e dëgjoi dhe pa begatinë e lumturinë e popullit të tij, ajo tha: «Nuk më kishin treguar as gjysmën.» (10:7) Jehovai vazhdon t’i shfaqë dashuri Izraelit, dhe Solomoni «ishte më i pasur dhe më i mençur se gjithë mbretërit e tjerë të tokës».—10:23.
12. (a) Ku dështon Solomoni dhe cilat fara të rebelimit nisin të shfaqen? (b) Çfarë profetizon Akijahu?
12 Jobesnikëria e Solomonit dhe vdekja e tij (11:1-43). Në kundërshtim me urdhrin e Jehovait, Solomoni martohet me shumë gra nga kombe të tjera: ai merr 700 gra dhe 300 konkubina. (Ligj. 17:17) Zemra e tij kthehet, dhe ai nis t’u shërbejë perëndive të tjera. Jehovai i thotë që mbretëria do t’i hiqet, megjithatë, jo në ditët e tij, por në ditët e birit të tij. Gjithsesi, një pjesë e mbretërisë, një fis tjetër përveç atij të Judës, do të sundohet nga bijtë e Solomonit. Perëndia fillon të ngrejë kombet fqinje kundër Solomonit, madje edhe Jeroboami nga fisi i Efraimit ngrihet kundër mbretit. Profeti Akijah i thotë Jeroboamit se ai do të bëhet mbret i dhjetë fiseve të Izraelit, dhe Jeroboami ia mbath për të shpëtuar kokën në Egjipt. Solomoni vdes pasi ka mbretëruar për 40 vjet, dhe biri i tij, Rehoboami, bëhet mbret në vitin 997 p.e.s.
13. Si ndodh ndarja e mbretërisë kur Rehoboami nis të mbretërojë, dhe si përpiqet Jeroboami ta bëjë të sigurt mbretërimin e tij?
13 Mbretëria ndahet (12:1-14:20). Jeroboami kthehet nga Egjipti dhe shkon bashkë me popullin që t’i kërkojnë Rehoboamit lehtësim nga të gjitha barrët që Solomoni kishte vendosur mbi ta. Mirëpo, Rehoboami ua vë veshin të rinjve në vend të këshillës së mençur të pleqve të Izraelit, dhe ua shton vështirësitë. Izraeli ngrihet në revoltë dhe shpall si mbret të dhjetë fiseve veriore Jeroboamin. I mbetur vetëm me Judën dhe Beniaminin, Rehoboami mbledh ushtrinë për të luftuar kundër rebelëve, por kthehet mbrapsht me urdhër të Jehovait. Jeroboami ndërton Sikemin si kryeqytet të vetin, por ende nuk ndihet i sigurt. Trembet se mos populli kthehet në Jerusalem për të adhuruar Jehovain, dhe se mos bie kësisoj përsëri nën sundimin e Rehoboamit. Që ta parandalojë këtë, ai ngre dy viça të artë, një në Dan dhe një në Bethel, dhe për të drejtuar adhurimin, ai zgjedh disa priftërinj, por jo nga fisi i Levit, por nga njerëz të zakonshëm.d
14. Cili paralajmërim profetik shpallet kundër shtëpisë së Jeroboamit dhe cilat vështirësi nisin?
14 Kur Jeroboami po paraqiste flijime në Bethel, Jehovai dërgon një profet për ta paralajmëruar që Ai do të nxjerrë një mbret nga linja e Davidit, të quajtur Josia, i cili do të ndërmarrë veprime të fuqishme kundër këtij altari të adhurimit të rremë. Në shenjë të kësaj, altari çahet menjëherë. Më vonë këtë profet e vret një luan, pasi nuk i bindet udhëzimit të Jehovait për të mos ngrënë e për të mos pirë gjatë këtij misioni. Tani, shtëpinë e Jeroboamit nisin ta godasin vështirësitë. Gjykimi i Jehovait bie mbi djalin e tij, i cili vdes; dhe profeti i Perëndisë, Akijahu, parathotë që shtëpia e Jeroboamit do të shkatërrohet plotësisht për shkak të mëkatit të madh që ai kreu, duke vendosur perëndi të rreme në Izrael. Pasi mbretëron për 22 vjet, Jeroboami vdes dhe i biri, Nadabi, bëhet mbret në vend të tij.
