Jetëshkrim
Arsimim që zgjati gjithë jetën
TREGUAR NGA HAROLD GLUJASI
Një skenë nga fëmijëria më ka mbetur në mendje edhe sot e kësaj dite, pas më shumë se 70 vjetësh. Ulur në kuzhinë me mamanë, po shikoja një etiketë ku ishte shkruar «Çaj Cejloni». Në etiketë kishte edhe një figurë me disa gra që mblidhnin gjethe çaji në fushat e gjelbra të Cejlonit (tani Sri-Lankë). Kjo pamje, kaq larg shtëpisë sonë në shkretëtirën e Australisë Jugore, më zgjoi imagjinatën. Kushedi sa vend i bukur e tërheqës duhej të ishte Cejloni! Në atë kohë s’e dija se do të kaloja 45 vjet të jetës sime si misionar në atë vend të mrekullueshëm.
LINDA në prill të vitit 1922, në një botë që ishte shumë e ndryshme nga kjo e sotmja. Familja ime rriste grurë në një fermë të izoluar që ndodhej pranë Kimbës, një qytezë e veçuar në mes të kontinentit të madh të Australisë dhe në cepin jugor të shkretëtirës së madhe që ndodhet në brendësi të vendit. Në atë kohë jeta ishte plot me rreziqe, pasi na duhej të luftonim vazhdimisht me thatësirën, me epidemitë e insekteve dhe me vapën përvëluese. Në barakën e vogël prej llamarine që kishim si shtëpi, mamaja punonte shumë për t’u kujdesur për babanë, si edhe për ne gjashtë fëmijët.
Kurse për mua rajoni i shkretëtirës ishte një vend lirie dhe kënaqësie. Më kujtohet si rrija i shastisur kur shikoja kope të mëdha me buaj që spastronin vendin nga shkurret e egra ose stuhitë e rërës që bënin një zhurmë të tmerrshme dhe mbulonin gjithë zonën përreth. Kështu, arsimimi im në jetë filloi shumë kohë përpara se të ndiqja shkollën në një ndërtesë të vogël vetëm me një mësues, që ishte pesë kilometra rrugë në këmbë nga shtëpia.
Prindërit e mi ishin fetarë, edhe pse nuk shkonin asnjëherë në kishë, kryesisht sepse qyteti ishte shumë larg nga ferma. Megjithatë, në fillim të viteve 30 mamaja filloi të dëgjonte fjalimet biblike që mbante gjykatësi Radhërford, të cilat i transmetonte çdo javë një radio në Adelajde. Mendoja se ky gjykatësi Radhërford ishte një predikues në Adelajde, prandaj s’kisha shumë interes. Por mamaja i priste me padurim fjalimet që mbante çdo javë Radhërfordi dhe e dëgjonte me vëmendje zërin e mekur që dilte nga radioja jonë antike me bateri.
Një pasdite të nxehtë e tërë pluhur, para shtëpisë sonë ndaloi një kamion i vjetër dhe prej tij dolën dy burra të veshur mirë. Ishin Dëshmitarë të Jehovait. Mamaja e dëgjoi mesazhin e tyre dhe dha kontribute për të marrë disa libra, të cilët filloi t’i lexonte menjëherë. Kaq shumë përshtypje i bënë këta libra, saqë s’kaloi shumë dhe i kërkoi babait ta çonte me makinë te fqinjët që t’u fliste për ato që po mësonte.
Përfitoj nga ndikimet pozitive
Jo shumë kohë më pas, mjedisi i ashpër i shkretëtirës na detyroi të iknim që andej dhe të vendoseshim në Adelajde, 500 kilometra larg. E gjithë familja filloi të shkonte në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait në Adelajde dhe të përparonte frymësisht. Me transferimin në Adelajde mbaruan edhe vitet e shkollës për mua. Arrita deri në klasën e shtatë dhe pastaj e lashë shkollën në moshën 13-vjeçare. Nga natyra isha shumë i shkujdesur, dhe kjo do të më kishte larguar nga gjërat frymore, po të mos më ndihmonin disa vëllezër të mrekullueshëm, pionierë ose ndryshe shërbëtorë në kohë të plotë, të cilët u interesuan për mua personalisht.
