Jehovai përmbush premtimet e tij ndaj besimplotëve
«Ai që premtoi, është i besueshëm.»—HEBRENJVE 10:23, BR.
1, 2. Pse mund të kemi besim të plotë në premtimet e Jehovait?
JEHOVAI kërkon që shërbëtorët e tij të zhvillojnë dhe të mbajnë një besim të fortë tek ai dhe te premtimet e tij. Me besim të tillë, një person mund të besojë plotësisht se Jehovai bën atë që ka premtuar të bëjë. Fjala e tij e frymëzuar deklaron: «Jehovai i ushtrive është betuar, duke thënë: ‘Sigurisht, ashtu siç e kam menduar, kështu duhet të ndodhë dhe ashtu siç kam këshilluar, kjo do të jetë ajo që do të dalë e vërtetë.’»—Isaia 14:24, BR.
2 Pohimi «Jehovai i ushtrive është betuar», tregon se ai bën betimin e tij solemn për të përmbushur premtimet e veta. Ja përse Fjala e tij mund të thotë: «Beso në Jehovain me gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Merre parasysh në të gjitha rrugët e tua dhe ai vetë do t’i bëjë të drejta shtigjet e tua.» (Proverbat [Fjalët e urta] 3:5, 6, BR) Kur ne besojmë te Jehovai dhe lejojmë që të udhëhiqemi prej mençurisë së tij, shtigjet tona do të çojnë patjetër në jetën e përhershme, sepse mençuria e Perëndisë është «një pemë jete për ata që e rrokin».—Proverbat 3:18, BR; Gjoni 17:3.
Besimi i vërtetë në kohët e lashta
3. Si tregoi Noeja besim te Jehovai?
3 Dokumentimi i veprave të Jehovait ndaj atyre me besim të vërtetë, dëshmon për besueshmërinë e tij. Për shembull, më shumë se 4.400 vjet më parë, Perëndia i tha Noes se bota e ditëve të tij do të shkatërrohej me anë të një Përmbytjeje globale. Ai e udhëzoi Noen të ndërtonte një arkë të stërmadhe, për të ruajtur jetën njerëzore dhe shtazore. Çfarë bëri Noeja? Hebrenjve 11:7 na thotë: «Me anë të besimit, Noeja, pasi iu dha paralajmërim hyjnor për gjërat ende të papara, tregoi druajtje hyjnore dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij.» (BR) Pse Noeja pati besim në diçka që s’kishte ndodhur kurrë më parë, në diçka «ende të paparë»? Sepse ai kishte mjaft njohuri në lidhje me mënyrën se si kishte vepruar më parë Perëndia me familjen njerëzore, sa të kuptonte se çfarëdo që thotë Perëndia del e vërtetë. Kështu, Noeja ishte i sigurt se edhe Përmbytja do të ndodhte.—Zanafilla 6:9-22.
4, 5. Pse Abrahami i besoi plotësisht Jehovait?
4 Një shembull tjetër i besimit të vërtetë është Abrahami. Pothuajse 3.900 vjet më parë, Perëndia i tha të flijonte Isakun, birin e tij të vetëm nga gruaja e tij, Sarah. (Zanafilla 22:1-10) Si u përgjigj Abrahami? Hebrenjve 11:17 thotë: «Me anë të besimit, Abrahami, kur u provua, mund të thuhet se e ofroi Isakun.» Por, në çastin e fundit, engjëlli i Jehovait e ndaloi Abrahamin. (Zanafilla 22:11, 12, BR) Megjithatë, pse Abrahami do ta merrte qoftë edhe në konsideratë bërjen e një gjëje të tillë? Sepse, siç thotë Hebrenjve 11:19, «ai e merrte me mend se Perëndia ishte në gjendje ta ringjallte [Isakun] edhe së vdekuri». Por, si mund të kishte Abrahami besim në ringjalljen, kur s’kishte parë asnjë të tillë dhe as nuk kishte ndonjë dokumentim të mëparshëm për ndonjë ringjallje?
