MËSIMI 46
Pse t’i kushtohesh Jehovait dhe të pagëzohesh?
Ia kushton jetën Jehovait kur, në një lutje të veçantë, i premton se do të adhurosh vetëm atë dhe se do t’i japësh përparësi vullnetit të tij. (Psalmi 40:8) Pas kësaj vjen pagëzimi. Duke u pagëzuar, u tregon të tjerëve se i je kushtuar Jehovait. Kushtimi është vendimi më i rëndësishëm i jetës. Prandaj, çfarë do të të motivojë të marrësh këtë vendim domethënës, që të ndryshon jetën?
1. Çfarë na motivon t’i kushtohemi Jehovait?
Është dashuria që na motivon t’i kushtohemi Jehovait. (1 Gjonit 4:10, 19) Bibla na nxit: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Marku 12:30) Duhet ta tregojmë se e duam Jehovain jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Ashtu si një çift që martohen ngaqë e duan vërtet njëri-tjetrin, edhe ne i kushtohemi Jehovait dhe pagëzohemi sepse e duam.
2. Çfarë bekimesh premton Jehovai për Dëshmitarët e tij të pagëzuar?
Kur të pagëzohesh, do të bëhesh pjesë e familjes së lumtur të Jehovait. Do ta ndiesh dashurinë e tij në mënyra nga më të ndryshmet dhe do të forcosh akoma më shumë miqësinë me të. (Lexo Malakinë 3:16-18.) Jehovai do të jetë Ati yt, ndaj do të jesh pjesë e familjes së tij bashkë me vëllezër e motra në çdo cep të botës, që kanë për zemër edhe Jehovain, edhe ty. (Lexo Markun 10:29, 30.) Pa diskutim, para se të pagëzohesh, duhet të hedhësh disa hapa: të mësosh të vërtetën për Jehovain, ta duash Atë, si dhe të tregosh besim te Biri i tij. Së fundmi duhet t’i kushtosh jetën Jehovait. Nëse i hedh këta hapa dhe pagëzohesh, do të fillosh të ecësh në shtegun që të çon në jetën e përhershme. Fjala e Perëndisë thotë: «Pagëzimi . . . tani po ju shpëton edhe ju.»—1 Pjetrit 3:21.
SHQYRTO MË TEJ
Shiko pse ka rëndësi t’i kushtohesh Jehovait dhe të pagëzohesh.
3. Të gjithë duhet të zgjedhim se kujt do t’i shërbejmë
Disa në Izraelin e lashtë mendonin se mund të adhuronin edhe Jehovain, edhe perëndinë e rremë Baal. Mirëpo, Jehovai dërgoi profetin e tij Elija që ta ndreqte këtë ide të gabuar. Lexoni 1 Mbretërve 18:21 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Cilën zgjedhje duhej të bënin izraelitët?
Ashtu si izraelitët, edhe ne duhet të zgjedhim se kujt do t’i shërbejmë. Lexoni Lukën 16:13 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Pse nuk mund të adhurojmë edhe Jehovain, edhe dikë apo diçka tjetër?
Si mund t’i tregojmë Jehovait se kemi zgjedhur të adhurojmë vetëm atë?
4. Mendo thellë për dashurinë që ka Jehovai për ty
Jehovai na ka bërë plot dhurata të çmuara. Po ne, çfarë mund t’i japim? Shihni VIDEON.
Në ç’mënyra të ka treguar Jehovai se të do? Lexoni Psalmin 104:14, 15 dhe 1 Gjonit 4:9, 10 e më pas diskutoni për këto pyetje:
Për cilat dhurata të Jehovait je veçanërisht mirënjohës?
Çfarë ndien për Jehovain kur mendon për këto dhurata?
Kur dikush na bën një dhuratë që na pëlqen shumë, duam t’ia shprehim mirënjohjen. Lexoni Ligjin e përtërirë 16:17 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Kur mendon për gjithë të mirat që të ka bërë Jehovai, çfarë dëshiron t’i japësh?
5. Kushtimi sjell një mal me bekime
Shumë njerëz mendojnë se fama, karriera e suksesshme ose paratë do t’i bëjnë të lumtur. A është e vërtetë kjo? Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjet që vijojnë.
Edhe pse sportisti në video vdiste për futbollin, pse hoqi dorë nga karriera?
Ai zgjodhi t’ia kushtonte jetën Jehovait, jo futbollit. Si të duket zgjedhja e tij? Pse?
Para se të bëhej i krishterë, apostulli Pavël synonte një karrierë premtuese. Ai kishte studiuar ligjin judaik me një mësues të njohur të kohës. Ama hoqi dorë nga gjithçka që të bëhej i krishterë. A u bë pishman? Lexoni Filipianëve 3:8 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Pse Pavli, kur u bë i krishterë, i quajti «shumë plehra» gjërat që la pas?
Çfarë fitoi si rezultat?
Si mendon, kur bëhet më e pasur jeta: kur i shërben Jehovait apo kur ndjek synime të tjera? Pse?
DISA THONË: «Mos e harxho kohën kot me fenë! Merru me ndonjë gjë të hajrit!»
Sipas teje, pse ia vlen t’i kushtohemi Jehovait?
PËRMBLEDHJE
Dashuria na motivon t’ia kushtojmë jetën Jehovait dhe të pagëzohemi.
Si do të përgjigjeshe?
Pse Jehovai e meriton ta duam e ta adhurojmë me gjithë zemër?
Çfarë bekimesh premton Jehovai për Dëshmitarët e pagëzuar?
A dëshiron t’ia kushtosh jetën Jehovait?
EKSPLORO
Shiko pse një këngëtare e operës dhe një sportist vendosën t’ia kushtonin jetën Jehovait.
Të rinjtë pyesin—Çfarë do të bëj me jetën time?—Sjellin ndër mend (6:54)
Shqyrto disa arsye të tjera pse t’i kushtohesh Jehovait.
«Pse t’i kushtohesh Jehovait?» (Kulla e Rojës, 15 janar 2010)
Në këtë video muzikore, shiko sa gëzim provojnë ata që ia kushtojnë jetën Jehovait.
Në historinë me titull «Për vite të tëra pyesja veten: ‘Pse ekzistojmë?’», zbulo çfarë e nxiti një grua të shqyrtonte përparësitë e saj.