EBERI
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «kaloj (kapërcej)»; ose «ana tjetër, (d.m.th., krahu i kundërt)»].
Përveçse si emër i përveçëm për pesë burra të përmendur në Bibël, ‘Eber’ përdoret edhe te Numrat 24:24 qoftë për të treguar hebrenjtë si popull, qoftë për t’iu referuar një zone. Septuaginta greke, Peshita siriake dhe Vulgata latine fjalën ‘Eber’ në këtë varg e përkthejnë «hebrenjtë». Megjithatë, në këtë rast fjala ‘Eber’ mund t’i referohet vendit ose popullit në «anën tjetër» të Eufratit (përveç Asirisë që përmendet në të njëjtin varg). Në hebraisht, shprehja që përkthehet «matanë Lumit» (heb., ʽéver hannahár) përdoret nganjëherë për të treguar zonën në perëndim të Eufratit. (Ne 2:7, 9; 3:7) Te 1 Mbretërve 4:24 e njëjta shprehje në hebraisht përkthehet «kjo anë e Lumit» ose «në perëndim të Eufratit». (Përkatësisht BR dhe ECM 1Mb 5:4.) Shprehja përkatëse në aramaisht është përdorur për të treguar në përgjithësi zonën e Sirisë dhe të Palestinës.—Ezd 4:10, 11, 16, 17, 20; 5:3, 6; 6:6, 13.
1. Paraardhës i Abrahamit; biri i Shelahut dhe i ati i Pelegut e i Joktanit, si edhe i disa fëmijëve të tjerë. Në kohën e birit të tij, Pelegut, pas vdekjes së të cilit Eberi jetoi edhe rreth 191 vjet, «toka u nda». Kjo mund të lidhet me ngatërrimin e gjuhëve që shkaktoi Jehovai mes ndërtuesve të qytetit të Babelit e të kullës së tij që drejtoheshin nga Nimrodi.—Zn 10:25; 11:14-19, 26.
Zanafilla 10:21 thotë se Semi ishte ‘paraardhësi i të gjithë bijve të Eberit [‘paraardhësi i të gjithë hebrenjve’, AT, Mo], vëllait të Jafetit’. Me sa duket, këtu Eberi lidhet drejtpërdrejt me Semin, për shkak të rëndësisë që u jep Bibla pasardhësve të Eberit, sidomos nga Abrahami e më pas. Pra, vargu nuk i kufizon pasardhësit e Semit vetëm te hebrenjtë, siç bëhet e qartë nga vargjet pasuese. Pasardhësit e Eberit nga Joktani duket se u vendosën në Arabi, kurse pasardhësit nga Pelegu lidhen me Mesopotaminë.
2. Një gadit që jetonte në Bashan; pasardhës i Abihailit.—1Kr 5:11, 13, 14.
3. Beniaminit që quhet si një nga bijtë e Elpaalit.—1Kr 8:12.
4. Një nga krerët beniamitë që renditet mes bijve të Shashakut.—1Kr 8:22-25, 28.
5. Prift levit; kreu i shtëpisë atërore të Amokut. Me sa duket, Eberi ishte bashkëkohës i kryepriftit Jojakim, guvernatorit Nehemia dhe priftit e skribit Ezdra.—Ne 12:12, 20, 26.