Kapitulli i shtatë
Shërbeji Jehovait në përputhje me normat e tij të larta
1. Çfarë mendonin banorët e Jerusalemit në ditët e Sofonisë për normat e Jehovait?
«JEHOVAI nuk bën as mirë, as keq.» Kështu mendonin banorët e Jerusalemit në ditët e Sofonisë. Arsyetonin se Jehovai nuk priste prej tyre që t’u përmbaheshin disa normave specifike. Sofonia tha se ata ‘kishin rënë si llumi në fund të verës’. Kjo kishte kuptimin që njerëzit donin të rronin rehat, pa u shqetësuar nga shpalljet se Perëndia do të ndërhynte në punët e tyre. Megjithatë, Perëndia u tha atyre judenjve se ‘do të kontrollonte nëpër Jerusalem me llamba’ dhe ‘do ta drejtonte vëmendjen’ ndaj atyre që i shpërfillnin normat e tij. Po, Jehovai ka norma dhe i intereson ç’mendon populli i tij për to.—Sofonia 1:12.
2. Çfarë qëndrimi kanë në përgjithësi njerëzit përreth teje, për sa u përket normave?
2 Edhe sot, shumë njerëz s’durojnë dot as idenë se duhet të jetojnë sipas disa normave. Një shprehje që përdorin shpesh është: «Bëj çfarë të duash!» Disa arsyetojnë: ‘Nëse s’kam mjaft para ose mjete për t’i plotësuar dëshirat e mia, çdo gjë që bëj për ta ndryshuar këtë situatë për leverdinë time, s’prish punë.’ S’mendojnë gjatë se si ndihet Perëndia ose se ç’mund të kërkojë prej tyre. Po ti? A të pëlqen ideja që Krijuesi të vendosë disa norma?
3, 4. Përse e vlerëson faktin që ka norma për fusha të ndryshme të jetës?
3 Shumë nga ata që s’e pranojnë idenë se duhet të jetojnë sipas normave të Perëndisë, nga ana tjetër, i pranojnë menjëherë normat njerëzore në fusha të ndryshme të jetës. Për shembull, le të shqyrtojmë normat që vihen për pastërtinë e ujit. Shumica e qeverive kanë vënë disa norma për cilësinë e ujit që përdoret nga njerëzit. Po sikur këto norma të jenë shumë të ulëta? Kjo mund të sjellë si pasojë diarre dhe sëmundje të tjera që vijnë nga uji, të cilat prekin në veçanti fëmijët. Megjithatë, ka shumë të ngjarë që në vendin ku jeton ti, për të mirën e popullsisë, janë vendosur standarde ose norma që përcaktojnë nëse uji është i pishëm ose jo. «Po të mos kishte standarde, do ta ndienim menjëherë,—thotë Organizata Ndërkombëtare e Standardizimeve.—Zakonisht nuk jemi në dijeni të rolit që luajnë standardet në përmirësimin e cilësisë, sigurisë, besueshmërisë, rendimentit . . . , si dhe për t’i siguruar këto të mira me një kosto të leverdisshme.»
4 Nëse je dakord se ia vlen të ketë norma për fusha të ndryshme të jetës, a nuk është e arsyeshme të presim që Perëndia të ketë vënë norma të larta për popullin që mban emrin e tij?—Veprat 15:14.
A JANË TË ARSYESHME NORMAT HYJNORE?
5. Si e tregoi Jehovai me anë të Amosit sa rëndësi ka të plotësosh normat e Tij?
5 Kur ndërtohet një shtëpi, është e rëndësishme të ketë disa standarde ose norma. Nëse njëri mur nuk është pingul, e gjithë ndërtesa mund të anojë nga njëra anë. Ose, të çarat nëpër mure mund ta bëjnë të pabanueshme një shtëpi. Këtë donte të theksonte një vegim që pa Amosi, i cili profetizoi në shekullin e nëntë p.e.s., lidhur me gjendjen e kombit të Izraelit, të përbërë nga dhjetë fise. Ai pa Jehovain që kishte zënë vend mbi një mur dhe «kishte një plumbçe në dorë». Perëndia tha: «Ja, unë po vë plumbçen mes popullit tim, Izraelit, dhe nuk do ta shfajësoj më gjatë.» (Amosi 7:7, 8) Plumbçja është një copë metali e rëndë, e lidhur me një pe të gjatë, që përdoret për të përcaktuar nëse muri është pingul. Muri simbolik mbi të cilin e pa Amosi Jehovain, ishte «ndërtuar me plumbçe». Ky mur qëndronte drejt, pingul. Mirëpo, në ditët e Amosit, izraelitët nuk e kalonin më provën për sa i përket drejtësisë në kuptimin frymor, ishin si një mur që anon dhe duhej shembur para se të binte vetë.
