Duke qëndruar në pragun e një aktiviteti më të madh
«NUK ekzistonte fryma e konkurrencës. Gjithsecili dëshironte që të gjithë të tjerët t’ia dilnin mbanë me sukses»,—thonë Rikardi dhe Lusia, duke përshkruar studentët e tjerë të klasës së 105-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. «Që të gjithë jemi shumë të ndryshëm, por për ne, çdo student është i çmuar.» Një nga studentët e klasës, Louël, ishte dakord dhe shtoi: «Ndryshimet që kemi na kanë afruar me njëri-tjetrin.»
Klasa, e cila u diplomua më 12 shtator 1998, ishte vërtet e ndryshme. Disa studentë kishin shërbyer si pionierë në zonat ku ka një nevojë të madhe për lajmëtarë të Mbretërisë, të tjerë kishin shërbyer besimplotë diku afër shtëpisë. Disa, si Matsit dhe Roz-Marisë, iu desh të punonin me zell për shumë orë që të përmirësonin anglishten e tyre para se të vinin në shkollë. Shumë studentë kishin menduar për shërbimin misionar që nga fëmijëria e tyre. Një çift e kishte bërë kërkesën 12 herë dhe sa të lumtur qenë kur morën ftesën për klasën e 105-të!
Të 20 javët e stërvitjes intensive kaluan shumë shpejt. Para se studentët ta kuptonin, kishin mbaruar ushtrimin e fundit me shkrim, kishin mbajtur raportin e fundit me gojë dhe kishte mbërritur dita e diplomimit.
Drejtuesi i programit, Albert Schroeder, një anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, i kujtoi klasës se ata po «qëndronin në pragun e një aktiviteti më të madh në fushën e arsimimit biblik», duke ndjekur më shumë se 7.000 të tjerët që kishin qenë përpara tyre në Galaad. Ai përmendi veçanërisht se gjatë verës studentët kishin pasur rastin unik për t’u shoqëruar me misionarët prej një kohe të gjatë, kur këta kishin vizituar Qendrën Botërore për kongreset ndërkombëtare.
Më pas vëllai Schroeder prezantoi Maks Larsonin, nga Komiteti Operativ i Bethelit. Ai zhvilloi temën «Arsimimi që çon në jetën e përhershme». Vëllai Larson citoi Fjalët e urta 1:5, ku thuhet: «Një person i mençur do të dëgjojë dhe do të marrë më shumë arsimim dhe një njeri me kuptueshmëri është ai që fiton drejtim të aftë.» (BR) Për të qenë një misionar i efektshëm nevojitet aftësi. Njerëzit e aftë qëndrojnë para mbretërve. (Fjalët e urta 22:29) Pasi u arsimuan për pesë muaj, studentët ishin të pajisur mirë për të përfaqësuar Mbretërit më të mëdhenj, Perëndinë Jehova dhe Krishtin Jezu.
Dejvid Olsën nga Reparti i Shërbimit foli më pas mbi subjektin «Ndihmoni për të gëzuar zemrën e Jehovait». Ai pyeti: «Çfarë mund të bëjnë njerëzit e papërsosur për të gëzuar zemrën e Perëndisë?» Përgjigjja? Ata mund t’i shërbejnë atij besimplotë, besnikërisht dhe me gëzim. Jehovai dëshiron që populli i tij të kënaqet me shërbimin që i bën atij. Kur bëjmë vullnetin e Perëndisë me gëzim, ne lumturojmë zemrën e tij. (Fjalët e urta 27:11) Vëllai Olsën lexoi një letër nga një çift misionarësh që u diplomuan në klasën e 104-t të Galaadit. A po u pëlqen atyre caktimi i ri? «Kemi rreth 140 lajmëtarë,—kishin shkruar ata në lidhje me kongregacionin e tyre,—me një mesatare nga 250 deri në 300 të pranishëm në mbledhje. Shërbimi në fushë është pjesa më e mirë. Kemi secili nga katër studime dhe disa po vijnë që tani në mbledhje.»
Lyman Swingle, nga Trupi Udhëheqës, foli mbi argumentin «Një kohë për të pushuar dhe për të numëruar bekimet tuaja». Stërvitja në Galaad kishte sjellë shumë bekime. Ajo i kishte ndihmuar studentët të rriteshin në njohuri, të shtonin vlerësimin për organizatën e Jehovait dhe të kultivonin cilësi jetësore si përulësinë. «Të vish këtu dhe të kalosh kohë duke dëgjuar udhëzime është një përvojë që të mëson përulësinë,—tha vëllai Swingle, duke shtuar,—ju po largoheni prej këtej shumë më të pajisur për të lartësuar Jehovain.»