15. Cilat ngjarje ndodhin gjatë mbretërimit të tre mbretërve të tjerë në Judë?
15 Në Judë: Rehoboami, Abijami dhe Asa (14:21–15:24). Ndërkaq, nën sundimin e Rehoboamit, edhe Juda po bën atë që është e keqe në sytë e Jehovait, duke praktikuar adhurimin e idhujve. Mbreti i Egjiptit hyn me forcë dhe merr me vete shumë nga thesaret e tempullit. Pasi ka sunduar për 17 vjet, Rehoboami vdes, dhe i biri, Abijami, bëhet mbret. Edhe ai vazhdon të mëkatojë kundër Jehovait, dhe vdes pas një mbretërimi trevjeçar. Vendin e tij e zë Asa, i cili, ndryshe nga i ati, i shërben Jehovait me zemër të plotë dhe heq nga vendi idhujt e pështirë. Mes Izraelit dhe Judës ka luftëra të vazhdueshme. Asa siguron ndihmën e Sirisë, dhe Izraeli detyrohet të tërhiqet. Asa sundon për 41 vjet, dhe vendin e tij e zë i biri, Jehozafati.
16. Ç’ngjarje të turbullta ndodhin tani në Izrael dhe përse?
16 Në Izrael: Nadabi, Baasha, Elahu, Zimri, Tibni, Omri dhe Akabi (15:25–16:34). Ç’turmë e ligë! Baasha e vret Nadabin, pasi ky i fundit ka mbretëruar vetëm për dy vjet, dhe vazhdon derisa shfaros krejt shtëpinë e Jeroboamit. Ai vazhdon adhurimin e rremë dhe luftën me Judën. Jehovai parathotë që Ai do ta zhdukë një herë e mirë shtëpinë e Baashës, ashtu si kishte bërë me shtëpinë e Jeroboamit. Pasi mbretëron për 24 vjet, vendin e Baashës e zë i biri, Elahu, i cili vritet dy vjet më vonë nga shërbëtori i tij, Zimri. Sapo hipën në fron, Zimri shfaros gjithë shtëpinë e Baashës. Kur populli e merr vesh këtë, ata vendosin si mbret Omrin, kreun e ushtrisë, dhe ngrihen kundër Tirzahut, kryeqytetit të Zimrit. Kur sheh që ka humbur gjithçka, Zimri i vë zjarrin shtëpisë së mbretit, e kështu vdes edhe vetë brenda. Tibni përpiqet të mbretërojë tani si mbret rival, mirëpo pas njëfarë kohe pasuesit e Omrit e mposhtin dhe e vrasin.
17. (a) Çfarë e karakterizon mbretërimin e Omrit? (b) Përse adhurimi i vërtetë gjatë mbretërimit të Akabit është në pikë të fundit?
17 Omri blen malin e Samarisë, dhe ndërton atje qytetin e Samarisë. Ai ecën në të gjitha udhët e Jeroboamit dhe e fyen Jehovain me adhurimin e idhujve. Faktikisht, ai është më keq se gjithë të tjerët para tij. Pasi mbretëron për 12 vjet, ai vdes dhe Akabi, i biri, bëhet mbret. Akabi martohet me Jezebelën, vajzën e mbretit të Sidonit, dhe më pas ngre në Samari një altar për Baalin. Ai ua kalon për nga ligësia gjithë mbretërve që ishin para tij. Pikërisht gjatë kësaj kohe, betheliti Hiel rindërton qytetin e Jerikosë, duke e paguar me jetën e të parëlindurit të tij dhe të djalit të tij më të vogël. Adhurimi i vërtetë është në pikë të fundit.
18. Me cilën shpallje e nis Elija punën e tij si profet në Izrael dhe, sipas tij, cila është arsyeja e vërtetë e telasheve të Izraelit?
