Me çfarë qëndrimi po e pret Jehovain?
NË BOTËN e sotme pak njerëz janë të gatshëm të presin për dikë ose për diçka. Kjo u vë në provë durimin. Por, Shkrimet i nxitin shërbëtorët e Perëndisë të zhvillojnë «një qëndrim pritës». Ndryshe nga njerëzit që e rrethonin, profeti Mikea tha: «Do të tregoj një qëndrim pritës për Perëndinë e shpëtimit tim.»—Mikea 7:7, BR; Vajtimet 3:26.
Por, çfarë do të thotë të presësh Jehovain? Si duhet ta presë një i krishterë Perëndinë? A ka mënyra të përshtatshme ose të papërshtatshme për të pritur? Shembulli i profetit Jona, që jetoi në shekullin e nëntë p.e.s., na siguron një mësim për këtë.
Pritje me motivin e gabuar
Perëndia Jehova e udhëzoi Jonain që të shkonte për t’u predikuar banorëve të Ninevisë, kryeqytetit të Perandorisë Asiriane. Ninevia njihej si «qyteti gjakatar», për shkak të mizorisë dhe të egërsisë së madhe, fakt të cilin e kanë vërtetuar historianët e arkeologët. (Nahumi 3:1) Fillimisht Jonai u përpoq ta shmangte këtë caktim, por Jehovai u kujdes që më në fund profeti të shkonte në Ninevi.—Jonai 1:3–3:2.
«Jona nisi të futet në qytet në një ditë rrugë dhe duke predikuar tha: ‘Edhe dyzet ditë dhe Ninive do të shkatërrohet.’» (Jonai 3:4) Predikimi i Jonait solli si rrjedhojë një reagim të veçantë: «Niniveasit i besuan Perëndisë, shpallën një agjërim dhe u veshën me thes, nga më i madhi deri te më i vogli nga ata.» (Jonai 3:5) Për këtë arsye, Jehovai, që është një Perëndi i cili «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim», nuk e shkatërroi qytetin.—2 Pjetrit 3:9.
Si reagoi Jonai? Lexojmë: «Por kjo nuk i pëlqeu aspak Jonas, i cili u zemërua.» (Jonai 4:1) Pse? Ndoshta mendonte se fakti që kishte shpallur shkatërrimin e qytetit në një datë të caktuar, dhe kjo nuk ishte përmbushur, do t’ia ulte vlerën si profet. Me sa duket më shumë e kishte mendjen tek emri i tij, sesa te mëshira dhe te shpëtimi i të tjerëve.
Qartë, Jonai nuk shkoi deri aty sa të hiqte dorë nga caktimi si profet. Po gjithsesi, u ul dhe priti «të shikonte çfarë do t’i ndodhte qytetit». Pra zhvilloi një qëndrim pasiv, të rrimë e të presim ç’do të ndodhë. Kur e kuptoi se gjërat nuk ndodhën siç i kishte menduar, ndërtoi një kasolle, u ul në hije i mërzitur, dhe priti ç’do të ndodhte. Por Jehovait nuk i pëlqeu qëndrimi i Jonait, prandaj me dashuri ia ndreqi mënyrën e gabuar të të menduarit këtij profeti.—Jonai 4:5, 9-11.
Pse është i duruar Jehovai?
Edhe pse banorët e Ninevisë u penduan, e prandaj nuk u shkatërruan, më vonë ata iu kthyen përsëri rrugëve të tyre të liga. Nëpërmjet profetëve Nahum dhe Sofonia, Jehovai parashikoi shkatërrimin e Ninevisë. Duke folur për ‘qytetin gjakatar’, Jehovai shpalli se do ta shkatërronte Asirinë dhe do ta bënte Ninevinë një shkreti. (Nahumi 3:1; Sofonia 2:13) Ai qytet u shkatërrua në vitin 632 p.e.s., për të mos u rindërtuar më kurrë.