5 Sill ndër mend që Sara ishte 89 vjeçe, kur Perëndia u premtoi një djalë. Mitra e Sarës s’ishte aspak pjellore; ishte, si të thuash, e vdekur. (Zanafilla 18:9-14) Perëndia e ktheu në jetë mitrën e Sarës dhe ajo lindi Isakun. (Zanafilla 21:1-3) Abrahami e dinte që përderisa Perëndia ktheu në jetë mitrën e vdekur të Sarës, ai mund të kthente në jetë edhe Isakun, nëse do të ishte e nevojshme. Romakëve 4:20, 21 thotë për Abrahamin: «Për shkak të premtimit të Perëndisë, ai nuk u lëkund në një mungesë besimi, por u bë i fuqishëm me anë të besimit të tij, duke i dhënë lavdi Perëndisë dhe duke qenë plotësisht i bindur se atë që kishte premtuar, ai ishte, gjithashtu, në gjendje ta bënte.»—BR.
6. Si e shprehu Josiu besimin në Jehovain?
6 Më shumë se 3.400 vjet më parë, kur Josiu ishte mbi njëqind vjeç dhe pas një jete, gjatë së cilës kishte përjetuar se sa i denjë për besim është Perëndia, ai dha këtë arsye për sigurinë e tij: «Ju e dini mirë me gjithë zemrën tuaj dhe me gjithë shpirtin tuaj, se asnjë fjalë prej të gjitha fjalëve të mira që Jehovai, Perëndia juaj, ju ka thënë, nuk ka dështuar. Ato kanë dalë të gjitha të vërteta për ju. Asnjë fjalë prej tyre nuk ka dështuar.»—Josiu (Jozueu) 23:14, BR.
7, 8. Cilën rrugë veprimi jetëshpëtuese ndërmorën të krishterët besimplotë në shekullin e parë dhe pse?
7 Rreth 1.900 vjet më parë, shumë njerëz të përulur demonstruan besim të vërtetë. Nga përmbushja e profecive të Biblës, ata e kuptuan se Jezui ishte Mesia dhe pranuan mësimet e tij. Duke pasur një bazë të fortë në faktet dhe në Shkrimet Hebraike, ata e vunë besimin në ato që mësoi Jezui. Kështu, kur Jezui tha se gjykimi i Perëndisë po vinte kundër Judës dhe Jerusalemit për shkak të jobesnikërisë, ata e besuan. Edhe kur ai u tha se ç’rrugë veprimi duhej të ndërmerrnin për të shpëtuar jetën e tyre, ata e ndërmorën.
8 Jezui u tha besimtarëve se kur Jerusalemi të rrethohej nga ushtritë, ata duhej të iknin. Ushtritë romake erdhën kundër Jerusalemit në vitin 66 të e.s. Por më pas romakët u larguan pa ndonjë arsye të shpjeguar. Ky ishte sinjali që të krishterët të braktisnin qytetin, sepse Jezui kishte thënë: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, ta dini se shkretimi i saj është afruar. Atëherë, ata që janë në Jude të fillojnë të ikin në male, ata që janë në mes të saj të tërhiqen, ndërsa ata që janë në fshatra të mos hyjnë në të.» (Luka 21:20, 21, BR) Ata që patën besim të vërtetë, braktisën Jerusalemin dhe zonën përreth dhe ikën për të shpëtuar.
Pasojat e mungesës së besimit
9, 10. (a) Si e treguan udhëheqësit fetarë mungesën e tyre të besimit në Jezuin? (b) Cilat qenë pasojat e asaj mungese besimi?
9 Çfarë bënë ata që s’patën besim të vërtetë? Ata nuk ikën, kur patën mundësinë. Ata menduan se udhëheqësit e tyre mund t’i shpëtonin. E megjithatë, ata udhëheqës dhe, gjithashtu, ithtarët e tyre e kishin dëshminë e mesianitetit të Jezuit. Përse, pra, nuk e pranuan atë që tha ai? Për shkak të gjendjes së tyre të ligë të zemrës. Kjo ishte dukur qartë më parë, kur ata panë shumë nga njerëzit e thjeshtë të mblidheshin rreth Jezuit, pasi ai ringjalli Lazrin. Gjoni 11:47, 48 tregon: «Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën sinedrin [gjyqi i lartë i judenjve] dhe filluan të thonë: ‘Ç’të bëjmë, sepse ky njeri [Jezui] kryen shumë shenja? Po ta lëmë të veprojë kështu, të gjithë ata do ta vënë besimin tek ai dhe do të vijnë romakët e do të heqin si vendin, ashtu dhe kombin tonë.’» Vargu 53 thotë: «Prandaj, që nga ajo ditë, ata këshilloheshin për ta vrarë.»—BR.
