Arsimi në kohët biblike
«Duhet t’i mësoni edhe fëmijët tuaj.»—LIGJI I PËRTËRIRË 11:19.
1. Çfarë tregon se Jehovai interesohet për arsimin e shërbëtorëve të tij?
JEHOVAI është Arsimtari i madh. Kurrë nuk i ka lënë shërbëtorët e tij në padije. Ka dëshiruar gjithmonë të ndajë njohurinë me ta. I mëson atyre vullnetin dhe rrugët e tij. Për mijëvjeçarë të panumërt Biri i tij i vetëmlindur qe në krah të tij si «mjeshtër» i Perëndisë. (Proverbat 8:30) Kur ishte mbi tokë, Jezui deklaroi: «Sikundrë më mësoj im Atë, këto flas.» (Gjoni 8:28, BK) Duke iu referuar Perëndisë si Arsimtar i pakrahasueshëm, Elia pyeti: «Cili mësues i ngjan atij?» (Jobi 36:22) Profeti Isaia foli mbi Jehovain si «Mësuesi i madh» i popullit të Tij dhe profetizoi: «Të gjithë bijtë e tu do të jenë persona të mësuar nga Jehovai, dhe me shumicë do të jetë paqja e bijve të tu.» (Isaia 30:20; 54:13) Pa dyshim që Jehovai dëshiron që krijesat e tij inteligjente të jenë të ndriçuara dhe të arsimuara.
Asimimi në epokën patriarkale
2, 3. (a) Si e konsideronin patriarkët besnikë arsimin e fëmijëve dhe çfarë urdhri i dha Jehovai Abrahamit? (b) Cili qëllim madhështor qëndronte pas urdhrit për arsimin e pasardhësve të Abrahamit?
2 Një nga privilegjet themelore të kryefamiljarit në epokën patriarkale ishte mësimi i fëmijëve dhe i tërë familjes. Për shërbëtorët e Perëndisë arsimimi i fëmijëve ishte një detyrë fetare. Jehovai tha në lidhje me shërbëtorin e tij Abrahamin: «E kam njohur, me qëllim që të urdhërojë fëmijët e tij dhe shtëpinë e tij pas vetes së tij, në mënyrë që të qëndrojnë me të vërtetë në rrugën e Jehovait për të praktikuar drejtësi dhe gjykim; derisa Jehovai të bëjë sigurisht mbi Abrahamin atë që ka parashtruar në lidhje me të.»—Zanafilla 18:19.
3 Me këtë deklaratë Jehovai tregoi rëndësinë e madhe që i jepte arsimit. Perëndia donte që Abrahami, Isaku dhe Jakobi t’i arsimonin familjet e tyre në rrugët e tij të drejtësisë dhe gjykimit, me qëllim që brezat e ardhshëm të ishin në gjendje të ndiqnin rrugën e Jehovait. Kështu Jehovai do të plotësonte premtimin e tij në lidhje me farën e Abrahamit dhe me bekimin e «të gjitha kombeve të tokës».—Zanafilla 18:18; 22:17, 18.
Sistemi i arsimit në Izrael
4, 5. (a) Çfarë e dallonte sistemin e arsimit të Izraelit nga ai i kombeve të tjera? (b) Cilin ndryshim të rëndësishëm nxjerr në pah një enciklopedi dhe ç’gjë ishte padyshim e nevojshme?
4 Një enciklopedi deklaron: «Bibla është burimi kryesor i informacioneve për të kuptuar se si bëhej arsimi në Izraelin e vjetër.» (Encyclopaedia Judaica) Jehovai përdori Moisiun si mësuesin e parë njerëzor të Izraelit. (Ligji i përtërirë 1:3, 5; 4:5) Moisiu transmetonte fjalët që Jehovai i komunikonte. (Të Dalët 24:3) Pra, në fakt ishte Perëndia Arsimtari kryesor i Izraelit. Në vetvete kjo dallonte sistemin e arsimit të Izraelit nga ai i kombeve të tjera.
5 E njëjta vepër në lidhje me këtë deklaron: «Në Mesopotami dhe në Egjipt arsimi i lartë, apo kultura e bazuar mbi tekste të shkruara, ishte formale dhe e kufizuar në klasën e skribëve, ndryshe nga ajo që ndodhte në Izrael. Diferenca padyshim ishte në saje të sistemit më të thjeshtë të shkrimit alfabetik që përdorej nga hebrenjtë. . . . Rëndësia e shkrimit alfabetik në historinë e arsimit nuk nënvleftësohet. Shënoi një zhvillim të vendosur në krahasim me traditat kulturore të skribëve që ekzistonin në Egjipt, në Mesopotami dhe në Kanaan në mijëvjeçarin e II-të. Dija për shkrim e për lexim nuk qe më privilegj i një klase profesionale skribësh dhe priftërinjsh, të dhënë pas sistemeve të ngatërruara të shkrimeve kunjore dhe hieroglifike.»
