Ciril Lukaris—Një njeri që e vlerësoi Biblën
Ishte një ditë vere e vitit 1638. Disa peshkatarë në detin Marmara afër Kostandinopojës (Stambolli i sotëm), kryeqytetit të Perandorisë Osmane, u tronditën kur panë një kufomë që pluskonte në ujë. Kur e vëzhguan më nga afër, panë të tmerruar se trupi i mbytur ishte i patrikut të Kostandinopojës, kreut të Kishës Ortodokse. Ky ishte fundi tragjik i Ciril Lukarisit, një figurë e shquar fetare e shekullit të 17-të.
LUKARIS nuk jetoi aq gjatë sa të shihte realizimin e ëndrrës së tij—botimin e përkthimit të Shkrimeve të Krishtere Greke në greqishten e folur. Edhe një ëndërr tjetër e Lukarisit nuk u realizua kurrë: të shihte Kishën Ortodokse të kthehej në «thjeshtësinë e ungjillit». Kush ishte ky njeri? Çfarë pengesash hasi ai në këto përpjekje?
I tronditur nga mungesa e arsimimit
Ciril Lukaris lindi në vitin 1572 në Kandia (tani Iráklion), Kretë, e cila në atë kohë ishte pushtuar nga Venecia. Duke qenë shumë i talentuar, ai studioi në Venecie dhe në Padova të Italisë e pastaj udhëtoi shumë në atë vend dhe në vende të tjera. I zemëruar nga konfliktet mes fraksioneve brenda kishës dhe i tërhequr nga lëvizjet reformuese në Evropë, ai mund të ketë vizituar Gjenevën, e cila atëherë ishte nën ndikimin e kalvinizmit.
Kur vizitoi Poloninë, Lukaris pa që ortodoksët e atjeshëm, si priftërinjtë, ashtu edhe njerëzit e thjeshtë, ishin në një gjendje të mjerueshme frymore sepse u mungonte arsimimi. Pasi u kthye në Aleksandri dhe në Kostandinopojë, ai u alarmua kur pa se në disa kisha ishin hequr edhe katedrat, ku bëhej leximi i Shkrimeve.
Në vitin 1602, Lukaris shkoi në Aleksandri, ku zuri vendin e të afërmit e tij, patrikut Meletios, në po atë pozitë. Më pas, ai filloi të mbante korrespondencë me teologë të ndryshëm reformatorë në Evropë. Në njërën prej këtyre letrave, ai vërente se Kisha Ortodokse kishte shumë praktika të gabuara. Në letra të tjera, theksonte se sa e nevojshme ishte që kisha ta zëvendësonte bestytninë me «thjeshtësinë e ungjillit» dhe të varej vetëm nga autoriteti i Shkrimeve.
Gjithashtu, Lukaris u alarmua sepse autoriteti fetar i Etërve të Kishës vlerësohej njësoj si fjalët e Jezuit dhe të apostujve. «Nuk duroj dot më kur dëgjoj njerëz që thonë se interpretimet e traditës njerëzore kanë të njëjtën peshë si Shkrimet»,—shkruante ai. (Mateu 15:6) Ai shtonte se, për mendimin e tij, adhurimi i idhujve ishte shkatërrimtar. Ai vërente se lutjet që u bëheshin «shenjtorëve», ishin një fyerje që i bëhej Ndërmjetësit, Jezuit.—1. Timoteut 2:5.
Froni i patrikut në ankand
Këto ide, bashkë me antipatinë e tij për Kishën Katolike, bënë që mbi Lukarisin të binte urrejtja dhe persekutimi i Jezuitëve dhe i atyre në Kishën Ortodokse që ishin në favor të bashkimit me katolikët. Pavarësisht nga ai kundërshtim, në vitin 1620 Lukaris u zgjodh patrik i Kostandinopojës. Në atë kohë, patrikana e Kishës Ortodokse ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane. Qeveria osmane s’e kishte për gjë ta hiqte nga posti një patrik dhe të vinte një të ri, nëse ky i fundit do të jepte para për këtë.
