Dalja në pension: Një derë e hapur për aktivitete teokratike?
PËR shumë veta, dalja në pension është fundi i një periudhe të gjatë stresi dhe rëndimi. Pasi kanë qenë të kufizuar në një rutinë të mërzitshme që të tërbon, shumë persona shpresojnë që pensioni t’u hapë një derë për të pasur disa vite çlodhjeje dhe lirie personale. Megjithatë, shumë shpesh, kjo derë çon në mërzi dhe plogështi. Zbavitja dhe qejfet thjesht nuk sigurojnë ndjenjën e vlerës që siguron puna.
Për Dëshmitarët e Jehovait, dalja në pension mund të hapë «një derë të madhe që çon në aktivitet». (1. Korintasve 16:9, BR) Megjithëse mosha ka problemet dhe kufizimet e saj, disa të moshuar kanë parë se me ndihmën e Jehovait, mund të rrisin shërbimin e tyre ndaj tij. Le të shohim përvojat e disa të krishterëve të moshuar në Hollandë. Gjatë vitit të shërbimit 1995, 269 prej më shumë se 1.223 pionierëve (lajmëtarë të Mbretërisë në kohë të plotë) ishin 50 vjeç e lart. 81 prej këtyre ishin 65 vjeç e më shumë.
Disa kanë mundësi të jenë pionierë, thjesht duke mbajtur të njëjtin ritëm që kishin vendosur kur ishin forcë punëtore. (Krahaso Filipianëve 3:16.) Një i krishterë në pension me emrin Karel, kujton: «Kur isha në punë, e filloja punën në 7 30 të mëngjesit. Kur dola në pension, vendosa të mbaja të njëjtën rutinë. Çdo mëngjes, e filloja ditën në shtatë, duke bërë dëshmi me revista, në rrugë përballë stacionit të trenit.»
Përveç kësaj, një çelës për të pasur sukses, është edhe planifikimi i kujdesshëm. (Proverbat 21:5) Për shembull, disave u është dhënë mundësia të kursejnë fonde të mjaftueshme për të mbajtur veten në shërbimin e tyre. Të tjerë kanë vendosur të zvogëlojnë shpenzimet personale dhe të gjejnë një punë gjysmë-ditore. Le të shohim Teodorin dhe Anën. Ata e nisën jetën martesore si pionierë, derisa detyrimet familjare kërkuan që ta linin këtë shërbim. Megjithatë, fryma e tyre e pionierit mbeti e gjallë. Ndërsa rriteshin, vajzat ishin vazhdimisht të inkurajuara për t’u bërë pioniere. Më e rëndësishmja është se Teodori dhe Ana lanë një shembull të mirë, duke shërbyer shpesh si pionierë ndihmës. Ndërsa vajzat rriteshin, Teodori dhe Ana filluan të zvogëlonin sasinë e kohës që harxhonin në punë, në mënyrë që të kishin më shumë kohë për shërbimin në fushë.
Pasi vajzat filluan shërbimin e plotë kohor dhe ikën nga shtëpia, Ana filloi si pioniere. Një ditë, ajo inkurajoi Teodorin të linte punën. «Mund të jemi pionierë që të dy»,—sugjeroi ajo. Teodori vuri në dijeni punëdhënësin për planet e tij. Për habinë e tij, pronari i ofroi ta ndihmonte, duke i dhënë një punë gjysmëditore, duke thënë: «Ma merr mendja se dëshiron të punosh në kohë të plotë për pronarin tënd lart [në qiell].» Teodori dhe Ana tani gëzojnë shërbimin si pionierë së bashku.
Disa fillojnë si pionierë në përgjigje të rrethanave që zhvillohen në jetën e tyre. Vdekja tragjike e vajzës së tyre dhe e mbesës e bëri një çift të moshuar të mendonte seriozisht mbi mënyrën se si po i përdornin vitet që u kishin mbetur. (Eklisiastiu 7:2) Në vend që të përpiheshin nga hidhërimi, ata ndërmorën shërbimin e plotë kohor, në të cilin kanë gjetur kënaqësi për më shumë se tetë vjet.