6. (a) Cilën pikë kryesore gjejmë në librat e 12 profetëve? (b) Ku bazohesh kur thua se normat e Perëndisë janë të arsyeshme?
6 Ndërsa studion librat e 12 profetëve, do të gjesh këtë pikë që përsëritet vazhdimisht: është e domosdoshme të jetojmë në përputhje me normat e Perëndisë. Mesazhet që gjejmë në këta libra nuk ishin të gjitha denoncime për një popull që nuk plotësonte normat e larta të Perëndisë. Pati raste kur Jehovai i shqyrtoi dhe vuri re se ata i plotësonin vërtet normat e tij. Fakti që mund ta bënin këtë, tregon se normat e tij janë të arsyeshme. Ne, njerëzit e papërsosur, mund t’i arrijmë ato. Ja një shembull.
7. Si na ndihmon Zakaria të kuptojmë se njerëzit e papërsosur mund t’i plotësojnë normat e Jehovait?
7 Pasi hodhën themelet e tempullit, judenjtë e riatdhesuar e ndërprenë punën e rindërtimit. Atëherë, Perëndia dërgoi profetët e tij, Hageun dhe Zakarinë, për ta nxitur popullin që të rifillonte punën. Në një vegim që i dha Zakarisë, Jehovai tha se Zorobabeli, guvernatori i Judës, kishte ‘plumbçen në dorë’ kur vendosi gurin kryesor që shënoi përfundimin e ndërtimit të tempullit. Tempulli u ndërtua në përputhje me normat që kishte vendosur Perëndia. (Zakaria 4:10) Por, shiko këtë hollësi interesante për sa i përket tempullit të përfunduar: «Do ta shohin edhe shtatë sytë e Jehovait. Ata enden lart e poshtë nëpër gjithë tokën.» Perëndia pa Zorobabelin që vuri në vend gurin kryesor dhe, me sytë e Tij që shohin gjithçka, përcaktoi se tempulli i rindërtuar e kalonte inspektimin e Tij, domethënë i plotësonte normat e Tij! Pra, ndonëse Jehovai ka norma të larta, njerëzit mund t’i plotësojnë ato. Me nxitjen që morën nga Hageu dhe Zakaria, Zorobabeli bashkë me popullin i plotësuan ato norma. Ashtu si Zorobabeli, edhe ti mund t’i plotësosh kërkesat e Perëndisë. Sa qetësuese është kjo!
PSE DUHET T’I PRANOJMË NORMAT E JEHOVAIT?
8, 9. (a) Pse është me vend që Jehovai të vendosë norma për njerëzit? (b) Pse ishte e përshtatshme që Perëndia t’u kërkonte izraelitëve të zbatonin urdhërimet e tij?
8 Duke qenë Krijuesi, Perëndia ka të drejtën të vendosë disa norma për njerëzimin dhe të presë që ne t’i plotësojmë ato. (Zbulesa 4:11) Nuk është e nevojshme që Jehovai t’i renditë një më një të gjitha, sepse na ka dhënë ndërgjegjen si një udhërrëfyese të mirë. (Romakëve 2:14, 15) Gjithsesi, Perëndia u tha njerëzve të parë të mos hanin nga «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». Kjo pemë përfaqësonte të drejtën e Tij për të vendosur norma për të mirën dhe të keqen. Ti e di mirë se çfarë ndodhi. (Zanafilla 2:17; 3:1-19) Me sa duket, Hozea iu referua zgjedhjes së gabuar të Adamit, kur shkroi: «Por, si Adami, ata [izraelitët] kanë shkelur besëlidhjen.» (Hozea 6:7, Dio) Pra, Hozea tregoi se izraelitët po mëkatonin me dashje.
9 Po, çfarë mëkati ishte ky? Ata ‘kishin shkelur besëlidhjen [e Ligjit]’. Kur e çliroi popullin nga Egjipti, Perëndia u bë pronari i tyre dhe, normalisht, kishte të drejtën të vendoste disa norma për ta. Izraelitët e pranuan besëlidhjen me Jehovain, duke thënë se do të jetonin sipas normave të tij. (Dalja 24:3; Isaia 54:5) Megjithatë, shumë prej tyre nuk e vunë në praktikë Ligjin. U bënë fajtorë për gjakderdhje, për vrasje e për kurorëshkelje.—Hozea 6:8-10.