Po kështu, bota e sotme është fajtore në një masë shumë më të madhe se Ninevia e lashtë, për gjakun e derdhur kot. Për këtë arsye, si edhe për të tjera, Jehovai ka shpallur se sistemi i tanishëm i lig do të përfundojë me një ‘shtrëngim të madh’ të paparë ndonjëherë.—Mateu 24:21, 22.
Gjithsesi, Jehovai nuk e ka sjellë ende shkatërrimin që ka premtuar, me qëllim që njerëzit e sinqertë sot, ashtu si banorët e penduar të Ninevisë, të pendohen dhe të shpëtojnë. Apostulli Pjetër e shpjegon kështu durimin e Perëndisë: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim.»—2 Pjetrit 3:9, 10, 13.
Të presim në mënyrën e duhur
Më tej Pjetri thotë: «Pasi kështu kanë për t’u shpërbërë të gjitha këto gjëra, ç’lloj personash duhet të jeni ju në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devocionit hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait!» (2 Pjetrit 3:11, 12) Vini re se, ndërsa presim ditën e Jehovait, duhet të kemi ‘vepra të shenjta sjelljeje dhe veprime të devocionit hyjnor’, pra të jemi aktivë dhe jo pasivë.
Po, qëndrimi i duhur është të presim me besim të patundur se dita e Jehovait do të vijë pikërisht në kohën kur Ai e ka vendosur, as më shpejt e as më vonë. Ky besim sjell vepra të shenjta që tregojnë përkushtimin tonë, e kryesore ndër to është predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Jezui dha një shembull të shkëlqyer në predikim dhe i udhëzoi ithtarët e tij: «Le të ngjeshen ijët tuaja e të digjen llambat tuaja, dhe ju vetë të jeni si njerëzit që presin zotërinë e tyre kur kthehet nga martesa, që kur të mbërrijë e të trokasë, ata t’ia hapin menjëherë. Lum ata skllevër që zotëria, kur mbërrin, i gjen duke vigjiluar!»—Luka 12:35-37.
Në shekullin e parë skllevërit ‘i ngjeshnin ijët’, duke i mbledhur cepat e rrobave në brez, për ta pasur më të lehtë që të punonin tërë zell. Kështu, i krishteri duhet të jetë energjik, i zellshëm për vepra të mira. Ai duhet ta luftojë prirjen për të qenë «të përtuar» e për t’u bërë pasiv frymësisht, ndoshta duke i përdorur energjitë e tij për të rendur pas kënaqësive ose për të fituar gjëra materiale. Në vend të kësaj, duhet të ketë «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë», ndërsa pret ditën e madhe e frikësuese të Jehovait.—Romakëve 12:11; 1 Korintasve 15:58.
Plot me punë, ndërsa presim
Ndërsa presin ditën e Jehovait, Dëshmitarët e tij e kanë mbushur kohën e tyre plot me punë. Për shembull, në vitin e shërbimit 2003, kaluan mesatarisht 3.383.000 orë në ditë duke predikuar fjalën e Jehovait. Mendo që një njeriu të vetëm do t’i duhej të predikonte pa pushim 386 vjet për të arritur sasinë e orëve që u predikuan në një ditë të vetme!
Megjithatë, duhet të pyesim veten: ‘Me ç’qëndrim po e pres unë si individ Jehovain?’ Jezui tregoi një shëmbëlltyrë ku shpjegohet puna e palodhur që pritet prej të krishterëve besnikë të mirosur. Ai foli për tre skllevër: «Njërit [zotëria] i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri akoma një, secilit sipas aftësive të veta, dhe shkoi në dhe të huaj. Menjëherë, ai që mori pesë talentat, shkoi e bëri tregti me to dhe fitoi edhe pesë të tjera. Në të njëjtën mënyrë edhe ai që mori dy, fitoi dy të tjera. Por ai që mori vetëm një, shkoi e gërmoi në tokë dhe e fshehu monedhën e argjendtë të zotërisë së tij. Pas një kohe të gjatë, zotëria i atyre skllevërve erdhi dhe bëri llogaritë me ta.»—Mateu 25:15-19.