10 Ç’mrekulli fantastike kishte kryer Jezui: kthimin e Lazrit nga vdekja! Por për shkak të kësaj që kishte bërë, udhëheqësit fetarë e donin të vrarë Jezuin. Ligësia e tyre shumë e madhe u duk qartë edhe më tej, kur «krerët e priftërinjve . . . këshilloheshin për ta vrarë edhe Lazrin, sepse për shkak të tij, shumë judenj po shkonin atje dhe po e vinin besimin te Jezui». (Gjoni 12:10, 11, BR) Lazri sapo ishte ringjallur së vdekuri dhe ata priftërinj donin ta shihnin përsëri të vdekur! Ata nuk merakoseshin për vullnetin e Perëndisë apo për mirëqenien e njerëzve. Ata ishin egoistë, të merakosur vetëm për pozitat dhe përfitimet e tyre. «Donin lavdinë e njerëzve, më tepër edhe se lavdinë e Perëndisë.» (Gjoni 12:43, BR) Por ata e paguan mungesën e tyre të besimit. Në vitin 70 të e.s., ushtritë romake u kthyen dhe e shkatërruan vendin dhe kombin e tyre, si dhe shumë prej tyre.
Besimi i demonstruar në kohën tonë
11. Si u demonstrua besimi i vërtetë në fillimet e këtij shekulli?
11 Edhe në këtë shekull, ka pasur shumë burra dhe gra me besim të vërtetë. Për shembull, në fillimet e viteve 1900, njerëzit në përgjithësi pritnin një të ardhme paqësore dhe të lulëzuar. Në të njëjtën kohë, ata që e kishin vënë besimin në Jehovain, po lajmëronin se njerëzimi ishte gati të hynte në periudhën më të keqe të trazirave. Kjo qe ajo që ishte parathënë në Fjalën e Perëndisë, në kreun 24 të Mateut, në kreun 3 të 2. Timoteut dhe gjetkë. Ajo që thanë ata njerëz me besim, ndodhi me të vërtetë, duke filluar në vitin 1914 me Luftën I Botërore. Bota hyri me të vërtetë në «ditët e fundit» të parathëna me «kohë kritike të vështira». (2. Timoteut 3:1, BR) Pse shërbëtorët e Jehovait e dinin të vërtetën rreth kushteve të atëhershme botërore, ndërsa të tjerët jo? Sepse, ashtu si Josiu, ata kishin besim se asnjë prej fjalëve të Jehovait nuk do të dështonte.
12. Cilit premtim të Jehovait i besojnë plotësisht shërbëtorët e tij sot?
12 Sot, shërbëtorët e Jehovait, që e vënë besimin e tyre tek ai, në mbarë botën numërojnë gati gjashtë milionë. Ata e dinë nga dëshmitë në përmbushje të fjalës profetike të Perëndisë, se së shpejti ai do t’i japë fund këtij sistemi të dhunshëm dhe imoral gjërash. Prandaj, ata janë të sigurt se është pranë koha, kur do të shohin plotësimin e 1. Gjonit 2:17, që thotë: «Bota po kalon e po kështu edhe dëshirat e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.» (BR) Shërbëtorët e tij besojnë plotësisht se Jehovai do ta përmbushë këtë premtim.
13. Deri në ç’masë mund t’i besosh Jehovait?
13 Deri në ç’masë mund t’i besosh Jehovait? Ti mund ta vësh jetën tënde në duart e tij! Edhe sikur ta humbasësh tani jetën për t’i shërbyer atij, ai do të të kthejë përsëri një jetë shumë më të mirë në ringjallje! Jezui na siguron: «Po vjen ora, në të cilën të gjithë ata në varret përkujtimore [d.m.th., në kujtesën e Perëndisë] do të dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29, BR) A njeh ndonjë mjek, udhëheqës politik, shkencëtar, biznesmen ose ndonjë njeri tjetër, që mund ta bëjë këtë? Dokumentimi i së kaluarës për ta tregon se ata s’munden. Jehovai mundet dhe do ta bëjë!