10. Si u përpoq t’i ndihmonte Perëndia ata që nuk plotësonin normat e tij?
10 Për ta ndihmuar popullin e kushtuar ndaj tij, Jehovai dërgoi profetë si Hozea. Në fund të librit të tij profetik, Hozea shpalli: «Kush është i mençur, që t’i kuptojë këto gjëra? I matur, që t’i dijë? Sepse udhët e Jehovait janë të drejta dhe në to do të ecin të drejtët, kurse shkelësit do të pengohen.» (Hozea 14:9) Disa vargje më sipër në kapitullin e 14-të të Hozesë, shohim se profeti theksoi nevojën për t’u kthyer te Jehovai. Njerëzit e mençur do ta kuptonin se Ai po u tregonte udhët e drejta ku duhej të ecnin si popull. Me siguri, si shërbëtor i kushtuar i Jehovait, ti dëshiron me gjithë zemër të mbetesh i drejtë ndërsa ecën në udhët e tij.
11. Përse dëshiron t’i zbatosh urdhërimet e Perëndisë?
11 Gjithashtu, Hozea 14:9 na tregon aspektet pozitive të ecjes në rrugë të drejtë. Kur përputhemi me kërkesat e Perëndisë, kemi shumë bekime e dobi. Si Krijuesi ynë, ai e di se si jemi bërë. Gjërat që pret prej nesh janë për të mirën tonë. Për të ilustruar lidhjen që ka mes nesh dhe Perëndisë, mund të mendojmë për një automjet dhe prodhuesin e tij. Ai që e ka bërë automjetin, e di si është projektuar dhe si janë vendosur së bashku pjesët. E di se herë pas here, makinës duhet t’i ndryshohet vaji. Ç’do të ndodhte në qoftë se do ta shpërfillje këtë standard, ndoshta duke arsyetuar se makina po ecën mirë? Motori do të dëmtohej e do të prishej shumë më shpejt se ç’ndodh zakonisht. E njëjta gjë vlen edhe për ne njerëzit. Krijuesi na ka dhënë disa urdhërime, dhe është në të mirën tonë t’i zbatojmë. (Isaia 48:17, 18) Kur e kuptojmë se nxjerrim dobi, kemi një arsye më shumë për të jetuar sipas normave të tij, për të zbatuar urdhërimet e tij.—Psalmi 112:1.
12. Si na forcohet lidhja me Perëndinë kur ecim në emrin e tij?
12 Shpërblimi më i madh kur zbatojmë urdhërimet e Perëndisë është se lidhja që kemi me të bëhet më e fortë. Kur jetojmë sipas normave të tij dhe shohim sa të arsyeshme e të dobishme janë, na shtohet përzemërsia për atë që i vendosi këto norma. Profeti Mikea e përshkroi bukur këtë lidhje të fortë: «Të gjithë popujt do të ecin secili në emër të perëndisë së vet, kurse ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë.» (Mikea 4:5) Çfarë privilegji është të ecim në emrin e Jehovait, duke mbajtur lart emrin e tij të mirë dhe duke pranuar autoritetin e tij në jetën tonë! Është normale që, si rrjedhojë, të dëshirojmë të pasqyrojmë cilësitë e tij. Le të punojmë individualisht për të forcuar lidhjen që kemi me Perëndinë!—Psalmi 9:10.
13. Pse nuk është diçka e keqe ose e dëmshme t’i frikësohemi emrit të Perëndisë?
13 Për ata që jetojnë sipas normave të Perëndisë dhe ecin në emrin e tij, thuhet se i frikësohen këtij emri. Por kjo s’është diçka e keqe ose e dëmshme. Jehovai i siguron këta njerëz: «Për ju që keni frikë nga emri im ka për të shkëlqyer dielli i drejtësisë, që sjell shërim me krahët e tij. Keni për të dalë e do të lodroni, duke rrahur dheun me thundra si viça të majmë.» (Malakia 4:2) Në përmbushjen e kësaj profecie, «dielli i drejtësisë» është Jezu Krishti. (Zbulesa 1:16) Tani ai po shkëlqen duke sjellë shërim frymor dhe, në të ardhmen, do të shkëlqejë duke sjellë shërim fizik për njerëzimin. Gëzimi që ndiejnë ata që shërohen, krahasohet me gëzimin e viçave të majmë që ‘dalin të lodrojnë, dhe rrahin dheun me thundra’, të kënaqur që janë të lirë. A nuk e kemi përjetuar tashmë në një masë të madhe këtë çlirim?—Gjoni 8:32.