18 Vepra profetike e Elijas në Izrael (17:1–22:40). Krejt papritur, një lajmëtar nga Jehovai shfaqet në skenë. Është Elija, tishbiti.e Sa tronditëse është shpallja e tij e parë për mbretin Akab: «Ashtu siç është e vërtetë që rron Jehovai, Perëndia i Izraelit, përpara të cilit qëndroj, gjatë këtyre viteve nuk do të bjerë as vesë, as shi, përveçse me urdhrin tim!» (17:1) Elija, siç shfaqet, po aq papritur edhe largohet me urdhër të Jehovait në një luginë në lindje të Jordanit. Në Izrael pllakos thatësira; megjithatë, korbat i sjellin Elijas për të ngrënë. Kur rrëkeja e luginës thahet fare, Jehovai e dërgon profetin e vet në Zarefat të Sidonit. Një vejushë tregohet mirëdashëse me Elijan, prandaj Jehovai, me anë të një mrekullie, bën që sasia e saj e vogël e miellit dhe e vajit të mos mbarojë, me qëllim që ajo dhe djali i saj të mos vdesin urie. Më vonë, djali sëmuret e vdes, por me kërkesën e Elijas, Jehovai e kthen djalin në jetë. Pastaj, vitin e tretë të thatësirës, Jehovai e dërgon përsëri Elijan tek Akabi. Akabi e akuzon Elijan se i ka sjellë telashe Izraelit, mirëpo Elija ia kthen me guxim që telashet i ka sjellë ‘ai dhe shtëpia e atit të tij’ sepse ka ndjekur Baalët.—18:18.
19. Si parashtrohet çështja se kush është Perëndia i vërtetë dhe si provohet epërsia e Jehovait?
19 Elija e fton Akabin të mbledhë gjithë profetët e Baalit në malin Karmel. S’mund të vazhdojnë më të lëkunden mes dy mendimeve! Parashtrohet çështja: Jehovai kundër Baalit! Para gjithë popullit, 450 profetët e Baalit përgatitin një dem, e vënë mbi drurët e altarit dhe luten që të zbresë nga lart zjarr e të përpijë blatimin. Nga mëngjesi deri në mesditë, mes talljeve të Elijas, ata i thërrasin më kot Baalit. Bërtasin e presin veten, por s’marrin asnjë përgjigje! Pastaj, i vetëm, profeti Elija ndërton një altar në emër të Jehovait e përgatit drutë dhe demin e flijimit. Ai u thotë njerëzve që të njomin tri herë me ujë blatimin dhe drutë, dhe në fund i lutet Jehovait: «Përgjigjmu, o Jehova, përgjigjmu, që ky popull ta dijë se ti, o Jehova, je Perëndia i vërtetë.» Një zjarr flakëron nga qielli, dhe përpin blatimin, drutë, gurët e altarit, pluhurin dhe ujin. Kur tërë njerëzit e shohin këtë, bien menjëherë përmbys dhe thonë: «Jehovai është Perëndia i vërtetë! Jehovai është Perëndia i vërtetë!» (18:37, 39) Vdekje profetëve të Baalit! Elija e merr vetë përsipër vrasjen e tyre, kështu që askush nuk shpëton. Pastaj, Jehovai sjell shiun dhe i jep fund thatësirës në Izrael.
20. (a) Si i shfaqet Jehovai Elijas në Horeb dhe si e udhëzon dhe e ngushëllon? (b) Ç’mëkat dhe krim kryen Akabi?
20 Kur e merr vesh lajmin e poshtërimit të Baalit, Jezebela kërkon të vrasë Elijan. Ai frikësohet, dhe, bashkë me shërbëtorin e tij, ia mbath në shkretëtirë, ku Jehovai e drejton për në Horeb. Atje Jehovai i shfaqet—jo në mënyrë spektakolare, si erë, tërmet apo zjarr, por me ‘një zë të qetë e të ulët’. (19:11, 12) Jehovai i thotë të mirosë Hazaelin si mbret të Sirisë, Jehun si mbret të Judës dhe Eliseun si profet në vend të tij. Ai e ngushëllon Elijan me lajmin që 7.000 veta në Izrael nuk janë përkulur para Baalit. Elija vepron menjëherë dhe miros Eliseun duke hedhur mbi të veshjen e tij zyrtare. Nga ana tjetër, Akabi fiton dy beteja me sirianët, mirëpo Jehovai e qorton, ngaqë bën një besëlidhje me mbretin e tyre në vend që ta vrasë. Më pas vjen puna e Nabotit, vreshtin e të cilit Akabi e lakmon. Jezebela e fut Nabotin në kurth me anë të dëshmitarëve të rremë, dhe atë e vrasin në mënyrë që Akabi të marrë vreshtin. Sa krim i pafalshëm!
21. (a) Cilin fund shpall Elija kundër Akabit e shtëpisë së tij dhe kundër Jezebelës? (b) Cila profeci përmbushet kur vdes Akabi?