«Gëzimi juaj është kaq i madh, prandaj përse të shqetësoheni?» ishte titulli i një fjalimi të mbajtur nga Daniel Sydlik, edhe ai nga Trupi Udhëheqës. Kur lindin probleme, kërkoni udhëheqje nga Shkrimet, nxiti ai. Duke përdorur vargje të zgjedhura nga kapitulli 6 i Mateut, vëllai Sydlik ilustroi se si mund të bëhet kjo. Mungesa e besimit mund të na bëjë të shqetësohemi për gjërat e përditshme, siç janë ushqimi dhe veshja. Megjithatë, Jehovai e di se për çfarë kemi nevojë. (Mateu 6:25, 30) Shqetësimi për këto gjëra vetëm sa do të shtojë problemet që çdo ditë sjell me vete. (Mateu 6:34) Nga ana tjetër, njëfarë planifikimi është i nevojshëm. (Krahaso Lukën 14:28.) «Ajo që Jezui na ndalon të bëjmë nuk është konsiderimi i mençur i së ardhmes, por shqetësimi jo i mençur për të,—shpjegoi vëllai Sydlik.—Veprimi është një nga kurat më të mira ndaj ankthit. Kur kemi ankth, është mirë që të fillojmë të flasim për të vërtetën.»
Dhënie këshillash nga instruktorët
Më pas vijuan fjalimet e mbajtura nga tre anëtarë të kuadrit mësimor të Galaadit. Karl Adams foli i parë, mbi subjektin: «Çfarë do t’i jepni Jehovait?» Fjalimi i tij u bazua mbi Psalmin 116, të cilin Jezui mund ta ketë kënduar natën para se të vdiste. (Mateu 26:30, shënimi, BR) Çfarë i ka kaluar nëpër mendje Jezuit kur këndonte fjalët, «Çfarë do t’i jap Jehovait për të gjitha të mirat e tij ndaj meje»? (Psalmi 116:12, BR) Ai mund të ketë medituar mbi trupin e përsosur që Jehovai kishte përgatitur për të. (Hebrenjve 10:5) Ditën tjetër, ai do ta ofronte atë trup si flijim, duke provuar thellësinë e dashurisë së tij. Studentët e klasës së 105-të kishin shijuar mirësinë e Jehovait për pesë muajt që kishin kaluar. Tani ata do ta tregonin dashurinë e tyre për Perëndinë, duke punuar me zell në caktimet e tyre misionare.
Mark Numar, instruktori i dytë i Galaadit që foli, i këshilloi studentët me fjalët «Vazhdoni të bëni atë që është e drejtë». Jozefi, pasi u shit si një skllav në Egjipt, duroi 13 vjet një trajtim të padrejtë. A lejoi ai që gabimet e të tjerëve ta ndalnin? Jo, ai vazhdoi të bënte atë që ishte e drejtë. Pastaj, në kohën e caktuar të Perëndisë, Jozefi u lirua nga sprovat e tij. Papritur, ai kaloi nga jetesa në një burg në jetën në një pallat. (Zanafilla, kapitujt 37-50) Instruktori i pyeti studentët e tij: «Nëse në caktimin tuaj misionar nuk plotësohen ato gjëra që prisnit ju, a do të ndaleni? A do të dorëzoheni ndaj dëshpërimit? Apo do të duroni, siç bëri Jozefi?»
Në fund, sekretari administrativ i Shkollës së Galaadit, Uollas Livërëns, drejtoi një diskutim të gjallë me anëtarët e klasës mbi temën «Lajmëroni Mbretin dhe Mbretërinë». Disa studentë treguan përvojat që patën ndërsa predikonin nga shtëpia në shtëpi, nga dyqani në dyqan dhe në rrugë. Të tjerë treguan se si ia dolën t’u dëshmonin njerëzve që flasin një gjuhë tjetër. Të tjerë akoma treguan se si t’u predikohet njerëzve me prejardhje të ndryshme fetare. Që të gjithë të diplomuarit ishin të etshëm për të marrë pjesë plotësisht në shërbimin në fushën misionare.
Misionarë të lumtur prej një kohe të gjatë
Pjesa vijuese, me titull «Rezultatet e gëzueshme që vijnë nga shërbimi misionar», u paraqit nga Robert Uollën dhe përbëhej nga intervista me katër vëllezër të personelit të Qendrës Botërore, të cilët kohët e fundit kishin pasur një shoqëri ndërtuese me misionarë me përvojë. Ata misionarë e kishin pranuar menjëherë se nuk kishte qenë e lehtë për ta të mësonin një gjuhë të re, t’i përshtateshin një kulture tjetër ose një klime të ndryshme. Më pas iu desh të përballonin dhimbjet e nostalgjisë. Disa herë lindnin probleme shëndeti. Por përmes gjithë këtyre gjërave, misionarët mbajtën një qëndrim pozitiv dhe këmbëngulja e tyre u bekua. Disa prej tyre kishin sjellë shumë njerëz në një njohje të Jehovait. Të tjerë kishin kontribuar në mënyra të ndryshme për rritjen e përgjithshme të veprës së Mbretërisë në vendet e tyre.