14, 15. Si nxjerrim dobi duke zbatuar normat e Jehovait?
14 Një mënyrë tjetër se si nxjerrim dobi duke iu përmbajtur normave të Perëndisë, është përmirësimi i marrëdhënieve me njerëzit e tjerë. Habakuku shpalli pesë mjerime—kundër atyre që lakmonin, që kërkonin fitime të pandershme, që derdhnin gjak, që bënin plane për sjellje të gabuar seksuale dhe që adhuronin idhujt. (Habakuku 2:6-19) Shpallja e këtyre mjerimeve nga Jehovai, tregon qartë se ai ka vendosur disa norma se si duhet të jetojmë. Por, mendo për këtë: katër nga mëkatet e përmendura, kanë të bëjnë me mënyrën si i trajtojmë njerëzit e tjerë. Në qoftë se përvetësojmë pikëpamjen e Perëndisë, nuk do t’u bëjmë keq. Kështu, marrëdhënia jonë me shumicën prej tyre do të përmirësohet.
15 Një mënyrë e tretë si nxjerrim dobi, ka të bëjë me lumturinë familjare. Shpesh sot, njerëzit e shohin divorcin si zgjidhjen përfundimtare për mosmarrëveshjet në martesë. Mirëpo, nëpërmjet profetit Malakia, Jehovai tha: «Ai e urren divorcin.» (Malakia 2:16) Malakinë 2:16 do ta shqyrtojmë me hollësi më vonë, por tani shohim nga ky shkrim se Perëndia, me mençuri, ka vendosur norma që pjesëtarët e familjes duhet t’i zbatojnë. Aq sa i zbatojnë këto norma, aq paqe do të kenë. (Efesianëve 5:28, 33; 6:1-4) Qartë, të gjithë jemi të papërsosur, prandaj do të lindin probleme. Gjithsesi, në librin e Hozesë, Ai «nga i cili merr emër çdo familje në qiell dhe në tokë» dha një mësim praktik që tregon si mund të zgjidhen edhe disa probleme të rënda martesore. Edhe këtë do ta shqyrtojmë në një kapitull të mëvonshëm në këtë libër. (Efesianëve 3:15) Por tani, le të shohim çfarë përfshin tjetër zbatimi i normave të Perëndisë.
«URRENI TË KEQEN, DONI TË MIRËN»
16. Si lidhet Amosi 5:15 me normat e Perëndisë?
16 Zgjedhja që bëri njeriu i parë, Adami, për sa u përket normave të së mirës dhe të së keqes, ishte plotësisht e pamend. Po ne, a do të zgjedhim më me mençuri? Amosi na këshilloi të zhvillojmë ndjenja intensive për këtë, duke thënë: «Urreni të keqen, doni të mirën.» (Amosi 5:15) I ndjeri Uilliam Rejni Harperi, që ishte profesor i gjuhëve dhe i literaturës semitike në Universitetin e Çikagos, tha për këtë varg: «Në mendjen e [Amosit], norma e së mirës dhe e së keqes ishte pranimi i vullnetit të Jahvehut.» Kjo është një ide kryesore që mund të mësojmë nga 12 profetët. A jemi të gatshëm të pranojmë normat e Jehovait për të mirën dhe të keqen? Këto norma të larta janë zbuluar në Bibël dhe janë shpjeguar nga të krishterë të pjekur e me përvojë që përbëjnë ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’.—Mateu 24:45-47.
17, 18. (a) Pse është jetësore ta urrejmë të keqen? (b) Ilustro si të zhvillojmë urrejtje të fortë për të keqen.
17 Në qoftë se e urrejmë të keqen, e kemi më të lehtë të përmbahemi nga gjërat që i shkaktojnë pakënaqësi Perëndisë. Për shembull, një burrë mund ta kuptojë sa e rrezikshme është pornografia në Internet dhe përpiqet të mos shohë gjëra të tilla. Por, çfarë mendon ‘njeriu që është përbrenda’ tij për përmbajtjen e këtyre faqeve pornografike? (Efesianëve 3:16) Nëse zbaton këshillën hyjnore që gjejmë tek Amosi 5:15, ai do ta ketë më të lehtë të zhvillojë urrejtje për të keqen. Kështu, mund ta fitojë këtë betejë frymore.