21 Elija shfaqet sërish. Ai i thotë Akabit se po aty ku vdiq Naboti, qentë do të lëpijnë edhe gjakun e tij, dhe se shtëpia e tij do të shfaroset krejtësisht, ashtu si ndodhi me Jeroboamin dhe Baashën. Qentë do ta hanë Jezebelën në ngastrën e tokës së Jezreelit. «As edhe një nuk është treguar si Akabi, të cilin e ndërseu Jezebela, e shoqja. Ai e shiti veten për të bërë atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait.» (21:25) Megjithatë, meqë Akabi përulet kur dëgjon fjalët e Elijas, Jehovai thotë që gjëma nuk do të bjerë në ditët e tij, por në ditët e birit të tij. Akabi bashkohet tani me Jehozafatin, mbretin e Judës, për të luftuar kundër Sirisë, dhe në kundërshtim me këshillën e Mikajahut, profetit të Jehovait, ata dalin të luftojnë. Akabi vdes nga plagët e marra në betejë. Kur karrocën e tij e lajnë në pellgun e Samarisë, qentë i lëpijnë gjakun, tamam siç kishte profetizuar Elija. Ahaziahu, i biri, bëhet mbret i Izraelit në vend të tij.
22. Nga se karakterizohet mbretërimi i Jehozafatit në Judë dhe i Ahaziahut në Izrael?
22 Jehozafati mbretëron në Judë (22:41-53). Jehozafati, i cili e shoqëroi Akabin në luftë kundër Sirisë, është besnik ndaj Jehovait, njësoj si i ati, Asa, por ai nuk i heq të gjitha vendet e larta të adhurimit të rremë. Pasi ka mbretëruar për 25 vjet, ai vdes, dhe Jehorami, i biri, bëhet mbret. Në veri, në Izrael, Ahaziahu ndjek gjurmët e të atit dhe e fyen Jehovain duke adhuruar Baalin.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
23. Çfarë sigurie dhe inkurajimi na jep 1 Mbretërve në lidhje me lutjen?
23 Nga udhëzimet hyjnore që gjejmë në 1 Mbretërve mund të nxjerrim dobi të mëdha. Le të marrim së pari çështjen e lutjes, e cila del shpeshherë në pah gjatë këtij libri. Kur u përball me përgjegjësinë e rëndë për të mbretëruar në Izrael, Solomoni iu lut me përulësi Jehovait sikur të ishte një fëmijë. Ai kërkoi vetëm aftësi dalluese dhe një zemër të bindur, mirëpo përveç mençurisë, që ia dha me bollëk, Jehovai i dha edhe pasuri e lavdi. (3:7-9, 12-14) Edhe ne sot, le të jemi të sigurt se lutjet tona të përulura për mençuri e drejtim në shërbim të Jehovait, nuk do të mbeten pa përgjigje! (Jak. 1:5) Le të lutemi gjithnjë me zjarr, me gjithë zemër e me çmueshmëri të thellë për gjithë mirësinë e Jehovait, sikurse bëri Solomoni në kushtimin e tempullit! (1 Mbret. 8:22-53) Pasqyrofshin përherë lutjet tona besimin dhe sigurinë absolute te Jehovai, sikurse ishin edhe lutjet e Elijas në kohë sprovash apo kur u ndesh ballë për ballë me një komb që adhuronte demonët! Jehovai u përgjigjet në mënyrë të mrekullueshme atyre që e kërkojnë në lutje.—1 Mbret. 17:20-22; 18:36-40; 1 Gjon. 5:14.
24. Cilët shembuj paralajmërues paraqiten te 1 Mbretërve dhe përse mbikëqyrësit, në mënyrë të veçantë, duhet të jenë të vëmendshëm?
24 Nga ana tjetër, shembujt e atyre që nuk u përulën para Jehovait duhet të jenë si një paralajmërim për ne. Sa shumë ‘u kundërvihet Perëndia këtyre fodullëve’! (1 Pjet. 5:5) Kemi parë Adonijahun, i cili mendonte se mund të shpërfillte emërimin teokratik të Jehovait (1 Mbret. 1:5; 2:24, 25); Shimein, i cili mendonte se mund të dilte nga kufiri e të kthehej përsëri (2:37, 41-46); Solomonin në vitet e tij të fundit, të cilit Jehovai i ngriti kundërshtarë për shkak të mosbindjes (11:9-14, 23-26); dhe mbretërit e Izraelit, feja e rreme e të cilëve doli shkatërrimtare (13:33, 34; 14:7-11; 16:1-4). Kemi parë edhe Jezebelën e ligë e ziliqare, e cila ishte forca që e mbante Akabin në fron. Shembulli famëkeq i saj u përdor një mijë vjet më vonë si një paralajmërim për kongregacionin në Tiatirë: «Megjithatë, kam diçka kundër teje: ti e toleron gruan Jezebelë, që e quan veten profeteshë dhe i mëson e i mashtron skllevërit e mi që të kryejnë kurvëri dhe të hanë gjëra të flijuara idhujve.» (Zbul. 2:20) Mbikëqyrësit duhet t’i mbajnë kongregacionet të pastra dhe pa asnjë lloj ndikimi të ngjashëm me atë të Jezebelës!—Krahaso Veprat 20:28-30.