I fundit që foli ishte Carey Barber, një anëtar i Trupit Udhëheqës. Ai rishikoi pikat kulminante të programit të kongresit «Udha hyjnore e jetës». «Çfarë efekti pati mbi marrëdhënien tuaj me Jehovain programi i kongresit?»—pyeti ai auditorin. Oratori bëri kontrastin mes rezultateve të bekuara të ndjekjes së udhës së Perëndisë me fundin shkatërrimtar të atyre që ndjekin udhën e botës. Duke iu referuar shkeljes që bëri Moisiu në Meriba, ai paralajmëroi: «Edhe pasi një person ka shërbyer besimplotë për shumë vjet, Jehovai nuk shpërfill as edhe një thyerje të vogël të ligjeve të Tij të drejta.» (Numrat 20:2-13) Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë kudo që janë u mbajtshin fort pas privilegjeve të tyre të çmuara të shërbimit!
Kishte mbërritur koha që studentët të merrnin diplomat e tyre. Pastaj, një përfaqësues nga klasa lexoi një letër vlerësimi që studentët kishin shkruar për stërvitjen që kishin marrë. Pas këngës përmbyllëse dhe një lutjeje me gjithë zemër, programi i diplomimit mbaroi. Por, për klasën e 105-të, ky ishte vetëm fillimi, sepse misionarët e rinj po «qëndronin në pragun e një aktiviteti më të madh».
[Kutia në faqen 23]
Statistikat e klasës
Numri i shteteve të përfaqësuara: 9
Numri i shteteve ku u caktuan: 17
Numri i studentëve: 48
Numri i çifteve të martuara: 24
Mosha mesatare: 33
Mesatarja e viteve në të vërtetën:16
Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 12
[Kutia në faqen 24]
Ata zgjodhën shërbimin e plotkohor
«Kur isha më i ri, nuk kisha në plan të shërbeja si pionier,—thotë Beni, një i diplomuar i klasës së 105-të.—Mendoja se vetëm ata që kishin aftësi të veçanta dhe rrethana ideale mund të shërbenin si pionierë,—shton ai.—Por mësova ta doja shërbimin në fushë. Pastaj, një ditë më ndodhi që të kuptoja se të jesh pionier do të thotë thjesht të kesh një pjesëmarrje më të madhe në shërbim. Atëherë e kuptova se mund të bëhesha pionier.»
«Shërbëtorët në kohë të plotë gjithnjë vlerësoheshin shumë në shtëpinë tonë»,—tregon Lusia. Ajo kujton valën e entuziazmit që pushtonte kongregacionin e saj sa herë që misionarët vinin për një vizitë. «Ndërsa rritesha,—thotë ajo,—ishte e qartë se shërbimi i plotkohor do të përfshihej në planet e mia.»
Mamaja e Theodisit vdiq kur ai ishte 15 vjeç. «Në atë kohë, kongregacioni më qëndroi vërtet shumë afër,—thotë ai,—kështu që pyeta veten: ‘Çfarë mund të bëj për të treguar vlerësimin tim?’» Kjo çoi që ai të fillonte shërbimin e plotkohor dhe tani veprën misionare.
[Kutia në faqen 25]
Diplomimi i klasës së 105-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht
(1) Sampson, M.; Brown, I.; Heggli, G.; Abuyen, E.; Desbois, M.; Pourthié, P. (2) Kassam, G.; Lindberg, R.; Dapuzzo, A.; Taylor, C.; LeFevre, K.; Walker, S. (3) Baker, L.; Pellas, M.; Woggon, E.; Böhne, C.; Asplund, J.; Haile, J. (4) Pourthié, T.; Whittaker, J.; Palmer, L.; Norton, S.; Gering, M.; Haile, W. (5) Walker, J.; Böhne, A.; Groenveld, C.; Washington, M.; Whittaker, D.; Abuyen, J. (6) Gering, W.; Washington, K.; Pellas, M.; Desbois, R.; Heggli, T.; Asplund, Å. (7) Woggon, B.; LeFevre, R.; Taylor, L.; Brown, T.; Groenveld, R.; Palmer, R. (8) Norton, P.; Sampson, T.; Baker, C.; Lindberg, M.; Kassam, M.; Dapuzzo, M.