Pak nga pak ndikimi i këtyre vëllezërve të zellshëm zgjoi brenda meje karakterin frymor, që ishte i përgjumur. Më pëlqente shumë shoqëria e tyre dhe e admiroja frymën e palodhur që kishin. Prandaj, kur në një kongres që u mbajt në Adelajde në vitin 1940 u bë njoftimi që inkurajonte shërbimin e plotkohor, u habita edhe vetë duke dhënë emrin. Në atë kohë s’isha pagëzuar ende dhe kisha shumë pak përvojë në shërbim. Po gjithsesi, disa ditë më vonë, më ftuan të bashkohesha me një grup të vogël pionierësh në Uornambul, një qytezë disa qindra kilometra larg Adelajdes, në shtetin fqinj të Viktorias.
Megjithëse në fillim isha paksa i pavendosur, s’kaloi shumë kohë dhe fillova ta doja shërbimin, dashuri kjo që s’më është venitur gjatë viteve, dhe jam i lumtur për këtë. Madje kjo ishte një pikë kthese në jetën time dhe që atëherë fillova të bëja vërtet përparim frymësisht. Mësova sa e vlefshme ishte të qëndroja pranë atyre që i duan gjërat frymore. Zbulova se si ndikimi i tyre mund të na bëjë të shfaqim më të mirën që kemi, pavarësisht nga arsimimi ynë dhe mësova se si ato mësime që marrim mund të na ndihmojnë për gjithë jetën.
Sprovat më forcojnë
Pak kohë pasi fillova si pionier, në Australi u ndalua vepra e Dëshmitarëve të Jehovait. Ngaqë s’isha i sigurt se çfarë të bëja, kërkova mendimin e vëllezërve, të cilët më thanë se s’ishte e ndaluar t’u flitje njerëzve për Biblën. Prandaj, bashkë me pionierët e tjerë fillova të shkoja shtëpi më shtëpi duke u folur njerëzve vetëm me Bibël. Kjo më forcoi për sprovat që do të vinin më pas.
Katër muaj më vonë mbusha 18 vjeç dhe më thirrën për shërbimin ushtarak. Kjo më dha mundësinë ta mbroja besimin tim para disa oficerëve dhe para një gjykatësi. Në atë kohë, rreth 20 vëllezër ishin në burgun e Adelajdes për shkak të asnjanësisë, dhe më çuan edhe mua atje. Na vunë te punët e rënda, për të nxjerrë gurë në gurore dhe për të rregulluar rrugët. Kjo më ndihmoi të zhvilloja cilësi si qëndrueshmëria dhe vendosmëria. Sjellja jonë e mirë dhe qëndrimi i palëkundur bëri që të fitonim respektin e shumë rojave të burgut.
Disa muaj më vonë, pasi dola nga burgu, më në fund shijova prapë ushqim të mirë, dhe rifillova shërbimin si pionier. Mirëpo në atë kohë s’kishte shumë pionierë që t’i kisha shokë shërbimi, prandaj më pyetën nëse mund të shkoja i vetëm në një zonë të largët me ferma në Australinë Jugore. E pranova caktimin dhe u nisa me anije për në Gadishullin e Jorkut, duke pasur si bagazh vetëm pajisjet për të predikuar dhe një biçikletë. Kur mbërrita, një familje e interesuar më drejtoi te një bujtinë e vogël, ku një zonjë e dashur më trajtoi si djalin e saj. Gjatë ditës përshkoja me biçikletë rrugët tërë pluhur, duke predikuar në qytezat e vogla që ishin shpërndarë në gjithë gadishullin. Për të predikuar zonat e largëta, nganjëherë e kaloja natën nëpër bujtina të vogla. Në këtë mënyrë bëra qindra kilometra rrugë me biçikletë dhe pata shumë përvoja të bukura. Nuk shqetësohesha shumë që isha vetëm në shërbim, pasi kur provoja kujdesin e Jehovait, afrohesha gjithnjë e më shumë me të.
Përballoj ndjenjat e pavlefshmërisë
Në vitin 1946 mora një letër ku më ftonin të filloja veprën udhëtuese si shërbëtor për vëllezërit (që tani quhet mbikëqyrës qarkor). Kjo do të thoshte të vizitoja disa kongregacione në një qark. Më duhet ta pranoj se përgjegjësitë që vinin me këtë caktim më dukeshin shumë të vështira. Një ditë më zuri veshi një vëlla që tha: «Në podium Haroldi s’është kushedi se çfarë, po në shërbim është shumë i mirë.» Ky koment më inkurajoi shumë. I dija edhe vetë kufizimet që kisha në oratori dhe në punën organizative, por besoja se veprimtaria kryesore për të krishterët ishte predikimi.