25. Cilat profeci të 1 Mbretërve janë përmbushur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe si na ndihmon neve sot kujtimi i tyre?
25 Fuqia profetizuese e Jehovait duket qartë në përmbushjen e shumë profecive të 1 Mbretërve. Për shembull, kemi parathënien e jashtëzakonshme, të bërë më shumë se 300 vjet më parë, që Josia do të rrëzonte altarin e Jeroboamit në Bethel. Dhe Josia e bëri! (1 Mbret. 13:1-3; 2 Mbret. 23:15) Megjithatë, edhe më të jashtëzakonshme janë profecitë në lidhje me shtëpinë e Jehovait, të ndërtuar nga Solomoni. Jehovai i tha Solomonit se po t’i drejtoheshin perëndive të rreme, Jehovai do ta zhdukte Izraelin nga faqja e dheut, dhe do ta flakte larg vetes shtëpinë që kishte shenjtëruar për emrin e Tij. (1 Mbret. 9:7, 8) Te 2 Kronikave 36:17-21 lexojmë se në ç’mënyrë të plotë u realizua kjo profeci. Për me tepër, Jezui tregoi se për të njëjtën arsye, tempulli i mëvonshëm i ndërtuar nga Herodi i Madh në të njëjtin vend, do të kishte të njëjtin fat. (Luka 21:6) Sa e vërtetë doli edhe kjo! Nuk duhet t’i harrojmë këto katastrofa dhe arsyet përse ndodhën, përkundrazi duhet të na kujtojnë gjithnjë që të ecim në udhët e Perëndisë së vërtetë.
26. Çfarë vështrimi paraprak nxitës të lavdisë së tempullit të Jehovait na jep 1 Mbretërve?
26 Mbretëresha e Shebës vajti nga vendi i saj i largët dhe u mrekullua nga mençuria e Solomonit, nga begatia e popullit të tij dhe nga lavdia e mbretërisë së tij, përfshirë edhe shtëpinë madhështore të Jehovait. Megjithatë, vetë Solomoni pranoi para Jehovait: «Qiejt, po, qiejt e qiejve, nuk të mbajnë dot, e aq më pak kjo shtëpi që kam ndërtuar unë!» (1 Mbret. 8:27; 10:4-9) Shekuj më vonë, Krishti Jezu erdhi që të kryente një vepër ndërtimi frymore, e cila lidhej veçanërisht me rivendosjen e adhurimit të vërtetë në tempullin e madh frymor të Jehovait. (Heb. 8:1-5; 9:2-10, 23) Për këtë të fundit, që ishte më i madh se Solomoni, është i vërtetë ky premtim i Jehovait: «Unë do ta bëj të patundur përgjithnjë fronin e mbretërisë sate në Izrael.» (1 Mbret. 9:5; Mat. 1:1, 6, 7, 16; 12:42; Luka 1:32) Libri i Parë i Mbretërve na jep një vështrim paraprak nxitës të lavdisë së tempullit frymor të Jehovait, dhe të begatisë, haresë e lumturisë së këndshme që do të gëzojnë të gjithë ata që do të jetojnë nën sundimin e mençur të Mbretërisë së Jehovait, të drejtuar nga Krishti Jezu. Në këtë mënyrë, vlerësimi ynë për rëndësinë e adhurimit të vërtetë dhe për masën e mrekullueshme të Mbretërisë, që Jehovai ka marrë nëpërmjet Farës, vazhdon të rritet!
[Shënimet]
a The International Standard Bible Encyclopedia, vëll. 4, 1988, botuar nga Xh. U. Broumëli, faqja 648.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 149, 952, anglisht.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 750, 751, anglisht.
d Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 947, 948, anglisht.
e Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 949, 950, anglisht.