6. Çfarë provash biblike kemi që izraelitët nga fillimi i historisë së tyre dinin të shkruanin dhe të lexonin?
6 Në Bibël ka prova se izraelitët dinin të shkruanin dhe të lexonin. Akoma më parë se të hynin në Tokën e premtuar, iu tha atyre t’i shkruanin ligjet e Jehovait në shtalka dhe në porta. (Ligji i përtërirë 6:1, 9; 11:20; 27:1-3) Edhe pse ky urdhër ishte simbolik, nuk do të kishte asnjë domethënie nëse izraeliti i mesëm nuk do të ishte në gjendje të shkruante dhe lexonte. Shkrime biblike si Josiu 18:9 dhe Gjykatësit 8:14 tregojnë, se përveç prijësve si Moisiu dhe Josiu, edhe të tjerë dinin të shkruanin shumë më përpara se të ndërtohej monarkia në Izrael.—Të Dalët 34:27; Josiu 24:26.
Mënyra të mësimit
7. (a) Sipas shkrimeve, kush ua jepte fëmijëve izraelitë arsimin bazë? (b) Çfarë informacionesh jep një dijetar biblik francez?
7 Në Izrael fëmijët mësoheshin që në moshë të njomë si nga ati ashtu dhe nga nëna. (Ligji i përtërirë 11:18, 19; Proverbat 1:8; 31:26) Në një fjalor biblik francez Dictionnaire de la Bible lexojmë këto fjalë të dijetarit E. Mangenot: «Sapo fëmija mësonte të fliste, i mësonin disa shkrime nga Ligji. E ëma i përsëriste një varg; kur e kishte mësuar, i përsëriste një tjetër. Më vonë i vinin në dorë tekstet e shkruara të vargjeve që tashmë i dinin përmendësh. Kishin mësuar kështu të lexonin dhe kur rriteshin, mund ta shtonin arsimin fetar duke lexuar dhe medituar mbi ligjin e Zotërisë.»
8. (a) Cila ishte mënyra themelore e mësimit në Izrael dhe me çfarë karakteristike të rëndësishme? (b) Cilat këshilla nevojiteshin për kujtesën?
8 Nga kjo mund të nxjerrim se metoda kryesore didaktike e ndjekur ishte kuptimi përmendësh. Gjërat e mësuara në lidhje me ligjet e Jehovait dhe marrëdhëniet e tij me popullin duhet të depërtonin në zemër. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Izraelitët duhet të meditonin mbi to. (Psalmet 77:11, 12) Për të ndihmuar të rinj dhe të vjetër të kujtojnë informacionet ishin të nevojshme këshilla të ndryshme për stërvitjen e kujtesës. Mes tyre kishte edhe akrostike alfabeti—përbërje poetike në të cilën çdo rrjesht fillon me një shkronjë të ndryshme (si tek Proverbat 31:10-31)—aliteracione (përsëritja e bashkëtingëlloreve ose e rrokjeve të njëjta në vargje) dhe përdorime numrash, ashtu si në gjysmën e dytë të kapitullit të 30-të të Proverbave. Interesant është fakti se kalendari i Gezerit, një nga shembujt më të lashtë të shkrimit të hershëm hebre, është konsideruar nga disa studiues një stërvitje kujtese e ndjekur nga një shkollar.
Programi mësimor
9. (a) Cila ishte një nga lëndët e rëndësishme të studimit për djemtë izraelitë? (b) Çfarë thotë një enciklopedi biblike në lidhje me mësimin e dhënë në rastet e festave vjetore?
9 Arsimi në Izrael nuk kufizohej vetëm në mësimin për të lexuar dhe për të shkruar. Një lëndë e rëndësishme mësimore ishte historia. Kuptimi i veprave të mrekullueshme të kryera nga Jehovai në favor të popullit të tij ishte një pjesë themelore e programit didaktik. Këto fakte historike duhet të mësoheshin nga brezi në brez. (Ligji i përtërirë 4:9, 10; Psalmi 78:1-7) Kremtimi i festave vjetore i jepte një mundësi të mirë kryefamiljarit për të mësuar fëmijët. (Të Dalët 13:14; Levitiku 23:37-43) Në lidhje me këtë një enciklopedi biblike thotë: «Në saje të arsimit të dhënë nga i ati në shtëpi dhe shpjegimeve të tij mbi domethënien e festave, fëmijët hebrenj kuptonin se si ishte paraqitur Perëndia në të kaluarën, si duhet të jetonin në atë kohë dhe cilat ishin premtimet e Perëndisë për të ardhmen e tij.»—The International Standard Bible Encyclopedia.