Një e ardhme e mrekullueshme për besimplotët
14. Cilën të ardhme të mrekullueshme u premton Fjala e Perëndisë personave besimplotë?
14 Jezui e tregoi sigurinë e një bote të re nën Mbretërinë qiellore të Perëndisë, duke thënë: «Të lumtur janë personat natyrëbutë, sepse do të trashëgojnë tokën.» (Mateu 5:5, BR) Kjo përforcoi premtimin e Perëndisë, që gjendet në Psalmin 37:29: «Vetë të drejtët do të zotërojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (BR) Gjithashtu, tamam para vdekjes së Jezuit, kur një keqbërës shprehu besim tek ai, Jezui i tha atij njeriu: «Ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43, BR) Po, si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, Jezui do të kujdeset që ky njeri të ringjallet në tokë, me mundësinë për të jetuar përgjithmonë në atë Parajsë. Sot, edhe ata që besimin e tyre e vënë në Mbretërinë e Jehovait, mund të presin me padurim të jetojnë në Parajsë, kur «[Perëndia] do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më, as mbajtje zi, as klithma, as dhembje».—Zbulesa 21:4, BR.
15, 16. Pse jeta do të jetë kaq paqësore në botën e re?
15 Le ta drejtojmë mendjen tek ajo botë e re. Të përfytyrojmë sikur tashmë jemi duke jetuar në të. Menjëherë, mund të vërejmë kudo njerëzit e lumtur që banojnë së bashku në paqe të plotë. Ata po gëzojnë kushte të ngjashme me ato të përshkruara në Isainë 14:7: «E tërë toka pushon, është liruar nga shqetësimet. Njerëzit janë bërë të gëzuar me britma gëzimi.» Përse janë kështu? Së pari, vëre se dyert e shtëpive nuk kanë dryna. S’ka nevojë për ta, sepse nuk ka krime apo dhunë. Është tamam siç Fjala e Perëndisë tha se do të ishte: «Do të ulen në fakt secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i bëjë të dridhen.»—Mikea 4:4, BR.
16 Nuk ka më as luftë, sepse në këtë botë të re lufta është nxjerrë jashtë ligjit. Të gjitha armët janë shndërruar në mjete paqeje. Në kuptimin më të plotë, është përmbushur Isaia 2:4: «Ata do të duhet të farkëtojnë shpatat e tyre në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj. Një komb nuk do të ngrejë shpatën kundër një kombi dhe as nuk do të mësojnë më luftën.» (BR) Epo atëherë, kjo është ajo që pritnim! Pse? Sepse shumë banorë të botës së re mësuan të veprojnë kështu, ndërsa i shërbenin Perëndisë në botën e vjetër.
17. Cilat kushte të jetës do të mbizotërojnë nën Mbretërinë e Perëndisë?
17 Diçka tjetër që vëren është se s’ka varfëri. Askush nuk jeton në një kasolle të ndyrë, as nuk vishet me lecka ose është i pastrehë. Kushdo ka një shtëpi të rehatshme dhe prona të mirëmbajtura, me pemë dhe lule të mrekullueshme. (Isaia 35:1, 2; 65:21, 22; Ezekieli 34:27) Gjithashtu, nuk ekziston uria, sepse Perëndia ka përmbushur premtimin e tij se do të kishte ushqim të bollshëm për të gjithë: «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë; në majat e maleve do të ketë vërshim.» (Psalmi 72:16, BR) Me të vërtetë, nën udhëheqjen e Mbretërisë së Perëndisë, një parajsë e lavdishme shtrihet në mbarë tokën, tamam ashtu si Jehovai e kishte për qëllim që në Eden.—Zanafilla 2:8, BR.
18. Në botën e re, cilat gjëra nuk do t’i kërcënojnë më njerëzit?
18 Ti mrekullohesh edhe me energjinë e fuqishme që ka gjithsecili. Kjo ndodh, sepse tani ata kanë trup dhe mendje të përsosur. S’ka më sëmundje, dhimbje ose vdekje. Askush nuk është në një karrige me rrota ose në një shtrat spitali. Të gjitha këto kanë ikur njëherë e mirë. (Isaia 33:24; 35:5, 6) Madje, as edhe një kafshë nuk përbën ndonjë rrezik, pasi janë bërë paqësore me anë të fuqisë së Perëndisë.—Isaia 11:6-8; 65:25; Ezekieli 34:25.