18 Shqyrto një shembull tjetër. E mendon dot veten duke u përkulur para idhujve që përdoren për adhurimin e seksit? Edhe vetëm ta mendosh, është e neveritshme, apo jo? Gjithsesi, Hozea tha se etërit e izraelitëve kishin kryer imoralitet para Baalit të Peorit. (Numrat 25:1-3; Hozea 9:10) Me sa duket, Hozea e përmendi këtë ngjarje, sepse adhurimi i Baalit ishte një nga mëkatet më të rënda të mbretërisë prej dhjetë fisesh të Izraelit. (2 Mbretërve 17:16-18; Hozea 2:8, 13) As që e përfytyrojmë dot këtë skenë të neveritshme: izraelitët, duke u përkulur para idhujve gjatë orgjive seksuale. Dënimi që u dha Perëndia për këtë veprim, e ndihmon secilin prej nesh në luftën kundër kurtheve që ngre Satanai me anë të Internetit. Sot, shumë veta bëjnë idhuj gratë e bukura dhe burrat e pashëm që janë të famshëm në botën e artit dhe të zbavitjes. Por, sa ndryshe sillemi ne që kemi mësuar nga paralajmërimet e profetëve kundër adhurimit të idhujve!
MBAJE NË MENDJE FJALËN E PERËNDISË
19. Ç’mund të mësosh nga veprimet e Jonait kur u gjend në barkun e një peshku të madh?
19 Ndërsa përpiqesh të mbash normat e larta të Perëndisë mes tundimeve dhe vështirësive, nganjëherë mund të ndihesh i pafuqishëm ose s’di çfarë të bësh. Si do të arrish ta përballosh me sukses një situatë kritike, në qoftë se fuqia jote mendore ose emocionale është e paktë? (Proverbat 24:10) Mund të mësojmë diçka nga Jonai që, siç e dimë, ishte një njeri i papërsosur e me të meta. Kujto çfarë bëri ai kur u gjend në barkun e peshkut të madh. Iu lut Jehovait. Vër re se çfarë tha në lutje.
20. Si mund të përgatitesh për të vepruar si Jonai?
20 Kur iu lut Perëndisë «nga barku i Sheolit», Jonai përdori shumë fjalë e shprehje që i njihte mirë, të cilat ishin marrë nga psalmet. (Jonai 2:2) Ai ishte shumë i brengosur dhe iu përgjërua Jehovait për mëshirë, po gjithsesi, fjalët që tha ishin fjalët e Davidit. Për shembull, krahaso fjalët e Jonait 2:3, 5 me ato të Psalmit 69:1, 2.a A nuk është e qartë se Jonai i njihte mirë psalmet e Davidit? Nga brenda i buronin fjalë dhe shprehje të psalmeve të frymëzuara. Jonai e kishte fjalën e frymëzuar të Perëndisë ‘thellë brenda tij’. (Psalmi 40:8) Nëse gjendesh përballë një situate që të lodh emocionalisht, a mund të kujtosh disa shprehje të përshtatshme nga Fjala e Perëndisë? Nëse që tani e njeh sa më shumë Fjalën e Perëndisë, kjo do të të sjellë dobi të mëdha në të ardhmen, ndërsa merr vendime dhe i zgjidh problemet në harmoni me normat e Tij.
KI FRIKË TË SHËNDETSHME NGA PERËNDIA
21. Çfarë duhet të kultivosh, për t’iu përmbajtur gjithnjë normave të Perëndisë?
21 Sigurisht, që t’i përmbahesh gjithnjë normave të Perëndisë, nuk mjafton vetëm të ruash në kujtesë Fjalën e Tij. Profeti Mikea jep edhe më shumë kuptueshmëri se çfarë duhet për të zbatuar Fjalën e Perëndisë: «Njerëzit që kanë mençuri do t’i frikësohen emrit të tij.» (Mikea 6:9) Për të qenë një njeri i mençur, që di ta zbatojë në jetë njohurinë që ka, duhet të kultivosh në zemër frikën ndaj emrit të Perëndisë.
22, 23. (a) Pse e dërgoi Jehovai Hageun te judenjtë e riatdhesuar? (b) Përse je i sigurt se mund t’u përmbahesh normave të Perëndisë?