10. Çfarë stërvitje praktike u bëhej vajzave? Po djemve?
10 Arsimi i dhënë nga prindërit përmblidhte edhe stërvitjen praktike. Vajzave u mësohej kryerja e aktiviteteve shtëpiake. Kapitulli i fundit i Proverbave tregon që këto aktivitete ishin të shumta dhe të ndryshme: tjerrja, endja, gatimi, tregtimi dhe qeverisja e shtëpisë në përgjithësi. Djemve zakonisht i mësohej puna e të atit, si në fushën e bujqësisë ashtu edhe në fushën e arteve dhe të mjeshtërive. Në epokën e mëvonshme rabinët zakonisht thoshin: «Kush nuk i mëson birit të tij një zanat të dobishëm bën një hajdut.»
11. Nga çfarë e kuptojmë se cili ishte qëllimi themelor i arsimit në Izrael dhe ç’mësim mund të nxjerrin të rinjtë e sotëm?
11 Përmasa frymore e mësimit në Izrael shihet në të gjithë librin e Proverbave. Ajo tregon se qëllimi ishte mësimi i «joekspertëve» me cilësi të larta si dituria, disiplina, zgjuarsia, mendjehollësia, gjykimi, mendimi, njohuria dhe aftësia e të menduarit: të gjitha këto nën «frikën e Jehovait». (Proverbat 1:1-7; 2:1-14) Kjo nënvizon arsyet që duhet ta nxisin një shërbëtor të Perëndisë sot për të përmirësuar arsimin e tij.
Priftërinj, levitë dhe profetë
12. Kush merrte pjesë në arsimin e popullit të Izraelit, përveç prindërve dhe cili është kuptimi themelor i fjalës hebreje të përkthyer «ligj»?
12 Ndërsa prindërit kujdeseshin për arsimin bazë, Jehovai e arsimonte mëtej popullin e tij nëpërmjet priftërinjve, levitëve jo priftërinj dhe profetëve. Në bekimin përfundimtar drejtuar fisit të Levit, Moisiu deklaroi: «T’i mësojnë Jakobit vendimet e tua gjyqësore dhe Izraelit ligjin tënd.» (Ligji i përtërirë 33:8, 10) Është domethënëse që fjala «ligj» në hebraisht (toh-rah’) rrjedh nga një rrënjë që do të thotë «demonstrim», «arsim», «mësim». Encyclopaedia Judaica thotë: Si rrjedhim domethënia e fjalës [toh-rah’] është «mësim», «doktrinë» apo «arsim».
13. Përse Ligji i Izraelit ndryshonte nga sistemi gjyqësor i kombeve të tjera?
13 Edhe kjo gjë e dallonte plotësisht Izraelin nga kombet e tjera, duke përfshirë edhe ato të sotmet. Sot kombet politike kanë një kompleks ligjesh që në përgjithësi populli njeh vetëm një pjesë të vogël. Kur ndokush bie në vështirësi me ligjin duhet të paguajë qimet e kokës për t’u mbrojtur nga një avokat. Ka fakultete që diplomojnë specialistë në jurisprudencë. Ndërsa, në Izrael, ligji ishte mjeti me të cilin Perëndia i thoshte popullit të tij se si donte të adhurohej dhe si duhet të jetonte për të qenë në përputhje me vullnetin e Tij. Në ndryshim me kodet e tjera juridike, ai përmblidhte dashurinë për Jehovain dhe për të afërmin. (Levitiku 19:18; Ligji i përtërirë 6:5) Ligji ishte në përgjithësi një libër i ftohtë normash. Kujdesej mbi doktrinat, mësimet dhe arsimin që duhej të mësonin si mënyrë jetese.
14. Cila qe njëra nga arsyet që Jehovai e hodhi priftërinë levite? (Malakia 2:7, 8)
14 Kur ishin besnikë, priftërinjtë dhe levitët kishin përgjegjësinë e tyre për të mësuar popullin. Por, megjithatë më të shumtën e rasteve priftërinjtë e linin pas dore detyrën e tyre për të arsimuar kombin. Mungesa e arsimit në Ligjin e Perëndisë do të sillte pasoja të rënda si për priftërinjtë, ashtu edhe për popullin. Në shekullin e VII-të p.e.s. Jehovai profetizoi: «Populli im sigurisht do të përfundojë në qetësi, sepse nuk ka njohuri. Meqë ti e ke braktisur njohurinë, edhe unë do t’ju braktis nga të bërët priftërinj; dhe derisa vazhdon të harrosh ligjin e Perëndisë tënd unë do të harroj fëmijët tuaj, edhe unë.»—Hozea 4:6.