Armiqtë e Lukarisit—kryesisht Jezuitët dhe një grup i fuqishëm e frikësues i kishës katolike, Congregatio de Propaganda Fide (Kongregacioni për propagandën e besimit)—nuk pushuan së shpifuri dhe së komplotuari kundër tij. «Për të arritur synimin e tyre, Jezuitët përdorën çdo mjet: kurthet, shpifjet, lajkat e mbi të gjitha ryshfetet, të cilat ishin arma më e efektshme për të fituar favorin e pushtetarëve [osmanë]»,—vërehet në veprën Kyrillos Loukaris. Për pasojë, në vitin 1622 Lukarisin e syrgjynosën në ishullin Rodos dhe Gregori i Amasjas e bleu postin për 20.000 monedha argjendi. Megjithatë, Gregori nuk mundi të siguronte shumën e premtuar, kështu që postin e bleu Anthimus i Adrianopojës, vetëm për të dhënë dorëheqjen pak më vonë. Çuditërisht, Lukarisin e vendosën përsëri në fronin e patrikut.
Lukaris ishte i vendosur ta përdorte këtë mundësi të re për të arsimuar klerin dhe popullin ortodoks, duke botuar një përkthim të Biblës dhe të broshurave teologjike. Për të arritur këtë, ai mori masa që në Kostandinopojë të sillej një makinë shtypi, nën mbrojtjen e ambasadorit anglez. Megjithatë, kur mbërriti makina e shtypit në qershor të vitit 1627, armiqtë e Lukarisit e akuzuan se do ta përdorte atë për qëllime politike dhe më së fundi e shkatërruan makinën e shtypit. Tani Lukarisit i duhej të përdorte shtypshkronjat që ndodheshin në Gjenevë.
Përkthimi i Shkrimeve të Krishtere
Respekti i jashtëzakonshëm i Lukarisit për Biblën dhe fuqinë e saj për të arsimuar, i dha shtysë dëshirës së tij që t’i bënte fjalët e saj më të kuptueshme për njerëzit e thjeshtë. Ai e kuptoi se gjuha e përdorur në dorëshkrimet e frymëzuara origjinale të pjesës greke të Biblës nuk kuptohej më nga njerëzit e thjeshtë. Prandaj, libri i parë që autorizoi Lukaris ishte përkthimi i Shkrimeve të Krishtere Greke në greqishten e kohës së tij. Maksimus Kalipolites, një arkimandrit, filloi të punonte për këtë projekt në mars të vitit 1629. Shumë ortodoksë e konsideronin një shkelje përkthimin e Shkrimeve, megjithëse, po të mos bëhej ky përkthim, për lexuesit teksti mund të ishte shumë i errët. Për t’i qetësuar ata, Lukaris bëri që teksti origjinal dhe përkthimi modern të shtypeshin në kolona paralele, duke shtuar vetëm disa shënime. Meqë Kalipolites vdiq pak kohë pasi kishte mbaruar dorëshkrimin, vetë Lukaris bëri korrigjimin e tekstit. Ai përkthim u shtyp pak kohë pas vdekjes së Lukarisit, në vitin 1638.
Me gjithë masat paraprake që mori Lukaris, ai përkthim ngriti një furtunë mosmiratimi nga shumë peshkopë. Dashuria e Lukarisit për Fjalën e Perëndisë u bë qartësisht e dukshme në parathënien e atij përkthimi të Biblës. Ai shkruante se Shkrimet e paraqitura në gjuhën që fliste populli, ishin «një mesazh i këndshëm që na është dhënë nga qielli». Ai i këshillonte njerëzit «ta njihnin dhe të familjarizoheshin me tërë përmbajtjen e [Biblës]» dhe thoshte se nuk ka mënyrë tjetër për të mësuar «saktësisht gjërat që kanë të bëjnë me besimin . . . përveçse me anë të Ungjillit hyjnor e të shenjtë».—Filipianëve 1:9, 10.
Lukaris i denonconte ashpër ata që e ndalonin studimin e Biblës, si edhe ata që hidhnin poshtë përkthimin e tekstit origjinal: «Nëse flasim ose lexojmë pa kuptueshmëri, është sikur t’i hedhim fjalët tona në erë.» (Krahaso 1. Korintasve 14:7-9.) Fjalët e fundit që shkroi në parathënie ishin: «Ndërsa e lexoni në gjuhën tuaj këtë Ungjill të shenjtë e hyjnor, bëjini tuajat dobitë që vijnë nga leximi i tij . . . dhe Perëndia e ndriçoftë gjithnjë udhën tuaj drejt asaj që është e mirë!»—Fjalët e urta 4:18.