Duhet pranuar se nevojitet vendosmëri e vërtetë për të qëndruar në shërbimin e plotë kohor. Për shembull, Ernesti dhe gruaja e tij, Reik, filluan si pionierë sapo fëmijët e tyre ikën nga shtëpia. Pak më pas, një shoqëri e mëparshme biznesi i ofroi Ernstit një punë të leverdisshme. Ernst u përgjigj: «Kemi punëdhënësin më të mirë që mund të bëhet dhe nuk na e ka ënda ta lëmë.» Pasi Ernsti dhe gruaja e tij qëndruan në «punën» e Jehovait, privilegje të tjera shërbimi u shpalosën para tyre. Ata shërbyen në veprën qarkore për më shumë se 20 vjet dhe vazhdojnë si pionierë deri sot e kësaj dite. Mos vallë u vjen keq për jetën e tyre vetëmohuese? Disa kohë më parë, çifti shkroi: «Po të jetë vullneti i Jehovait, pas tre muajsh presim të festojmë 50-vjetorin e martesës, që shpesh quhet përvjetori i artë. Por me bindje të plotë themi se vitet tona vërtet të arta filluan kur nisëm shërbimin si pionierë.»
Shumë persona shohin se dera që të çon në aktivitet në rritje, të çon edhe në gëzim në rritje. Një vëlla që filloi si pionier dy javë pasi kishte mbushur 65 vjeç, tha: «Duhet të them se nuk kam përjetuar kurrë në jetën time një periudhë kaq të mbushur me bekime, sesa dhjetë vjetët që kam kaluar si pionier.» Një çift të martuarish që kanë shërbyer si pionierë për më shumë se shtatë vjet, thotë: «Ç’gjë tjetër mund të bëjë një çift i moshës sonë dhe në rrethanat tona? Shohim shpesh njerëz si ne në territor, të ulur rehat-rehat në shtëpi, duke u trashur, duke u plakur dhe duke u mpirë. Shërbimi na mban të shëndetshëm mendërisht dhe fizikisht. Jemi gjithmonë bashkë. Qeshim shumë dhe gëzojmë jetën.»
Pa dyshim, jo të gjithë të moshuarit kanë rrethana që u lejojnë të jenë pionierë. Këta të krishterë mund të jenë të sigurt se Jehovai çmon gjithçka që ata mund të bëjnë në shërbim të tij. (Krahaso Marku 12:41-44.) Për shembull, një motër sakate është kufizuar në një azil. Megjithatë, një derë aktiviteti është akoma e hapur për të! Një mjek e pyeti se si e kalonte kohën. Ajo tregon: «I thashë se gjithmonë nuk më tepron kohë. Ai nuk e kuptonte këtë. I thashë se është kështu, për shkak se ditët e mia janë të mbushura me aktivitete të kënaqshme. Unë nuk ndihem e vetmuar, por kërkoj të tjerë që janë të vetmuar dhe mundohem t’u tregoj se çfarë ka ruajtur Perëndia për njerëzimin.» Ajo i përmbledh të gjitha këto, duke thënë: «Nuk mund të presësh shumë nga një person rreth të 80-ave. Lutuni për mua që të mund të drejtoj akoma të tjerë drejt Jehovait.»
A je edhe ti në moshën e daljes në pension? Dera për të pasur më pak aktivitet mund të jetë shumë tunduese, por nuk është dera e bekimit frymor. Jepu rrethanave drejtim me anë të lutjes. Ndoshta mund të shkosh nëpër derën që të çon në aktivitet më të madh në shërbim të Jehovait.
[Figurat në faqen 25]
Dalja në pension mund të çojë drejt aktivitetit në rritje në shërbim