15. (a) Kë nxori Jehovai si mësues në Izrael përveç priftërinjve dhe çfarë shkroi një studiues biblik në lidhje me rolin e tyre si arsimtarë? (b) Çfarë i ndodhi më në fund Izraelit dhe Judejës që kishin braktisur njohurinë e Jehovait dhe rrugët e tij?
15 Përveç priftërinjve, Jehovai nxori edhe profetë si arsimtarë. Në fakt lexojmë: «Jehovai lajmëronte Izraelin dhe Judejën nëpërmjet të gjithë profetëve të tij dhe të çdo vegimtari, duke thënë: «Kthehuni nga rrugët tuaja të këqija dhe vështroni urdhrat e mia, statutet e mia, sipas të gjithë ligjit që u komandova të parëve tuaj dhe që ju kam dërguar nëpërmjet shërbëtorëve dhe profetëve të mi.» (2. Mbretërve 17:13) Në lidhje me profetët në rolin e arsimtarëve, dijetari biblik francez Roland de Vaux shkroi: «Edhe Profetët kishin si mision arsimimin e popullit, të paktën aq sa për të parashikuar të ardhmen; frymëzimi profetik i jepte predikimit të tyre autoritetin e një fjale të Perëndisë. Sigurisht që gjatë periudhës së monarkisë, Profetët ishin mësuesit e fesë dhe të moralit të popullit, më të mirët, për të mos thënë më të dëgjuarit.» Meqë nuk kishin marrë arsimin e duhur nga priftërinjtë dhe levitët dhe nuk i kishin dëgjuar profetët e Jehovait, izraelitët i braktisën rrugët e Jehovait. Më 740 p.e.s. Samaria ra në duart e asirianëve dhe më 607 p.e.s. Jeruzalemi dhe tempulli i tij u shkatërruan nga babilonasit.
Arsimi gjatë dhe pas robërisë
16, 17. (a) Cilin program arsimimi ishin të detyruar të ndiqnin Danieli dhe tre shokët e tij? (b) Çfarë u lejoi atyre që të ndiqnin atë program arsimimi të Babilonisë dhe njëlloj t’i mbetnin besnikë Jehovait?
16 Pothuajse dhjetë vjet përpara shkatërrimit të Jeruzalemit, mbreti Joahin me një grup princërish dhe fisnikësh u internuan në Babiloni nga mbreti Nabukodonosor. (2. Mbretërve 24:15) Mes tyre ishte Danieli dhe tre të rinj fisnikë. (Danieli 1:3, 6) Nabukodonosori i udhëzoi që të katërt të ndiqnin një kurs të veçantë trevjeçar stërvitjeje «në shkrimin dhe gjuhën e kaldejasve.» Duhej siguruar për ta gjithashtu «një racion i përditshëm nga ushqimet e zgjedhura të mbretit dhe nga vera për të pirë.» (Danieli 1:4; 5) Kjo përbënte një rrezik të mundshëm për shumë arsye. Sigurisht programi i arsimit nuk ishte vetëm një kurs gjuhësor prej tre vjetësh. Disa mendojnë që në këtë shkrim fjala «kaldejas» nuk tregon «babilonasit si popull, por klasën e ditur». (The Soncino Books of the Bible) C. F. Keil në komentin e tij mbi Danielin thotë: «Danieli dhe shokët e tij duhej të arsimoheshin me diturinë e priftërinjve dhe të dijetarëve kaldejas, që mësohej në shkollat e Babilonisë.» Edhe ushqimi i tryezës mbretërore i vinte para rrezikut të shkeljes së normave dietike të Ligjit të Moisiut. Si vepruan ata?