Në vitin 1947 kudo ndihej entuziazmi për vizitën që do të bënin vëlla Nejthën Nori dhe vëlla Milton Hensheli nga selia qendrore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin. Kjo ishte vizita e parë e këtij lloji, që nga koha kur kishte ardhur vëlla Radhërfordi në vitin 1938. Në vijim të kësaj vizite, në Sidnei u mbajt një kongres i madh. Ashtu si shumë pionierë të tjerë në moshë të re, edhe mua më interesonte stërvitja për misionarë që po jepej në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit, që sapo ishte hapur në Lansingun Jugor, Nju-Jork (SHBA). Disa prej nesh në auditor pyetnin veten nëse një nga kushtet për të hyrë në shkollë ishte arsimimi i lartë. Mirëpo, vëlla Nori shpjegoi që po të ishim në gjendje të lexonim një artikull në revistën Kulla e Rojës dhe të mbanim mend pikat kryesore, me siguri që do t’ia dilnim mirë në Galaad.
Mendoja se nuk do të kualifikohesha dot, ngaqë s’kisha shumë shkollë. Por, për habinë time, disa muaj më vonë më ftuan të bëja kërkesën për Shkollën e Galaadit. Pastaj më pranuan si student dhe ndoqa klasën e 16-të, që u mbajt në vitin 1950. Shkolla ishte një përvojë e mrekullueshme që më bëri më të sigurt në vetvete. Kjo shkollë më tregoi se çelësi për të pasur sukses nuk ishte arsimimi i lartë. Kryesore ishte zelli dhe bindja. Instruktorët na inkurajuan të jepnim më të mirën tonë. Kur ndoqa këshillën e tyre, bëra gjithnjë e më shumë përparim dhe arrita t’i ndjek mirë mësimet e shkollës.
Nga një kontinent i thatë në një ishull të bukur
Pas diplomimit, mua dhe dy vëllezërve të tjerë nga Australia na caktuan në Cejlon (tani Sri-Lankë). Mbërritëm në kryeqytet, në Kolombo, në shtator të vitit 1951. Klima ishte e nxehtë dhe e lagësht, dhe para nesh u shpalosën pamje, tinguj dhe aroma të reja për shqisat tona. Kur zbritëm nga anija, njëri nga misionarët që tashmë po shërbente aty më dha mirëseardhjen duke më lënë në dorë një fletë. Në të ishte shënuar një fjalim publik që do të mbahej të dielën vijuese në sheshin e qytetit. Për habinë time, në fletë ishte shënuar emri im si oratori. U ndjeva vërtet në siklet. Por vitet që kisha kaluar si pionier në Australi më kishin mësuar të pranoja çdo caktim që më jepej. Prandaj, me ndihmën e Jehovait, arrita ta mbaja me sukses fjalimin publik. Së bashku me katër vëllezër të tjerë beqarë, që tashmë po shërbenin në atë kohë në shtëpinë misionare në Kolombo, ne tre të sapoardhurit filluam të mësonim gjuhën e vështirë sinhaleze dhe të dilnim në shërbim. Një pjesë të mirë të kohës predikonim vetëm dhe ishim të kënaqur që banorët vendës na tregonin respekt dhe ishin mikpritës. S’kaloi shumë kohë dhe numri i të pranishmëve në mbledhje filloi të rritej.
Me kalimin e kohës, fillova të mendoja seriozisht për një pioniere tërheqëse, Sibilën, të cilën e kisha takuar ndërsa po udhëtoja me anije për në Shkollën e Galaadit. Ajo po udhëtonte për të ndjekur kongresin ndërkombëtar që do të mbahej në Nju-Jork. Më vonë ndoqi klasën e 21-të të Galaadit dhe e caktuan në Hong-Kong në vitin 1953. Vendosa t’i shkruaja, dhe e vazhduam korrespondencën deri në vitin 1955, kur Sibila erdhi tek unë në Cejlon dhe u martuam.