Rrëfim i besimit
Pasi kishte filluar përkthimin e Biblës, Lukaris bëri një hap tjetër të guximshëm. Në vitin 1629, ai botoi në Gjenevë veprën Rrëfim i besimit. Ajo ishte një deklarim personal i bindjeve, të cilat ai shpresonte se Kisha Ortodokse do t’i adoptonte. Sipas librit Kisha Ortodokse, ai Rrëfim «e zhvesh doktrinën ortodokse nga priftëria dhe nga urdhrat e shenjtë (bashkësitë fetare) të çdo lloji dhe e bën të pavlerë adhurimin e ikonave dhe lutjet që u bëhen shenjtorëve, duke i quajtur forma idhujtarie».
Rrëfimi përbëhet nga 18 nene. Në nenin e dytë deklarohet se Shkrimet janë të frymëzuara nga Perëndia dhe se autoriteti i tyre ia kalon autoritetit të kishës. Aty thuhet: «Besojmë se Shkrimet e Shenjta janë dhënë nga Perëndia . . . Besojmë se autoriteti i Shkrimeve të Shenjta është mbi autoritetin e Kishës. Të mësohesh nga Fryma e Shenjtë është shumë më ndryshe se të mësohesh nga një njeri.»—2. Timoteut 3:16.
Në nenin e 8-të dhe të 10-të pohohet se Jezu Krishti është i vetmi Ndërmjetës, Kryeprift dhe Kreu i kongregacionit. Lukaris shkruan: «Besojmë se Zotëria ynë Jezu Krisht ulet në të djathtën e Atit të Tij dhe atje Ai ndërhyn për ne, duke kryer i vetëm detyrën e një kryeprifti dhe të një ndërmjetësi të vërtetë e të ligjshëm.»—Mateu 23:10.
Në nenin e 12-të deklarohet se kisha mund të ngatërrohet, duke e marrë gabimisht gjënë e rreme për të vërtetë, por drita e frymës së shenjtë mund ta shpëtojë atë, me anë të punës së palodhur të shërbëtorëve besnikë. Në nenin e 18-të, Lukaris pohon se purgatori është thjesht pjellë e imagjinatës: «Është e qartë se trilli i Purgatorit nuk duhet pranuar.»
Shtojca e Rrëfimit përmban disa pyetje dhe përgjigje. Aty, Lukaris thekson së pari se të gjithë besimtarët duhet t’i lexojnë Shkrimet dhe se është e dëmshme që një i krishterë të mos lexojë Fjalën e Perëndisë. Pastaj shton se librat apokrifë duhen shmangur.—Zbulesa 22:18, 19.
Pyetja e katërt është: «Çfarë duhet të mendojmë për Ikonat?» Lukaris përgjigjet: «Ne mësojmë nga Shkrimet e Shenjta dhe Hyjnore, ku thuhet qartë: ‘Nuk do të bësh për vete një idhull ose një ngjashmëri të asnjë gjëje që është në qiell lart a në tokë poshtë; nuk duhet t’i adhurosh ato as nuk duhet t’u përkulesh [Eksodi 20:4, 5]’, sepse nuk duhet të adhurojmë krijesat, por vetëm Krijuesin dhe Bërësin e qiellit dhe të tokës dhe duhet t’i përkulemi vetëm Atij. . . . Ne hedhim poshtë adhurimin dhe shërbimin që u bëhet [ikonave], si të ndaluara . . . nga Shkrimet e Shenjta, nga frika se mos harrojmë dhe në vend të Krijuesit e të Bërësit, u përkulemi bojrave, artit dhe krijesave.»—Veprat 17:29.
Ndonëse nuk qe në gjendje t’i shquante plotësisht të gjitha gjërat e gabuara në epokën e errësirës frymore në të cilën jetonte,a Lukaris bëri përpjekje të lavdërueshme që Bibla të ishte autoriteti për doktrinat e kishës dhe që njerëzit të arsimoheshin me mësimet e saj.
Menjëherë pas botimit të veprës së tij Rrëfimi, u ngrit një valë e re persekutimi kundër Lukarisit. Më 1633, Ciril Kontari, mitropolit i Beresë (tani Halebi), një armik personal i Lukarisit dhe i mbështetur nga Jezuitët, u përpoq të bënte tregti me osmanët për fronin e patrikut. Megjithatë, plani dështoi kur Kontari nuk mundi t’i paguante paratë. Lukaris e mbajti akoma postin. Vitin pasues, Athanasi i Selanikut pagoi 60.000 monedha argjendi për të marrë postin. Lukarisin e hoqën nga froni përsëri. Por, brenda një muaji atë e kërkuan prapë dhe e rivendosën në atë pozitë. Ndërkohë Ciril Kontari kishte mbledhur shumën e tij prej 50.000 monedhash argjendi. Kësaj radhe Lukarisin e syrgjynosën në Rodos. Pas gjashtë muajsh, miqtë e tij arritën të siguronin rikthimin e tij në fron.