Të tre skllevërit e pritën kthimin e zotërisë. Kur ky mbërriti, secilit prej dy skllevërve, që e kishin mbushur kohën me punë ndërsa po e pritnin, i tha: «Të lumtë, skllav i mirë dhe i besueshëm!» Kurse ai që kishte pritur duarkryq mori një përgjigje tjetër. Zotëria tha: «Flakeni jashtë në errësirë skllavin që s’vlen për asgjë.»—Mateu 25:20-30.
Ndonëse kjo shëmbëlltyrë zbatohet për të krishterët e mirosur, që të gjithë mund të nxjerrim mësim, pavarësisht nga shpresa që kemi. Zotëria, Jezu Krishti, pret që secili nga ne të punojë me zell në shërbim, ndërsa presim mbërritjen e tij në ditën e madhe të Jehovait. Ai e vlerëson punën që bën gjithsecili «sipas aftësive të veta» dhe sipas rrethanave. Sa gëzim do të jetë të dëgjojmë Zotërinë të na thotë «Të lumtë!», kur të ketë mbaruar kjo periudhë pritjeje!
Durimi i Zotërisë tonë do të thotë shpëtim
Po sikur ky sistem të ketë zgjatur më shumë nga ç’mendonim ose shpresonim ne në fillim? Gjithsesi kjo s’ka qenë pa ndonjë arsye. Apostulli Pjetër shkroi: «Konsiderojeni durimin e Zotërisë tonë si shpëtim.» (2 Pjetrit 3:15) Njohuria e saktë për qëllimin e Perëndisë dhe pranimi me përulësi se plotësimi i këtij qëllimi ka më shumë vlerë sesa ne, do të na ndihmojë të durojmë për sa kohë që Jehovai ta shohë të përshtatshme ta durojë këtë sistem të vjetër.
Për t’i nxitur të krishterët që të jenë të duruar, Jakovi, një shkrimtar i Biblës, bëri një ilustrim. Ai shkroi: «Ja, bujku vazhdon ta presë frytin e çmuar të tokës, duke ushtruar për të durim, derisa të marrë shiun e parë dhe shiun e fundit. Edhe ju ushtroni durim; bëjini të patundura zemrat tuaja, sepse prania e Zotërisë është afruar.»—Jakovi 5:7, 8.
Perëndia Jehova nuk dëshiron që ne të lodhemi ose të dorëzohemi ndërsa po presim. Ai na ka dhënë një punë për të bërë dhe kënaqet në qoftë se e përdorim kohën e pritjes duke u angazhuar pa përtuar në këtë punë. Ai dëshiron që ne të jemi ndër ata që apostulli Pavël i përshkruan në letrën drejtuar hebrenjve: «Dëshirojmë që secili prej jush të tregojë të njëjtën papërtueshmëri, që ta ketë deri në fund sigurinë e plotë të shpresës, me qëllim që të mos bëheni të plogësht, por të jeni imitues të atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit trashëgojnë premtimet.»—Hebrenjve 6:11, 12.
Pra, le të mos lodhemi. Përkundrazi, të lejojmë që marrëdhënia jonë me Perëndinë Jehova, besimi në flijimin shpërblyes të Jezuit dhe shpresa e bukur për sistemin e ri, të jenë një forcë përtëritëse për ne. Ashtu si skllevërit ‘e mirë dhe të besueshëm’ të shëmbëlltyrës së Jezuit, le të tregojmë se jemi të denjë për lavdërim dhe për shpërblim, duke e lavdëruar pa pushim Perëndinë tonë, siç bëri psalmisti, që tha: «Por unë do të pres vazhdimisht dhe do të të lavdëroj edhe më shumë.»—Psalmi 71:14, BR.
[Figura në faqen 21]
I zhgënjyer, Jonai u ul të priste ç’do të ndodhte me Ninevinë
[Figurat në faqet 22, 23]
Le të shfaqim përkushtim hyjnor, ndërsa presim ditën e Jehovait