Caktimi i parë që morëm së bashku si misionarë ishte në Xhafna, një qytet në veri të Sri-Lankës. Aty nga mesi i viteve 50, dallimet politike po e ndanin në dy zona popullsinë sinhaleze dhe tamile, duke hedhur themelin për konfliktin e armatosur që erdhi më vonë. Sa na ngrohej zemra kur shihnim Dëshmitarë sinhalezë dhe tamilë që strehonin njëri-tjetrin për muaj të tërë, gjatë atyre viteve të vështira! Ato sprova ua rafinuan dhe ua forcuan besimin vëllezërve.
Predikim dhe mësimdhënie në Sri-Lankë
Kërkohej durim dhe qëndrueshmëri për t’u përshtatur me popullsinë hinduiste dhe myslimane. Megjithatë, arritëm t’i vlerësonim shumë të dyja kulturat dhe aspektet tërheqëse të tyre. Meqë nuk ishte normale për ata të shihnin të huaj që udhëtonin me autobusët e vendit, prania jonë atje ngjallte vështrime kureshtare. Sibila vendosi t’u përgjigjej me një buzëqeshje të madhe. Sa bukur ishte të shihje ato fytyra kureshtare të çeleshin dhe të na e kthenin me një buzëqeshje!
Në një rast, na ndaluan në një postbllok. Pasi na pyeti nga ishim e ku po shkonim, roja filloi të bënte pyetje më personale.
—Kush është kjo gruaja?
—Ime shoqe,—iu përgjigja.
—Sa keni që jeni martuar?
—Tetë vjet.
—Keni fëmijë?
—Jo.
—Obobo! Keni shkuar te ndonjë doktor?
Në fillim kjo kureshtje, që atyre u lindte natyrshëm, na habiti, por, me kalimin e kohës, e kuptuam se ishte shprehje e interesit të sinqertë që kishin për të tjerët. Madje ishte një nga cilësitë që na bënin t’i donim edhe më shumë. Mjaftonte që një njeri të rrinte te sheshi i qytetit për ca minuta dhe dikush do t’i afrohej dhe me mirësjellje do ta pyeste nëse mund ta ndihmonte për ndonjë gjë.
Ndryshime dhe kujtime
Gjatë viteve patëm edhe caktime të tjera përveç veprës misionare në Sri-Lankë. Më caktuan të shërbeja në veprën e qarkut e në veprën krahinore, pastaj si anëtar të Komitetit të Degës. Në vitin 1996 isha në mes të të 70-ave. Kisha shërbyer më shumë se 45 vjet si misionar në Sri-Lankë. Në mbledhjen e parë që kisha ndjekur në Kolombo kishte pasur rreth 20 të pranishëm. Tani ai numër ishte rritur shumë, deri në 3.500. Shumë prej tyre unë dhe Sibila i shihnim si fëmijët dhe nipërit e mbesat tanë frymorë. Megjithatë kishte ende shumë punë për të bërë në gjithë vendin, punë që kërkonte energji dhe aftësi nga njerëz më të rinj se ne. Duke pasur parasysh këtë, e pranuam ftesën që na bëri Trupi Udhëheqës për t’u kthyer në Australi. Kjo gjë bëri të mundur që çifte të kualifikuara në moshë më të re të shkonin në Sri-Lankë si misionarë në vendin tonë.
Tani jam 83 vjeç e së bashku me Sibilën jemi të kënaqur që kemi mjaft shëndet sa për të vazhduar në shërbimin si pionierë specialë në Adelajde, në shtëpinë time të vjetër. Shërbimi na e mban mendjen të freskët dhe na bën të jemi elastikë. Na ndihmon edhe që të përshtatemi me një mënyrë jetese shumë të ndryshme në këtë vend.
Jehovai vazhdon të kujdeset për të gjitha nevojat tona materiale, dhe vëllezërit e motrat në kongregacion na japin shumë dashuri e mbështetje. Kohët e fundit mora një caktim të ri. Do të shërbej si sekretar në kongregacionin tonë. Prandaj kam parë se ndërsa përpiqem t’i shërbej me besnikëri Jehovait, stërvitja që më jep ai vazhdon gjithnjë. Duke menduar për vitet e kaluara, habitem se si një djalë i thjeshtë e i shkujdesur, që vinte nga shkretëtira australiane, mund të merrte një arsimim kaq të mrekullueshëm, një arsimim që zgjati gjithë jetën.
[Figura në faqen 26]
Ditën e dasmës, më 1955
[Figura në faqen 27]
Në shërbim me Raxhan Kadirgamarin, një vëlla vendës, në vitin 1957
[Figura në faqen 28]
Me Sibilën sot