19. Pse çdo ditë në botën e re do të jetë një ditë «kënaqësie të shijshme»?
19 Ç’qytetërim i mrekullueshëm është formuar me anë të banorëve besimplotë të kësaj bote të re! Energjitë dhe aftësitë e tyre, si dhe pasuritë e tokës, u janë kushtuar qëllimeve pozitive, jo atyre të dëmshme, bashkëpunimit me njëri-tjetrin, jo konkurrimit me ta. Gjithashtu, çdo njeri që takon, është një person të cilit mund t’i besosh sepse, siç premtoi Perëndia, të gjithë janë «persona të mësuar nga Jehovai». (Isaia 54:13, BR) Meqenëse kushdo qeveriset nga ligjet e Perëndisë, toka është «mbushur me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbulojnë detin». (Isaia 11:9, BR) Vërtet, çdo ditë në këtë botë të re është njësoj siç tha Psalmi 37:11 se do të ishte, një ditë «kënaqësie të shijshme».—BR.
Një e ardhme e lumtur e garantuar
20. Çfarë duhet të bëjmë për të gëzuar një të ardhme paqësore?
20 Ç’duhet të bëjmë, që të jemi pjesë e kësaj të ardhmeje të lumtur? Isaia 55:6 na e tregon: «Kërkoni Jehovain, ju njerëz, përderisa mund të gjendet. Thirreni atë, përderisa provon se është pranë.» (BR) Ndërsa kërkojmë, qëndrimi ynë duhet të jetë siç përshkruhet në Psalmin 143:10: «Më mëso të bëj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im.» (BR) Ata që e bëjnë këtë mund të ecin në mënyrë të paqortueshme para Jehovait gjatë këtyre ditëve të fundit dhe mund të presin me padurim një të ardhme të shkëlqyer. «Vëzhgo të paqortueshmin dhe mbaje para syve të drejtin, sepse e ardhmja e atij njeriu do të jetë paqësore. Por shkelësit vetë do të asgjësohen patjetër së bashku; e ardhmja e njerëzve të ligj do të hiqet me të vërtetë.»—Psalmi 37:37, 38, BR.
21, 22. Çfarë po formon sot Perëndia dhe si po kryhet stërvitja?
21 Që tani Jehovai po thërret nga çdo komb ata që dëshirojnë të bëjnë vullnetin e tij. Ai po formon me ta themelin e shoqërisë së tij të re tokësore, siç paratha profecia biblike: «Në pjesën e fundit të ditëve [koha në të cilën jetojmë tani] . . . shumë njerëz do të shkojnë me siguri dhe do të thonë: ‘Ejani, o njerëz, dhe le të ngjitemi në malin e Jehovait [adhurimi i tij i lartësuar] . . . Ai do të na udhëzojë në lidhje me rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’»—Isaia 2:2, 3, BR.
22 Zbulesa 7:9 i përshkruan këta si «një shumicë e madhe . . . e dalë nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». Zb 7 Vargu 14 pohon se «këta janë ata që dalin nga mjerimi i madh», duke mbijetuar fundin e sistemit të tanishëm. Ky themel për botën e re përbëhet tashmë prej pothuajse gjashtë milionë vetash, ndërkohë që shumë të tjerë bëhen pjesë e tij çdo vit. Të gjithë këta shërbëtorë besimplotë të Jehovait po stërviten për jetën në botën e tij të re. Ata po mësojnë aftësi frymore dhe të tjera, të nevojshme për ta transformuar këtë tokë në një parajsë. Gjithashtu, të gjithë ata besojnë plotësisht se Parajsa do të bëhet një realitet, sepse «ai që premtoi, është i besueshëm».—Hebrenjve 10:23, BR.
Pika për rishikim
◻ Cilat pasoja solli mungesa e besimit në shekullin e parë?
◻ Deri në ç’masë mund t’i besojnë Perëndisë shërbëtorët e tij?
◻ Cila e ardhme është rezervuar për besimplotët?
◻ Çfarë duhet të bëjmë që të sigurojmë një të ardhme të lumtur për veten në botën e re të Perëndisë?
[Figura në faqen 18]
Që tani Jehovai po formon themelin e një shoqërie të re tokësore