Gjithsesi, në vitin 1638, Jezuitët dhe bashkëpunëtorët e tyre ortodoksë e akuzuan Lukarisin për tradhti të lartë kundër Perandorisë Osmane. Kësaj radhe, sulltani urdhëroi vdekjen e tij. Lukarisin e arrestuan dhe më 27 korrik 1638 e hipën në një barkë të vogël, sikur donin ta çonin në syrgjyn. Sapo barka doli në det, atë e mbytën. Trupin e varrosën afër bregut dhe më vonë e nxorën prapë dhe e hodhën në det. E gjetën peshkatarët dhe më vonë e varrosën miqtë e tij.
Mësime për ne
Një studiues pohon: «Nuk duhet lënë mënjanë fakti se një nga synimet kryesore [të Lukarisit] ishte të ndriçonte dhe të ngrinte nivelin arsimor të klerit dhe të kopesë së tij, nivel që në shekullin e 16-të dhe në fillim të shekullit të 17-të kishte rënë në një pikë tej mase të ulët.» Lukaris hasi shumë pengesa që nuk e lanë të arrinte synimin e tij. Atë e hoqën pesë herë nga froni i patrikut. Tridhjetë e katër vjet pas vdekjes së tij, një sinodë në Jerusalem i shkishëroi bindjet e tij, duke i quajtur herezi. Ata deklaruan se Shkrimet «nuk duhet t’i lexojë çdokush, por vetëm ata që ndalen e shohin gjërat e thella të frymës, pasi të kenë bërë kërkimet e duhura», domethënë vetëm klerikët gjoja të arsimuar.
Edhe një herë, klasa sunduese kishtare i shtypi përpjekjet për ta vënë Fjalën e Perëndisë në dispozicion të kopesë. Në mënyrë të dhunshme ata bënë të heshtte një zë që nxirrte në pah disa gabime të bindjeve të tyre jobiblike. Ata provuan se ishin mes armiqve më të këqinj të lirisë dhe të së vërtetës fetare. Mjerisht, ky është një qëndrim që në njëfarë mënyre ekziston edhe në ditët tona. Është një përkujtues që të fut në mendime, kur shqyrton atë që ndodh kur intrigat e nxitura nga kleri i zënë rrugën lirisë së mendimit e të fjalës.
[Shënimi]
a Në veprën e tij Rrëfimi, ai mbështet Trinitetin, doktrinën e paracaktimit dhe doktrinën e shpirtit të pavdekshëm—që të gjitha këto nuk janë mësime biblike.
[Diçitura në faqen 29]
Lukaris bëri përpjekje të lavdërueshme që Bibla të ishte autoriteti për doktrinat e kishës dhe që njerëzit të arsimoheshin me mësimet e saj
[Kutia dhe figura në faqen 28]
Lukaris dhe kodiku aleksandrin
Një nga gjërat e çmuara që ka Biblioteka Britanike është kodiku aleksandrin, një dorëshkrim biblik i shekullit të pestë të e.s. Nga 820 fletët origjinale që mund të ketë pasur, janë ruajtur 773.
Kur ishte patrik i Aleksandrisë në Egjipt, Lukaris kishte një koleksion të madh librash. Kur u bë patrik i Kostandinopojës, ai e mori me vete kodikun aleksandrin. Në vitin 1624 ia ofroi ambasadorit britanik në Turqi si një dhuratë për mbretin anglez Xhejms I. Kodiku iu dha tre vjet më vonë pasuesit të këtij mbreti, Karlit I.
Në vitin 1757 Biblioteka Mbretërore e mbretit iu dha kombit britanik dhe ky kodik i jashtëzakonshëm tani është i shfaqur në Galerinë Xhon Ritblat në Bibliotekën e re Britanike.
[Burimet]
Gewerbehalle, Vol. 10
Nga The Codex Alexandrinus in Reduced Photographic Facsimile, 1909
[Burimi i figurës në faqen 26]
Bibl. Publ. Univ. de Geneve