17 Duke folur në emër të të katër të rinjve fisnikë hebrenj, Danieli sqaroi menjëherë, se nuk do të hanin dhe nuk do të pinin asgjë që ishte kundër ndërgjegjes së tyre. (Danieli 1:8, 11-13) Në lidhje me studimet e tyre, ngjarjet e mëtejshme të jetës së katër të rinjve hebrenj tregojnë që kursi trevjeçar i detyrueshëm i kulturës babilonase pa asnjë dyshim nuk e dobësoi lidhjen e tyre të ngushtë me Jehovain dhe adhurimin e pastër. (Danieli, kapitujt 3 dhe 6) Jehovai i ndihmoi të dilnin të padëmtuar nga ato tre vjet kredhjeje të mundimshme në arsimin e lartë babilonas. «Në lidhje me këta djem, që të katërve, Perëndia i vërtetë u dha njohuri dhe mendjehollësi në çdo shkrim dhe dituri; dhe vetë Danieli kuptonte çdo lloj vegimi dhe ëndrre. Dhe në lidhje me çdo lloj diturie dhe kuptimi që mbreti i pyeti, ia gjeti dhjetë herë më të mira, sesa ato të priftërinjve që praktikonin magjinë dhe atyre që thërrisnin frymërat e liga në të gjithë mbretërinë e tij.»—Danieli 1:17, 20.
18. Cili program arsimi veproi në Jude pas robërisë babilonase?
18 Pas robërisë babilonase një vepër madhështore arsimi u bë nga Ezdra, një prift që «e kishte përgatitur zemrën e tij për t’u këshilluar me ligjin e Jehovait për ta vënë në praktikë dhe për të mësuar në Izrael rregull dhe drejtësi». (Ezdra 7:10) Në këtë e ndihmuan levitët besnikë, që i «shpjegonin ligjin popullit». (Nehemia 8:7) Ezdra ishte një studiues biblik dhe një «kopjues ekspert» apo skrib. (Ezdra 7:6) Dhe në ditët e tij klasa e skribëve fitoi spikatje.
Shkollat rabine
19. Cila klasë mësuesish ishte formuar tashmë në Izrael, kur Jezui erdhi mbi tokë dhe për cilat arsye të rëndësishme as ai as dishepujt e tij nuk e ndoqën arsimin e lartë Judaik?
19 Kur erdhi Jezui mbi tokë, skribët tashmë ishin bërë një klasë e shquar mësuesish, të lidhur më shumë me traditat, sesa me mësimet e vërteta të fjalës së Perëndisë. Donin të quheshin «Rabi», shprehje që ishte bërë një titull nderi në kuptimin e «I madhi Im (I shkëlqyer)». (Mateu 23:6, 7, NW, shënim) Në Shkrimet e Krishtere Greke, skribët shpesh shoqëroheshin me farisenjtë, disa prej të cilëve ishin vetë mësues të Ligjit. (Veprat 5:34) Jezui i akuzoi që të dy grupet sepse e kishin bërë fjalën e Perëndisë pa vlerë për shkak të traditave të tyre dhe mësonin «si doktrina urdhra të njerëzve». (Mateu 15:1, 6, 9, NW) Nuk të habit fakti që as Jezui dhe as dishepujt e tij nuk i kanë frekuentuar shkollat rabine.—Gjoni 7:14, 15; Veprat 4:13; 22:3.
20. Çfarë tregon ky shqyrtim i arsimit në kohët biblike dhe nga çfarë e kuptojmë që shërbëtorët e Jehovait duhet të jenë të arsimuar?
20 Ky shqyrtim i shkurtër i arsimit në kohët biblike tregon që Jehovai është Mësuesi i madh i popullit të tij. Nëpërmjet Moisiut, Perëndia organizoi në Izrael një sistem të efektshëm arsimues. Por pas shumë kohësh u zhvillua një sistem arsimi i lartë judaik që mësonte gjëra të kundërta me fjalën e Perëndisë. Megjithëse nuk i kishte frekuentuar këto shkolla judaike, Jezui qe një mësues i pakrahasueshëm. (Mateu 7:28, 29; 23:8; Gjoni 13:13) Ai i ngarkoi edhe ithtarët e tij të mësonin, deri në fund të sistemit të gjërave. (Mateu 28:19, 20) Për të bërë këtë duhej të ishin mësues të mirë, gjë që kërkonte një arsim. Pra, si duhet ta konsiderojnë të krishterët e vërtetë sot arsimin? Kjo pyetje do të merret në shqyrtim në artikullin e ardhshëm.
Pyetjet për përsëritje
◻ Pse mund të jemi të sigurt që Jehovai interesohet për arsimin e shërbëtorëve të tij?
◻ Mbi cilat aspekte sistemi i arsimit të Izraelit ndryshonte nga ai i kombeve të tjera?
◻ Çfarë arsimi merrnin fëmijët izraelitë?
◻ Cilat metoda mësimi ndiqeshin në Izrael?
◻ Përse Jezui dhe dishepujt e tij nuk i frekuentuan shkollat ku bëhej arsimi i lartë judaik?
[Figura në faqe 24]
Arsimi i detyruar i marrë në Babiloni nuk e largoi Danielin dhe shokët e tij nga Jehovai