22 Si mund të mësosh t’i frikësohesh emrit të Perëndisë? Shiko se çfarë shkroi profeti Hage, që shërbeu në kohën pas mërgimit. Në librin e tij shumë të shkurtër, vetëm me 38 vargje, ai e përdori emrin Jehova 35 herë! Kur Jehovai e dërgoi Hageun për të profetizuar, në vitin 520 p.e.s., kishin kaluar 16 vjet që puna për rindërtimin e tempullit në Jerusalem nuk po ecte shumë. Populli i Perëndisë ishte shkurajuar nga kundërshtimi i armiqve. (Ezdra 4:4, 5) Njerëzit arsyetonin se s’kishte ardhur ende koha për të rindërtuar tempullin. Jehovai i këshilloi: «Shqyrtojini me gjithë zemër udhët tuaja. . . . Ndërtojeni shtëpinë, që të gjej ëndje në të dhe të marr lavdi.»—Hageu 1:2-8.
23 Guvernatori Zorobabel, kryeprifti Josia dhe «gjithë mbetja e popullit, nisën ta dëgjonin zërin e Jehovait, Perëndisë së tyre, dhe . . . populli nisi të kishte frikë për shkak të Jehovait». Atëherë, Perëndia u përgjigj: «Unë jam me ju.» Çfarë sigurie! Të ndihmuar nga fryma e Perëndisë, njerëzit «nisën të hynin e të punonin në shtëpinë e Jehovait». (Hageu 1:12-14) Frika e shëndetshme për të mos i shkaktuar pakënaqësi Perëndisë, e shtyu popullin zemërlëshuar të vepronte pavarësisht nga kundërshtimi.
24, 25. Duke përdorur shembuj specifikë, ilustro si mund t’i zbatosh parimet e trajtuara në këtë kapitull.
24 Po ti? Kur e kupton se cilat janë normat e Perëndisë në një situatë që has, a do të kesh guximin e duhur për të mos iu frikësuar njerëzve, por Jehovait? Ndoshta je një vajzë e re dhe në punë është një djalë që nuk ka parimet e tua biblike. Por ai është i sjellshëm dhe i vëmendshëm ndaj teje. A do të të vijë ndër mend një shkrim që do të të kujtojë normat e Jehovait dhe rreziqet që vijnë po t’i shpërfillësh ato? A do të të kujtohet ndoshta Hozea 4:11? «Kurvëria, vera dhe mushti ia heqin njeriut motivin e mirë.» Bashkë me këtë, a do të të shtyjë frika nga Perëndia që të zbatosh normat e Tij dhe t’i thuash jo këtij djali, nëse të fton të shkoni bashkë në ndonjë mbrëmje shoqërore? Në qoftë se ai fillon të flirtojë, frika se mos i shkakton pakënaqësi Perëndisë tënd të dashur mund të të ndihmojë ‘t’ia mbathësh’ prej tij.—Zanafilla 39:12; Jeremia 17:9.
25 Le të kthehemi tani te shembulli i burrit që po përpiqet t’i rezistojë tundimit për të parë pornografi në Internet. A do t’i kujtojë fjalët e Psalmit 119:37, që janë në formë lutjeje? «M’i largo sytë nga gjërat e kota.» Dhe, a do t’i kalojnë nëpër mend fjalët që tha Jezui në Predikimin në Mal: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» (Mateu 5:28) Frika ndaj Jehovait dhe dëshira për të jetuar sipas normave të tij, duhet ta shtyjnë një të krishterë të largohet nga gjërat që mund ta ndotin. Sa herë që tundohesh për të menduar a vepruar në kundërshtim me normat e Perëndisë, përpiqu të zhvillosh edhe më shumë frikë ndaj tij. Mbaj në mendje edhe atë që të thotë Jehovai me anë të Hageut: ‘Unë jam me ty.’
26. Çfarë do të shqyrtojmë më tej?
26 Po, ti mund t’i shërbesh Jehovait në përputhje me normat e tij të larta dhe të nxjerrësh dobi duke vepruar kështu. Ndërsa vazhdon të shqyrtosh 12 librat profetikë, do të të bëhen edhe më të qarta normat e Perëndisë ose çfarë kërkon ai nga secili prej nesh. Në pjesën tjetër të këtij libri do të shqyrtohen tri fusha kryesore ku Jehovai ka vendosur norma të shkëlqyera: sjellja, marrëdhëniet tona me të tjerët dhe jeta familjare.
a Krahaso edhe Jonain 2:2, 4-9 me Psalmin 18:6; 31:22; 30:3; 142:3; 31:6 dhe 3:8, sipas rendit që i përdori Jonai.